Irak 1941. Revolta antiangleze nën mbrojtjen e Hitlerit

Irak 1941. Revolta antiangleze nën mbrojtjen e Hitlerit

853
0
NDAJ

Një episod që do të kontribuojë të ruhen të gjalla midis ushtarakëve dhe politikanëve irakenë ndjenja e zjarrtë nacionaliste që çimentoi diktaturën.

 

Qysh nga fillimi i Luftës së Dytë Botërore, Gjermanisë ju desh të përballet me problemin e rëndë që buronte nga mungesa e naftës dhe, për pasojë, e benzinës: elementë të domosdoshëm për të mbështetur dhe ushqyer ndërmarrjen luftarake të një fuqie të impenjuar rëndshëm në shumë fronte. Dhe pikërisht për këtë motiv, si nëpërmjet aleancave (shiko ato të nënshkruara me Hungarinë dhe me Rumaninë), ashtu dhe nëpërmjet fushatave ushtarake (si ajo e Rusisë, Hitleri kërkoi që të shfrytëzojë apo të fusë në dorë vendburime të konsiderueshme, edhe pse puset e pakët e të dobët të pranishme në Austri dhe kostoja e lartë që derivonte nga fabrikimi i benzinës sintetike (karburant i nxjerrë nga qymyri nëpërmjet procesit të ideuar nga kimisti Friedrich Bergius) nuk arrinin që t’i plotësonin në masën e duhur nevojat aktuale.

Në këtë kontekst, në pranverën e vitit 1941, vëmendja e Gjermanisë ndaj vendeve të Lindjes së Mesme dhe sidomos të Irakut (shtet i pavarur në letër, por faktikisht i nënshtruar “kontrollit” të rreptë të Britanisë së Madhe) filloi që të bëhej më këmbëngulëse. Mundësia për të hedhur duart në vendburimet e pasura të naftës të zonës mesopotamie papritmas u duk të rezultonte realiste në pranverën e vitit 1941, domethënë në njëkohshmëri me shpërthimin e revoltës antiangleze të kryesuar nga lideri nacionalist iraken, Rashid Alì Al Gaylani. Megjithatë, një rast nga i cili Hitleri nuk diti ose nuk deshi që të përfitojë me gadishmërinë e duhur, duke e konisderuar si të parakohshëm një përfshirje eventuale të drejtpërdrejtë të Gjermanisë në Lindje të Mesme. Dhe e gjitha kjo pavarësisht raporteve inkurajuese të siguruara nga diplomatët dhe nga shërbimet sekrete të saj të pranishëm prej kohësh në Irak lidhur me mundësinë efektive të përdorimit me sukses të revoltës nacionaliste. Por në këtë pikë është e nevojshme të bëhet një hap prapa.

Qysh përpara fillimit të konfliktit të dytë botëror, Hans Grobba, konsulli gjerman në Bagdad, kish filluar që të bënte një punë të kujdesshme të nëndheshme, duke afruar anëtarët e partisë nacionaliste arabe (tashmë në kontakt me lëvizjen pronaziste dhe antihebraike të kryesuar nga Husseini, Myftiu i Madh i Jeruzalemit) dhe eksponentët kryesorë të ushtrisë irakene, duke i bindur për faktin se derikur qeveria e Londrës do të vazhdonte të ruante kontrollin mbi ish posedimin otoman (në përfundim të Luftës së Parë Botërore Britania e Madhe kishte siguruar një lloj protektorati mbi Irakun, duke garantuar kështu shfrytëzimin e zonave kryesore naftëmbajtëse të vendit, të atyre të Kuvajtit fqinj dhe vayhdueshmërinë e lidhjeve midis Lindjes së Mesme dhe Indisë), pavarësia politike e vendit, e qeverisur duke filluar nga viti 1939 nga Regjenti Abd al-Ilah (Mbreti Feisal i II-të ishte vetëm 4 vjeç), do të rezultonte më shumë false sesa reale. Konsiderata këto që zunë lehtësisht vend në mendjen e Rashid Alì, politikan me influencë që megjithatë, në kundërshtim me Kryeministrin Nuri Said (edhe ai nacionalist i zjarrtë, por në favor të ruajtjes së raporteve të mira me Anglinë), dëshironte prej kohësh që të hiqte qafe protektoratin britanik.

