Fytyrat e shumta e Wunderkind të Austrisë

Fytyrat e shumta e Wunderkind të Austrisë

38
0
NDAJ

Nga aleancat e rrezikshme tek kaosi për vaksinat. Investigim lidhur me djalin gjeni, sot “çun problematik”, duke u nisur nga një pyetje: kush është Sebastian Kurz?

Qeveria austriake e Sebastian Kurz ka vendosur të shpalosë flamurin e Izraelin nga çatia e godinës së Kancelarisë përkrah atij austriak dhe atij europian për të shprehur solidaritet me shtetin hebraik kundër “sulmeve terroriste” të hamasit për t’u dënuar “në mënyrën më të fortë të mundshme”, ka “cicëruar” Kurz. Pak më vonë, Austria e ka quajtur zyrtarisht partinë libaneze Hizballah, Partia e Zotit, si grup terrorist duke ja ndaluar flamurin dhe duke i prishur kështu dikotominë midis krahut politik dhe atij ushtarak të Hizballahut. Reagimet nuk kanë vonuar të vijnë: Mohammad Javad Zarif, ministri i Jashtëm iranian, në tur në Europë, ka anulluar etapën vjeneze në shenjë proteste kundër flamurit dhe presidenti turk  Recep Tayyip Erdogan ka thënë: “E dënoj Austrinë pse ka ngritur flamurin e shtetit terrorist të Izraelit. Duke se dëshiron t’i bëjë myslimanët të paguajnë çmimin për rolin e saj në Holokaust”. Resul Yigit, anëtar i ÖVP, Partisë Popullore Austriake të Kurz, është përzënë pse ka postuar në profilin e tij në facebook një flamur palestinez dhe sloganin “Free Palestine”.

Pozicioni i Austrisë ka pasur jehonë të fortë në Europë, është imituar në pjesë të tjera dhe ka sinjalizuar sesa i kufizuar është në Europë kampi propalestinez. Ka ngritur edje prozehktorët mbi lidershipin e Sebastian Kurz, kancelarit 33 vjeçar që tashmë ka përshkuar shumë kriza, që ndodhet sërish brenda një tjetre, dhe që mban mbi vete etiketën e Wunderkind, njëherazi e rëndë dhe premtuese, jo vetëm për të e për ambiciet e tij, por edhe për perspektivat e së djathtës europiane, ekuilibrave dhe aleancave të saj. Kurz e ka marrë drejtimin e Partisë Popullore Austriake më 2017, ka fituar zgjedhjet 5 muaj më pas, është mosbesuar nga Parlamenti në majin e 2019 për shkak të një skandali që ka përfshirë partinë e koalicionit, Fpö e djathtë ekstreme (skandali është i njohur si Ibizagate), ka rifituar zgjedhjet 4 muaj më pas dhe nga janari i 2020 udhëheq një qeveri politikisht novatore me të Gjelbërit austriakë. Qysh kur ky 30 vjeçar nga Vjena që nuk e ka mbaruar universitetin  (studionte për Drejtësi) për të bërë politikë, që e ka njohur gruan e tij Suzanne kur ishte vetëm 16 vjeç dhe nuk e ka lënë më, që e ka ambicien të shënuar në fytyrë, por edhe vullnetin për të rithemeluar konservatorizmin europian, është bërë kancelari më i ri i historisë austriake, të gjithë kanë ngritur pyetjen: kush është Sebastian Kurz? Ose më mirë: është apo bën vetë? Kemi provuar të japim një përgjigje.

