Komploti komunist për të vrarë George Orwell

Komploti komunist për të vrarë George Orwell

190
0
NDAJ

Mirupafshim Katalonjë

Kur u kthye në Barcelonë për herë të tretë më 29 qershor 1937, George Orwell zbuloi se policia sekrete spanjolle ishte pas tij. Qe detyruar të kthehej në front me qëllim që të merrte dokumentat e çmobilizimit dhe, në mungesë të tij, komunistët kishin nisur një spastrim të atyre që i perceptonin si armiq. Orwell ishte në këtë listë. Teksa mbrriti në hollin e Hotelit “Continental”, Eileen ju afrua qetësisht, i hodhi krahun në qafë dhe i buzëqeshi për lumturinë e kujtdo që po shikonte. Me tu afruar sa duhet, ajo i pëshpëriti në vesh:

“Largohu!”

“Çfarë?”

“Largohu menjëherë”.

“Çfarë?”

“Mos vazhdo të qëndrosh këtu! Duhet të dalësh menjëherë prej këtej!”

Eileen e drejtoi një Orwell të hutuar drejt daljes së hotelit. Marceau Pivert, një shok francez i Orwell që sapo futej në holl, u shfaq i shqetësuar kur e pa dhe i tha që fshihej përpara se hoteli t’i telefononte policisë. Një anëtar simpatizant i stafit u bashkua, duke e nxitur Orwell me anglishten e tij të çalë që të largohej sa më parë. Eileen arriti që ta çonte atë në një kafe në një anë të qetë të rrugës, ku i shpjegoi seriozitetin e situatës.

*

David Crook, një anglez i ri që po punonte për zyrën e Barcelonës të Partisë së Pavarur të Punës (ILP), qe bërë mik me Orëell dhe gruan e tij gjatë muajve të fundit, por nuk ishte ai që dukej. Ai kishte mbrritur në Spanjë në janarin e 1937, një muaj pas Orwell, i etur që të bashkohej me Brigadën Ndërkombëtare dhe të luftonte fashistët. Rridhte nga një familje emigrant ruso – hebreje dhe ishte rritur në Hampstead, ku edhe kishte ndjekur të famshmin Cheltenham College.

Si shumë të rinj që u rritën pas Luftës së Parë Botërore, ai ishte kapur pas kauzave të majta. Shkoi në New York City, ku ndoqi Columbia University dhe përqafoi politika radikale, duke ju bashkuar Lidhjes së Rinisë Komuniste. Si student delegate ai udhëtoi deri në Kentucky për të mbështetur grevën e famshme të minatorëve në Harlan County, duke dëshmuar në shtypjen brutale e saj nga ana e Gardës Kombëtare. Me kthimin në Londër, ai u bë anëtar i Partisë Komuniste Britanike. Në një mbledhje, poeti fatkeq John Cornford foli rreth kauzës republikane në Spanjë dhe Crook u frymëzua që të regjistrohej.

Ashtu si Hyndman, Crook hyri direkt në aksion në Betejën e Jarama, duke marrë edhe 3 plumba në këmbë. Gjatë shërimit në Madrid, ai u socializua me rrethin letra, që përfshinte korrespondenten brilante të luftës Martha Gellhorn, dashnorin e saj Ernest Hemingway, Mulk Raj Anand dhe Spender. Në këtë moment ai erdhi në vëmendje të agjentëve të inteligjencës sovjetike. Pasi e rekrutoi, NKVD-ja e dërgoi atë në një kamp stërvitor në Albacete, ku ju bë një kurs i shpejtuar në teknika sabotimi dhe survejimi.

Më pas ai u bë një spiun komunist. Misioni i Crook ishte që të infiltronte IPL-në dhe të raportonte lidhur me aktivitetet e saj. Sovjetikët e kishin tashmë një agjent në këtë terren, David Wickes, i cili doli vullnetar si përkthyes me ILP-në dhe çdo informacion që i binte në dorë ia kalonte shefave të tij. Tani Crook do t’i duhej të depërtonte më thellë dhe të arrinte të siguronte dokumenta. Orwell ishte objektivi i tij më i famshëm.

Si mbulesë, Crook pretendoi se ishte reporter për një gazetë britanike, me kredenciale në letër  autorizimi të siguruar nga “një shok në Londër”. NKVD-ja arriti që ta çmobilizonte atë nga brigade Ndërkombëtare me “probleme në mushkëri”. Të nesërmen pasi Orwell u kthye nga fronti për herë të parë, përpara shpërthimit të luftimeve të majit, Crook e vendosi veten në Hotel “Continental”, u miqësua me Eileen dhe hapi rrugën drejt zyrës së ILP-së.

