Maria Callas dhe Aristoteles Onassis: Zjarri grek

Maria Callas dhe Aristoteles Onassis: Zjarri grek

809
0
NDAJ

«Gruaja jote do të vijë me mua»

«Maria do të vijë me mua». Aristoteles Onassis është i pamëshirshëm kur flet me bashkëshortin e Maria Callas, Giovanni Battista Meneghini. Çfarë ka ndodhur? E paimagjinueshmja. E madhja Callas është ftuar me të shoqin, që ka hequr dorë nga biznesi i familjes për t’u bërë menaxheri dhe pigmalioni i saj, në jahtin e armatorit grek më të pasur të botës Onassis. E ka njohur në 1957 në Venezia, në një ballot ë organizuar nga Elsa Maxwell, nëpërka e Hollywood, dhe e pranon ftesën me gjysmë zemre. Armatori ia ka vënë tashmë syrin Callas: muaj më parë ajo ka debutuar në Operën e Parisit dhe në dhomë i vijnë 473 trëndafila me këtë biletë: «Mos humb kohë duke i numëruar. Janë 473, sa ditët që kanë kaluar nga kur jemi takuar në Venezia. I kam numëruar një e nga një. Aristoteles Onassis». Ai që e bind të ngjitet në bordin e “Christina”, një lloj pallati mbretëror, është pikërisht Meneghini. Hipin me 22 korrik 1959. Për këtë rast, ajo ka bërë tek Biki 23 kostume dite, 23 kostume mbrëmjeje dhe 23 palë rroba banje. Ai me Meneghini është një bashkim i ushqyer nga dashuria, por edhe nga mirënjohja që soprania e njohur greke provonte për këtë burrë 30 vjet më të madh që i ka ofruar mbrojtje dhe siguri ekonomike, të dy gjëra për të cilat ajo ka nevojë në mënyrë të dëshpëruar, pas një fëmijërie mungesash dhe vetmie. Meneghini e takon kur debuton në Itali duke kënduar “La Gioconda” në Arenën e Veronës. Në atë kohë, zëri i saj duhej akoma të shpërthente e të edukohej dhe është ai që vendos të merret me të duke i siguruar profesorët më të mirë të kantos, duke e ndihmuar që të zgjedhë rrobat e reja dhe një pamje të re. në darkë, përpara se të flejë, Meneghini i kreh flokët e gjatë të zinj. Ajo gëlon nga mirënjohja për këtë bashkëshort të dhembshur, menaxher, baba, mik. Në 2 vite humbet 40 kilogram dhe transformohet nga grua qesharake në një zonjë të rafinuar borgjezie që di të lëvizë në botën e artistëve.

Në një prej letrave të shumta, Callas i shkruan të shoqit: «Shpirti im i dashur, dashuria ime e shtrenjtë dhe sublime, arësyeja e dashur, shumë e dashur, e jetës time…. Shtrëngomë, bëmë të vdes nën puthjet e tua» dhe e nënshkruan «përjetësisht e jotja». Kanë ndenjur të fejuar për 2 vite dhe janë martuar në 1949. «I detyroj gjithçka, për të do të jepja karrierën dhe jetën», thotë Callas në një intervistë. Pastaj vijnë ato 23 ditë të lodhshme kroçere në Mesdhe, krah për krah me Onassis… Ajo është 36 vjeç, ai 52. Dhe gjithçka ndryshon. Ai që e tregon, 2 vite më vonë, është pikërisht Meneghini që shfryhet me gazetarët: «Në bordin e “Christina” mërzia vetëm shtohej», kujton ai, «dhe bashkë me të edhe habia që shikoja time shoqe të dëfrehej. Se çfarë gjë e veçantë e dëfrente nuk arrija ta kuptoja, i shkëputur siç isha nga diskutimet e tyre në anglisht dhe greqisht…». Callas vallëzon, qesh, është e pandjeshme ndaj të shoqit I tërheq vëmendjen; bile e talla përpara të gjithëve se pse nuk flet anglisht dhe nuk di të notojë. Perëndesha është si e çmendur. Armatori i bën qejfin në çdo mënyrë dhe i dhuron një byzylyk me inicialet T.M.W.L. (to Maria with love). Pastaj jahti ndalon në Stamboll dhe aty ndodh diçka që përbën një kthesë: «Në Stamboll ndodhet Patriarku i Kishës Ortodokse», shpjegoi në atë kohë Meneghini. «Onassis i kishte kërkuar audiencë dhe e mori me vete: takimi u bë menjëherë festa e prezantimit të Callas. Për ta vlerësuar mirë duhet njohur niveli i religjiozitetit të Maries…».

