Barcelona dhe Real Madridi: Si lindën dy ekipet më të mëdha të...

Barcelona dhe Real Madridi: Si lindën dy ekipet më të mëdha të botës

797
0
NDAJ

Historia e dy klubeve më të mëdha të planetit

 

Kapitulli i V-të

Katalanasit

Ka qenë në portin e peshkimit Palamós në Costa Brava e Katalonjës në vitin 1889 që një tregtar vendas, Gaspar Matas i Danés, i cili kish studiuar në Angli, formoi Palamós Foot-Ball Club. Si shumë nga bregdeti i Spanjës, Costa Brava është pushtuar dhe transformuar prej shumë kohësh nga turistët e huaj dhe spekulatorët imobiliarë, por tregu i peshkut dhe muzeu detar gjenden akoma aty, kushtuar as gjenerate të burrave vendas që rrezikuan jetët e tyre për t’i mbajtur të gjalla traditat vendore. Palamós është një prej qyteteve të pakta përgjatë Costa Brava që ia ka arritur ta ruajë identitetin e tij midis shfrytëzimit të pjesës tjetër të bregdetit nga turizmi masiv.

Megjithatë rrënjët e futbollit të Palamós janë të deklaruara thjesht në një pllakë të zbërthuqur, larg rrugës që përshkojnë turistët. Historia e saj është e fshehur nga syri nëpër një galeri të ndriçuar keq të një stadiumi të vogël arkaik të stilit anglez të ndërtuar më shumë se një shekull më parë në rrethinat e saj, një prej strukturave të para të tilla të ndërtuara në truallin spanjoll. Ai ka rezistuar deri në ditët e sotme, si një kishë e braktisur prej kohësh.

Kur e vizitova unë, vendi ishte jo vetëm i pambajtur, por çuditërisht i heshtur. Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme, mu tha nga një sekretare vullnetare part – time se asnjë zëdhënës i klubit nuk ishte menjëherë i disponueshëm dhe se nuk do të ishte i tillë edhe për mjaft orë. Ajo më sugjeroi se gjithsesi nuk kishte shumë se me çfarë mund të më ndihmonin. Sigurisht që nuk e kishte as prirjen dhe as kohën për të më ndihmuar. Vetëm një punëtor fushe që e gjeta duke dalë nga një banjo e vjetër u duk disi më mikpritës. Më bëri një tur të shpejtë nëpër stadiumin e rrënuar, duke mu ankuar për mungesën e fondeve dhe shkurtimet në shpenzimet publike që po godisnin qeverisjen lokale në vijim të krizës ekonomike dhe kolapsit të tregut imobiliar. Ishte emigrant nga Bregu i Fildishtë. “Më pëlqen ta shikoj Barçën, por Didier Drogba ka qenë gjithmonë heroi im”.

Fakti që një bashkatdhetar, Drogba, kapiteni i kombëtares së Bregut të Fildishtë që ka luajtur me Chelsea, u paraqit si heroi i tij nuk qe aspak befasi. As qe fakti që nuk pashë asnjë kontradiktë në faktin që Barça qe klubi favorit i tij. Një tjetër bashkatdhetar yll, Yaya Toure, vetëm kohët e fundit i qe bashkuar vëllait të tij Kolo tek Manchester City, pasi e kaloi me sukses periudhën e tij në kryeqytetin katalanas. Gjithsesi, prania e FC Barcelona bë breg e kishte lënë prej kohësh në hije Palamós.

Po në atë vit që u themelua klubi Palamós FC, 1889, u shfaq një mundësi në Katalonjë që rezultoi krejtësisht më hyjnore. Në një fushë të lagjes së quajtur Bonavona në Barcelonë, kryeqytetin dhe portin më të madh katalanas, një grup lojtarësh luajtën me top, të veshur për herë të parë me ngjyrat kuq dhe blu e arij që më vonë u bë një prej institucioneve sportive më të mëdha të botës.