Gjatë pushimeve të gjata spanjolle të drekës, ai i merrte dokumentat në një bazë në Calle Muntaner dhe i fotografonte ato. Ai hartoi raporte lidhur me çiftin Orwell, Kopp e McNair dhe, në takimet në një kafe vendore, ia dorëzonte ato të mbështjella me gazetë shefit të tij Hugh O’Donnell (me pseudonimin “Sean O’Brien”). Nganjëherë ai i fshihte raportet në banjën e hotelit nëqoftëse nevojitej më shumë diskrecion. Crook raportonte se Kopp dhe Eileen po kishin një lidhje, lloji i informacionit që NKVD-ja e vlerësonte për qëllime shantazhi.

Kopp deklaronte se ishte në dashuri me Eileen dhe, ndërsa Orwell merrte veten nga plagët e tij, “shoqërimi” i tyre u zhvillua në “hope të vogla” (Orwell dhe Eileen kishin një marrëdhënie jokonvencionale dhe ajo ishte e qartë me Kopp se ai kurrë nuk do ta zëvendësonte shokun dhe rivalin e tij). Midis dokumentave që Crook futi në dorë ishte një raport nga mjeku i Orwell lidhur me plagën e tij në qafë, që përfundoi në dosjen e KGB-së të Orwell në Moskë. Ajo ishte me dëshmi që mund të përdoreshin si justifikim për spastrimin e ardhshëm.

Askush nuk dyshonte për Crook, por ekzistonin shumë arsye të tjera për të qenë i frikësuar. Orwell e dinte se ishte e kotë të qëndronte në Spanjë; ai nuk mund t’i shërbente më kauzës të cilës i ishte përkushtuar. Çdo luftëtar i huaj që kërkonte ta linte vendin konsiderohej dezertor, kështu që ishte e rëndësishme që Orwell t’i merrte në rregull dokumentat e tij të çmobilizimit. Për këtë, atij i duhej të kthehej në front për herë të fundit. Ju deshën 5 ditë. Koha po mbaronte.

*

Kontrolli në dhomën e Eileen u bë në orët e para të 16 qershorit, të njëjtën ditë që qeveria republikane e kontrolluar nga komunistët e shpalli POUM-in [Partinë e Unifikimit Marksis të Punëtorëve] organizatë ilegale. NKVD-ja dhe policia sekrete spanjolle (SIM) lëvizën me shpejtësi ndaj objektivave të tyre. Iosif, Grugulevich, vrasësi i NKVD-së, udhëhiqte këtë skuadër vdekjeje. Nin, lideri i POUM-it, kishte shërbyer më parë si sekretar privat i Trotsky në Moskë dhe, anipse të dy qenë ndarë për diferenca politike, argumentonte se Katalonja duhet t’i jepte atij azil politik.

Këto lidhje rezultuan fatale. Ai “u arrestua, u torturua brutalisht, më pas u rrah keqaz kur refuzoi të pranonte krime imagjinare”. Irwin Wolf, një tjetër ish sekretar i Trotsky, u kidnapua dhe u ekzekutua. Kurt Landau, një trockist i shquar austriak, u fsheh, por falë informacioneve të grumbulluara nga Crook, skuadra e vdekjes e gjeti dhe e vrau. Gruaja e Landau kaloi 5 muaj në burg, teksa orvatej më kot të zbulonte se çfarë kishte ndodhur me bashkëshortin e saj. Kopp u arrestua nga komunistët dhe u fut bë burg. Me qëllim që të ruante integritetin e mbulimit dhe të vazhdonte spiunimin e tij, Crook u “arrestua” nga dy policë me uniform dhe u dërgua në të njëjtin burg të Kopp.

Gjatë kontrollit të dhomës së Eileen agjentët e SIM-it morën me vete çdo copë letër që mundën të gjenin, përfshi ditarë, dokumenta dhe fotografi të Orwell. Gjithashtu, ata morën edhe librat e Orwell, përfshi edicionin në frengjisht e Mein Kampf të Adolf Hitlerit dhe, si për ironi, Ways of Liquidating Trotskyists and Other Double Dealers të Stalinit. Për dy orë të tëra policët kontrolluan muret, kërkuan prapa radiatorëve, rrëmuan nëpër koshat e plehërave dhe nxorrën në dritë çdo veshje, duke kërkuar letra apo pamflete të fshehura të fshehura në to.

Kërkuan nëpër çdo letra cigareje të Orwell për mesazhe të fshehëta, megjithatë për kushedi se çfarë arsye, ndoshta një ndjenjë perverse mirësjelljeje, nuk kontrolluan krevatin ku Eileen kishte fshehur pashaportat dhe  blloqet e çeqeve të tyre. “Policia sekrete spanjolle kishte një farë shpirti të Gestapos, por jo shumë nga përgatitja e saj”, shkroi ai.