«Patriarku nisi të flasë greqisht… Shikova fytyrën e Maries dhe kuptova gjithçka…. Si i ekzaltuar, Patriarku fliste për domethënien e kësaj pranie të dyfishtë në pragun e tij: burri me fuqinë e parasë dukej se mishëronte shpresën e Greqisë së varfëruar e të dëshpëruar; gruaja, që me magjinë e artit, mishëronte shpirtin e përjetshëm të bukurise helene…. Prapa syzeve të trasha shikimi i Onassis ishte i paarritshëm, por ai i sime shoqeje të ngjallte frikë. Ishte e shpërfytyruar, si kur hyn në skenë, por me diçka më të thellë e të pashërueshme. Dhe ja që në finale lirike të diskutimit të tij të bukur, njeriu i shenjtë merr dorën e tij e të saj dhe i bashkon për t’i bekuar». Dukej si martesë, do të thotë lakonik Meneghini. Pasi janë ringjitur në “Christina”, një mbrëmje, pasi ka pirë mirë, Onassis flet me të shoqin e Callas: «Maria do të vijë me mua», i thotë pa ju dridhur qerpiku. Nuk ka hezitim në zërin e tij. As ndaj Meneghini, as ndaj bashkëshortes së tij të re, Tina Livanos. Martesa e tyre është një aleancë e thjeshtë midis dinastive, thotë Onassis, duke qenë se ajo është e bija e armatorit Stavros Livanos. «Shumë shpejt mu desh të bindesha se praktikisht vendimin e kishin marrë bashkë, ai dhe Maria. Kur dhe si? Misteri është këti. Ime shoqe, nuk ka pikë dyshimi, ishte marrosur», kujton Meneghini. «Si ke mund t’ia bësh një gjë të tillë tët shoqi?», e pyet Callas një ditë shoqja Giulietta Simionato. Dhe ajo shpjegon: «Mendoja se isha e dashuruar, kuptova se ishye mirënjohje. Nuk e kam njohur dashurinë e vertetë deri kur kam takuar Onassis».

Qysh nga ajo ditë Meneghini i duket plak, patetik, i mërzitshëm. E akuzon se ka qenë gardiani i saj dhe se e ka shfrytëzuar për të fituar, pasi e ka bërë të këndojë pa ndërprerë. «Më kë shfrytëzuar, më ke shtryrdhur», i thotë. Por nuk është vetëm kjo që e largon përgjithmonë nga Meneghini. Midis festave tek “Christina”, Callas zbulon pasionin dhe, bashkë me të, seksin. I rrëfen një mikeshe se ka provuar orgazmën e parë të jetës së saj, pasi «Onassis është një amator i madh, plot fantazi dhe e ka të madh». Është aq e vendosur sa nuk do të humbasë ethen e sapozbuluar, që me 15 gusht, një ditë mjaft e rëndësishme për të pasi është dita e saj e emrit, ditë më e dashur edhe se ditëlindja, i telefonon të shoqit dhe i komunikon vendimin e saj: «Është shumë e thjeshtë: do të iki me të», i thotë ajo. Pas kroçerës, Onassis paraqitet tek vila në Sirmione për të folur me Meneghini: «E di se po e çoj në dreq familjen time dhe tënden. E di se po shkatërroj jetën ty, gruas time, fëmijëve të mi. E di edhe se po i bëj dëm artit pasi, me mua, gruaja jote ndoshta nuk do të këndojë më. Nuk më plas. Ajo që është bërë nuk mund të zhbëhet, pasi nuk dua ta zhbëj».

