Luftë dhe privatësi

Luftë dhe privatësi

57
0
NDAJ

Tim Cook dhe Mark Zuckerberg urrehen, por prapa përplasjes midis Apple dhe Facebook për të dhënat ka një ide të demokracisë (dhe shumë para).

Nuk duhet të jetë e lehtë të jesh Mark Zuckerberg. Krijuesi i Facebook është një prej njerëzve më të pasur të botës, një baba familjeje, një gjeni i parakohshëm dhe një prej njerëzve të paktë në faqe të Tokës që mund të thuhet me një shkallë të mirë sigurie se ka ndryshuar historinë. Megjithatë nuk duhet të jetë e lehtë të jesh Mark Zuckerberg, sidomos nëse thuajse të gjithë bien dakord me idenë se ti e ke ndryshuar historinë, po, ama për të keq. Që Facebook ka vënë në rrezik demokracinë, favorizuar ngjitjen e populizmit, vrarë debatin politik dhe që është përdorur për të organizuar akte dhune në botën reale, me të vdekur te të plagosur. Kështu që ka të ngjarë që Zuckerberg të jetë mësuar me kritikat dhe që nuk i jep shumë rëndësi, ama disa artikuj të mirëinformuar kanë treguar se prej disa vitesh Zuckerberg e humbet qetësinë përpara një kritiku të veçantë, në pikën që në vitin 2018, pas një shkëmbimi fjalësh në largësi, duket se u ka thënë të tijëve: “Duhet t’u shkaktojmë dhimbje”. Kritiku që e “çmend” Zuckerberg nuk është as ndonjë prej senatorëve amerikanë që do të donin ta shkorporonin Facebook me një procedurë antitrust, as ndonjë prej opinionistëve të shumtë që e akuzojnë Facebook praktikisht për çdo paudhësi, por Tim Cook, CEO në dukje i qetë i Apple. Shprehjen e sipërcituar e ka përcjellë “Wall Street Journal”, në një artikull plot me detaje të shkruar disa javë më parë nga Deepa Seetharaman, Emily Glazer dhe Tim Higgins.

Midis dy kompanive, Apple dhe Facebook, prej vitesh bëhet një luftë që mund të përcaktojë të ardhmen e internetit dhe pas saj është përplasja midis dy personaliteteve që drejtojnë këto kompani: përplasjet midis të dyve, anipse gjithmonë në largësi, janë shumë publikë dhe të një dhune të pazakonshme për Silicon Valley. Sidomos muajt e fundit kjo përplasje është bërë shumë e fortë: Facebook akuzon Apple se dëshiron ta shkatërrojë dhe ndërkohë të bëjë të njëjtën gjë – domethënë t’i shkaktojë dhimbje. Qartazi, Apple dhe Facebook nuk do të kishin arëse të ishin kundërshtarë. Apple prodhon hardware, domethënë pajisje si iPhone dh kompjuterë Mac, ndërsa Facebook prodhon software, si rrjeti social me të njëjtin emër, Instagram dhe WhatsApp. Të dy kompanitë duhet të jenë të kompatibël, i shërbejnë njëra tjetrës: pa iPhone, Facebook nuk ecën dhe pa Facebook (Instagram dhe WhatsApp), iPhone është një çikë më i mërzitshëm. Por ka arësye të ndryshme për të cilat të dy kompanitë përplasen prej vitesh dhe për të cilat përplasja është bërë shumë e dhunshme në muajt e fundit. Beteja bëhet për një çështje parimore, prapa të cilës fshihen kalkulime biznesi. Dhe Apple ka sulmuar e para.