Në vitin 1932, të nesërmen e skadimit të “mandatit” anglez ndaj Irakut, qeveria e Londrës i kish imponuar Bagdadit një traktat të ri për të garantuar ruajtjen e bazave ajrore të Shaibah, në afërsi të Bassora, dhe të  Habbaniya, lokalitet i ndodhur 88 kilometra larg nga kryeqyteti. Jo vetëm kaq, një notë mirëkuptimi u lejonte veç të tjerash forcave britanike – në rast lufte – që të vepronin të patrazuara në të gjithë territorin iraken. Klauzolë kjo e fundit që hyri në fuqi në mënyrë automatike në shtator të vitit 1939, me deklarimin e luftës nga ana e Londrës për Berlinin: ngjarje që veç të tjerash e shtrëngoi qeverinë irakene, e nënshtruar ndaj Anglisë, që të prishte raportet diplomatike me Gjermaninë.

Në mars të vitit 1940, Rashid Alì arriti megjithatë të bëhej Kryeministër, duke nisur një politikë shkëputjeje të ngadaltë, por konstante, kundrejt Anglisë dhe një afrim kontekstual me Gjermaninë dhe Italinë që prej disa vitesh manifestonte simpati të qarta ndaj të gjitha lëvizjeve arabe antiangleze. Jo rastësisht, në qershorin e vitit 1940, pavarësisht deklarimit të luftës të Italisë kundrejt Francës dhe Anglisë, Rashid Alì refuzoi që të prishë marrëdhëniet diplomatike me Romën, duke shkaktuar tërbimin e Winston Churchill i cili, për t’i bërë një paralajmërim të qartë Kryeministrit iraken, zbarkoi në Bassora një brigadë indiane. Njësia më pas u kthye në Egjipt dhe më pas në Sudanin jugor për t’u përdorur kundër forcave italiane të pranishme në Etiopi. Në vjeshtën e vitit 1940, e preokupuar nga qëndrimi dukshëm armiqësor i Rashid Ali dhe nga rifillimi i kontakteve diplomatike sekrete midis qeverisë së tij dhe asaj gjermane, qeveria e Londrës ushtroi presione të rënda ndaj regjentit më qëllim që të shkarkonte Kryeministrin belaxhi. Dhe në dhjetor të vitit 1940, Rashid Alì u detyrua që t’ia lirojë postin e tij Gjeneralit Taha el Hashimi, eksponent i partisë panarabe, por jo armiqësor ndaj Anglisë.

Në fillim të pranverës së vitit 1941, edhe nën vazhdën e fushatave fitimtare të realizuara në Europë nga Vermahti, në Irak ndjenja asnjëherë topitur antibritanike dhe antihebraike, e përhapur në shumicën dërrmuese të lëvizjes nacionaliste itakene, shpërthen sërish dhe i dorëhequri Rashid Alì gjeti forcën për t’u riparaqitur si kreu i vetëm dhe i padiskutueshëm i një revolte tashmë në pritje për të shpërthyer. Në vijim të sukseseve të arritura në Afrikën Veriore nga armata italao – gjermane, me 1 prill të vitit 1941 kolonelët e Rashid Alì e përmbysën si Kryeministrin, ashtu dhe Mbretin Feisal i II-të (që megjithatë arriti t’i shpëtonte arrestimit duke u strehuar pranë ambasadës amerikane), duke futur në dorë pushtetin dhe duke vendosur një qeveri ushtarake progjermane dhe antihebraike e deklaruar (Rashid Alì e kish akuzuar shumë herë minorancën izraeliane e pranishme prej shekjsh në Irak se ishte për anglezët).

