Kur vdiq Jugosllavia

Kur vdiq Jugosllavia

921
0
NDAJ

Mund t’i shtypte të gjithë në Euro 1992, por ju ndalua që të marrë pjesë. Momenti më i mirë i kombëtares jugosllave ka ardhur pak përpara fundit të vendit. Dhe turneu që ju mohua u fitua nga Danimarka, e ripeshkuar në vendin e saj.

 

 

 

24 tetor 1987. E butë nata në Santiago të Kilit. Një hije shfaqet në një prej dritareve të hotelit më luksoz të qytetit. Përreth tij, tymi kaltërosh i një cigareje. Robert Prosineçki nuk ka frikë se mund të kapet gafil në shkelje nga trajneri i tij, rreshteri i hekurt Mirko Joziç. Por lojtari të nesërmen nuk do të jetë në fushë. Ka një ndeshje skualifikimi për të vuajtur, kështu që lamtumirë finale e Kampionatit Botëror Under 20. Turne që Jugosllavia e tij do të duhej ta përballonte si akt të thjeshtë pranie, duke parë dezertimet e shumta. Në të vërtetë ja ku është në aktin e fundit, me një mesatare golash 2.83 për ndeshje.

Të bërë pluhur të zotët e shtëpisë kilianë në debutim, i fituar me lehtësi të madhe grupi, pastaj i eliminuar Brazili në çerekfinale (falë një goditje dënimi të mrekullueshme në përfundim të lojës së rregullt pikërisht nga Prosineçki) dhe Gjermania Lindore në gjysmëfinale. Pengesa e fundit janë akoma gjermanët, kësaj radhe ata të Perëndimit. Pak vite më vonë kjo ndarje nuk do të ekzistojë më. As Jugosllavia nuk do të ekzistojë.

Me suksesin në Botërorin kilian Under 20 lindi ajo që në letër, për nga talenti, mund të konsiderohet një prej kombëtareve më të mira e të gjitha kohërave.

Në futboll nganjëherë historia bëhet nga humbësi më shumë se nga fituesi: Hungaria e vitit 1954 dhe Hollanda e vitit 1974 dy shembujt më flagrantë. Kurse rasti i Jugosllavisë është ndryshe. Ajo nuk u mund në fushë nga Gjermania Perëndimore e radhës, siç ndodhi si me hungarezët, ashtu dhe me hollandezët. Thjesht pushoi së ekzistuari, viktimë e një serie shtytjesh centrifugale të forta që çuan në shpërbërjen e përgjakshme dhe brutale të vendit. Me 31 maj të vitit 1992 Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miraton Rezolutën Nr. 757, e cila dekreton embargon kundër Federatës Jugosllave (në atë kohë tashmë e privuar nga Kroacia dhe Sllovenia), pezullimin e shkëmbimeve shkencore, teknike dhe kulturore, pse jo dhe përjashtimin nga pjesëmarrja në manifestime sportive. 10 ditë më vonë fillon Europiani. Në vend të Jugosllavisë thirret me ngut të madh Danimarka. Siç është e njohur tashmë, do të jenë pikërisht skandinavët ata që do të fitojnë turneun.

Por le të bëjmë një kthim prapa të shpejtë në Botërorin kilian Under 20. Të parët që nuk besojnë në kompetitivitetin e kombëtares jugosllave janë pikërisht drejtuesit e Federatës së Futbollit vendase. Mbesin në shtëpi kapiteni Aleksandar Xhorxheviç, i skualifikuar, plus shtatë titullarë të tjerë: të dëmtuarit Igor Bereçko, Dejan Vukiçeviç, Igor Pejoviç dhe Seho Sabotiç, shto më të talentuarit Sinisha Mihajloviç, Vladimir Jugoviç dhe Alen Boksiç. Këta të fundit bllokohen drejtpërsëdrejti nga federata: më mirë të fitojnë përvojë në kampionatin jugosllav sesa të fluturojnë përtej oqeanit. Botërori është aq kam i ndjerë sa që nga Jugosllavia niset vetëm një gazetar, Torna Mihajloviç, i dërguar për më tepër nga një revistë josportive, e përjavshmja “Arena”, me detyrën që të shkruajë një reportazh lidhur me komunitetin e dendur e emigrantëve jugosllavë në Kili.