Meneghini dëgjon edhe një herë akoma të shoqen dhe është një telefonatë dramatike: ai ka dhënë deklarat për shtyp që ajo i gjykon si tejet intime dhe ka shfryrë me një lloj mallkimi: «Mos gjetshi asnjëherë paqe për ditët e tjera që ju kanë mbetur». Callas i telefonon e tërbuar: «Ki mendjen Battista, një ditë ose një tjetër do të vij në Sirmione me pistoletë dhe do të vras». «Hajde bujrum», i përgjigjet ai, «do të pres me automatik». Është hera e fundit të flasin. 2 muaj më parë dashuroheshin çmendurisht. Ose të paktën kështu besonin. Po pse Callas qe kaq drastike dhe kaq e shpejtë në anullimin e lidhjes me të shoqin? Në autobiografinë e dyfishtë që shkroi lidhur me Callas dhe Onassis, Nicholas Gage thekson se ajo mbeti menjëherë shtatzënë, ka mundësi qysh në kroçerë. Aq është e vërtetë sa që anulloi çdo impenjim professional. E kishte humbur tashmë një fëmijë me Meneghini dhe kishte frikë: nuk donte të rrezikohej. Vjen Krishtlindja e parë pa Meneghini. Është shtatzënë – një ëndërr që bëhet realitet për të – por Ari i saj ende nuk e di. Është në shtëpinë në Milano, e vetme, dhe e pret që t’i japë lajmin e gëzuar.

Vigjiljen dhe datën 25 ai do ta kalojë më fëmijët, ajo e pret për 25 në mbrëmje, Krishtlindja e tyre e dashurisë. Ari i ka premtuar se do të vijë me avionin e tij privat dhe ajo numëron minutat pasi mezi pret që t’i tregojë për Homerin, kështu quan fëmijën e saj kur prek barkun, «Homerushi im», thotë. Por Onassis i telefonon dhe e informon se nuk mund të vijë pasi Aleksandri, djali i tij, do absolutisht të qëndrojë për të skijuar me të në Sankt Moritz gjithë javën. «Do të kalojmë bashkë Vitin e Ri», i premton Callas. Dhe kështu do të jetë, edhe pse gjërat nuk do të shkojnë ashtu siç i fantazon ajo prej ditësh. Ai i propozon që të kalojnë natën e ndërrimit të viteve në Montecarlo në bordin e “Christina”, kështu do të shikojnë fishekzjarret nga deti dhe do të jenë vetëm, pothuajse vila e jetës së re sëbashku. Por nuk do të jetë festë ajo natë: kur Maria i tregon Onassis për fëmijën, ai shpërthen nga zemërimi, i ulëret duke i thënë se nuk do fëmijë pasi Onassis e vetëm që ai njeh do të jenë ata që mbajnë mbiemrin e tij dhe që i ka pasur me gruan. Përdor fjalë mjaft të ashpra. Dhe ajo largohet e dëshpëruar, por gjithmonë plot shpresë që ai të reflektojë. Me 30 mars të 1960, nën emër fals në klinikën “Dezza” të Milanos, lind një fëmijë që menjëherë i vdes.

