Mr. Iron Dome

Mr. Iron Dome

244
0
NDAJ

Daniel Gold është inxhinieri i cili ka shpikur sistemin antiraketë që mbron Izraelin. Historia e një vizionari dhe e lejtmotivit të tij: të shpëtojë jetë.

Ditët e fundit në Izrael kanë pasur një tingull dhe një ngjyrë. Tingulli është rënia e sirenës që paralajmëron se raketat po vijnë dhe se duhet vrapuar, sa më shpejt të jetë e mundur nëpër bodrume, nëpër vendstrehime. Pas sirenës, një shpërthim, është Iron Dome që ka goditur raketat e lëshuara nga Hamasi në Rripin e Gazës. Uturima e shpërthimit më pas gjeneron një flakërimë të ndritshme dhe një qiell me një ngjyrë të kuqe, kimike, jonatyrale, “është ngjyra e luftës”, thotë një zë në telefon nga Kfar Aza, një kibbutz në jug të Izraelit. Iron Dome është sistemi antiraketor izraelian që shikon raketat palestineze teksa ngrihen, u llogarit trajektoret dhe vendos nëse t’i godasë me një antiraketë për t’i asgjësuar apo t’i lërë të bien. Gjithçka është shumë e shpejtë dhe, sikur të mos kishte qenë ky sistem, humbjet për shtetin hebraik gjatë dy javëve kur Hamasi ka lëshuar më shumë se 4000 raketa do të kishin qenë shumë më tepër, kanë qenë 12, nuk ka pasur kurrë kaq shumë të vdekur midis civilëve izraelianë. “Zakoni ndaj ndjenjës së rrezikut nuk humbet, e provon një herë dhe të mbetet i ngjitur. E mban brenda vetes gjithmonë, është një shoqërim konstant. Një fluid më i dendur se gjaku që e ndjen të qarkullojë nëpër damarë. Prandaj Iron Dome ka qenë e rëndësishme, të gjithë këtu në Kfar Aza e dimë dhe provojmë t’ia përsërisim vetes se mund të rrimë rehat, por nga kjo ndjenjë e rrezikut tashmë të provuar nuk ka ndonjë mënyrë çlirimi”. Janë plagët që nuk shihen e kësaj lufte, por shpresohet se nuk do t’u mbesin gjeneratave më të reja dhe në këtë aspekt Iron Dome luan një rol shumë të rëndësishëm.

Ajo që e ka ideuar, promovuar dhe realizuar ka qenë një betejë, që ka vendosur t’i japë emër një inxhinieri me dy doktoratura kërkimore – një në Inxhinieri Elektronike, tjetra në Business Management – që sot është në krye të Defense Research and Development Directorate të Ministrisë së Mbrojtjes. Quhet Daniel Gold, me origjinë hungareze, i lindur në Izrael dhe i rritur me një ide: se shteti hebre ishte një vend i mrekullueshëm ku të jetohej, por duhej edhe të bëhej i sigurtë. Ka vendosur t’ia zbatojë studimet e tij një misioni: të shpëtojë numri më të lartë të jetëve dhe “të ruajë vijueshmërinë e jetës në Izrael”. Kur u paraqit për herë të parë përpara establishmentit të Mbrojtjes me propozimin e tij për të asgjësuar raketat me raketa të tjera ultra të sakta, të gjithë mendonin se ishte ndonjë i çartur, ndonjë i çmendur, “nuk jemi këtu për të luajtur luftash yjore”, i janë përgjigjur. Por Daniel Gold kishte të gjithë qëllimin që të bënte të mundur një gjë të pamundur.