Orwell u rikthye në Barcelonë më 20 qershor, duke arritur t’i siguronte dokumentat e tij të çmobilizimit. U bë e qartë se duhej të largohej shpejt në rast se donte të shmangte fatin e të tjerëve të lidhur me POUM-in. Eileen i tha atij se McNair dhe Stafford Cottman, një vullnetar 18 vjeçar i ILP-së, ishin të fshehur. Eileen kishte frikë se arsyeja e vetme për të cilën kishte mbetur e lirë ishte se po përdorej si karrem për kapjen e bashkëshortit të saj. Ai i tha atij ta asgjësonte kartën e tij të milicisë dhe fotografitë inkriminuese.

Në asnjë mënyrë nuk mund të kthehej në hotel. Do të duhej të fshihej, pasi thuajse me siguri kishte dalë një urdhër arresti për të. Papritmas Orwell u ndje si një “dezertor i survejuar”. Tani çiftit Orwell i duhej që të largohej nga Barcelona dhe të kalonte pa u vënë re kufirin francez. Kjo ishte më e lehtë të thuhej sesa të bëhej. Dyshues siç ishte, Orwell nuk kishte ide sesa afër komunistët po e survejonin.

Eileen arriti që të takoheshin të gjithë mëngjesin e nesërm në Konsullatën britanike. Orwell e kaloi natën në gërmadhat e një kishe të vjetër. Pasi mësoi se Konsullatës do t’i duheshin 3 ditë që t’ua bënin gati pashaportat, ai dhe miqtë e tij bënë maksimumin që të mbeteshin pa rënë në sy. Atë natë, në një të ftohtë të hidhur, Orwell, McNair dhe Cottman fjetën ose u përpoqën të flinin “në barin e gjatë në cep të një ndërtese të shkatërruar”.

Ata e kaluan mëngjesin e nesërm duke pritur me padurim që të hapeshin kafenetë në mënyrë që ta merrnin veten me një kafe. Pasi e pinë, Orwell shkoi tek berberi që të rruhej dhe më pas për një lyerje të këpucëve. U kujdes që të shmangte çdo hotel apo kafene të lidhur me POUM-in. Në vend të tyre nisi të frekuentojë restorantet më ekskluzive të qytetit, ku nuk e njihte askush. Orwell u kujdes që të mos ndalej pasi rrugët “qenë plot me gardistë sulmues të Valencias, Carabineros dhe policë të zakonshëm, përveçse Zoti e di sa shumë spiunëve me rroba civile”.

Mëngjesin pas kaluan në ilegalitet, Orwell mësoi se Smillie, gazetari i ri me të cilin kishte luftuar bashkë në front, kishte vdekur në një burg të Valencias. Verdikti zyrtar ishte apendisiti, por Smillie ishte vetëm 22 vjeçar dhe Orwell e kishte parë sesa i fortë ishte. Në rastin më të mirë, mendoi ai, Smillie ishte lejuar që të vdiste “si një kafshë e lënë pasdore”. Më vonë Kopp pretendoi se kishte parë një raport policor që thoshte se Smillie kishte vdekur prej goditjeve të forta në stomak. Orwell nuk e fali kurrë vdekjen e tij.

Gjatë ditës anglezët pretendonin se ndodheshin në qytet për biznes, gjatë natës flinin top. Për të siguruar një farë frymëmarrjeje, Orwell kaloi një ditë në banjat publike. “Ishte një ekzistencë e jashtëzakonshme dhe e çmendur ajo që po bënim. Natën qemë kriminelë, por ditën qenë vizitorë anglezë të kapur: kjo ishte pamja jonë, gjithsesi”, shkruan ai.

Duke pasur nevojë të merrej me diçka, Orwell kapi mundësinë e një momenti të pa rënë në sy për të shkruar slogane politike nëpër mure. Ndërsa ishte në ilegalitet, Orwell mbështetej një “besimin e pamposhtur anglez se “ata” nuk mund t’ju arrestojnë për aq kohë sa nuk keni shkelur ligjin”, anipse “praktikisht kushdo që e njihte atë gjendej në burg në atë kohë”. Ai u orvat që të bënte diçka për mikun e tij Kopp, duke rrezikuar arrestimin e vetes duke e vizituar atë në burgun e pistë të mbipopulluar. Eileen u ofrua ta ndihmonte Crook nëpërmjet nxjerrjes së letrave jashtë burgut, por nuk fund ata nuk mund të bënin asgjë për Kopp dhe ai e kaloi një vit e gjysmë më pas duke shëtitur nga burgu në burg, nga marrjet në pyetje në marrje në pyetje, nga burgu në kamp pune.