Për këngëtaren është një tjetër goditje shumë e rëndë. Lëkundet. Është dhimbja që do ta mbajë në zemër gjatë gjithë jetës. Në fakt, një herë në muaj, gjithmonë në të njëjtën ditë, gjithmonë në fshehtësinë më të madhe, Perëndesha do të shkojë për t’u ulur në gjunjë para varrit të Homerushit të saj për t’i folur gjatë dhe për t’i lënë një lule. Onassis i qëndron afër pas zisë, e merr me vete për të bërë udhëtime dhe ajo e ndjek, lëshohet në një jetë të re plot salltanete, të përbërë nga gala dhe netë të çmendura. Zëri i saj nuk është më ai i dikurshmi dhe këtë ajo e di. Armatorit lirika nuk i intereson më edhe aq, por Callas nuk e kupton. Në një intervistë thotë: «Është hera e parë që një mashkull më trajton si femër dhe jo si një makinë për të bërë para».  Por kur e bindin që të këndojë në Greqinë e saj, në vitin 1961, dëshiron që të bëjë figurë të mirë. Zgjedh një opera që e bën të ndjehet e sigurtë, Medea, nëna e të gjitha nënave, nëna që ajo nuk ka mundur të jetë. Dhe ajo natë rezulton një triumf.

Callas duket se ka gjetur frymëzimin që e ka bërë të famshme dhe në dhomën e saj troket një person i papritur: Lee Bouvier, motra e Jackie Kennedy. Është aty nga ana e familjes Kennedy pasi do t’i kërkojë nëse do të këndojë në festimin e 40 vjetorit të Presidentit të Amerikës. Maria është mjaft e emocionuar, jo edhe aq për veten, sesa për Ari e saj. prej kohësh ai kërkon një kapje me familjen Kennedy dhe ky do të ishte rasti i artë. Ajo që akoma Callas nuk e di, është se kjo mundësi për të do të rezultojë të jetë sipari që mbyll një periudhë shprese. Shpresa e të qenit më së fundi e lumtur. Sopranoja shpreson që të martohet shpejt me dashurinë e saj të madhe.

Në vitin 1996 heq dorë nga shtetësia amerikane, merr atë greke dhe anullon lidhjen me Meneghini. E lajmëron deri edhe në gazetë. «Jam e deshuruar sikur të isha 18 vjeç. Shpejt do të martohemi». Por të nesërmen vjen saktësimi: «Nuk është e vërtetë, Callas bën shaka». Për këngëtaren, ato me Onassis janë 9 vite “malesh ruse” dhe rrëshqitjet drejt humnerës shumë më të shpeshta sesa majat emocioniese. Për dashurinë ndaj tij heq dorë nga dinjiteti, hedh poshtë diven kryelartë e mjaft të rreptë që ka qenë dhe ai përfiton prej saj duke i shkelur jo vetëm dashurinë, por edhe krenarinë e saj. Për 9 vite me radhë manjati do të alternojë momente butësie me gjeste të papritura educate të keqe; fjalë të ëmbla me fyerje mjaft të rënda e poshtërime publike («Je vetëm një këngëtare klubi nate. Ka një bilbil të prishur në fyt», arrin t’i thotë). Edhe dy fëmijët e tij. Aleksandri dhe Christina, i janë armiqësorë: «këngëtarja», i lënë gjithë botës të kuptojë, nuk është e mirëpritur.

Në 1963 Onassis arrin më së fundi ta ftojë Jacqueline Kennedy, ndërkohë e mbetur vejushë, në “Christina”; Callas është në bord dhe ai e detyron që të zbresë një ditë më parë: «Ti do ta vije në siklet, nuk jemi të martuar. Pastaj, nuk je as e mirëpritur», i thotë. Maria ulëret, qn dhe rebelohet, porn ë fund cedon. Nuk është hera e parë që Onassis e zbret pse vjen një femër ndaj së cilës ka synime. Tashmë është e qartë: ai i përdor femrat e famshme dhe të rëndësishme për t’u afrimuar, për t’u dukur, për të arritur aty ku do, për të bërë biznes. Në 1968 Jackie kthehet në “Christina” dhe Callas sërish detyrohet që të zbresë. Kësaj radhe, zonja Kennedy arrin të sigurojë brenda 3 muajsh atë që sopranoja nuk e ka pasur në 9 vite: me 29 tetor 1968, Onassis martohet me të. Nuk është një «martesë dashurie» për asnjërin. Martesa është një biznes për të dy dhe, në fakt, përpara «po»-së, nënshkruhet një kontratë 28 faqëshe (Kennedy është mbytur në borxhe…). Tregojnë se 2 ditë përpara martesës Onassis i telefonoi Maries: «Hajde shpejt këtu, kështu që Kennedy zemërohet dhe largohet». «Ke hyrë vetë në këtë valle dhe i vetëm luaje deri në fund», i përgjigjet ajo e plagosur thellë në zemër.