Çfarë thotë biografa. Se çfarë ka mbetur këto ditë nga kritikat ndaj Wunderkind, e millennial të parë të bërë kancelar, kemi pyetur Barbara Tóth, e cila bashkë me Nina Horaczek ka shkruar një prej biografive të para për kancelarin, titulli i të cilës është pyetje: “Sebastian Kurz është fëmija gjeni i ri?”. “Nga Wunderkind, na thotë Tóth, nuk ka mbetur asgjë. Kurz është bërë një adult problematik, ka zbarkuar në jetën reale dhe imazhi i tij tashmë është prishur”. Nuk kanë qenë aleancat politike ato që i kanë bërë keq imazhit të Kurz, që prapseprap mbetet ndër politikanët më popullorë të Austrisë. Ato që ja kanë çjerrë fytyrën e tij prej kancelari dhe eksperimentuesi të ri janë sidomos skandalet e fundit, ato që prej muajsh trondisin partinë e tij, deri sa të arrihet tek i fundit: gënjeshtrat e supozuara të tij lidhur me Ibizagate. Fillimisht me të djathtën ekstreme e Fpö, më pas me Grünen, protagonistët e kësaj vale të gjelbër përgjegjëse që prek sidomos Gjermaninë dhe Austrinë, Kurz ka demonstruar se ka “një aftësi të habitshme për t’u transformuar, për të ndryshuar pozicion. Politikisht kjo e ka ndihmuar dhe do ta ndihmojë në të ardhmen”.

Objektivi i tij, na thotë Barbara Tóth, është pushteti, por kjo qasje fluide e tij ndaj aleancave politike ka ngjallur shumë interes në Europë dhe modeli Kurz, sidomos aftësia e tij për të reduktuar peshën e së djathtës ekstreme, ka qenë burim frymëzimi, shenja se për t’i asgjsëuar barbarët ishte e nevojshme që fillimisht të romanizoheshin. Mendohej se ndodhitë e Kurz dhe manovrat e rrezikshme të tij mund të imporoheshin edhe në Europë. Por nëse gjatë këtyre muajve, sidomos për shkak të sulmeve ndaj fushatës së vaksinimit, kancelari i kishte magjepsur europianët, tashmë “e ka humbur reputacionin e tij, ka vepruar si egoist”. Rezultati është se pëlqehet më pak, ka irrituar shumë aleatë dhe numri i njerëzve që e sheh si model është zvogëluar. Por në Austri vazhdon të ecë mirë në sondazhe, ÖVP është në 35%, ka humbur pikë, ama mbetet partia e parë. Dhe është e qartë, na thotë biografja e tij, se është i gatshëm të përdorë viktimizmin.

“Qarkullojnë tashmë slogane gjysmëzyrtare për zgjedhje të parakohshme eventuale. Popullorët janë të gatshëm që të synojnë lidhur me “nuk do të lejojmë të na e heqin Kurz”. Por sikur të fitonte, gjë që duket se ka të ngjarë, kush do të dëshironte të formonte një koalicion me të?”. Ndoshta sërish FPÖ, e cila në zgjedhjet e 2019, pavarësisht se është refuzuar, pavarësisht skandaleve, gjatë fushatës elektorale nuk bënet gjë tjetër veçse i bënte qejfin Wunderkind. Spotet elektorale qenë deklarime dashurie dhe pendimi, por “partia e së djathtës ekstreme po e rimerr veten në sondazhe” pas 11% të një viti më parë. Tani është në 17%, “ka ditur ta shfrytëzojë pandeminë, Kurz nuk e ka asgjësuar FPÖ”. Deri më tani kancelari e ka polarizuar debatin lidhur me të në Austri dhe nga njëra anë janë mbështetësit e tij, “për të cilët është hero, lider i ri inteligjent”. Nga ana tjetër janë kritikët e tij që e identifikojnë “si një populist i djathtë që do ta çonte Austrinë drejt orbanizmit”. Por nëse Kurz nuk është më Wunderkind, na siguron Tóth, nuk do të thotë se do të jetë meteor i politikës austriake, përkundrazi “gjurmët e tij tashmë shikohen, me të përfundon republika e dytë, e lindur në vitin 1945”.