Do të gjejë përpara një hordhi të jashtëzakonshme kampionësh të vegjël: Predrag Mijatoviç, Zvonimir Boban, Robert Prosineçki, Davor Shuker, Robert Jarni, Igor Shtimac. Boban shënon në finale kundër Gjermanisë Perëndimore (e mundur më pas me njëmbëdhjetëmetërsha), Shuker është golashënuesi i dytë më i mirë i turneut, Prosineçki zgjidhet si lojtari më i mirë i turneut. Merrni më të mirët e fituesve, bashkojeni me ata që kanë mbetur në Jugosllavi dhe futini gradualisht në kombëtaren e parë, e cila mund të mbështetet mbi elementë të dorës së parë, të tillë si Dragan Stojkoviç, Dejan Saviçeviç e Sreçko Katanec. Përzierja është shpërthyese sa nuk ka ku të shkojë më.

Botërori Italia 1990 dhuron një shijim të parë të potencialiteteve të Jugosllavisë. Në gjashtëmbëdhjetëshe djemtë e Ivica Osim eliminojnë Spanjën, në tetëshe rezistojnë 89 minuta me një njeri më pak kundër Argjentinës, e çuar deri tek njëmbëdhjetëmetërshat. Ku, veç të tjerëve, gabon “Pixie” Stojkoviç, pikërisht autori i dygolëshit që kish nënshtruar “Furitë e Kuqe”, duke e çuar në delir një popull të tërë.

Por në Itali mungojnë dy elementë të klasit të parë, respektivisht Boban dhe Katanec. Mungesa të shkaktuara nga një shtet që duket se po copëtohet dita ditës, edhe pse pak duket se po e kuptojnë. Katanec është kërcënuar me vdekje, kurse Boban është skualifikuar për 6 muaj nga Federata e Futbollit jugosllave për një fakt që ka ndodhur me 13 maj të 1990. Ditë në të cilën, sipas shumë njerëzve, ka filluar lufta në Jugosllavi. Luhej ndeshja Dinamo e Zagrebit – Crvena Zvezda, skuadra të ndarë nga një urrejtje e tillë sa t’i katandisë të gjitha rivalitetet në një grindje të thjeshtë banorësh pallati.

Tifozeritë e organizuara e të dyja klubeve janë të strukturuara si një ushtri e vogël. Nga njëra anë Bad Blue Boys kroatë, emër i ndryshuar nga një film me aktorin Sean Penn dhe me orientim politik ultranacionalist (njeriu referim është Franjo Tuxhman, Presidenti i parë i ardhshëm i Kroacisë, pse jo dhe kriminel lufte i luftës së mëpasme); në frontin kundërshtar gjenden Delije-t (të fortët) serbë të nxehur nga një tjetër genocidisit me profesion, Zheljko Raznatoviç, i njohur më mirë me nofkën Tigri Arkan. Aspak alkool, aspak mjekra, rend dhe disiplinë; kështu Arkani ka transformuar pjesën më radikale të tifozëve të Crvena Zvezdës në një komando në kuptimin e vërtetë të fjalës.

Atë 13 maj në Zagreb, në afërsitë e stadiumit Maksimir, valon guerilja. Gura, shkopinj, acid për të djegur rrjetat metalike që ndajnë tifozeritë. Një fotografi fikson në celuloid Bobanin që godet me një gju në fluturim një polic për të mbrojtur një tifoz të Dinamos së Zagrebit. Gjest që e bën milanistin e ardhshëm një hero në sytë e kroatëve, por edhe që i kushton Botërorin Italia 1990.

Por farat e shkatërrimit të saj Jugosllavia i mbante në gjirin e saj qysh nga maji i vitit 1980, muaji i vdekjes së Titos. Rënia e bllokut sovjetik ka bërë kusurin. Komunizmi është zëvendësuar me nacionalizmin: kështu që është e pamundur të mbahen akoma bashkë kroatë, serbë, sllovenë, maqedonas, boshnjakë, shqiptarë. Kur në vitin 1988 një i ri i quajtur Jonathan Wilson, gazetar sportiv i “The Guardian”, autor i librit të shkëlqyer me titull “Behind the curtain – Travels in Eastern European Football”, shkon me familjen me pushime në kufirin midis Malit të Zi dhe Bosnjes, ndeshet me kampe të shumta stërvitore ushtarake. «Po përgatiten për luftë», u thotë atyre një shofer vendali. «Vetëm Perëndimi nuk e ka kuptuar».

