Pasqyrë gjermane

Pasqyrë gjermane

48
0
NDAJ

70 vitet e «Bild Zeitung». Me stilin e saj sipër rreshtave, ka influencuar politikën në Gjermani si asnjë gazetë tjetër.

 

E urryer dhe e përçmuar nga intelektualët, e ndjekur dhe e lexuar nga njerëzit e zakonshëm si vademekum i domosdoshëm sporti, kronike dhe politike, “Bild Zeitung”, rëndom e quajtur Bild, është në faktor i domosdoshëm i politikës gjermane. Është bërë në vite duke fituar një hapësirë që në fillim, në vitet ’50, nuk ekzistonte dhe sot, në 70 vite të sakta nga lindja e saj, pavarësisht një rënie në shitje respektivisht kohëve të arta të saj, është një forcë që mund të vendosë dhe mbysë fatet e çdo politikani. Asnjë kancelar, ministër apo deputet i thjeshtë ka shanse në rast se “Bild” i del kundër: një fuqi zjarri me një arsenal vdekjeprurës, arma më e fuqishme e të cilit konsiston në shpalosjen e çdo historie apo personazhi deri sa të nxjerrë jashtë atë kuid – identifikim, dënim apo dhembshuri – që e bën ta prekë me dorë dhe ta afrojë me njeriun e thjeshtë. Me kosto edhe të vrasjes apo të shkatërrimit të karrierave pa shumë skrupuj etike apo të vërtete. Mbi metodat e “Bild” është thënë dhe kritikuar shumë: sigurisht që nuk përdor një dorezë të kadifenjtë dhe gjithçka duket legjitime, aq sa është arritur edhe të hipotezohet raste vetëvrasjeje personash të vënë në kudhër.

Këtë vit “Bild” feston 70 vjeçët, një përvjetor që vendi nuk e ka injoruar. Kopja e parë doli më 24 qershor 1952, tre vite pas themelimit të Republikës Federale në perëndim dhe të Republikës Demokratike në lindje. Gjermania Federale, e dalë e shkatërruar nga gërmadhat e Luftës së Dytë Botërore, kishte lindur më 1949. Botuesi nga Hamburgu Axel Springer kishte marrë ok nga aleatët për të themeluar një gazetë dhe i pari i lindur qe “Hamburger Abendblatt”. Më pas, katër vite më vonë, erdhi “Bild”. Frymëzimi i kishte ardhur në një udhëtim në Londër tek tabloidët “Daily Mirror” dhe “Daily Express”. Siç e tregon vetë ai, ideja ju duk e çartur drejtuesve të tij, të bindur për një profil të lartë të lexuesit mesatar gjerman dhe faktikisht muajt e parë qenë një dështim. Ideja ishte të paraqiteshin më pak tekste dhe më shumë foto, të flisnin imazhet më shumë sesa fjalët. Nga këtu titulli “Bild”, që do të thotë foto, imazh (apo edhe kuadër). Faqja e parë e numrit të parë u shpërnda falas në 455000 kopje dhe ishte një kolazh vetëm fotosh me didaskali të shkurtëra: Churchill, ministrat e jashtëve të tre aleatëve perëndimorë (përjashto Bashkimin Sovjetik) dhe kampioni i patinazhit në akull Paul Falk me të shoqen. Në ditët në vazhdim e përditshmja kushtonte 10 pfenig (rreth 100 lireta) dhe prej çmimit të ulët u ripagëzua Groschenblatt, gazeta për katër qindarka. Përveç themeluesit vizionar të saj, askush nuk do të mund të imagjinonte që në harkun e disa viteve “Bild” do të bëhej një testatë vendimtare në procesin e opinionbërjes së një kombi, gazeta më e rëndësishme për formimin e opinionit publik në Gjermani. Thuajse dy vite më pas, “Bild” kishte tejkaluar tirazhin e tabloidëve anglezë.