Prej disa vitesh Apple kërkon të pozicionohet si kompani lider në ruajtjen e privatësisë së përdoruesve të saj. Këtu parimet etike dhe interesat ekonomike ndërthuren fort: nga njëra anë Tim Cook është vërtet i bindur për vlerën e privatësisë, nga ana tjetër kjo vëmendje është pjesë e kulturës së Apple prej vitesh dhe buron drejtpërsëdrejti nga themeluesi Steve Jobs, i cili në 2010 thoshte: “Ne kemi ndaj privatësisë një qasje shumë të ndryshme nga disa kolegë të Silicon Valley, e marrim shumë seriozisht”. Gjatë të njëjtës intervistë, Jobs dha një përkufizim të privatësisë që Apple ka vazhduar ta ndjekë dhe ta përsosë më tej edhe pas vdekjes së tij një vit më pas: “Privatësia nënkupton që njerëzit duan të dinë se për çfarë po jepin miratimin e tyre. Në anglisht, thjesht dhe në mënyrë të përsëritur. Jam optimist dhe jam i bindur se njerëzit janë inteligjentë dhe disa duan t’i ndajnë të dhënat më shumë se disa të tjerë: pyetini. Pyetini çdo herë… Bëjuani me dije saktësisht se çfarë do të bëni me të dhënat e tyre”. Mund të thuhet se përplasja midis Apple dhe Facebook ka filluar në këtë moment: 2010 ka qenë edhe viti ku djaloshi Mark Zuckerberg, duke marrë pjesë në një event tjetër, tha se privatësia nuk ishte më një “normë sociale” dhe se tashmë njerëzit nuk kanë më probleme me ndarjen e të dhënave online. Qysh atëhere pozicioni i Zuckerberg ka ndryshuar shumë, por Facebook është ende i ndërtuar mbi këtë parim.

Apple ka vazhduar edhe pas vdekjes së Steve Jobs që të mbështesë një pozicion shumë të favorshëm në ruajtjen e privatësisë, duke e intensifikuar aktivitetin e saj sidomos duke filluar nga viti 2016, kur rrjetet sociale, sidomos Facebook, u goditën nga skandale shumë të rënda, që e kanë dëmtuar në mënyrë të pariparueshme reputacionin e tyre. Ndërsa Facebook akuzohej se kishte favorzuar fitoren e Donald Trump në presidencialet amerikane, se kishte nxitur rritjen e populizmit nëpërmjet algoritmit të tij dhe ndërsa Zuckerberg vihej në vështirësi të madhe nga skandali i Cambridge Analytica, Apple ndërmerrte një fushatë pas tjetrës për t’u shpjeguar përdoruesve sesa produktet e tij qenë respektuese të të dhënave të tyre personale. Cook ka marrë pjesë në mënyrë gjithnjë e më aktive në këto fushata, duke e sulmuar Facebook në më shumë se një rast, anipse pa e përmendur asnjëherë. Në vitin 2018, kur një gazetar e pyeti se çfarë do të bënte po të kishte qenë CEO i Facebook, ai ju përgjigj prerë: “Nuk do të gjendesha në këtë situatë”.

Ka një kalkulim të qartë pas pozicionit të Apple: kompania mund të mundësojë të mbrohet privatësia sepse biznesi i saj nuk varet nga grummbullimi i të dhënave lidhur me përdoruesit, siç është në fakt me rreth 90% arkëtimi i Facebook dhe një kuotë pak më e vogël e atij të Google. Kështu privatësia është beteja e përkryer për Apple, pasi i mundëson që të adoptojë një kauzë shumë të vlerësuar nga publiku dhe njëherazi të dëmtojë rivalët potencialë. Zonat e rivalitetit midis Apple dhe Facebook kanë ardhur duke u zgjeruar me kalimin e viteve, duke ndjekur natyrën tentakulare të kompanive të mëdha teknologjike që vijnë duke u zgjeruar në të gjitha fushat e favorshme. Me iMessage, Apple ka një interes të madh në fushën e mesazherisë dhe e njëjta gjë vlen për Facebook me WhatsApp. Facebook nuk ka prodhuar kurrë ndonjë smartfon, por po zgjerohet në prodhimin e pajisjes, për shembull për realitetin virtual, një sektor që Apple i intereson shumë. Veç kësaj, të dyja kërkojnë të zgjerohen në shërbimet financiare dhe në pagesat dixhitale.