Shpresat e zhgënjyera e PPE. Siç na ka treguar Barbara Tóth, ka pasur një moment ku Sebastian Kurz konsiderohej si e ardhmja e Partisë Popullore Europiane, një lidership i ndryshëm dhe në shumë aspekte alternativ ndaj atij të ushtruar nga Angela Merkel në 16 vitet e fundit, por që do t’i garantonte begatinë e familjes politike të Bashkimit Europian. Ishte viti 2017 dhe i riu Kurz, sapo kish mbushur të 30-at, sapo kishte marrë presidencën e Partisë Popullore Austriake (ÖVP), pasi ka bërë gavetën si ministër i Jashtëm i një qeverie koalicioni të madh me socialdemokratët për 4 vite me radhë. Ishte 14 maji dhe mungonin vetëm 5 muaj nga zgjedhjet parlamentare. Shpejt Kurz e transformoi ÖVP në “Lista Sebastian Kurz – Partia Popullore e re”, duke paraqitur një program me 3 pika: ulje taksash, arsim të detyrueshëm dhe rend e siguri. Brenda pak javësh i ngrit në sondazhe, siguroi 31.5% ditën e votimeve (7.5% më shumë se zgjedhjet e 2013), kalooi socialdemokratët e SPÖ dhe që kështu që dyert e Kancelarisë së Vjenës ju hapën Kurz. Në sytë e Ppe bëri një mrekulli shumë më të rëndësishme: Kurz kishte arritur të frenonte avancimin e së djathtës ekstreme të FPÖ, që para ardhjes së tij në krye të ÖVP dominonte në sondazhe me shpresa shumë serioze për t’u bërë kancelar.

Jo i kënaqur, Kurz i shpërfilli menjëherë socialdemokratët për të realizuar në zgjedhje që tashmë i kishte kushtuar Austrisë sanksione në vitin 2000, kur kancelari i atëhershëm Wolfgang Schüssel bëri aleancë me Jörg Haider: formoi një koalicion me FPÖ, duke sjellë në pushtet si zëvendëskancelar Heinz-Christian Strache. Me një goditje të vetme të gjitha parametrat e politikës europiane kishin ndryshuar. Conventio ad excludendum për të djathtën ekstreme kishte mbaruar, ashtu si edhe pashmangshmëria e koalicioneve të mëdha në sistemet elektorale proporcionale. Për PPE hapej perspektiva e një ripozicionimi nga e djathta, gjë që një pjesë e familjes konservatore (sidomos CSU bavareze dhe PP spanjolle) e kërkonte me forcë pas krizës së borxhit sovran dhe asaj të emigrantëve. Kështu që Kurz ishte bërë Wunderkind, fëmija gjeni, i PPE. I ri, me bukuri ariane, europeist me fjalë, gjithmonë i gatshëm për të rivendikuar interesat kombëtare (dhe t’u shmanget rregullave në rast nevoje), promotor i vlerave kristiane kundër invazionit të emigrantëve dhe rrezikut të terrorizmit (domethënë islamit): Kurz mishëronte dhe vazhdon të mishërojë një ide të caktuar të së djathtës, e respektueshme, por politikisht jokorrekte, në gjendje të ndjejë barkun e votuesve dhe bile synon që t’ua pickojë.

Në epokën e populizmit, për Ppe përbënte një model, që më pas është kopjuar nga anëtarë të tjerë të familjes: Pablo Casado në Spanjë, Andrej Plenkoviç në Kroaci, Républicains në Francë. Edhe në Berlin po vinte një gjeneratë e re liderësh të CDU më e guximshme dhe më e djathtë se Merkel, si Annegret Kramp-Karrenbauer dhe Jens Spahn. Kurz nuk e kishte fshehur kurrë ambicien e tij për të qenë një aktor i dorës së parë brenda Ppe dhe në politikën europiane. Si ministër i jashtëm ka kultivuar marrëdhëniet e tij politike e personale dhe si kancelar i kanë dhënë frutet e tyre. Kështu, me afrimin e zgjedhjeve europiane të 2019, Kurz i kishte hipur në kokë ideja se mund të transformohej nga Wunderkind austriak në kingmaker të Bashkimit Europian.

Kancelari austriak ka qenë midis promotorëve dhe mbështetësve më të fortë të emërimit të bavarezit Manfred Weber si kandidat i PPE për presidencën e Komisionit Europian. “Ka qenë Sebastian ai që më ka dhënë sinjalin”, ka pranuar në të kaluarën vetë Weber. Në fushatën elektorale, të dy kanë bërë mitingje bashkë, me Weber që i thurte lavde “shpirtit të ri” dhe “ideve të reja” të Kurz që kishte qenë i aftë të “rifitonte besimin e njerëve”. Sikur operacioni të kishte dalë me sukses, Kurz do të ishte bërë një prej liderëve kombëtarë më influentë në Bruksel. Por në fakt fushata e Weber ka përfunduar keq, me krerët e shteteve e të qeverive që e kanë flakur tej sistemin e Spitzenkandidaten (kandidatët kryesues liste), duke zgjedhur Ursula von der Leyen si Presidente të re të Komisionit Europian. Dhe nga këtu kanë filluar problemet europiane të Kurz, të përkeqësuara gjatë pandemisë.