Ideja i kishte ardhur gjatë Luftës së Gjirit, ai ishte në Tel Aviv, kundër të cilit Saddam Hussein lëshoi raketat Scud. Prej atyre ditëve i ka mbetur në kokë ndjesia e një qyteti të paralizuar, bosh. Në atë kohë sapo kishte mbaruar universitetin dhe mendoi se nuk duhej të lejohej që izraelianët të jetonin në frikë. Pas dështimit të parë përpara krerëve të mbrojtjes, Gold nuk ka pritur dritën jeshile nga ana e drejtuesve politikë e ushtarakë dhe, për të shmangur që projekti i tij që akoma ishte vetëm një ide, të mbetej i ngecur në vorbullat e betejave institucionale, kishte filluar tashmë të lëvizte për hesap të tij. Qysh në vitin 2004 kishte krijuar një komitet për të studiuar opsionet e ndryshme për teknologjinë antiraketore, vazhdoi me kërkimet e tij në shkelje të hapur të një direktive të Ministrisë së Mbrojtjes, sipas së cilës projekti nuk meritonte që të ecte përpara. Gold, i cili nuk kishte ndërmend të hiqte dorë nga ideja e tij – sot thotë se nuk i ka shkelur rregullat, por se thjesht ka shmangur burokracinë – kërkoi një investitor privat. Kishte rezultuar një tip eksentrik, tejet entuziast dhe e dinte se pa një rezultat konkret për të treguar, drejtuesit e Mbrojtjes nuk do ta ndryshonin opinionin për antiraketat e tij.

Megjithatë, dy vite më vonë edhe më skeptikët qenë bindur. Promotori më i madh i sistemit ishte bërë ministri i Mbrojtjes Amir Peretz, titullari i atëhershëm i sigurisë që vjen nga Sderot dhe e njeh mirë prioritetin e reagimit ndaj një shiu raketash, sapo kishte përfunduar lufta e Libanit. Pavarësisht se Peretz i kishte të gjithë kundër, Gold i mori fondet për të vazhduar më tej, projekti ju caktua kompanisë Rafael, me të cilin inxhinieri ishte vënë tashmë në kontakt, dhe dy kompani të tjera bashkëpunuan për të zhvilluar softuerin dhe radarin. Gold dëshironte një ekip të madh, “ajkën e vendit”, ekspertë raketash 70 vjeçarë tashmë në pension dhe inxhinierë 25 vjeçarë, gra e burra. Në një intervistë për “Yisrael Hayom” ka treguar: “Ka qenë sikur të menaxhoje njëherazi 15 start-up të ndryshme, të cilat duhet të punojnë në harmoni midis tyre dhe ta bëje në kohë rekord. Pa hierarki, një punë horizontale”. Projekti nuk ishte i thjeshtë, duhej gjetur mënyra të skanohej në mënyrë konstante e gjithë Gaza, të zbulohej raketa e lëshuar dhe sidomos të krijohej një qendër kontrolli në gjendje të llogariste trajektoren maksimumi brenda 15 sekondash. Janë dashur vite, kishte zero marzh gabimi dhe qeveria izraeliane kishte nevojë për para. Peretz provoi që t’i drejtohej presidentit amerikan Bush, përgjigja qe negative.

Për sytë e amerikanëve sistemi i konceptuar nga Daniel Gold ishte “diçka që nuk mund të bëhet”. Qe Barack Obama ai që besoi tek projekti dhe që e mbështeti me 200 milion dollarë. Kërkimet e Gold ecnin gjithnjë e më mirë, sistemi bëhej gjithnjë e më i shpejtë dhe më i saktë, për dizajnin zhvilluesit u frymëzuan nga një model makinash të vogla për fëmijë. Tashmë kishte ardhur momenti që t’i vendosej një emër. Sistemit dhe raketave, bile antiraketave. Nëse Gold është babai, ideuesi, promotori, Don Kishoti i Iron Dome, nuk ka qenë ai që e ka zgjedhur emrin. Raketat do të duhej të quheshin anti Qassam, nga emri i raketave të Hamasit, por në fund vendosën t’i quanin Tamir, akronim i Til Meyaret, raketë interceptore. Mbetej të gjendej një emër për sistemin, propozimi i parë qe Golden Dome, kupolë e artë. Por emri u refuzua, dukej shumë i tepruar, i pafytyrë. Sistemi duhej të përfaqësonte vërtet një ide të qëndrueshme të sigurisë, nuk duhej të rezultonte qesharak, më mirë Iron Dome, kupolë e hekurt, në hebraisht kipat barzel. Në vitin 2011, IDF (Izraeli Defense Force) e deklaron sistemin operativ.