Nëqoftëse futbolli kishte ardhur me kaq vonesë në këtë pjesë të Spanjës, kjo ndodhi për shkak se katalanasit, pavarësisht klasës, qenë shumë të zënë në politikën lokale. Kishte një klasë punëtore urbane në rritje në Barcelonë që, ashtu si në Bilbao, ishte rritur nga industrializimi i hershëm i rajonit dhe një klasë biznesi e lulëzuar që kishte përfituar nga tregtia e jashtme. Por në gjysmën e dytë e shekullit të XIX-të, Katalonja dhe në mënyrë të veçantë Barcelona u përfshinë në një cikël represioni dhe dhune në dukje i pambarimtë që linte pak kohë për të parë, le më pastaj për të ushtruar, një sport novator. Përsa i përket klasës së mesme, ndërsa ajo gëzoi një bum ekonomik në dekadat e fundit e shekullit të XIX-të, shoqëria konservatore e tyre u kërcënua nga grevat dhe fushatat e bombave me frymëzim anarkist në rritje.

Ndarjet politike dhe klasore u intensifikuan në pas vdekjes së Perandorisë Spanjolle me humbjen e Kubës në vitin 1898. Kjo provokoi një katarsis të madh midis disa politikanëve dhe intelektualëve spanjollë për të kuptuar se pse perandoria e dikurshme kishte përfunduar e gjunjëzuar prej një grupi rebelësh latinoamerikanë. Asnjë konsensus kombëtar nuk u shfaq rreth diagnozës, le më pastaj ndonjë ilaçi. Në Katalonjë ai ju kthye katalanizmit – një besimi se rajoni përbënte një entitet të shkëputur nga pjesa tjetër e Spanjës për shkak të kulturës, traditës dhe zhvillimit ekonomik të tij, duke kërkuar trajtim special – nga nja kredo minorance në një mjet për protestën e përgjithshme.

Në një atomsferë të tillë nacionaliste nuk qe aspak mrekulli që shumica e ekipit të parë të FC Barcelona qe e huaj, kryesisht anglezë. Portieri quhej Brown, sekretari i parë i klubit Wild dhe lojtarë kryesorë Arthur e Ernest Witty, vëllezër. Babai i tyre kishte emigruar në Barcelonë në mesin e shekullit të XIX-të dhe kishte ngritur një biznes lundrimi, duke vepruar si agjent për anijet tregtare britanike që hynin e dilnin në qytetin portual. Si nxënës ata qenë arsimuar në Merchant Taylors, një kolegj privat anglez me një traditë të krijuar në bërjen inteligjente të sportit ose, siç e shprehte një themelues legjendar i tij, “të stërvisësh trupin, ashtu si dhe mendjen”.

Në pranverën e 1998, u nisa të kërkoja për pinjollin më të moshuar akoma gjallë të Arthur Witty në një shtëpi të moshuarish afër rezortit bregdetar Castelldefels, në jug të Barcelonës. Frederick Witty ishte i rënduar në dëgjim dhe vuante nga një kancer që do t’i merrte jetën pak muaj më vonë, por kishte akoma një kujtesë të mirë dhe ishte i lumtur që ta ndante atë.

Frederick dukej mishërimi i anglezit pasperandorak jashtë vendit, xhaketë me katrore, kollare mëndafshi dhe spanjishte katalançe me theks të rëndë. Ishim të rrethuar nga të pleq që mbaheshin në jetë me ndihmën e hapave e tubave dhe humanizmi i stafit infermier. Kështu që u gëzua kur e nxorra në oborr nën një diell të ngrohtë pranveror mesdhetar. Më tregoi fotografi të vjetra skuadre të babit të tij, Arthur, një tip i rëndë konservator sikur i përkiste një epike tjetër me flokë të zinj dhe mustaqe të mëdha, një trup i ngjeshur rreth 160 centimetra i gjatë. “Kur ishte në shkollë në Angli, babai luante rregbi si sulmues. Më pas erdhi në Barcelonë dhe luajti futboll si qendërmbrojtës”, kujton Frederick. “Të luaje rregbi në Spanjë në atë kohë ishte pothuajse e pamundur pasi asnjë prej terreneve sportive nuk ishte i sistemuar siç duhej, ndërsa futbollin mund ta luash në çdo lloj sipërfaqeje”.

