Pse Kanadaja është e vonuar me vaksinat

Pse Kanadaja është e vonuar me vaksinat

58
0
NDAJ

Kur të jeni duke e lexuar këtë artikull, të paktën çereku i amerikanëve do ta ketë marrë dozën e parë e vaksinës së Covid-19. Është një kthesë e habitshme për një vend ku përgjigja konfuze fillestare ndaj pandemisë, stimujt ekonomikë e papërshtatshëm për t’i mbajtur në shtëpi njerëzit dhe rregullimet kontradiktore lidhur me përdorimin e maskave kanë shkaktuar më shumë se 30 milion infektime dhe mbi 554000 viktima.

Menjëherë pas kufirit në veri, kanadezët – zakonisht krenarë për mbulimin e tyre shëndetësor universal – e shohin fqinjin e tyre me xhelozi. “Zilia vaksinore është transformuar në psikozë kombëtare, një tjetër motiv për t’u vetëfshikulluar prej ndonjë difekti të tmerrshëm të vendit”, ka shkruar në uebsajtin kanadez të lajmeve iPolitics Alan Freeman, një gazetar sot funksionar publik dhe universitar. Në të përditshmen “The Globe and Mail” opinionisti Ian Brown ka rrëfyer takimin e tij me një person të vaksinuar: “Menjëherë kam ndjerë një dëshirë për hakmarrje. Asgjë serioze: t’i vidhja makinën ose, ndoshta, portofolin”.

Shumica e kanadezëve i ka respektuar direktivat shëndetësore, duke mbajtur maska, duke kufizuar ndërveprimet sociale, duke larë apo dezinfektuar duart deri sa i ka bërë të kuqe mollëzat e gishtave. Dhe çfarë kemi arritur? Numrin e vaksinave për frymë më të ulët se ai i 50 vendeve të tjera, midis të cilëve Brazili, Kili, Turqia dhe një pjesë e mirë e Europës, sipas observatorit të imunizimit të John Hopkins University. Udhëtimet në Kanada sot janë të shkëshilluara: “Udhëtarët duhet të shmangin çdo spostim në Kanada”, paralajmëron Qendra për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) e Shteteve të Bashkuara. Në muajin mars Departamenti amerikan i Sigurisë së Vendit ka njoftuar se kufiri midis Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë – i mbyllur prej rreth një viti – do të mbetej në fuqi edhe për një muaj tjetër.

 

Probleme më të thella

Nga një këndvështrim i caktuar, është rezultati natyral i të jetuarit në një vend të vogël gjatë një krize shëndetësore globale të paprecedent, që ka tronditur zinxhirët e furnizimit në të gjithë botën. Pa një kapacitet prodhimi të brendshëm të denjë për këtë emër, Kanadasë i është dashur të nënshkruajë paramarrëveshje vlerjeje me kompani të huaja prodhuese të vaksinave. Vendi është treguar matur duke zgjedhur sidomos atë të financuara nga operacioni Warp Speed (një marrëveshje midis publikes dhe privates e nisur nga administrata Trump për të lehtësuar zhvillimin dhe shpërndarjen e vaksinave kundër Covid-19) dhe deri më tani strategjia e saj ka qenë e blerjes së dozave me tepri, me shpresën se do t’u garantojë mjaftueshëm vaksina për të gjithë qytetarët.

Por sot shumë theksojnë se Kanadaja do duhej të kishte qenë më e saktë dhe të mos kënaqej me “tremujorin e parë të 2021”, kur ka negociuar afatet e dorëzimeve. Sipas Picard, duke mos u treguar prodhuesve një javë apo një ditë specifike, vendi ka mundësuar që ta vonojë dërgesën deri në në ditët e fundit të tremujorit. “Hapësira kohore midis miratimit të vaksinëes dhe vaksinimit praktik të njerëzve duhet reduktuar sa muë shumë të jetë e mundur”, pohon Tim Evans, drejtor i Shkollës së Popullsisë dhe Shëndetit Global të McGill University dhe i taskforcës kanadeze lidhur me imunitetin ndaj Covid-19. “Një pjesë e madhe e popullsisë i konsideron vaksinat si instrumentin e daljes nga pandemia. Për këtë afatet janë pjesë e problemit: çdo ditë duket si përjetësi”.