Është një sistem i përbërë nga 3 pjesë: një radar, një qendër kontrolli dhe raketat interceptuese. Radari intercepton raketën, qendra e kontrollit i llogarit trajektoren, Tamir e shkatërron, por lëshohet vetlm nëse ekziston rreziku që të goditen qendra të banuara. Sot në Izrael ka rreth 10 bateri të shpërndara në të gjithë vendin, secili me 3 apo 4 lëshues që janë në gjendje të qëllojnë 20 raketa interceptuese. Është një operacion i kushtueshëm dhe këto qenë kritikat e para me të cilat u ndesh Daniel Gold pasi kishte demonstruar se sistemi funksiononte. Çdo bateri kushton 100 milion dollarë, çdo raketë 50000, ndërsa prodhimi i raketave të përdorura nga Hamasi në nivel ekonomik është shumë më pak i kushtueshëm. Për momentin nuk është gjetur mënyra e uljes së kostove, por benefitet rezultojnë më të larta dhe gjatë përleshjeve të këtyre javëve Iron Dome ka interceptuar mbi 1400 raketa të lëshuara nga Rripi i Gazës. Një numër shumë i lartë që e ka vënë nën presion sistemin.

Në vitin 2012 Gold merr një çmim të rëndësishëm nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes, nga i çmendur ishte shndërruar në vizionar. Ai thekson se është një hap shumë i shkurtër në realitet, se krenaria e tij më e madhe ka qenë ajo që ka transformuar fantashkencën, “luftërat yjore” në një realitet. Askush nuk do të kishte vënë bast se një raketë mund të neutralizohej nga një raketë tjetër, në fluturim dhe brenda pak sekondash. Përplasja prodhon rripa drite, atë ngjyrë lufte të parë nga kibbutz i Kfar Aza, që është edhe një sfumaturë sigurie e vështirë për t’u përmbledhur pasi ke njohur ankthin e rrezikut. Në fillim ka qenë një luftë kundër mullinjve të erës, ka thënë Gold, se pavarësisht sukseseve të para, besimit të Barack Obama de demonstrimit të dobishmërisë së Iron Dome vazhdonte të trajtohej si inxhinieri ekstravagant, ai që kishte shkelur një direktivë të Minitrisë së Mbrojtjes, me një buzëqeshje të ngulitur gjithmonë në fytyrë dhe zërin e shtruar. Në vitin 2014, gjatë Operacionit “Marzh Mbrojtjeje”, bëhet hero kombëtar, njerëzit e ndalojnë nëpër rrugë, bëjnë fotografi me të: është babai i Iron Dome.

Prindërit e Daniel Gold i kanë mbijetuar Holokaustit dhe ai është i bindur se ka qenë kjo, dhimbja e përbashkët e të gjithë popullit hebre, ajo që e ka shtyrë të mendojë për mbijetesën, me çdo kusht. E ka përshkruar si një moto të fortë, të brendshme, nevojën e të qënit gjithmonë hap përpara armikut. Dhe vitin e kaluar ka ardhur një armik tjetër: koronavirusi. Pandemia duhet t’i ketë kujtuar zemërimin e provuar kur shikonte Tel Avivin e vetmuar dhe bosh gjatë Luftës së Gjirit. Nga marsi i vitit të kaluar, departamenti i tij brenda Ministrisë së Mbrojtjes ka ndryshuar krejtësisht fushë dhe i është përkushtuar kërkimit kundër virusit. “Në Izrael, i ka thënë “New York Times”, nëse është për t’u përfunduar një mision, sillet si në luftë. Të gjithë pushojnë së bëri atë që po bënin dhe hedhin energji e kreativitet mbi objektivin e ri”. Ekipi i tij, gjithmonë i madh, gjithmonë me njerëz nga sektorë të ndryshëm, gjithmonë horizontal, është përqëndruar mbi 3 çështje: prodhimin e ventilatorëve, ndihmimin e spitaleve në menaxhimin e mbipopullimit dhe testimet, “game changer” i vërtetë. Ka studiuar një lloj tamponi që bazohet mbi frymëmarrjen, nuhatjen dhe inteligjencën artificiale me rezultatin që merret në 60 sekonda.

