Në Buenos Aires me Borges

Në Buenos Aires me Borges

126
0
NDAJ

Me rreth 16 kilometrat katrore të saj, sot Palermo është më e shtrira e 48 lagjeve – barrios – të Buenos Aires. Vetë kjo, e ndodhur në veri të qytetit dhe mbi Rio de la Plata, nga ana e saj është e ndarë në shumë barrios të vegjël jozyrtarë: midis këtyre, Palermo Soho, Palermo Viejo dhe Palermo Hollyëood janë midis zonave më të gjalla dhe më ekskluzive të Bue-s. Më afër me bregun e lumit, Palermo Chico, si e zënë ngushtë midis Kopshtit Japonez dhe Muezumit Kombëtar të Artit Dekorativ. Në ekstremitetet, Las Cañitas (ku një herë e një kohë shtriheshin parcelat e kallamsheqerit) dhe Recoleta, me varrezat dhe pemët e saj shekullore. Në avenida Figueroa Alcorta, MALBA (Museo de Arte Latinoamericana de Buenos Aires), i inauguruar më 2001 për të mbajtur koleksionin privat të Eduardo Francisco Costantini, financier, imobiliarist e filantrop, dhe i projektuar nga zyra arkitekturore Atelman – Fourcade – Tapia në stil dekonstruktivist. Në brendësi, ekspozime të shumta bashkëkohore shoqërojnë sot një koleksion të përhershëm që numëron 400 vepra të 160 artistëve latinoamerikanë: nga avangardistët e fillimit të ‘900 deri tek popi, konceptualizmi dhe minimalizmi më i vonshëm.

Natyrisht, nuk mungojnë emrat më të famshëm: Frida Kahlo dhe Diego Rivera, Linoenea Spilimbergo dhe Emilio Pettoruti, Tarsila do Amaral dhe Wifredo Lam. Pak më përpara, në calle Aguero, shfaqet kërpudha e stërmadhe e Biblioteca Nazionale, e orientuar nga porti. Në vitin 1955, në momentin e rënies së Perón dhe falë ndërhyrjes së Victoria Ocampo, kunata e Adolfo Bioy Casares, Borges emërohet Drejtor i Biblioteca Nacional, duke pasuar shkrimtarin Adolfo Martinez Zuviria. Në atë kohë, selia ishte ende ajo historikja në calle Mexico, prapa krahëve të Puerto Madero. Për 17 vjet me radhë, deri në momentin e daljes në pension, Borges do t’i kalonte këtu thuajse të gjitha ditët e tij, përfshi ditëlindjet; sipër kokës, kujton Alberto Manguel, “një tavan i lartë i stolisur me zambakë të pikturuar dhe yje të praruar”; prapa tij, skrivania e rrumbullakët hijerëndë, replikë e përkryer e asaj që kishte pasur Kryeministri francez Georges Clemenceau, të cilën Borges e shpërfillte prej hijerëndësisë së saj, duke preferuar në vend të saj një tavolinë më të thjesht; kudo përreth, si në shtëpinë ku ishte rritur, libra të të gjitha formateve dhe lidhjeve, projeksion i prekshëm i të shumtëve “që i shpiku pa përdorur penën që t’i shkruante”.

Dhe këtu, tashmë praktikisht i verbër, si dy paraardhësit e tij, José Mármol dhe Paul Groussac, Borges priste miqtë e tij të vjetër e të rinj, i dëgjonte të flisnin – sidomos të lexonin – dhe shpikte botë të reja fjalësh duke ua diktuar sekretarëve të kujdesshëm. Nga viti pas emërimit të tij, i emëruar Profesor i Letërsisë Angleze pranë Fakultetit të Letrave dhe Filozofisë së Buenos Aires, gjithmonë këtu do të mbante edhe seminaret e tij. Në një zyrë jo larg nga e tij – të cilën, nuk e di pse, e imagjinoj më shumë anonime dhe funksionale – José Edmundo Clemente, zëvendësdrejtori, administronte jetën e përditshme të Biblioteca me efikasitet të madh, duke u marrë me të gjithë ato aspekte praktike të domosdoshme për funksionimin korrekt e një institucioni kaq prestigjioz.