Manovra, natyrisht e pritur me favor nga Gjermania, rezultoi një gjë rriskuese për sa u zhvillua me shumë shpejtësi dhe pavarësisht nga një mirëkuptim i nevojshëm i nënkuptuar e tipit politiko – ushtarak me aleatët gjermanë dhe italianë. Nëqoftëse është e vërtetë se Afrika Korps ishte në prag të përzënies së anglezëve nga Cirenaica dhe se Siria, e rrethuar nga forca franceze besnike të qeverisë së Vichy, demonstrohej solidare me rebelët, rezultonte po aq e vërtetë se Vermahti, ushtria italian e dislokuar në Shqipëri dhe ajo e aleatit bullgar nuk e kishin ndërmarrë akoma sulmin e tyre të madh (ngjarje që do të verifikohet me 6 prill) me Greqinë e rrethuar nga forca britanike dhe që kështu, me përjashtim të porteve dhe të aeroporteve italiane të Dodekanezit, forcat e Boshtit nuk dispononin infrastruktura logjistike aeroportuale të domosdoshme për të garantuar lidhjet me rebelët irakenë. Në tërësi, Rashid Alì i zbuloi letrat e tij me zgjuarësi të pakët, duke mos u dhënë kohë aleatëve të tij që të përpunojnë një plan të koordinuar, të domosdoshëm që ti garantonte Irakut (vend gjeografikisht i izoluar për sa Turqia dhe Persia refuzuan që të përziheshin në këtë mesele) ndihmën e nevojshme ushtarake. Nguti dhe sipërfaqësia paragjykuan potencialitetet e Golden Square (ose “bllokut të florinjtë”), revoltës nëpërmjet të cilës Rashid Alì shpresonte që të siguronte pavarësinë e vendit të tij.

Siç është thënë, pavarësisht proklamimeve euforike të Hitlerit (“Do t’i jap ushtrisë së Rashid Alì armë, municione dhe mjete ajrore të dorës së parë”), Gjermania, për të mos folur për Italinë, nuk ishte akoma në gjendje që t’i mbështeste konkretisht irakenët. Pastaj Hitleri përmbahej nga një ndërhyrje e e parakohshme dhe në realitet problematike në Lindje të Mesme, megjithëse duke u deklaruar i gatshëm që t’u dërgonte një sasi të caktuar ndihmash irakenëve. Pak ditë pas grushtit të shtetit, ai që ka hedhur ujë të ftohtë mbi triumfalizmat e lehta të Rashid Alì dhe të kolonelëve të tij qe ambasadori anglez në Bagdad, Cornëallis, që i shpalli kryeministrit ardhjen e afërt (midis 18 dhe 29 prillit) në Bassora të dy kontigjenteve të forta me trupa indiane (në të cilat bënin pjesë Brigada e 20-të indiane, një regjiment artilerie dhe Shtabi i përgjithshëm i Dvizionit të 10-të indian). Pavarësisht kësaj, ambasadori nxitoi të sigurojë se kontigjenti nuk do të ndalej në Mesopotami, por do të vazhdonte në drejtim të Egjiptit: deklarim që nuk i siguroi aspak krerët irakenë. Aq më tepër që pak ditë më vonë, një skuadrilje dymotorash transportues Valentia e RAF-it e ardhur nga Karachi u ul në Bassora, duke shkarkuar disa qindra ushtarë britanikë të destinuar që të vinin nën kontroll portin dhe përforcuar garnizonin e afërt të Shaibah.

Natyrisht që pas kësaj lëvizjeje, të dëshiruar nga Winston Churchill, fshihej një qëllim i dytë: të rivendosej kontrolli britanik mbi Irak dhe të vihej Rashid Alì në kushtet që të mos dëmtonte. Synim që nuk i shpëtoi as Kryeministrit iraken, por që ju desh të kufizohej në dërgimin e një note proteste të kotë ambasadorit anglez. Më së fundi, me 30 prill pas zbarkimit në Bassora të kontigjentit të dytë britanik, Rashid Alì e ndau mendjen: urdhëroi ushtrinë e tij që të rrethonte bazën ajror të Habbaniya he mbylli rubinetat e naftësjellësit që lidhte vendburimet naftëmbajtëse të Kirkuk me portin e Haifa, duke devijuar fluksin drejt depozitave siriane të kontrolluara nga forcat franveze të qeverisë së Vichy. Duke parë ecurinë e situatës, Guvernatori i Sirisë, Gjenerali Fernand Dentz, i deklarua i gatshëm që t’ia lëshojë në përdorim aeroportet e tij Luftëaffe dhe Aeronautikës Mbretërore Italiane, por edhe të dërgojë, nëpërmjet karvaneve hekurudhore, ndihma ushtarake për Rashid Alì.

