Sa kushton tranzicioni energjitik?

Sa kushton tranzicioni energjitik?

400
0
NDAJ

Bashkimi Europian propozon që t’i ulë emetimet e gazit karbonik brenda vitit 2050. Një studio nga Brukseli dhe kompania e konsulencës McKinsey kërkojnë të kuptojnë sesi arrihet objektivi.

Në Tetëqindën Europa ka qenë djepi i revolucionit të lëndëve djegëse me bazë fosile. Sot ka vendosur t’i braktisë këto burime energjie që deri më tani kanë përkcaktuar historinë bashkëkohore. Objektivi i zerimit të emetimeve neto të anhidridit karbonik brenda 2050 është shumë ambicioz, por sa do të kushtojë tranzicioni energjitik? Në çfarë mase do t’i shtrëngojë europianët të modifikojnë mënyrën e tyre të jetesës dhe të punuarit? Prej viteve Shtatëdhjetë shkencëtarët dhe ekonomistët zhvillojnë modele për të kërkuar t’u përgjigjen këtyre pyetjeve. Janë simulime, por edhe pse të paqarta nuk ka asgjë më të mirë mbi të cilat të bazohen vendimet politike.

Analiza e fundit e thelluar dhe komplete e rrugëtimit drejt dekarbonizimit europian e botuar nga ekspertët e Komisionit Europian i përket nëntorit të vitit 2018. Në qindra faqe analizash shumë teknike dokumenti shpjegon se çfarë do të thotë të reduktosh me 40% emetimet brenda vitit 2030 dhe me 80% brenda atij 2050. Duke paralajmëruar objektivat më ambiciozë të dakordësuara më 2020, ekspertët kishin përfshirë edhe skenarë që parashikonin zerimin neto të emetimeve brenda vitit 2050. Në dhjetorin e 2020 një raport edhe më i përditësuar lidhur me rrugën europiane e zerimit të emetimeve është botuar nga kompania e konsulencës McKinsey. Të dy studimet ndryshojnë në detaje, por bien dakord në konkluzionet e përgjithshme.

Dekarbonizimi brenda vitit 2050 është ambicioz, por fizibël. Sipas McKinsey, është e mundur të arrihet 73% e reduktimeve të parashikuara për vitin 2030 me teknologji që janë maturuar apo sapo janë adoptuar, si motorët elektrikë. Vetëm 5% e shkurtimeve të nevojshme varet nga teknologji ende në fazë embrionale dhe, nëqoftëse e shtyjmë shikimin deri më 2050, është e mundur të arrihet 87% i reduktimeve me teknologji tashmë të përdorura ose, në mos tjetër, të eksperimentuara në shkallë të reduktuar. 13% tjetër i mbetur duhet të mbulohet nga novatorizma kreative.

Përdorimi i gjithë këetyre teknologjive ka një kosto të jashtëzakonshme. McKinsey flet për 28000 miliard euro për periudhën 2020 – 2050. Skenari më ambicioz i Komisionit Europian parashikon 28400 miliard euro midis viteve 2031 e 2050. Mijëra miliarda euro do të duhet të investohen në sektorin energjitik për panele diellore, parqe eolike, bateritë dhe rrjetin elektrik. Shumë para do të duhet të shpenzohen për të modernizuar ndërtesat, industrinë, bujqësinë dhe sidomos transportet.

Këto shifra të ngjallin frikë. PBB e 27 vendeve të Bashkimit Europian në vitin 2019 ka qenë një çikë më pak se 14000 miliard euro. McKinsey sugjeron se për të arritur impaktin zero brenda vitit 2050 Bashkimi Europian do të duhet të investojë çdo vit rreth 5.8% të PBB së tij. Është një shifër e konsiderueshme, por në pjesën më të madhe këto para janë. Rishpërndarja e mijëra miliarda eurove që qarkullojnë në sektorët me konsum të lartë karburantesh me bazë fosile mund të mbulojnë 4/5 e investimeve të nevojshme për një të ardhme të pastër. Do të mbeteshin për t’u bërë investime prej rreth 5400 miliard eurosh në 30 vjet, midis 1% dhe 1.5% e PBB. Një shifër që korrespondon me vlerësimet e Komisionit Europian. Faktikisht 1.2% e PBB është sa 27 vendet e Bashkimit Europian kanë shpenzuar në vitin 2019 për ushtritë e tyre.

Prandaj pikëpyetja e madhe ka të bëjë jo si të mobilizohen para të reja, por si të sigurohemi që investimet eekzistuese të shkojnë në drejtimin e duhur dhe prodhojnë një kthim të përshtatshëm. Sipas McKinsey, për shkak të kostos së lartë të teknologjive të rinovueshme në fazat fillestare, nga këtu deri në vitin 2030 më pak se 40% e investimeve do të prodhojë kthimet e duhura. Dhe këtu hyn në lojë politika. Sikur hendeku do të duhet të mbulohej nga shpenzimet publike, sipas McKinsey qeveritë europiane do të duhej të mobilizonin 4900 miliard euro në formën e subvencioneve në harkun e 30 viteve. Padyshim një sakrificë e dhimbshme, por sigurisht jo e pakonceptueshme.