Vetëm vonë mendova se komentet e Frederick mund të përmbanin çelësin për të ofruar një shpjegim tjetër se pse futbolli spanjoll kishte evoluar në mënyrën që kishte evoluar. Relievi spanjoll – larmia dhe kontrasti i plotë gjeologjik i saj – qe një prej shpjegimeve të problemeve politike dhe të moszhvillimit ekonomik. Spanja ka rajone ku bie shi si në Irlandë dhe të tjera që duken një zgjatim i Saharës. Ajo ka rajonë të mbushura me male dhe të tjera të mbushura me fusha të gjera të thata. Ajo ka lugina phellore dhe lumenj që janë të thatë në pjesën më të madhe të vitit. Një prej sfidave kryesore ende të pazgjidhura të evolucionit spanjoll si një komb ka qenë sesi të gjejë mënyra për t’i lidhur rajonet e ndryshme të saj jo vetëm me anë të rrugëve, hekurudhave apo ajrit, por edhe kushtetueshmërisht, në një mënyrë që e ndan zhvillimin e Spanjës si vend, një kohë që respekton autonomitë politike dhe kulturore me identitetet e tyre historike si Vendet Baske dhe Katalonja. Sigurisht, metodat moderne të ujitjes dhe të energjisë elektrike sëbashku me një prej projekteve më kurajoze të ndërtimit të rrugëve dhe të herkurudhave qysh nga Lufta e Dytë Botërore e kanë ndihmuar Spanjën që të jetë më e arritshme nga brenda dhe jashtë, gjelbërojë shumicën e stadiumeve dhe t’u lejojë më shumë tifozave të futbollit të udhëtojnë. Por relievi akoma nuk është zbutur plotësisht dhe terrenet sportive për yjet aspirues e të ardhmes mbesin të larmishëm.

Por le të kthehemi tek El Inglés Witty. Ne pimë çaj në oborrin e ujitur mirë e shtëpisë së të moshuarve të tij, ndërsa dielli mesdhetar po perëndonte dhe frymëmarrja i rëndohej. Frederick tha disa gjëra lidhur me babain e tij. “Ai nuk e kishte ndonjë formim të specializuar, asgjë nga ato që shikoni gjatë këtyre ditëve, me lojtarët që i marrin urdhërat me ulërima nga trajnerë që sillen si komandantë kampi, por ai dinte si ta ruante formën dhe e realizonte një gjë të tillë me kryerjen e vrapimeve të gjata”. Vazhdoi më tej: “Ai luajnte shumë futboll midis ndeshjeve të tenisit. Aktiviteti i preferuar i familjes së tij ishte që të shkonin të gjithë në majën e Tibidabo, pika më lartë panoramike e Barcelonës, dhe kthim. Në stilet e tyre, kishte pak për të zgjedhur midis tij dhe themeluesve të hershëm të tjerë. Ata luanin me një kombinim akselerimi, ashpërsie, kontrolli topi dhe një potencial shënimi goli”.