Në vitin 1956 arriti në 3 milion kopje dhe u bë e përditshmja më e suksesshme në Europë. Formula ishte një përzierje fotosh dhe titujsh ulëritës: thashetheme, sensacione, politikë e shpjeguar me shifra dhe me pak fjalë, shumë ngjyra, zallamahi dhe, pastaj edhe seks e gra në bikini, të vëna në fillim të faqes së parë dhe më pas në të tretën (sot nuk janë më, por gazeta e gjen gjithmonë mënyrën për të futur ndonjë nimfë midis faqeve). Kulmin e suksesit “Bild” e ka arritur më 1983 me rreth 5.5 milion kopje të shitura. Sot tirazhi ka zbritur në mbi 1 milion (1.1), por tendenca në rënie, me ardhjen e internetit dhe dixhitalin, ka të bëjë me të gjitha botimet, jo vetëm gjermanen, dhe megjithatë mbetet e përditshmja më e shitur dhe më e lexuar në Gjermani. Uebsajti bild.de është i pari midis të përditshmeve online. Në një muaj, edicioni online arrin gjysmën e popullsisë (me 82 milionët e sotëm). Oferta e testatës është me paketën e lajmeve dixhitale Bild Plus dhe televizionin privat Bild Live.

Me ngjitjen e “Bild”, filluan frikërat e konkurrencës dhe kritikat: gazeta “e analfabetëve që lexojnë, e të vrazhdëve psiqikë, e të paorientuarve socialë dhe politikë, pa interesa, atdhe dhe pasuri”, dekretoi në 1957 publicisti Kurt Pritzkoleit, por “Bild” nuk është i kufizuar në klasat tipike, arrin të gjitha shtresat e shoqërisë: “Të gjithë e dinë, kundërsulmoi Springer, se kjo gazetë nuk është e ndrojtur, është e përmbajtur të formulojë në mënyrë të thatë dhe kjo nuk i vjen për shtat një pakice estetësh, por në tërësi pëlqen që çke me të”. Me suksesin, u rrit edhe ambicia politike e borgjezit konservator Springer. Bisha e zezë e tij ishte ndarja e Gjermanisë dhe në 1958 shkoi në Moskë për ta bindur presidentin Nikita Hrushov ta “çlironte” RDGJ. Pas ditësh paradhome, u prit, por dështoi në propozim. U bë një antikomunist i zjarrtë dhe bashkimi gjerman përfundoi në majë të axhendës politike të “Bild”. Simbolikisht qiellgërvishtësja e Axel Springer në Berlin u ndërtua në kurriz të Murit si sfidë ndaj regjimit të RDGJ dhe si memento e bashkimit. Në statutin e Springer njiheshin parimet themelore të lirisë e demokracisë dhe sidomos bensikëria ndaj Europës, bashkimi gjerman, mbështetja ndaj Izraelit.

Me kohë artikulli mbi bashkimin tejkalohet, ndërsa pas atentatit ndaj Kullave Binjake në 2001 në New York (Springer kishte vdekur prej kohësh) ju shtua një mbi lidhjen me Shtetet e Bashkuara. Nëse i kërkohet arësyeja e suksesit të “Bild” Giuseppe Vita, italianit berlinas që nga 2002 në 2018 ka qenë president i Këshillit Survejues të Botueses Axel Springer, dhe më pas president i Unicredit Italia, përgjigja e tij është e thjeshtë: “Suksesi qëndron tek titulli: figura, imazhe më shumë se fjalë dhe kjo në vitet ku fillont ekonkurrenca me televizionet”. E lumtur edhe ideja e “politikës së brendshme në faqe të dytë, që ishte pastaj ajo që politikanët shikonin me interes”. Pastaj diferencimi rajonal: “Faqja e parë ndryshon sipas landit, e dyta është e njëjta dhe kusuri është sipas masës së lexuesve: Hamburg, Mynih, Frankfurt, Dyseldorf; edhe gjuha ndryshon sipas diferencave lokale (për shembull, e shtuna thuhet Sonnabend në Berlin dhe Samstag në Mynih). Mund të thuhet se “Bild” është një gazetë kombëtare, por edhe rajonale”. Pastaj bukuritë e famshme… “Sìgurisht, vajzat e “Oben-ohne”, me gjinjtë zbuluar, e vendosura në qendër të faqes së parë, më pas të transferuara tek e trera dhe sot krejtësisht të zhdukuara, pasi kohët nuk e lejojnë më”. Si ka mundësi, pavarësisht rënies së shitjeve, është gjithmonë kaq e fortë? “Kur kam ardhur tashmë regjistrohej një rënie e kopjeve dhe shfaqej horizonti dixhital, interneti. Bashkë me Matthias (Döpfner, CEO, shënimi im.) kemi filluar të kompensojmë, për “Bild”, por edhe për të gjitha testatat e tjera Springer, duke fituar me ofertën e internetit atë që humbej me letrën. Pastaj, ekspansioni i ofertës së “Bild” edhe me një kanal televiziv të sajin. Axel Springer ka arritur të transferojë në shoqëri ad hoc të gjitha kuotat e poseduara nga tregu publicitar. Për shembull me portale të specializuara si ai për kërkimin e personelit Stepstone apo me krijimin e segmenteve specifike për përdorues të veçantë si Auto Bild dhe Computer Bild. Numri i abonentëve dixhitalë është shumë i lartë dhe gjithësesi bilanci i “Bild” është në aktiv”.