Gjithsesi, është zyrtarisht nën drejtimin e Borges që u miratuan punimet selinë e re, por që kërkoi një periudhë shumë të gjatë projektimi dhe ndërtimi, aq sa u inaugurua vetëm në prillin e 1992, 6 vjet pas vdekjes së tij. Trualli mbi të cilin do të duhej të ngrihej e nëjta ku më parë, pikërisht deri në vitin 1955, kur u shkatërrua gjatë grushtit të shtetit ushtarak, gjendej vila presidenciale e Perón dhe Evita. E kam pyetur veten gjithmonë se çfarë do të kishte menduar praktikisht Borges për një ndërtesë të destinuar në ruajtjen dhe koleksionimin e librave që privilegjon dritën dhe vizualen; pikërisht ajo, që verbëria e kishte shtrënguar në një raport të prekshëm dhe thuajse metafizik me vëllimet.

Me sigurimin e katedrës universitare, Borges vendosi që të mësojë anglishten e lashtë – ose anglosaksonishten – por kushtet shëndetësore nuk i mundësonin që t’i praktikonte i vetëm studimet e nevojshme. Për këtë arsye përfshiu në kërkimet e tij studentë të rinj. Midis tyre edhe vetë Alberto Manguel, shkrimtar, bibliofil i ardhshëm dhe, nga qershori i 2016, Drejtori i ri i Biblioteca Nazionale.

Borges e kishte njohur midis rafteve të librarisë ku si fëmijë fitonte ndonjë pesos për t’i riinvestuar menjëherë në libra: një rreth vicioz ku çdo i fiksuar pas librave ta kuptojë. Fatalitet, pasi emrat janë pasojë e gjërave dhe anasjelltas, libraria quhej “Pygmalion”. Megjithatë, kujton Manguel, për të adoleshent studimi sistematik i një gjuhe nuk ishte tërheqëse sa eksplorimi i letërsisë universale. Borges e kuptoi shumë shpejt dhe pasi në ato vite, anipse i bindur se në errësirën e shikimit nuk i mbetej gjë tjetër veç poezisë, me muzikën e saj absolute dhe të ndritshme, kishte vendosur ta sfidonte sërish narrativën, përdori sytë dhe zërin e Manguel që të lexonte edhe një herë akoma Kipling, James apo Stevenson, pas të cilave të kapte imagjinatën narrative. Përcaktues në këtë zgjedhje kishte qenë pragmatizmi me të cilën e kishte apostrofuar Norman Thomas, përkthyesi i tij amerikan: Borges, mos u tall me mua: në rast se mund të diktosh poezi, mund të diktosh edhe një tekst në prozë!

Për t’ia arritur në këtë ndërmarrje, shkrimtari argjentinas intensifikoi edhe bashkëpunimet – në këtë kuptim, i ngriti në gjini letrare: të atyre viteve janë “Quelli dei sobborghi”. “Il paradiso dei credenti”. “Due soggetti cinematografici” me Adolfo Bioy Casares, “Leopoldo Lugones” me Betina Edelberg; “La sorella di Eloisa” me Luisa M. Levinson dhe “Manuale di zoologia fantastica” me Margarita Guerrero. Më pas, gjithmonë me Bioy Casares, harton antologjinë fantastike “Racconti brevi e straordinari”. Edhe Bioy ishte takuar me Borges në moshën 17 vjeçare, pakashumë të njëjtën moshë që kishte Manguel, kur bashkë me të ëmën që e shoqëronte nëpër rrugët e Buenos Aires, Borges kishte hyrë në “Pygmalion”, por për të shkuar në atë takimin e tyre të parë duhet bërë një kërcim prapa deri më 1932. Janë vitet e motrave Ocampo, e revistës “Sur”, e Gjeneralit Justo dhe e përvjetorit të Buenos Aires, që më 1936 feston 100 vjetorin e tij të parë.

Më pak se 40 vjeçar, Borges nuk është ende ai shkrimtari ndërkombëtar që do të bëhej kur do t’i njihet në Formentor të Spanjës çmimi ndërkombëtar i botuesve, bashkë me Samuel Beckett. Pavarësisht kësaj, në vitin 1933 revista “Megàfono” i kushton thuajse një numër të tërë veprës së tij. Rasti për Bioy që ta takojë Borges qe një event i organizuar në sallonin e saj të San Isidro nga Victoria Ocampo (të cilës, do të kujtojë më pas autori i “L’invenzione di Morel”, nuk mund t’i thuhej jo). Preteksti? Një mbrëmje në nderim të një të ftuari të shquar të huaj me të cilin Borges dhe Bioy, të përkushtuar njëri tjetrit, përfundojnë duke mos i kushtuar kurrfarë vëmendjeje. “No sean mierdas, atiendan al invitado”, i apostrofon Mbretëresha e letrave argjentinase, domethënë: “Mos u bëni katundarë…” për të përdorur një eufemizëm. Me gjithë përgjigjen, të dy e lënë eventin…

Në rrugën drejt shtëpisë, Borges e pyet djaloshin Bioy se cilët janë shkrimtarët e tij të preferuar:  Azorin, Joyce, Jung, Gabriel Mirò e Pedro Juan Vignale…

“Diçka të veçantë nga Vignale?”.