Historia e Witty u errësua në mitologjinë e FC Barcelona nga figura e Hans Gamper. Ai qe një biznesmen barcelonas i lindur në Zvicër që ndihmoi të mblidheshin lojtarët e parë të FC Barcelona dhe qe Presidenti themelues i klubit. Gamper e provoi veten të ishte një njeri goxha në sinkron me ndryshimet sociale dhe politike që po ndodhnin në vendin e tij të adoptimit. Ai mësoi shpejt katalançen dhe mbështeti shtytjen e Katalonjës drejt një autonomie më të madhe nga Madridi. Ndërsa historia zyrtare e FC Barcelona thotë se ngjyrat qenë importuar prej Gamper nga Zvicra, versioni Witty thotë se ato qenë frymëzuar nga ngjyrat kafe dhe blu e shkollës së vjetër angleze të Arthur në Merchant Taylors. Më duket se Barça mund të ketë zgjedhur në vitet e mëvonshme që ta pranojë versionin Gamper — me theksimin e tij në Zvicrën e minimizuar neutrale — si një mënyrë për çlirimin e vetes nga rrënjët koloniale britanike të saj.

 

Kapitulli 6

Madridasit

Klubi që do të kishte fatin të bëhej rivali i përjetshëm i Barçës, Real Madridi ose Madrid FC, siç u quajt në fillim kur u regjistrua për herë të parë në vitin 1902, gjithashtu e pati personalitetin e hershëm të tij të modeluar nga anglezët, me librin e tij të parë të rregullave të importuara nga Manchester. Ngjyrat e bardha që dallojnë klubin në ditët e sotme u kopjuan nga ato të Corinthians, një prej klubeve futbollistike të para amatore të Londrës. Përpara themelimit të çdo klubi në kryeqytet, ndeshjet e para u zhvilluan në një fushë afër stadiumit të vjetër të demave, me pjesëmarrësit që përdornin një dhomë në një tavernë lokale ndeshjesh me dema si një prej vendeve të tyre të takimit. Futbolli spanjoll nga ditët e hershme të tij, larg nga zëvendësimi i ndeshjeve me dema si një fenomen kulturor dhe social, bashkëekzistoi me të. Me kalimin e kohës lojtarët e mëdhenj do t’u bashkohen toreadorëve apo matadorëve të mëdhenj në panteonin e mitologjisë popullore.

Megjithatë, edhe në Madridin tradicionalist paramodern, futbolli spanjoll ia detyron një pjesë të madhe të tij rrënjëve të huaja. Një prej lojtarëve të parë të Madridit qe Arthur Johnson, një biznesmen anglez mendjehapur që i ndante aftësitë e tij futbollistike dhe një filozofi jetese të ngjashme me një grup dishepujsh të rinjsh spanjollë të Francisco Giner de los Rios, një prej intelektualëve më me influencë të Spanjës në fundin e shekullit të XIX-të.

De los Rios themeloi Institución Libre de Enseñanza (Institutin e Lirë të Mësimit), kushtuar idealit të një arsimimi jodogmatik jozyrtar, që të çliruar nga zinxhirat e atyre forcave konservatore si puna e Kishës Katolike dhe forcat e armatosura do të ushqenin një gjeneratë të re spanjollësh të aftë që ta transformonin një Spanjë pasperandorake nga një shtet i dështuar në një shtet modern. De los Rios ishte një admirues i madh i qytetërimit anglo – sakson (pasReformimit) dhe i Iluminizmit. Ai inkurajoi mësimin e sportit, përkrah ekskursioneve në natyrë, si një element thelbësor në program, fillimisht të universitetit të tij dhe më pas të shkollave që ai zhvilloi, me sukses të përzier, ku ekstremet politike tek e Majta dhe e Djathta mbajtën në kontroll politikën spanjolle në dekadat e para e shekullit të Njëzet. Sidoqoftë, de los Rios besonte se futbolli, i luajtur sipas grupit të rregullave emergjente, ishte një sport që do të kishte një sharm në të gjitha shtresat dhe se me kalimin e kohës do ta kalonte popullaritetin e ndeshjes me dema, të cilin e konsideronte një trashëgimi primitiviteti dhe represioni. Në këtë aspekt, ai rezultoi profetik.