Por problemet e Kanadasë janë më të thella: për shkak të një kombinimi të burokracisë me legjislacionin, vendi ka mbetur pa kompani farmaceutike në gjendje që të bëjnë kërkim e zhvillim në mënyrë të pavarur, duke humbur kështu aftësinë për t’ju përgjigjur pandemive potenciale dhe organizuar një strategji në nivel kombëtar për menaxhimin e krizës shëndetësore dhe shpërndarjen e vaksinave. “Besoj se për kanadezët është frustruese të shikojnë shpejtësinë me të cilën ecin vaksinimet në Shtetet e Bashkuara dhe të mësojnë se edhe vendet e tjera të botës kanë më shumë vaksinime për kokë banori”, thotë Picard. “Ama problemi ka rrënjë historike”. Sipas Robert Van Exan, që e ka kaluar gjithë jetën e tij në sektorin farmaceutik kanadez, motivet e mungesës së vaksinave në vend janë të qartë. “Kanadaja ka qëndruar duke shikuar për dekada, ndërsa industria farmaceutike e saj braktiste vendin, pasi ka krijuar një mjedis pak të favorshëm për investimet në territor”, thotë ai.

 

Rregullime të rrepta

Në Kanada ka tri sektorë ku rregullimet në fuqi janë armiqësore ndaj kompanive prodhuese të vaksinave, sidomos shumëkombëshe: patenta, çmime dhe furnizim. Pjesa më e madhe e vendeve u lejon kompanive farmaceutike patenta që u garantojnë një periudhë ekskluziviteti në treg: një lloj premioje për 10 apo 15 vjet që kompania ka përdorur mesatarisht për kërkimin dhe zhvillimin e produktit. Van Exan nënvizon se mbrojtja e patentave në Kanada mund të jetë më e shkurtër me disa vite dhe shumë më komplekse se në vende të tjera, gjë që e bën zhvillimin e barnave në vend më pak tërheqës. Veç kësaj, qeveria kanadeze është në gjendje ta rregullojë çmimin e barnave dhe vaksinave, një faktor tjetër që i shkurajon kompanitë. “Faktikisht vend po shton kufizime të mëtejshme dhe autoritetet e rregullimit të çmimeve janë shumë më të rrepta se më parë”, shpjegon Van Exan. Pastaj është edhe ajo që ai e quan një sistem furnizimi “me monopsoni virtuale” (një sistem tregu ku ka një blerës të vetëm). Sipas Departamentit kanadez të Furnizimeve, qeveria federale është blerësi i vetëm kryesor i vaksinave: kështu, kompanitë farmaceutike që duan të shesin në treg në Kanada janë të sigurta që herët a vonë do të ndeshem me sistemin e kontrollit të çmimeve.

Me pak fjalë, kaosi aktual është rezultat i një transformimi që vazhdon prej dekadash. Megjithatë, faji i atribuohet vetëm Justin Trudeau, në vitin e tij të gjashtë si kryeminisër, mbi të cilin sot bie detyra e zgjidhjes së situatës. “Për sa u përket problemeve tona të prodhimit të brendshëm, gjatë njëzet viteve të fundit qeveri të çdo lloj orientimi politik kanë pasur mundësinë që të korrigjohen, por nuk e kanë bërë”, thotë Picard. “Është e lehtë të deklarosh se qeveria aktuale ka dështuar, kur kemi pasur të gjithë mundësinë në të kaluarën për të bërë diçka”.

 

Kujtesa e shkurtër

Por sot zgjidhja nuk ngjan domosodshmërisht me atë që Kanadaja do të kishte zgjedhur të bënte njëzet vite më parë. Nacionalizmi vaksinor – që në Kanada do të përkthehej në konçensione ndaj kompanive të mëdha farmaceutike (për shembull, një ndërhyrje e vogël në fiksimin e çmimeve) pak të pëlqyera nga qytetarët, në tentativën për të avancuar rivendikime lidhur me furnizimet kombëtare të vaksinave dhe barnave – nuk është domosdoshmërisht përgjigja e duhur për vendin. Pavarësisht përmasave të tij të mëedha gjeografike, Kanadaja ka vetëm 38 milion banorë. Sipas Van Exan, Kanadaja mund ta shkëmbejë përvojën e saj dhe aftësinë e saj prodhuese të aksesorëve mjekësorë me marrëveshje vaksinore më të mira. “Jemi shumë përpara se pjesa më e madhe e botës përsa i përket kërkimit akademik dhe bioteknologjitë e vogla të lidhura me vaksinat”, thotë ai. “Duhet të kthejmë kompanitë e mëdha që kanë kapacitetin e nevojshëm prodhues për t’u dhënë vlerë gjithë këtyre resurseve”.