Kapriçot me Recovery. Ka qenë Kurz i pari që ka mbyllur kufijtë e Europës për Covid-19, kur ka vendosur të bllokojë trenat në Brennero për të penguar ardhjen e virusit nga Italia. Në realitet, siç kanë nënvizuar privatisht liderë të ndryshëm të tjerë të Bashkimit Europian, Covid-19 ndodhej tashmë në Austri dhe lokaliteti skijor i Ischgl ka qenë vatra kryesore nga ku është përhapur në pjesën tjetër të Europës. Kurz e ka mohuar, ka reaguar i indinjuar dhe më pas ka ndodhur vala e dytë, kur Tiroli është bërë vatra kryesore e variantit anglet prej vendimit të qeverisë së tij për t’i mbajtur hapur lokalitetet e skijimit edhe për të huajt. Gjatë negociatave lidhur me Recovery Fund është rreshtuar me katër kurnacët, ka kërkuar të kufizojë instrumentin për huatë, ka këmbëngulur për të vendosur kushte më të ashpra. Por katastrofa në termat e imazhit në Europë (dhe të marrëdhënieve me liderët e tjerë) ka ardhur lidhur me vaksinat.

Kapriçot me vaksinat. Kurz ka qenë zëri më autoritar që ka vënë në diskutim strategjinë e Bashkimit Europian për vaksinat. Fillimisht ka flutuar drejt Izraelit, duke shpallur një aleancë për prodhimin e vaksinave të gjeneratës së re dhe daljen e Austrisë nga strategjia europiane. Më pas ka kritikuar EMA pse shumë e ngadaltë dhe ka denoncuar “pazarin” e dozave. Më pas ka njoftuar një marrëveshje me Rusinë për furnizimin me Sputnik V (e cila ende nuk është konkretizuar). Së fundi është vënë në krye të një grupi vendesh (Kroaci, Bullgari, Letoni, Republikë Çeke dhe Sllovenia) që donin dozat e shteteve të tjera anëtare pse kishin gabuar porositë. Fakti është që Austria në mars ishte e vonuar në bërjen e vaksinave për shkak të sistemit të decentralizuar të saj. Sidomos në shtypin vendor kishte polemika për faktin që kishte blerë më pak doza nga sa kishte të drejtë mbibazën e blerjeve të BE: 1.5 milion më pak Johnson & Johnson dhe 100000 më pak Pfizer-BioNTech. Me uljen e furnizimeve të AstraZeneca (nga 300 në 120 milion në tremujorin e parë) fushata e vaksinimit e Kurz ishte në rrezik serioz. Në panik e sipër kancelari ka marrë peng Bashkimin Europian, duke i vendosur veton një marrëveshjeje për rishpërndarjen e dozave për vendet më të disavantazhuara, pasi Austria nuk do të siguronte më shumë. Më pas i ka mbajtur liderët e bllokuar në një diskutim të gjatë për temën në Këshillin Europian të marsit. Në fund ka qenë Angela Merkel ajo që i ka thënë ta përfundojë sa më shpejt. Do të tërhiqet në fund të vitit, por Merkel mbetet liderja më autoritare e Bashkimit Europian dhe nuk i duron kapriçot.