Ushtria irakene që në vitet Njëzet – Tridhjetë ishte formuar, stërvitur dhe pothuajse totalisht e pajisur nga britanikët, rezultonte, të paktën në letër, një gjë jo për të mos u marrë krejtësisht në konsideratë. Ajo përbëhej nga 2177 oficerë dhe 49237 ushtarë të ndarë në 4 divizione (të formuar secili nga një brigadë kalorësie, dy brigada këmbësorie, një brigadë artilerie dhe një batalion pionierësh), plus një brigadë kalorësie dhe një brigadë të mekanizuar e pajisur me 30 midis makinash me zinxhira dhe autoblindash. Në prill të vitit 1941, Iraku dispononte edhe një kontigjent ajror të formuar nga 116 mjete fluturuese, por nga të cilat vetëm nja 50 qenmë efikase nga pikëpamja luftarake. E grumbulluar në zonën e Bagdadit, me një pjesë të trupave më të mira të saj (një brigadë prej 5000 ushtarësh, e përforcuar nga dy kompani tankesh të lehta dhe autoblinda dhe 28 mjete artilerie fushore) Rashid Alì vendosi që të eliminojë menjëherë bazën e rrezikshme angleze të Habbaniya ku gjenden 49 mjete (një pjesë e mirë e të cilave stërvitore) me 1000 midis pilotëve dhe specialistëve.

Bastioni i madh, që rrethohej nga një perimetër me tela me gjemba dhe bunker rreth 20 kilometra i gjatë, mbrohej nga rreth 1200 ushtarë (të rekrutuar midis pakicave lokale kristiane dhe kurde), 350 pushkatarë anglezë të ardhur me rrugë ajrore nga Karachi dhe nga grup prej 18 autoblindash Rolls Royce. Duke pasur parasysh mungesën e artilerisë, komandanti i garnizonit, Nënkoloneli Brown, i urdhëroi njerëzit e tij, të armatosur vetëm me pushkë dhe mitraloza të lehtë, që të rivinin në funksionim një gjysëm dyzine topash të vjetër të Luftës së Parë Botërore të përdorur si orendi e shtabit të përgjithshëm. Në shikim të parë, situata dukej se ishte krejtësisht në dizavantazh të mbrojtësve të cilët, due qenë krejtësisht të rrethuar, sigurisht që nuk mund të përfitonin ndihma nga kontigjenti indian i dislokuar në zonën e Bassora.

Megjithatë, Koloneli Brown larg nga dëshira për të braktisur ndeshjen, mendoi që t’i përdorë të gjithë avionët në dispozicion për të riekuilibruar situatën e disfavorshme. Pasi është konsultuar me Nënmarshallin Smart, komandantin e përgjithshëm të forcave angleze të pranishme në bazat Habbanyia dhe Shaibah, Brown e refuozi ultimatumin e parë të irakenëve dhe e kapi në kundërsulm armikun me një sulm të papritur dhe të dhunshëm nga ajri me 40 midis gjuajtësve dhe bombarduesve. Forcat e Rashid Alì pësuan humbje të rënda, por tentuan njëlloj disa sulme kundër unazës mbrojtëse të aeroportit duke provokuar shkatërrimin e disa mjetevdhe dëmtimin e nja 30 të tjerëve. Me 2 maj, 8 bombardues me rreze të gjatë anglezë Wellington të ardhur nga Bassora mitraluan përqëndrimet e artilerisë irakene rreth  Habbaniya, duke u dhënë kurajo të rrethuarve. Por të nesërmen qe aviacioni iraken ai që sulmoi aeroportin, duke shkakuar dëme të ndryshme. Me 4 maj avionët Wellington rifilluan inkursionet e tyre ndaj pozicioneve armike pikërisht teksa Sëordfish e imbarkuar në aeroplanmbajtësen Hermes (e mbërritur prej pak kohësh në Bassora) fillonin të mitralonin rrugët e komunikimit midis Mesopotamisë jugore dhe Bagdadit, duke i tronditur prapavijat irakene. Me 6 maj, pas një sulmi të fundit të kotë të kryer kundër këmbësorive irakene, 2 batalione britanike të mbështetura nga autoblinda dhe avionë kundërsulmuan, duke e shtrënguar më së fundi armikun që të tërhiqej në drejtim të Al Falluiya. E shkuar kot tentativa për të pushtuar Habbaniya dhe duke parandjerë rrezikun e një kundërsulmi më të gjerë britanik, Rashid Alì filloi ta bombardojë Berlinin me kërkesa për ndihmë dhe të nxisë dërgimin nga ana franceze e furnizimeve të premtuara. Ndërkohë, për të kërkuar që të vonohej avancimi britanik nga Mesopotamia jugore dhe nga Palestina (nga ku po arrinte ndërkohë Brigada e 4-ët e motorizuar, e përforcuar nga reparte të shumta jordaneze dhe beduine, nën urdhërat e Gjeneral Majorit Clarke), irakenët kryen sabotime në linjat hekurudhore e rrugore, shkatërruan diga dhe përmbytën zona të mëdha përreth rrjedhës së lumenjve Tigër dhe Eufrat dhe duke transferuar sasira të mëdha karburanti pranë bazës ajrore të Mosulit, ku do të duhej të uleshin avionët e Luftëaffe dhe të Aeronautikës Mbretërore Italiane. Por edhe njëherë akoma oficerët dhe trupat irakene nuk rezultuan në lartësinë e situatës, duke mos arritur që të përgatisnin terrenin për ardhjen e avionëve të Boshtit. Në ngut e sipër dhe fajtore edhe mungesa e përherhme e lidhjeve, trupat e Rashid Alì në fakt grumbulluan në Mosul sasira benzine që nuk rezultuan të përshtatshme për motorët e avionëve gjermanë. Dhe sikur të mos mjaftonte, një repart i tyre qëlloi në shenjë avionin e Majorit Axel von Blomberg (oficer që kishte ardhur në Irak me detyrën për të shërbyer si lidhje midis reparteve të Luftëaffe dhe komandës në Bagdad) në fazë uljeje në Mosul.