Me ’68, lëvizjen e gjeneratës së fëmijëve që revoltoheshin kundër baballarëve, atyre baballarëve që kishin luftuar në Wehrmacht dhe mbështetur në pjesën më të madhe nazizmin, “Bild” u bë një shënjestër e studentëve: shumë atentate në redaksitë e grupit. Gazeta reagfoi duke aluduar për lidhje me terrorizmin, që me RAF fillonte të përgjakte Gjermaninë apo lëvizjet neonaziste: “Studentët kërcënojnë, ne qëllojmë kundër tyre”, njoftonte (folja schiessen ka edhe një valencë metaforike). Më 2 qershor 1967 studenti Benno Ohnesorg u vra nga një polic në një manifestim në Berlin kundër vizitës së Shahut të Persisë dhe me 11 prill 1968 ndodhi atentati në Berlin kundër liderit Rudi Dutschke. “Bild” ishte rreshtuar kundër protestave dhe studentët e akuzuan për bashkëpërgjegjësinë e atentatit: “Bild schoss mit”, edhe Bild ka qëlluar. Armiqësia historike ka dashur që pas bashkëpunimit Springer dhe Berlinit të binin dakord për adresën e re të qiellgërvishtëses së grupit në Kreuzberg: Axel-Springer-Strasse 65, por në cep me Rudi – Dutschke – Strasse.

Kritikat ndaj pozicionimit politik dhe gjuhës therëse të gazetës në ato vite provokuan një rënie me 1 milion kopje. Me një drejtim të ri në 1971 dhe një linjë të re botuese – një përzierje seksi, fakte dhe fiksioni politik, krime dhe këshilla konsumatorëve – “Bild” ja doli të ringrihej deri në 4 milion kopje. Në 1972 Ulrike Meinhof dhe terroristë të tjerë të RAF i bënë një atentat Axel Springer AG në Hamburg me 38 të plagosur. Atentate të tjera pasuan të njëjtin vit në dy banesa të Springer dhe, për pasojë, u rritën masat e sigurisë në të gjitha redaksitë e “Bild”. Në 1977 një tërmet preku gazetën: gazetari investigativ Günter Wallraff u fut si undercover për 3 muaj me emrin Hans Esser në redaksi si gazetar lokal dhe botoi më pas një libër me zbulime që shënoi një prej skandaleve më të mëdhenj gazetareskë të Bundesrepublikës. Denonconte metodat “mafioze”: ajo që ndodhte atje brenda nuk ka të bëjë aspak me gazetarinë është “kriminale”, thoshte. Gjithçka e ligjshme, fake news, presione për të tronditur njerëzit dhe ngurosur dhe për të treguar pushtetin e saj. Më përpara daljes së librit, “Bild” kalonte në kundërsulm me serinë “Wallraff ka gënjyer…” në të cilën zbulonte aktivitetin e tij në redaksi duke pohuar se në vijim të një shërbimi të tij një nëne ju morën fëmijët dhe se ishte një pijanec që pinte një gotë pas tjetre me uiski qysh në mëngjes. Që në “Bild” nuk shkohet edhe aq me të butë është e ditur dhe vetë shumë i fuqishmi numër një i Springer, Matthias Döpfner, e ka pranuar: “Kush me “Bild” ngjitet lart me ashensor – thotë duke ju referuar rastit me presidentin e pafat Christian Wulff – zbret me ashensor edhe poshtë”. “Bild” ishte përfshirë në manovra për ish politikanin e CDU, konkurrent i frikshëm i Angela Merkel që e hoqi qafe duke e dërguar në presidencë, por në 2012 u egërsua, e ndjekur nga të gjitha mediat, kundër Wulff për një rast të supozuar korrpusioni duke e shtrënguar të dorëhiqej (më pas u lirua plotësisht nga akuzat dy vite më pas në gjykatë, por mbi karrierën e tij u vendos një gur varri).

