Flet Moftah Mossouri, ish përkthyesi i Kolonelit: “Takimi kokë më kokë ndodhi në vitin 2005 dhe Sarkozy kërkoi ndihmë. E kam parë projektmarrëveshjen”.
“Shumë në Libi mendojnë se ka qenë një agjent i francezëve i infiltruar ai që ka shkrepur këmbëzën dhe e ka vrarë Khadaffi. Kështu nuk do të mund të tregonte shumë gjëra…”.
Moftah Missouri ka qenë ambasador, përgjegjës i desk Francës, poliglot dhe përkthyes në takimet më delikate. Që filluan me atë midis Kolonelit dhe Ministrit të Brendshëm të atëhershëm francez Nicolas Sarkozy gjatë vizitës në Tripoli më 6 tetor të vitit 2005. Fotografitë e kohës e tregojnë në mes të dy liderëve me qëllimin që të përkthejë çdo fjalë. Profesor, njeri elegant dhe me kulturë, funksionar i lartë i regjimit libian, që nuk i ka duart e lyera me gjak, Missouri është një dëshmitar kyç i financimit të fushatës elektorale të Sarkozy. Sot ish ambasadori ndodhet në Tunizi ku kemi arritur ta komunikojmë nëpërmjet Whatsapp. Dëshmitari nuk i ka bërë bish duke na treguar gjithçka që ka parë, dëgjuar dhe lexuar. Një konfirmim i financimit libian për fushatën elektorale të Sarkozy me emra dhe mbiemra të protagonistëve të marrëveshjes.
Kur ka qenë hera e parë që keni dëgjuar të flitet për këtë histori?
«Kam qenë ambasador dhe përgjegjës i desk Francës. Në vitin 2005, kur Sarkozy ishte Ministër i Brendshëm, kam përkthyer takimin e tij me Khadaffi në Tripoli».
Çfarë i thanë njëri tjetrit?
«Qe Sarkozy ai që e hapi muhabetin, duke thënë se kishte ndërmend të kandidonte për zgjedhjet presidenciale franceze. Khadaffi ju përgjigj se si mik nuk do të ngurronte ta ndihmonte. Nuk folën për para, por ideja ishte e qartë. Khadaffi tha se ishte mirë të kishte një mik si Presidenti francez. Dhe i nënvizoi: “Të inkurajoj dhe jam i gatshëm të të ndihmoj».
Si u arrit tek paratë?
«Pas disa kohësh kam parë bocën e marrëveshjes për të financuar fushatën elektorale të Sarkozy mbi skrivaninë e Khadaffi. Nuk e kujtoj datën e saktë, por muajin po. Muaji në document ishte dhjetor 2006. Në të kishte firmosur Moussa Kussa (kreu i fuqishëm i shërbimeve sekrete me jashtë libiane i strehuar në Katar, shënimi im.) dhe letra i drejtohej personalisht Khadaffi».
Si ishte shkruar?
«Kujtoj mirë të kem lexuar se shifra e propozuar ishte prej 50 milion eurosh, por më pas Khadafdi vendosi të derdhë 20 milion dollarë. Personat e treguar nga ana francize për finalizimin e marrëveshjes qenë Brice Hortefeux (ish ministër, aleat politik dhe mik personal Sarkozy, edhe ai i marrë në pyetje dy ditë më parë, shënimi im.) dhe ndërmjetësi franko – libanez Ziad Takieddine (që ka pranuar se i ka sjellë me valixhe 5 milion euro Sarkozy dhe enturazhit të tij midis fundit të 2006 dhe 2007, pas letrës së Moussa Kussa, shënimi im.). Nga ana libiane tregohej Bashir Saleh (shef i kabinetit të Khadaffi, shënimi im.) dhe, nëse nuk gabohem, Abdallah Senoussi (kunati i Kolonelit dhe shef i shërbimeve të brendshme të inteligjencës, shënimi im.). Nuk e di sesi janë derdhur paratë, por këta persona duhej të merreshin me këtë punë».
Si e mësuat që Khadaffi alokoi vetëm 20 milion dollarë?
«Gjatë një interviste në vigjilje të bombardimeve të NATO-s në marsin e 2011, Khadaffi i tha një gazetari francez se kishte ndihmuar fushatën elektorale të Sarkozy. Pyetje se sa para kishte derdhur, ju përgjigj se nuk i kujtohej shifra. Disa ditë më pas Khadaffi më tha se kontributi libian për Sarkozy kishte qenë me 20 milion dollarë».
Khadaffi nuk ju rrëfeu se çfarë mendonte për ndryshimin radikal të Sarkozy nga mik në armik?
«Jo, përjashto ndonjë deklaratë për shtypin për faktin që kishte problem mendore. Ka mundësi, por është një analizë vetëm e imja, Sarkozy kishte mbetur i habitur nga realizimi i munguar i kontratave të ndryshme me Libinë (edhe në fushën energjitike, shënimi im.) të firmosura gjatë vizitës së Khadaffi në Paris (në dhjetorin e 2007, pas zgjedhjes në Elize, shënimi im.), ku edhe u prit me të gjitha nderimet».
Rebelët e donin të gjallë Kolonelin, por u vra gjatë kapjes. Çfarë mendoni për këtë?
«Nuk kam informacione të drejtpërdrejta, por shumë në Libi mendojnë se ka qenë një agjent i francezëve i infiltruar ai që ka shkrepur këmbëzën, kështu që nuk do të mund të tregonte shumë gjëra».
(Fausto Biloslavo për “Il Giornale”)
Përgatiti
ARMIN TIRANA