Në këtë pikë komanda angleze e përshpejtoi nisjen e një ofensive koncentrike kundër Mesopotamisë qendrore, nga frika e një ndërhyrjeje masive të Boshtit forcat e të cilit ndërkohë e kishin kompletuar pushtimin e Greqisë. Praktikisht, pavarësisht ngecjeve dhe vonesave, makina luftarake gjermane fillonte të lëvizte në drejtim të Lindjes së Mesme. Duke mos mundur të ndërhynte drejtpërsëdrejti me forca tokësore apo të dërgonte kontigjente të konsiderueshme nëpërmjet detit (ishulli i Kretë dhe ai i Qipros ishte akoma në duart e anglezëve dhe brigjet e Palestinës, por edhe ato të Sirisë franceze e të Libanit francez mbikëqyreshin nga Royal Navy), Berlini shtyu qeverinë e Vichy që të lëvize e para. Dhe më 13 maj 1941, Guvernatori Dentz dërgoi nga Damasku në Mosul tri karvane hekurudhore të ngarkuar me armë e municione të prodhimit francez. Megjithatë kjo ndihmë e parë nuk e kënaqi Rashid Alì, i cili e gjykoi si absolutisht të pamjaftueshëm dhe të dalëmode materialin e marrë. Duke filluar nga 14 maji, italianë dhe gjermanë filluan gjithsesi të dërgojnë avionë transportues, bombardues dhe gjuajtës në territorinn iraken, duke shfrytëzuar kampin trampolinë Rodi Gadurrà dhe aeroportet franceze të ndodhura në territorin sirian. I alarmuar, Winston Churchill, që i frikësohej deri një pushtimi gjerman të Sirisë, dërgoi Gjeneralin Archibald Waivell (Komandant i Përgjithshëm i forcave britanike në Lindje të Mesme) dhe Gjeneralin Quinnan, përgjegjës i Korpusit Ajror anglez, që të përshpejtonin afatet e vënies nën kontroll e të gjithë vendit, përpara se forcat e Boshtit të qenë në gjendje të forconin bastionin e tyre ushtarak në Mosul. Si gjë të parë, forcat angleze, në atë kohë nën komandën e Gjeneralit Kingstone, synuan Al Falluja, e cila u arrit me 15 maj në përfundim të një marshimi jo të lehtë, më shumë për shkak të vështirësive të terrenit dhe të përmbytjeve sesa për shkak të rezistencës armike. Al Falluja u pushtua pas një shkëmbimi zjarri të shkurtër, por të ashpër, me praparojat irakene që u detyruan të tërhiqeshin në drejtim të Bagdadit, me qëllim që të shmangeshin nga kapja në kurth prej kolonave të motorizuara anglo – indiane që nga Shaiba dhe Bassora po marshonin në drejtim të kryeqytetit. Me 22 maj irakenët tentuan një kundërsulm, por u zmbrapsën nga britanikët. Rruga drejt Bagdadit ishte hapur. Me 28 maj britanikët pushtuan kështjellën Khan Nuqta të sapoevakuuar nga armiku, i cili në ngut e sipër harroi që të presë linjat telefonike që e lidhnin atë me kryeqytetin. Kingstone vendosi që të përfitojë dhe me ndihmën e disa përkthyesve arabë transmetoi në Bagdad lajme katastrofike rreth ecurisë së fushatës. Në qytet u përhap paniku dhe, gabimisht, pavarësisht humbjeve të pësuara, përsa ushtria irakene ishte akoma e shumtë në numër dhe e armatosur sa të mund të tentonte të ngrinte (ndoshta me një qëndrim më pozitiv nga ana e kontigjentit ajror italo – gjerman) një vijë rezistence në mbrojtje të vendburimeve të naftës të veriut të vendit.