Edhe vite më pas, Orwell do të mbante midis letrave të tij një raport të detajuar sesi kur Kopp kishte refuzuar të firmoste një deponim ishte “vendosur në një bunker qymyri pa dritë, ajër apo ushqim ku minj të mëdhenj i kalonin nëpër këmbë”. Përdorimi i minjve në torturë e goditi shumë Orwell, sa e bëri subjekti i një skenë ikonike tek Nineteen Eighty-Four. Kur më së fundi u lirua 18 muaj më vonë, Kopp kishte humbur 45 kilogram në peshë dhe vuante nga skorbuti dhe helmimi i gjakut.

Gjithashtu, në burg Orwell kishte parë Milton, i cili qe orvatur të largohej nga vendi, por qe kapur në kufi, pavarësisht se i kishte të gjitha letrat në rregull. Amerikani e kishte ndihmuar Orwell të hipte në një ambulancë kur ky i fundit qe plagosur dhe kishin shërbyer bashkë për muaj me radhë në vijën e frontit. Por duke pasur frikë se mos zbuloheshin, ata “shëtisnin përkrah njëri tjetrit sikur të ishin krejtësisht të panjohur”. Dështimi i Milton për t’u arratisur qe një paralajmërim për Orwell dhe miqtë e tij: sa do mire ta llogarisje, nuk kishte garanci për një arratisje të suksesshme.

Më së fundi Orwell zbuloi se dokumentat e tij qenë gati. Grupi hartoi një plan arratisjeje. Një tren po largohej për Port Bou, në kufirin francez, në orën 20 30 të mbrëmjes. Ishte e rëndësishme që policia sekrete të mos mësonte asgjë për arratinë e tyre të planifikuar. Eileen nuk duhej të jepte asnjë shenjë se po largohej. Ata do të porosisnin një taksi përpara kohe, por Eileen duhet t’i bënte gati valixhet dhe të paguante në momentin më të vonë të mundshëm. Për tmerrin e tij, kur arriti në stacion, Orwell zbuloi se treni ishte larguar përpara orarit. Fatmirësisht, ia kishte dalë në kohë që të paralajmëronte të shoqen.

Orwell ia doli të sqarojë se menaxheri i një restoranti lokal ishte anarkist dhe, për pasojë, simpatizant ndaj kauzës së tyre. Ai e vendosi Orwell dhe dy miqtë e tij në një dhomë gjumi, një lehtësim i madh pas një fjetjeje të vështirë. Një tren u largua herët mëngjesin tjetër, më 23 qershor, dhe, të bashkuar nga Eileen, grupi zuri vend në vagonin restorant. “Dy dedektivë ecnin nëpër tren duke marrë emrat e të huajve, por kur na panë aty u dukën të kënaqur qe qemë të respektueshëm”, shkroi më pas ai.

Në pikën e kalimit kufitar rojet i kontrolluan emrat e tyre në një regjistër me emra të dyshuarish. Qe një moment i tendosur, por kush e di se për çfarë arsye emrat e tyre nuk ndodheshin në të (Orwell dyshonte për ponën të dobët policore). Secili u kontrollua imtësisht, por nuk ju gjet asgjë inkriminuese. Rojet ia kthyen dokumentat e çmobilizimit Orwell dhe, në një tjetër shenjë fati, dështuan në bërjen e lidhjes së Divizioni i XXIX ishte në fakt POUM-i.

Çifti Orwell dhe miqtë e tyre arritën të dalin me sukses në Francë (gazeta e parë që lexuan përmbante një raport të parakohshëm që njoftonte arrestimin për spiunazh të McNair). Një dokument i policisë sekrete, e datës 13 korrik dhe e përgatitur për Gjykatën për Spiunazh dhe Tradhëti të Lartë në Valencia, denonconte Orwell dhe Eileen si “trockistë të konfimuar”. Raporti ishte hartuar me informacion nga Wickes (dhe pothuajse me siguri nga Crook). Orwell ishte larguar tamam në kohë.

Qëndrimi i Orwell në Spanjë, shkroi ai më vonë, “qe një punë e çuditshme. E filluam duke qenë mbrojtës heroikë të demokracisë dhe përfunduam duke rrëshqitur nga kufiri me policinë që na ndiqte nga pas”. Plagët e tij shkaktonin dhimbje dhe shëndeti i tij, si gjithmonë, ishte i keq. Kishte nevojë që të shërohej. Por kur ju kthye fuqia, ai e dinte se çfarë duhej të bënte: duhej t’i tregonte botës dhe, më e rëndësishmja, miqve të tij të majtë, të vërtetën e asaj që po ndodhte në Spanjë.

Ndoshta komunistët e patën ngatërruar Orwell me një tjetër vullnetar naiv, por në fakt kishin bërë një armik të fuqishëm, një armik që ishte përgatitur t’i luftonte me armët e tij të besuara: makinën e shkrimit dhe stilografin.

(nga libri “Cold Warriors: Writers Who Waged the Literary Cold War” i autorit Duncan White)

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

 

LEAVE A REPLY