Ashtu si me Iron Dome, koha dhe shpejtësia qenë faktorët për t’u rritur. Kundër raketave dhe kundër virusit. Rrethanat dhe motivet që e kanë shtyrë Gold të zhvillojë sistemin antiraketor dhe të kërkojë mënyrën e frenimit të pandemisë janë të ngjashme. Zemërimi ndaj frikës, dëshira për liri, për të shpëtuar jetë, ndjenja e frustrimit përballë vendit bosh e të paralizuar. Dëshira për ta bërë Izraelin jo vetëm një vend të mrekullueshëm, por edhe të sigurtë. Por kësaj radhe Gold nuk i është dashur të luftojë ndaj drejtuesve armiqësorë politikë, nuk është më inxhinieri jashtë nga skemat, i akuzuar se shkel direktivat e Ministrisë së Mbrojtjes, optimist në mënyrë kokëfortë dhe me pretendime fantastiko – shkencore. Është garanti i sigurisë së Izraelit, që flet pak për veten, shumë për vendin e tij, pafundësisht për atë që ende duhet të bëjë për ta mbrojtur, ndaj gjithçkaje, në mënyrë të palodhshme. Marsin e vitit të kaluar është ftuar nga kryeministri Benjamin Netanyahu, ka kuptuar menjëherë se pandemia ishte një kërcënim i rëndë dhe serioz. Nën sytë besues të izarelianëve, ja ka hyrë punës që tashmi e njohin dhe me të ndjehen të sigurtë.

Daniel Gold vazhdon të punojë lidhur me Iron Dome, që siguron se është në evolucion të vazhdueshëm, me më shumë aryësye pas luftës së fundit që ka vënë në sprovë të vështirë rezistencën e saj. “Kjo e sotmja sigurisht që nuk është Iron Dome i 2013. Hamas evoluon dhe ne nuk mund të qëndrojmë duarkryq”. Armikut i duhet qëndruar gjithmonë një hap përpara. Izraeli jeton në ekzaltimin e Iron Dome që gjatë këtyre ditëve e ka shfaqur sërish domosdoshmërinë e saj. Është pjesë e vendit në mënyrë të atillë, sa që është bërë edhe një model për makina të vogla ose, më mirë, është kthyer të shikohet se ka qenë një lojë për fëmijë që ja ka frymëzuar dizajnin, dhe raketat Tamir janë bërë një film i animuar për fëmijë. Protagoniste është një raketë, Tili, që shpjegon sesi funksionon, pse ekziston, pse shpërthen, pse zhurmon dhe pse pas zhurmës nuk duhet pasur frikë: “Nëqoftëse sheh tymin në qiell, nëse dëgjon zhurmëm, jam unë, Tili yt”.

Sistemi antiraketor ka hyrë edhe në kulturën pop të vendit, pjesë e asaj përditshmërie komplekse që nuk duhet ta ndalë të ardhmen. Tili shërben për ta larguar ndjenjën e rrezikut konstant, atë lëng më të rëndë se gjaku që po të hyrë në damarë nuk del më, për të ruajtur gjeneratat e e fundit, që siç ka thënë Gold janë garancia e vijueshmërisë së Izraelit. Por përtej Iron Dome është pjesa tjetër për të cilën punon, një armik për radhë dhe një prej pikave fikse të inxhinierit, që shpesh thirret në universitetet izraeliane për të treguar, është: zgjidhe fushën tënde, thellohu, bëhu më i miri në këtë, por mos u afeksiono, merru edhe me tjetër, rishpiku, bëj gjëra të reja, nëse studion, studio dhe puno, nëse ke studiuar dhe punon, merr një diplomë tjetër, përzihu, dëgjo, puno në grup, krah për krah, me zero ego dhe, mbi të gjitha, shpëto jetë.

(nga Il Foglio)

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

LEAVE A REPLY