Për Perëndeshën është një tjetër provë e dhimbshme. Del e asgjësuar: ajo ceremoni martese e papritur janë një fyerje, një mizori e patolerueshme, një poshtërim i bërë përpara syve të gjithë botës. Provon të reagojë: trukohet, krihet, vesh bizhuteritë dhe duket në formë të shkëlqyer në një mbrëmje gala. Kërkon rrugën e skenës për t’u rikonfirmuar dhe në 1973 niset me tenorin Giuseppe Di Stefano për një turne bamirësie. Nuk është më artistja që ka qenë. Është fundi i një epoke. Dhe ajo zhytet në një ulje-ngritje marramendëse euforie dhe depresioni. Pas martesës, Onassis do ta kërkojë akoma, gjithmonë papritmas, gjithmonë me arrogancë dhe ajo do të tentojë që të refuzojë. Por zjarri nuk është shuar akoma. Në 1970 ai e bind që të rishihen dhe fotografohen tek Chez Maxim’s. Por është vetëm një parantezë: ai ka zbuluar se Jackie e tradhëton gjithmonë dhe përdor Callas për t’u hakmarrë. Kur këngëtarja e kupton, gëlltit një mbidozë qetësuesish dhe përfundon në spital. Tashmë prej kohësh përdor anksiolitikë, soniferë, antidepresivë. Dhimbja që ka brenda e ka prekur edhe në fizik dhe rënia është e afërt.

1973 është një vit i tmerrshëm edhe për Onassis: në një incident ajror i vdes Aleksandri, i biri që e donte aq shumë dhe një vit më vonë edhe ish gruaja Tina. Onassis sëmuret në 1975 dhe kur rëndohet nga shëndeti transportohet me urgjencë në spitalin e Neuilly, «afër me Marien time». Ajo i telefonon çdo ditë dhe flasin gjatë, siç ka ndodhur gjithmonë gjatë viteve të fundit. Vdes me 10 mars dhe ajo ka mundur ta vizitojë vetëm një herë të vetme për shkak të familjes, e vendosur për ta mbajtur larg. Maria nuk i duron kësaj dhimbjeje dhe vendos që të largohet sa më shumë. Mikeshës së saj i rrëfen: «Asgjë nuk ka më rëndësi për mua, pasi asgjë nuk do të jetë si më parë pa të». Maria mbijeton 2 vite të tjera dhe shoferi i saj që bën gjithçka do të rrëfejë se zgjodhi të tërhiqej në vetminë totale të apartamentit të bukur në Paris që ia kish dhuruar pikërisht Onassis. Ata që i bëjnë shoqëri është televizori gjithmonë i ndezur dhe qentë e adhuruar. Herë pas here e viziton ndonjë mik.

Me 16 shtator 1977 Maria pëson një goditje. Rrëzohet në shtëpi dhe pas 4 orësh agoni ndërron jetë vetëm në moshën 53 vjeçare. Në ditarin e saj mbesin fjalët e një gruaje të dëshpëruar: «Mendoj se ta mbyll jetën do të jetë për mua një gëzim. Nuk kam as lumturi, as miq, vetëm ilaçe». Atë ditë Meneghini komenton: «Kam vdekur me të, nuk dëshiroj gjë tjetër veçse të vdes edhe fizikisht». Në shtëpinë e tyre në Sirmione gjithçka ka mbetur njëlloj: «Kam qenë i bindur gjithmonë se e shikoja të kthehej këtu në Sirmione sot apo nesër», thotë pa turp ai.

(Cristina Rogledi për Il Foglio)

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

LEAVE A REPLY