Në të kaluarën nuk kanë munguar mundësitë për ta bërë. Në vitin 2003 SARS vrau 44 kanadezë, një numër i kufizuar respektivisht 23000 të vdekurve nga Covid-19. Pas pandemisë së SARS, qeveria hartoi në raport me 234 faqe ku denonconte gabimet e saj, i hartuar nga David Naylor, Dekan i Fakultetit të Mjeksësisë në Toronto University. Raporti Naylor çoi në krijimin e Agjencisë së Shëndetit Publik të Kanadasë dhe propozoi disa reforma. Në raport i rekomandohej qeverisë kanadeze që të mbështeste në marrëdhënie më të mirë midis publikes dhe parivates në sektorin e bioteknologjive, të teknologjisë së informimit dhe me kompanitë farmaceutike, sidomos në fushën e sëmundjeve infektive, vaksinave dhe teknologjisë diagnostikuese.

Qeveria federale ftohej që të rishqyrtonte çështjet e pronësisë intelektuale dhe atë lidhur me patentat, duke i mbajtur në largësinë e duhur kompanitë e mëdha farmaceutike. Veç kësaj, i rekomandohej Kanadasë që të zhvillonte një kuadër ligjor dhe politik për të pasur një “përgjigje të matur, të harmonizuar dhe të unifikuar ndaj emergjencave të shëndetit publik” dhe të investoheshin 100 milion dollarë në vit për të “forcuar strategjinë kombëtare të imunizimit”.

Por kanadezët e kanë kujtesën të shkurtër. Në vitin 2016 Kanadaja ka alokuar vetëm 25 milion dollarë në 5 vite për ta rritur mbulimin imunologjik, roli i kryefunksionarit të shëndetësisë së vendit, nga ana e tij frut i rekomandimeve të raportit Naylor, ka humbur një pjesë të mirë të pushtetit të tij për shkak rë komplikimeve burokratike dhe, siç vëren Van Exan, qeveria federale nuk i ka shtruar një qilim të kuq kompanive farmaceutike të pajisura me departamente të mëdha kërkimi e zhvillimi me qëllim që të vendoseshin apo të zgjeroheshin në vend.

Veç kësaj, liderët provincialë nuk kanë qenë kushedi se çfarë entuziastë ndaj idesë të një strategjie kombëtare, në një vend kushtetuetshmërisht i detyruar që ta organizojë asistencën shëndetësore mbi baza provinciale. Qeveria federale ka mundur t’u japë vetëm rekomandime provincave dhe territoreve të saj. Siç ka shkruar në atë kohë Naylor, “nga momenti që një përgjigje në vijë të parë ndaj epidemive ndodh në nivel lokal e rajonal, rinovimi i përgjithshëm i infrastrukturave shëndetësore publike do të sjellë përfitime dhe do të ndihmojë të përballohet “SARS i ardhshëm””.

Për sa e papërsosur dhe e ngadaltë ka qenë shpërndarja e vaksinave në Kanada, Picard dhe ekspertë të tjerë u sugjerojnë kanadezëve ziliqarë sesi po ecën fushata vaksinore në Shtetet e Bashkuara që të hetojnë për pse-në e kësaj vonese. “Në Kanada jemi të obsesionuar se nga ku vjene vaksina dhe në çfarë mase, ndërsa në Shtetet e Bashkuara thjesht kanë thënë: “Le ta nisim punën”, domethënë të vaksinojmë këdo. Kanadezët janë shumë të matur lidhur me këto punë dhe kjo e ka ngadalësuar vaksinimin”, thotë Picard. “Ama nuk besoj se është një gjë negative”, shton ai. “Besoj se ja vlen barra qiranë të reflektohet sesi ta bëjmë në mënyrë të barabartë”. Kurse Tim Evans i taskforcës për imunitetin ndaj Covid-19, konsideron se një qasje më e centralizuar dhe më e vendosur në shpërndarjen e vaksinave mund të garantojë një akses më të barabartë. Rekomandimet e Komitetit të Imunizimit “kanë qenë të qarta”, thotë Evans. “Fillimisht të moshuarit e shtruar në rezidenca shëndetësore, më pas të moshuarit në përgjithësi, pasuar nga komunitetet më në vështirësi, nga pakicat etnike dhe nga popullsitë vendase”.

Objektivisht, shumë kanadezë e dinë dhe për këtë presim në radhë, me ngurrim dhe duke u ankuar. Nga ana tjetër, të ankuarit është sporti popullor kombëtar. Ama nëse do të materializohej një plan për t’i garantuar Kanadasë 44 milion doza brenda 1 korrikut, kanadezët do ta harronin me shpejtësi Covid-19. Natyrisht, deri në pandeminë e radhës.

(Tracey Lindeman për The Atlantic)

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

LEAVE A REPLY