“Sidomos artikujt për “El Mundo””.

“Po nga Azorin, çfarë çmon?”.

“Aftësinë përshkruese dhe stilin”.

“Pikërisht, stili i tij… ato shprehje konçize dhe thjeshtësia e tij… Sigurisht, jo reflektimi i mendimit më kompleks apo të thellë që mund të imagjinohet… Ama e kuptoj, e ka një pse… Anipse… një thjeshtësi më shumë e dukur sesa e praktikuar…”.

“Si në atë faqe ku një udhëtar mbrrin natën në dhomën e tij në një bujtinë në zemër të Castiglia dhe, përpara se të flejë, kupton se mund edhe të vdesë, pa e marrë vesh asnjeri. Më pas, mëngjesin e nesërm, kur zgjohet nga drita e mëngjesit që depërton perdet e mbyllura, ngrihet, hap dritaren dhe lexon kompozimin e hollësishëm e pllakave të vogla… Një përshkrim i përpiktë dhe i saktë… Çdo gjë dallohet mjaft qartë…”.

“Po, edhe masa e shprehjeve, kaq e shkurtër…”.

Për Bioy, i rritur me faqe dhe fjalë të shkruara, është takimi përfundimtar me letërsinë e mishëruar. Për Borges, një zgjerim i shikimit dhe një amplifikim i shqisave të tij. Në katër duar me Bioy, që ndërkohë martohet me Silvina, më të voglën e 6 motrave Ocampo, në mbylljen e dekadës, kuron të famshmen “Antologia della letteratura fantastica”, lexon plot endje “La Divina Commedia”, “L’Orlando Furioso” dhe shkruan një prej tregimeve të tij më të famshëm: “Pierre Menard”, historinë e një të çmenduri që krijon një version të ri të Don Kishotit servantesian, duke përfunduar ta ndjekë fjalë për fjalë. Sëbashku, Borges dhe Bioy, B&B, do të bëhen kumbarët e letërsisë argjentinase të ‘900: një raport i destinuar që të zgjasë përgjithmonë, deri edhe përtej jetës së tyre. Dhe është sëbashku – ose kështu më pëlqen të mendoj, që përpunojnë ligjin ose paradoksin e Menard: interpretimi më i mirë i një teksti është ai që, nga pikëpamja letrare, shkëputet më pak nga vetë teksti. Me fjalë të tjera, teksti është interpretuesi më i mirë i vetes.

Duka ia aplikuar të njëjtin rregull qytetit ku ka kanë lindur, mund të thuhet se nuk ekziston guidë tjetër për të zbuluar Buenos Aires që të mos jetë vetë Buenos Aires, me avenidas, parqet, shëtitjet përgjatë Tigre dhe qiellgërvishtëseve të ndërtuar mbi themelet e mykura e pallateve të lashta, si për të shpërfillur çdo rregull të fizikës; asnjë rrugëtim ideal që nuk është të gjitha rrugëtimet e mundshme e këtij metropoli të pamatë, përpara dhe prapa në kohë, njëkohësisht në të tashmen dhe në të kaluarën, siç e kupton menjëherë Borges, kur mëson se fati i tij është aty, dy hapa larg nga Rio de la Plata, me përpara oqeanin dhe prapa ultësirat e pambarimta të pampas. Në mes, një ndërthyrje rrugësh, rrugicash, personazhesh legjendare dhe stinësh të përmbysura. Me fjalë të tjerë” një epikë. Në sfondin e këtij universi, disa figura që gdhenden duke u emancipuar nga natyra e tyre reale për të marrë shëmbëlltyrat stërgjyshore e një arketipi: Evaristo Carriego, pikërisht, apo Leopoldo Lugones. Ose akoma, ndoshta më shumë se kushdo tjetër, Macedonio Fernández.

Tjetrit, Borgesit, i ndodhin gjërat.

(nga libri “A Buenos Aires con Borges” i autorit Stefano Gallerani)

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

LEAVE A REPLY