Apple ka integruar funksione të ndryshme për mbrojtjen e privatësisë ndër vite, por ka nisur të fusë risi vërtet të rrezikshme për biznesin e Facebook vetëm prej pak muajsh. Për shembull, vitin e kaluar i ka detyruar zhvilluesit e aplikacioneve që operojnë në App Store e tij që t’i listojnë një e nga një dhe në mënyrë të qartë të gjitha mënyrat me të cilën përdoren të dhënat e përdoruesve, si dhe listat shumë të gjata të aplikacioneve të Facebook, që grumbullojnë praktikisht çfarëdo lloj të dhëne të disponueshme, patjetër që kanë rënë në sy. Por goditja e vërtetë ka ardhur më pas, me një njoftim se me një azhurnim të sistemit operativ të iPhone, Apple do t’u kërkojë përdoruesve një miratim eksplicit për t’u mundësuar aplikacioneve t’i gjurmojnë aktivitetet e tyre online. Me azhurnimin e ri, që duhet të vijë javët në vazhdim, Apple so t’u kërkojë përdoruesve nëse dëshirojnë që Facebook, Instagram apo çdo aplikacion tjetër t’ua gjurmojë aktivitetet e tyre “në aplikacionet e kompanive të tjera dhe në uebsajtet”. Për t’u kuptuar, ky lloj gjurmini është ai që vepron në mënyrë të atillë që kut kërkojmë në Google “atlete” të na shfaqen për javë të tëra publicitete atletesh në Facebook dhe në uebsajte të tjera. Përpara një mesazhi që i kërkon klientit nëse dëshiron të jetë i gjurmuar apo jo, ka të ngjarë që përdoruesi të përgjigjet “jo”, dhe që Facebook të humbasë kështu një sasi të madhe të dhënash të çmuara për publicitetin e personalizuar të tij.

Lëvizja e Apple është një përfitim i jashtëzakonshëm në termat e ruajtjes së privatësisë, por një problem shumë i rëndë për Facebook, biznesi i të cilit varet nga gjurmimi publicitar. Ajo që është vënë në vështirësi nuk është vetëm biznesi i Facebook, por Tim Cook e ka bërë shumë të qartë se cili është objektivi i tij. Në një fjalim të mbajtur në shkurt të këtij viti në konferencën “Computers, Privacy and Data Protection” të Brukselit, pa e cituar asnjëherë, Cook ka denoncuar copë për copë modelin e biznesit të Facebook, duke e përshkruar si të rrezikshëm: “Në një moment ku dizinformacioni dhe teoritë e komplotit të ushqyer nga algoritmet gëlojnë, nuk mund t’i mbyllim më sytë përpara kujt thekson se çdo lloj ndërveprimi është i mirë, se sa më shumë të zgjasë aq më mirë është, sepse objektivi i vetëm është grumbullimi i sasisë sa më të madhe të të dhënave i mundshëm… Çfarë pasojash do ketë zgjedhja e dhënies prioritet teorive komplotiste dhe nxitjeve për dhunë vetëm pse kanë një koeficent ndërveprimi të lartë?… Çfarë pasojash do të kishte zgjedhja e shtytjes së mijëra përdoruesve drejt grupeve ekstremiste, për të aplikuar më pas një algoritëm që ua sugjeron të tjerëve akoma? Nuk mund të shtiremi se kjo lloj qasjeje nuk ka një kosto në termat e polarizimit, të humbjes së besimit dhe, po, edhe të dhunës”.

Facebook i është përgjigjur me zemërim. Ka theksuar se produktet e tij e ruajnë tashmë me bollëk privatësinë dhe se sulmet e Apple janë instrumentalë, sidomos pse monopoli i vërtetë është i kompanisë së Tim Cook, që menaxhon një sistem të mbyllur dhe se me App Store mund të vendosë në mënyrë të padiskutueshme se cilat aplikacione kanë të drejtë të qëndrojnë në iPhone e cilat jo dhe mund të shtojë sipas qejfit funksione të reja që njëlloj si ai lidhur me privatësinë mund të vënë në rrezik biznesin e kompanive që prodhojnë aplikacione dhe shërbime. Sot, thonë tek Facebook, na takon ne, nesër mund t’i takojë dikujt tjetër. Në këtë betejë rrjeti social gjendet në dizavantazh të madh. Mbi të gjitha sepse, pavarësisht nga motivet e Apple, të gjithë analistët bien dakord kur thonë se ndryshimet e bëra në iOS dhe të gjitha masat e ruajtjes së privatësisë janë një hap përpara në drejtimin e duhur dhe një risi e mirë për përdoruesit. Në radhë të dytë, Facebook ka të drejtë kur thotë se Apple vepron nga një pozicion force, pasi falë iOS raporti është jashtëzakonisht i zhbalancuar: prej të dy konkurrentëve, ai që ka më shumë nevojë për tjetrin është Facebook. Në një komunikatë të nxjerrë në muajin dhjetor, drejtuesit e Facebook kanë bërë me dije: “Nuk jemi dakord me qasjen dhe zgjidhjen e Apple, por nuk kemi zgjedhje tjetër përveçse të shfaqim paralajmërimin (lidhur me eliminimin e gjurmimit, shënimi im.)… Në rast se nuk e bëjmë, mendojmë se do ta bllokojnë Facebook”. Është një deklarim i konsiderueshëm pafuqishmërie.