Real Madrid e ka ruajtur një portret të Johnson të shkruar nga një mik spanjoll i tij. Shkrimtari krahason përkushtimin dhe dijen për lojën e Johnson me kaosin që karakterizonte lojën e disa prej spanjollëve në skuadrën e parë të Madridit, jo më pak portierit. Sipas kronistit, Johnson “jo vetëm që dinte për lojën më shumë se kushdo tjetër”, por ishte gjithashtu një inglés muy simpatico — një anglez shumë simpatik. Në vitin 1902, vitin e themelimit të Madrid FC, 23 vjeçari Johnson ishte veterani i një ekipi mosha mesatare e të cilit ishte 19 dhe më i riu, 16 vjeçari Pedro Parages, e kishte mësuar lojën në Angli. “Johnson është kapiteni i ekipit – ai e dallonte veten me ndërhyrjet, zhdërvjelltësinë dhe elegancën e trupit. Ai luan në pozicione të ndryshme, mesfushor qendre, qendërsulmues dhe portier”. Pjesa tjetër e ekipit përbëhej prej një ish lojtari të Athletic Bilbao, shtatë të tjerë spanjollë – dy prej tyre të lindur në Kubë dhe njëri në Guatemalë – dhe një francez që kish mësuar të luante në Angli, i quajtur Chalmandier. Francezi luante në anën e djathtë të mesfushës dhe e dallonte veten prej një ndjenje të madhe vetbesimi dhe elegance me të cilën luante.

Dy administratorët e parë e Madrid FC, Juan dhe Carlos Padros, qenë lindur në Katalonjë, një fakt që qëndron jo mirë me rivalitetin e zgajtur midis të dy klubeve. Është një paradoks kurioz që shërben si kujtues se poshtë miteve të krijuara nga fraksione luftarake apo apologjetët e tyre, historia e futbollit spanjol, ashtu si historia e vetë Spanjës, nuk ka qenë asnjëherë aq lehtë e konturuar, por subjekt hijesh komplekse.

Partizanllëku nënkuptonte në mënyrë të pashmangshme se vëllezërit Padros kanë qenë përdorur nga disa katalanas për t’i vënë në siklet madridistët rreth rrënjëve jokastiliane të tyre, siç e nënvizonte në mënyrë kurajoze në një titull artikulli gazeta sportive barcelonase Mundo Deportivo në dhjetor të 1992: “Një katalanas themeloi (Real) Madridin!”. Fakti që gazeta mund të pretendonte një ekspozonte nëntë dekada pas ngjarjes ishte pasojë e refuzimit të historianëve zyrtarë të Real madridit që qoftë dhe ta përmendnin faktin që katalanasit kishin qenë midis etërve themelues të klubit. Megjithatë, cilatdo qofshin mitet dhe errësimet, vëllezërit Padros qenë të motivuar parasëgjithash nga futbolli, jo politika, dhe ka pak dëshmi se ata ndanin ndonjë simpati të veçantë për katalnizmin si një lëvizje politike dhe kulturore e veçantë ndaj pjesës tjetër të Spanjës.

Vëllezërit Padros — Carlos dhe Juan — qenë fëmijë të vegjël kur prindërit e tyre emigruan në Madrid nga Barcelona në 1876. Babai i tyre qe një tregtar stofërash i cili flsite frëngjisht dhe bënte vizita të shpeshta në veriun e Anglisë që të shikonte për tekstile. Ai kishte ardhur në Madrid nga perspektiva për më shumë biznes në 1876 kur kryeqyteti spanjoll ndodhej në pragun e reformës politike që premtonte luftën civile dhe puçet ushtarake t’i bënte gjëra të së kaluarës. Dinastia burbone ishte restauruar nën Mbretin Alfonsi i XII-të – babai i Alfonsit të XIII-të të ardhshëm – dhe një prej burrështetasve më të mëdhenj spanjollë, Antonio Cánovas del Castillo, kishte ndihmuar të hartohej një kushtetutë liberale që ai shpresonte se do ta bënte Madridin një kryeqytet të respektuar europian të një vendi të bashkuar nën një monarki kushtetuese.