Nga ana tjetër është pikërisht guximi i saj, shpesh i përmbledhur në tituj djegës, që i kanë përcaktuar suksesin: “Wir sind Papst” (ne jemi Papa), ndoshta titulli më i lumtur kur u zgjodh Ratzinger, papa i parë gjerman, apo ai i uljes në Hënë: “Der Mond ist jetzt ein Ami” (Hëna është tani një amerikane). Me Italinë janë harxhuar stereotipe: kur Draghi shkoi në BQE, “Bild” i dhuroi një helmetë prusiane me gozhdë në paralajmërim të një politike rregulli, dhe kur filloi me politikën e blerjes së titujve shtetërorë me interesa zero për kursimtarët gjermanë, bankieri italian në krye të BQE u bë për “Bild” “Konti Draghila”. Në vite tabloidi ka lançuar dhe mbytur shumë politikanë. Merkeli shkonte mirë deri në 2015 kur u hapi kufijtë refugjatëve dhe “Bild” e sulmoi. Gerhard Schröder lidhi menjëherë një pakt, duke marrë një zëdhënës që vinte nga radhët e saj, dhe duke anonçuar se qeveriste me “Bild, BamS und Glotze” (Bild, Bild e së dielës dhe televizionin). Skandalet, jo vetëm ato të zbuluara, e kanë shoqëruar gjithmonë “Bild”. E fundit ka pasur të bëjë gjithmonë me drejtorin e parafundit Julian Reichelt, i nxjerrë tek dera nga Axel Springer SE në tetorin e 2021 në vijim të denoncimeve të ndryshme të serisë #metoo, seksi dhe shkelje pushteti me redaktore të reja. Në vendin e tij tani është Johannes Boie, ish drejtor i “Welt am Sonntag”, duke u instaluar vetëm në moshën 38 vjeçare në katin mitik të 16 të qiellgërvishtëses Springer në dhomën e drejtorit të përditshmes më të rëndësishme gjermane.

Sot Axel Springer SE me seli në Berlin është një grup botues me testata të ndryshme (Bild, Die Welt, Welt am Sonntag, Business Insider, Politico, Fakt dhe rrjetin Welt) dhe filiale, joint venture dhe liçenca në mbi 40 vende. Në 2019 fondi amerikan i private equity KKR është bërë aksioneri më i madh me 43.54% të kapitalit duke paguar 3.2 miliard dollarë. Vejusha Friede Springer, bashkëshortja e e fundit, e të pestëve, e Axel dhe trashëgimtare kryesore, mbetej me 43.54% dhe CEO Matthias Döpfner me 2.8%. në 2020 Friede Springer i ka trasnferar 1.5 miliard dollarë aksione Döpfner, që faktikisht është tani trashëgimtari i grupit botues me një mazhorancë prej 44%. Në fund të 2021 Döpfner ka njoftuar blerjen e Politico për mbi 1 miliard dollarë (pasi që kishte dështuar në tentativën e blerjes së “Financial Times”, i blerë nga grupi japonez Nikkei). Redaksia përbëhet nga profesionistë të lartë, shumë të rinj, mjaft të motivuar dhe për të e ka asistuar, mbledhja e redaksisë në newsroom e madh janë plot, të hapura ndaj të ftuarve të huaj dhe ndaj të gjithë përgjegjësve (kryeredaktorë, qendrorë, shefa shërbimesh, print, online, fotografikë), një fidanishte e madhe informacioni dhe një makinë e fuqishme lufte.

(nga Il Foglio)

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

LEAVE A REPLY