Konkretisht, Facebook nuk ka mundur të bëjë shumë që ta pengojë Apple: ka ndërmarrë një fushatë të madhe komunikimi për të denoncuar monopolin e kompanisë ndaj App Store, duke theksuar se me masat e saj në ruajtje të privatësisë Apple i ka dëmtuar shumë kompani të vogla që i besojnë publicitetit të personalizuar për biznesin e tyre dhe po kërkon mënyra për t’i bindur përdoruesit që t’ia japin vullnetarisht të dhënat e tyre në shkëmbim të premtimit për një produkt më të mirë. Po bën edhe aktivitete lobuese për të bindur prokurorë dhe politikanë që të hapin hetime Antitrust kundër Apple. Të dyja kompanitë janë akuzuar si në Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe nga Bashkimi Europian për abuzim pozicioni dominues. Pastaj është edhe përplasja midis dy CEO. Zuckerberg, theksojnë mediat amerikane, i ka marrë personalisht sulmet e Apple de po u kushton kohë e vëmendje, duke ua vjedhur emergjencave të tjera jo më pak serioze. Tim Cook nuk ka qenë kurrë kaq i ashpër dhe kaq eksplicit në dënimin e ndonjë personazhi tjetër publik. Sipas “Wall Street Journal”, të dy mezi e honepsin tjetrin edhe personalisht: në vitin 2018 tentuan një takim paqëtues, por që përfundoi në mënyrë mjaft të tendosurar. Edhe punonjësit e kompanive respektive e përjetojnë këtë klimë: sidomos ata të Facebook janë të bindur, me CEO e tyre, se Apple e ka me ta.

Prapa luftës midis Apple dhe Google, siç e ka shpjeguar “The Economist”, ka një debat më të madh lidhur me të ardhmen e ekonomisë së internetit, që dei më tani është dominuar nga publiciteti dhe nga shfrytëzimi i të dhënave personale. Kjo ka gjeneruar pasuri të mëdha, por edhe ka shkaktuar probleme të mëdha dhe ka krijuar një ekonomi shpesh jo të mbështetshme (pyet gazetat australiane, në luftë me Facebook për një pjesë nga të ardhurat publicitare). Apple po përfiton nga pozicioni i tij i forcës për ta ndryshuar këtë ekonomi, por ndoshta kompania më interesanten për t’u pasur nën kontroll është Google, që duhet të jetë më pak e goditur se Facebook nga masat e Apple për ruajtjen e privatësisë. Por në fillim të marsit kompania ka njoftuar  se do të pushojë së përdoruri sisteme që gjurmojnë përdoruesit nëpërmjet uebsajtve dhe aplikacioneve të shumta: saktësisht lloji i gjurmimit që Apple do të donte ta reduktonte. Kjo nuk do të thotë se Google do të pushojë të shesë publicitet online, nga i cili vazhdojnë të burojë pjesa më e madhe e të ardhurave të tij, por që dukshëm duhet të kletë gjetur mënyrën për ta bërë më efikase. Nuk e dimë ende me siguri se për çfarë bëhet fjalë, edhe pse pa ndonjë hipotezë, por perspektiva është interesante. Nga lufta rreth privatësisë mund të dalë një sezon i ri konkurrence dhe novatorizmi online.

(nga Il Foglio)

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

LEAVE A REPLY