Skandalet. E shpërthyer më 2017, Ibizagate përfshin zëvendëskancelarin e atëhershëm Heinz-Christian Strache, lider i së djathtës ekstreme, por Kurz i vuajti pasojat. Videoja e skandalit tregonte Strache dhe një zëvendës të tij në një apartament në Ibiza që i premtonin vajzës së supozuar të një oligarku rus tendera në këmbim të financimeve. Kurz shkarkoi nga qeveria e tij eksponentët e FPÖ, por nuk i qe e mjaftueshme, humbi mocionin e mosbesimit në parlament dhe ju desh të dorëhiqej. Në zgjedhjet e pak muajve më pas FPÖ humbi shumë vota, por Kurz jo dhe u rikthye kancelar. Tani jehonat e këtij skandali ndjehen, pasi është hapur një hetim lidhur me deklaratat e Kurz në komisionin parlamentar që hetonte lidhur me Ibizagate: me sa duket ka mospërputhje midis asaj që Kurz kishte thënë dhe asaj që vërtet dinte. Kancelari ka deklaruar se sido që të shkojë hetimi, nuk e ka në mend të dorëhiqet. Por është sistemi i pushtetit i krijuar nga Kurz ai që krijon skandal akoma edhe më të madh pasi janë botuar mesazhet e dërguara dhe të marra nga kancelari (të mallkuarat screenshot) që nuk zbulojnë asgjë përveçse një pafytyrësie të madhe aq sa Kancelaria është quajtur “House of Kurz” dhe denigruesit thonë se po digjet në zjarr.

Koalicioni turkezo – jeshil. Kurz e ka ndryshuar ngjyrën e Partisë Popullore Austriake nga të zezë në turkeze – gjatë fushatës së tij të parë elektorale shpërndante nëpër qytete prezervativë të zinj si ÖVP – ka qenë një operacion i rëndësishëm për të krijuar një stil të ri që e ka gjetur kurorëzimin e tij kur Kurz, pas aleancës me FPÖ, ka arritur të krijojë një koalicion me të Gjelbërit, çuditërisht të kaluar nga 4% në 14% falë lidershipit të Werner Kogler. Kurz nuk duket shumë i interesuar të hyjë në betejat mjedisore dhe u ka lënë Grünen ministri të rëndësishme për kauzën e tyre si Klima dhe Transportet. Traktativat kanë qenë shumë të gjata, por Kurz ka arritur t’i bindë partnerët e koalicionit, që sot kërkojnë të bëjnë të ndjehet prania e tyre në qeveri në objektivat që peshojnë.

Deri më tani duket një martesë e mirëorganizuar, secili ka detyrat e veta, gjithçka është e ndarë me rregull dhe asnjëra prej të dy partive nuk ndërhyn në punën e tjetrës. Kogler është e kundërta e Kurz, flet minimumin e nevojshëm dhe është kthyer në drejtimin e të Gjelbërve pasi një periudhe ku më të rinjtë e partisë patën vendosur të bënin një ndryshim elitash, që pati si pasojë zgjedhjet katastrofike që e lanë partinë jashtë parlamentit. Mendoi Kogler për t’i rivënë në vend gjërat dhe për momentin duke se nuk i kushton vëmendje skandaleve të kancelarit, atij i intereson mbajtja e qeverisë. Maturia e të Gjelbërve austriake është shumë e ngjashme me atë të gjermanëve, që janë bërë një alternativë e moderuar mjaft tërheqëse: qeveria Kurz tregon pikërisht rrugën për një bashkëjetesë me të Gjelbërit shumë të ndryshme karshi së kaluarës.

Kur në Vjenë janë rihapur baret e restorantet dhe Kurz e Kogler kanë shkuar fillimisht në në birrari e më pas kanë drektuar në një lokal në parkun më të madh të Vjenës, Prater. Midis tyre nuk dukej shenja minimale e tensionit. Ndoshta janë tipa pragmatistë, ndoshta Kogler është mësuar që të rezistojë në dëm të kolegëve më të rinj, ndoshta është sharmi i normalitetit të ri apo ai i pranverës vjeneze. Ndoshta ju ka pëlqyer panorama nga rrota gjigande panoramike e Prater. Është 60 metra e lartë, është ndërtuar për përvjetorin e 50 e kurorëzimit të Franc Jozefit të I. Ka parë shumë, i ka mbijetuar Luftës së Parë Botërore, të Dytës dhe bombardimeve. Me siguri flakët e House of Kurz i interesojnë pak, por ndoshta ajo e ka parë, ajo e di, se cila është fytyra e vërtetë e Sebastian Kurz.

(nga Il Foglio)

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

LEAVE A REPLY