Me 12 shtator të 1990 Jugosllavia fillon fushatën e kualifikimit për Europianin 1992 duke mundur Irlandën e Veriut 2 me 0 në Belfast. Katërmbëdhjetë muaj më vonë do ta mbyllë grupin e saj në vendin e parë, të pajisur me 7 fitore dhe vetëm 1 humbje (në shtëpi kundër Danimarkës), me 24 gola të shënuar dhe 4 të pësuar. Darko Pançev është golashënues më i mirë i kualifikimeve me 10 gola të shënuar.

Ndërkohë, Crvena Zvezda fiton Kupën e Kampionëve, duke mundur pas njëmbëdhjetëmetërshave Olimpikun e Marsejës, dhe Kupën Ndërkontinentale, duke mundur kilianët e Colo Colo. Në harkun kohor (29 maj – 8 dhjetor 1991) që ndan të dy sukseset, tashmë kanë shpërthyer tmerret. Në muajin mars revolta e mazhorancës serbe në qytetin kroat të Krajinës e shtyn Sllobodan Milosheviçin të deklarojë se Jugosllavia ka mbaruar.

Në prill, ndërsa Crvena Zvezda është duke dhënë spektakël në gjysmëfinalen e dyfishtë kundër Bajernit të Mynihut (për analet e futbollit sekuenca e pasimeve Maroviç – Radinoviç – Belodediç – Prosineçki – Biniç – Pançev që i çon jugosllavët tek barazimi në Gjermani), disa ekstremistë kroatë qëllojnë predha në fshatin Boro Selevo. Në muajin maj një inkursion serb në shenjë reprezaljeje provokon vdekjen e 12 policëve kroatë. Me 26 qershor Sllovenia deklaron pavarësinë e saj, pasuar nga Kroacia. Në muajin gusht serbët e Krajinës nisin operacionin e parë e spastrimit etnik të luftës. Në dhjetor Arkani feston në Beograd Kupën Ndërkontinentale duke shpalosur një tabelë rrugore kroate, domethënë skalpin e armikut. Sepse ndërkohë serbët kanë pushtuar Vukovarin dhe kanë filluar rrethimin e Dubrovnikut. Federata Jugosllave nuk ekziston më.

Momenti më i mirë në historinë e futbollit jugosllav ka ardhur pak përpara mbarimit të tij, duke shkaktuar një seri të pafundme diskutimesh që asnjëherë nuk do të gjejnë shpjegim. Në Euro 1992 Jugosllavia vërtet do t’i kish shtypur kundërshtarët, siç theksohet nga Katanec? E pamundur të dihet. Padyshim që në letër skuadra nuk ishte inferiore as ndaj Danimarkës kampione Europë, veç të tjerash e mundur në ndeshjet në grupe, as se dy finalistet e Botërorit amerikan të dy viteve më vonë, Brazili dhe Italia.

Në portë Ladiç, mbrojtja katërshe me Mirkoviç, Xhukiç, Spasiç e Jarni, reparti mesfushës me Boban, Katanec, Stojkoviç e Prosineçki, kurse reparti sulmues me Saviçeviç dhe Shuker. Pastaj stoli i mrekullueshëm, me Najdoski, Sinisha Mihajloviç, Biliç, Jugoviç, Biniç (një anësor i panjohur aq i shpejtë, sa që kur Karl Ljuis shkoi në Beograd për një miting atletike, kërkoi që të mund ta sfidojë), Staniç, Mijatoviç, Boksiç dhe Pançev.

Një gjeneratë super, siç pranohet nga Prosineçki, një prej më ngurruesve për të folur për kohërat e Crvena Zvezdës dhe të Jugosllavisë: «Na interesonte vetëm futbolli, asgjë tjetër. Sportistët janë njerëz që nuk e vrasin mendjen për politikën».

Por kur në vitin 2001 u organizua në Beograd një ribashkim i ish shokëve të Crvena Zvezdës për të festuar përvjetorin e 10-të e fitores në Kupën e Kampionëve, ai (kroati i vetëm i asaj skuadre) nuk u paraqit.

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

LEAVE A REPLY