Ka qenë Carlos, më i madhi i vëllezërve Padros, ideja e të cilit ishte që të ngrinte një zyrë të vogël për të drejtuar punët e hershme e FC Madrid në një prapadhomë të dyqanit të stofrave të të jatit. Carlos çalonte nga një këmbë qysh se kishte lindur, kështu që u rrit duke mbajtur të veshur një çizme ortodopedike dhe kurrë nuk mundi të luante futboll. Megjithatë, ai kishte marrë një entuziazëm për lojën kur shoqërontë të jatin gjatë vizitave të tij në Angli dhe Francë. Në vitin 1902 ai e mposhti përkohësisht hendikapin e tij dhe arriti që të arbitronte finalen e turneut të parë në historikë e klubeve të futbollit spanjoll me festimet lidhur me kurorëzimin e Mbretit Alfonsi i XIII-të.

Turneu kurorëzues përbënte një ekspozitë të mirë për gjeografinë emergjente e futbollit të Spanjës. Burboni i fundit që do të merrte fronin spanjoll ishte vetëm 16 vjeç në një kohë kur sporti modern po ndërkombëtarizohej. Lëvizja olimpike moderne ishte themeluar 6 vjet përpara kurorëzimit të tij. Katër vjet pas krijimit të tij, Franca, fqinji verior i Spanjës, kishte organizuar turin e parë të madh çiklistik dhe Çmimin e Madh të parë të makinave sportive. Djaloshi Mbret Alfonso – i mbushur plot me energji rinore dhe akoma i pakorruptuar politikisht, siç ishte i destinuar që të mbetej – e konsideronte veten një Mbret mendjehapur, që shikonte përpara, i cili ishte i gëzuar që t’i jepte lojës së futbollit “modern” bekimin e tij qysh nga fillimi i mbretërimit të tij. Kampionati i parë, i njohur si Kupa e Kurorëzimit, u dhurua në emër të tij nga Alberto Aguilera, kryebashkiaku i Madridit. (Trofeu më pas i riemërtua Kupa e Mbretit). Ai u luajt nga dy ekipe të Katalonjës, FC Barcelona dhe Espanyol; Athletic Bilbao, duke përdorur emrin e provincës baske nga e cila dilte klubi, Vizcaya dhe Madrid  FC dhe një ekip tjetër, New Football Club de Madrid, i cili ishte formuar në kryeqytet, por që shpejt do të absorbohej nga rivali i tij dhe eventualisht do të quhej Real Madrid.

Ndeshjet u luajtën në hipodromin e kryeqytetit, që në atë kohë ishte një fushë e hapur ku sot ndodhen godinat e ministrive spanjolle, afër stadiumit modern Bernabéu. Ky eveniment tërhoqi një audiencë midis 2000 dhe 5000 spektatorëve, që qe më pak se çereku i turmës që mund të qëndronte brenda stadiumit kryesor të ndeshjeve me dema të Madridit. Sidoqoftë, ky qe grumbullimi i parë masiv i tifozave të futbollit në truallin spanjoll dhe dëshmi e popullaritetit të sapolindur të futbollit.  FC Barcelona e Gamper mund Madrid FC e Padros 3 me 1 dhe u mund nga 1 me 2 nga Vizcaya. Të tri ekipet luanin me lojtarë anglezë, por edhe me një shumicë lojtarësh baskë, katalanas dhe spanjollë të tjerë. Trofeu u kthye në Bilbao, ku ka qëndruar deri në ditët e sotme në zyrat e Athletic Bilbao, një klub që arriti të fitojë katër Kupa Mbreti radhazi dhe do të ishte qendror në zhvillimin e futbollit spanjoll në dekadat e para të tij.

(nga libri “La Roja: How Soccer Conquered Spain and How Spanish Soccer Conquered the World” i autorit Jimmy Burns)

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

LEAVE A REPLY