Megjithatë, paratë e kontribuesve janë vetëm një prej mënyrave për adresimin e investimeve. Një alternativë është vënia një çmim e emetimeve të gazit karbonik. McKinsey vlerëson se me një kosto të anhidridit karbonik prej 100 eurosh toni mund të mbulohen 80% e investimeve të nevojshme. Fondet e gjeneruara nga një sistem shitjeje i emetimeve do të mund të riciklohen në formën e subvencioneve dhe shpenzimeve të tjera. Investimet e drejtpërdrejta do të mbeteshin të domosdoshme në sektorët ku është më e vështirë të ulen emetimet.

Për momentin, bilanci i Bashkimit Europian është i kufizuar në 1% të PBB. Fondi NextGenerationEu është një hap në drejtimin e duhur, por 32 miliard eurot që i alokon shpenzimeve për klimën në 7 vitet e ardhshme janë shumë pak. T’i rrisësh do të ishte e vështirë, por jo e pamundur për t’i imagjinuar, sidomos në rast se shpenzimet e Brukselit forcohen nga resurse prej vendeve të veçanta dhe nga institute si Banka Europiane e Investimeve. Natyrisht që nuk duhet nënvlerësuar shtrirja e një sfide me këto përmasa.

Grupe të vogla interesin mund të ushtrojnë një presion disproporcional ndaj politikave të Bashkimit Europian: influenca e lobeve bujqësore franceze është legjendare. Lëndët djegëse me bazë fosile kanë një rol vendimtar në stilin tonë të jetesës. Shpesh theksohet se është pikërisht kjo ajo që e bën jo të diskutueshme çështjen e tranzicionit energjitik: prek vërtet të gjithë. Megjithatë është akoma edhe më i jashtëzakonshëm fakti që në ravijëzimin e itinerarit drejt zerimit të emetimeve as Komisioni Europian dhe as McKinsey nuk presupozojnë ndryshime rrënjësore në stilin e jetesës të popullsisë europiane. Më pak udhëtime dhe një përdorim më i kujdesshëm i energjisë në shtëpi mund të jenë të dobishme. Secili prej këtyre ndryshimeve do të bënte të luhatej përqindja me 1 pikë nga njëra anë ose nga ana tjetër.

Sipas McKinsey, një seri ndryshimesh në zakonet tona mund t’i reduktojë emetimet me 15%, duke kontribuar në mënyrë substanciale në mbushjen e hendekut në sektorët ku është më e vështirë të ulen emetimet. Megjithatë, ndryshimi themelor duhet të ndodhë në infrastrukturat. Parqe eolikë, panele diellorë dhe elektrike do ta copëzonin peizazhin. Ripërkufizimi i shfrytëzimit të tokës do të jetë vendimtar në arritjen e imaptit zero. Të flasësh për tranzicion energjitik shpesh ngjall frikën për fatura më të kushtueshme.

Megjithatë si Komisioni Europian, ashtu edhe McKinsey parashikojnë një rritje të përmbajtur të faturave të elektricitetit brenda vitit 2030. Pas këtij viti, falë një efikasitet gjithnjë e më të madh energjitik të familjeve, të gjithë skenarët sugjerojnë një rënie të kostove. Brenda vitit 2050 familjet europiane do të duhet të shpenzojnë më pak për elektricitetin. Një motiv tjetër preokupimi është puna. Të dy modelet parashikojnë se një ekonomi me impakt zero brenda 2050 do të gjenerojë më shumë vende pune sesa situata aktuale, e shënuar nga varësia prej lëndëve djegëse me bazë fosile. Problemi qëndron në pabarazitë rajonale. Rasti më i vështirë mund të jetë ai i Polonisë, e cila ende varet shumë nga qymyri.

Natyrisht që këtë parashikime mund të rezultojnë pak realiste, nuk do të ishte hera e parë në histori që ekspertët të nënvlerësojnë një sfidë gjiganteske. Përshtatshmëria mund të jetë më e dhunshme. Novatorizmat e nevojshme mund të mos materializohen, ama nëse këta skenarë janë vërtetë qoftë sa gjysma, atëhere mesazhi është i qartë. Dekarbonizimi mund të kërkojë një mobilizim kolektiv as për së largu i krahasueshëm me atë emergjencave në kohë lufte apo revolucionesh sociale me të cilat krahasohet nganjëherë. Dhe një transformim i jetës së përditshme në Europë nuk është aq i thellë.

Impakti mbi punësimin duhet të jetë shumë më pak i dhimbshëm se ai i deindustrializimit të viteve Shtatëdhjetë e Tetëdhjetë, por këtu skenarët e Komisionit Europian dhe të McKinsey fshehin një paralajmërim. Për të arritur objektivin e eliminimit të emetimeve mund të jetë e nevojshme të rikualifikohen 18 milion punëtorë brenda vitit 2050, ama është pakogjë respektivisht 100 milionëve që sipas parashikimeve do të duhet të rikualifikoheshin nga këtu në vitin 2030 për shkak të asaj që në mënyrë eufemiste quhet “automatizim”. Sfidat politike dhe ekonomike që na presin janë të mëdha. Të investosh në tranzicionin drejt energjisë së pastër dhe në modernizimin teknologjik gjithësesi mund të rezultojë një terren ku Europa faktikisht mund t’u ofrojë qytetarëve të saj një të ardhme dinamike dhe premtuese.

(Adam Tooze është historian britanik i Columbia University në Shtetet e Bashkuara. Ka shkruar librin “Crashed: How a Decade of Financial Crises Changed the World”)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

LEAVE A REPLY