Por në shtabin e përgjithshëm të Rashid Alì tashmë mbretëronte konfuzioni më total, edhe pse krerët irakenë kanë mësuar se Hitleri nuk do t’u dërgonte asnjë repart tokësor, të paktën jo përpara se të kompletonte pushtimin e Kretës (operacion që i detyroi gjermanët të impenjonin pothuajse të gjithë sasinë e avionëve Junkers Ju52 transportues dhe të parashutistëve prania e të cilëve, edhe e pjesshme, në Irak sigurisht që do t’i ndryshonte fatet e fushatës). Sido që të jetë, duke filluar nga 15 maji, gjuajtësit e rëndë Me110 dhe bombarduesit Heinkel 111 e Luftëaffe, të mbështetur nga italianët Fiat CR42, kryen nga baza e Mosulit një cikël të shkurtër misionesh kundër forcave tokësore dhe ajrore britanike, duke u shkaktuar atyre, por edhe duke pësuar humbje të mëdha. Në demonstrim të lehtësisë me të cilën Gjermania vendosi që të përballojë “emergjencën” irakene, mjafton të mendohet se Berlini nuk arriti (ose nuk ia doli në kohë) të transferojë në Lindje të Mesme përveçse një pjesë minimale të organizatës logjistike për të mbështetur ciklin operativ të trupës së vogël ajrore të Luftëaffe. Pasoi që aktiviteti i mjeteve gjermane, por edhe italiane, të arrinte të varej në gjithçka dhe për gjithçka nga irakenët e paaftë deri në sigurimin e pistave të uljeve të mira. Megjithëse duke dashur ta ndihmojë Rashid Alì, Gjermania vazhdoi të lëvizë me ngadalësi të tepruar dhe me pikatore, duke paragjykuar jo vetëm fatet e revoltës irakene, por duke u dhënë anglezëve mundësinë që të sulmojnë dhe pushtojnë Sirinë dhe Libanin: koloni që do t’i merren me forcë Francës së Vichy dhe më pas t’u “xhirohen” aleatëve golistë. Me 30 maj, pasi kanë mposhtur bastionet e fundit të rezistencës armike, kolonat anglo – indiane arritën në periferinë e Bagdadit, qytet akoma i rrethuar nga një divizion iraken. Megjithëse duke mundur ta përfundonte heroikisht aventurën e tij gjatë një beteje finale, Rashid Alì vendosi që ta braktisë ndeshjen. Të njëjtën ditë, sëbashku me eksponentët kryesorë të qeverisë së tij, braktisi me makinë kryeqytetin, duke kaluar kufirin persian. Në vijim, falë mbështetjes së agjentëve italianë të SIM-it, Rashid Alì do të arrijë të largohet edhe nga Teherani dhe të kalojë në Turqi. Pas largimit të kryeministrit, qe kryebashkiaku i Bagdadit ai që mori frenat e situatës, duke u kërkuar një armëpushim anglezëve. Mbrëmjen e 30 majit në ballkonin e pallatit të qeverisë së qytetit të 1001 vendoset flamuri anglez. Nëqoftëse nga njëra anë dështimi i revoltës irakene të vitit 1941 nuk i lejoi lëvizjes nacionaliste të Rashid Alì që të sigurojë pavarësinë totale të vendit shumë kohë përpara fillimit të procesit të shkolonizimit të pasLuftës së Dytë Botërore, kjo tentativë e parë, fatkeqe dhe e keqkonceptuar do të kontribuojë megjithatë që të mbajë gjallë dhe të forcojë në kastën ushtarake dhe politike irakene atë ndjenjë fuqimisht nacionaliste që ka çimentuar bazat e diktaturës më despotike dhe më të egër të Lindjes së Mesme.

(nga Storica)

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

LEAVE A REPLY