Financimi okult i Luftës së Dytë Botërore

Financimi okult i Luftës së Dytë Botërore

1292
0
NDAJ

Për të kuptuar motivet se pse banka dhe kompani financiare të ndryshme të botës perëndimore u kanë dhënë hua si bolshevikëve të Revolucionit të Tetorit, ashtu edhe nacionalsocialistëve të Hitlerit, duhet bërë një hap prapa prej 50 vjetësh. Në prillin e 1865 Konfederata sudiste firmosi dorëzimin e saj ndaj Unionit normist. Lufta civile amerikane kishte mbaruar. Kapitalistët e veriut qenë imponuar ndaj pronarëve të mëdhenj të tokave të jugut. Në këtë pikë ndodhi një fakt shumë i rëndësishëm: vrasja e Presidentit Abraham Lincoln. Është gjë e njohur se Presidenti ishte në favor të prerjes së kartmonedhave nga ana e shtetit, me qëllim shlyerjen e borxheve të luftës. Qenë të ashtuquajturat “greenbacks”.

Ky vendim nuk u pëlqeu bankierëve të veriut, pasi natyrisht prerja nga ana e shtetit e bankënotave për të mbuluar borxhet do t’u hiqte atyre pushtetin. Sipas disa tezave konspirative, qe kjo arsyeja e vrasjes së Presidentit Lincoln, me 15 prill të vitit 1865. Në vijim u bllokua emetimi i “greenbacks”-ëve dhe kapitalistët e veriut pushtuan jugun, duke blerë me çmim të ulët troje dhe plantacione të pamata. Brenda pak vitesh u rrit edhe numri i milionerëve nga veriu që bënin biznes në jug. Kapitalistët e mëdhenj që kontrollonin bankat, industritë dhe naftën qenë John D. Rockefeller, Andrew Carnegie, Jay Gauld, William Vanderbilt, Edward H. Harriman, John Pierpont Morgan, Jay Coocke, John Jacob Astor. Në vitin 1910, lideri republikan Nelson Aldrich shkoi në Gjermani për të studiuar sistemin e Bankës Qendrore të perandorisë teutone. Aldrich ishte shumë i afërt me interesat e J.P. Morgan dhe John D. Rockefeller Jr. Në të njëjtin vit u bë edhe mbledhja historike e kapitalistëve të mëdhenj amerikanë pranë Jeckyll Island në shtetin Georgia. Qenë të pranishëm përfaqësuesit e Rockefeller, Kuhn & Loeb Co., J.P. Morgan, përveç Frank Vanderbilt (President i National City Bank of New York), Henry Davidson, partner i J.P. Morgan, Charles D. Norton, (President i First National Bank of Neë York), Eduard House, që u bë më pas themeluesi i Council on Foreign Relations, dhe bankieri gjerman Paul Warburg.

Më 22 dhjetor të 1913, në vijim të mbledhjes së Jekyll Island, u krijua zyrtarisht Federal Reserve Bank, në fakt Banka Qendrore e Shteteve të Bashkuara. E drejta për të emetuar monedha dhe për të rregulluar përqindjet e interesit nuk i delegohej më shtetit, por tash e prapa Federal Reserve. Pushteti i bankierëve ishte rritur në mënyrë të ndjeshme. Në vitin e ardhshëm, 1914, ndodhi shpërthimi i Luftës së Parë Botërore. Dimë fort mirë se luftërat janë themelore për financën e lartë ndërkombëtare, për faktin se vendet ndërluftuese kanë nevojë për hua që të rrisin prodhimin industrial dhe ushtarak. Gjatë katër viteve të luftës u rritën huat si ndaj perandorive të Boshtit, ashtu edhe ndaj aleatëve të Antantës dhe ndaj Rusisë. Një shembull i financimit qe ai nga bankierët gjermanë drejt Rusisë revolucionare: Alexander Parvus, figurë kontradiktore e revolucionit, i bindi bankierët e perandorisë gjermane që t’i financonin revoltat kundër Carit. Sipas disa vlerësimeve, financimi gjerman i periudhës 1915 deri në 1918 për Partinë Komuniste sovjetike do të shkonte në 50 milion dojçmarka ari të epokës. Fondet u nisën nga Diskonto –Gesellschaft Bank, (e cila në 1929 do të konvergjojë në Deutsche Bank), që ishte korresponduese e bankës Russo – Asiatic të New York dhe e Nya Bank të suedezit Olof Aschberg, i quajtur ndryshe edhe bankieri i bolshevikëve.

Pse vallë u tolerua financimi i partisë komuniste në funksion anticarist? Gjatë luftës, Perandoria Ruse ishte aleate me Francën dhe Anglinë, në kundërvënie me perandoritë e Boshtit. Sipas disa studiuesve, shpjegimi i kësaj kontradikte historike, domethënë financimi i një sistemi komunist që ishte kundër pronës private nga ana e një elite bankierësh ndërkombëtarë, do të shpjegohej me faktin që financa e lartë ndërkombëtare ishte e drejtuar nga ide masoniko – ezoterike, të prirur nga arritja e një qeverie botërore. Financimi i revolucionit bolshevik do të ishte kështu një eksperiment gjeopolitike që do të kishte si qëllim final krijimin e një bolshevizmi liberal. Kurse sipas disa studiuesve të tjerë, financimi i revolucionit rus dhe më pas i nacionalsocializmit të Hitlerit do të shërbente thjesht për të krijuar ndjenjat e një urrejtjeje të kundërt që do të shpërthenin më pas në një luftë të re shkatërrimtare (siç edhe realisht qe: Lufta e Dytë Botërore). Kjo luftë do ta zhyste më tej në borxh si Europën, ashtu edhe Rusinë, që më pas do të ishin pre e lehtë e sipërmarrjeve shumëkombëshe djallëzore perëndimore.

Me të përfunduar Lufta e Parë Botërore, financimet perëndimore ndaj Bashkimit Sovjetik nuk kanë mbaruar, përkundrazi, janë shtuar. Pavarësisht se në Bashkimin Sovjetik propagandoheshin ide kundër pronës private dhe religjionit, bankierët ndërkombëtarë vazhdonin ta financonin industrinë e këtij shteti të pambarimtë. Ky është një shpjegim i qartë i faktit që financa ndërkombëtare nuk është shtyrë nga kurrfarë ideologjie, por vetëm nga projekte fitimi dhe dominimi. Në majin e 1918 u krijua Lidhja Amerikane për Ndihmën dhe Bashkëpunimin me Bashkimin Sovjetik. Në vitin 1922, me iniciativën e Olof Aschberg dhe më ndihmën e Bankës Kombëtare të Gjermanisë, Bankës së Anglisë dhe të Morgan Guarantee Trust, themelohet RusKomBank. Llogaritet se në vitet që kanë pasuar krijimin e Bashkimit Sovjetik, bankat amerikane kanë investuar në atdheun e sovjetëve 63 miliard dollarë, me Chase National Bank e Morgan-ëve dhe Equitable Trust e Rockefeller-ëve në vend të parë. Nga 1920 në vitin 1945, rreth 1000 kompani nga Shtetet e Bashkuara kanë operuar në Bashkimin Sovjetik, duke kontribuar kështu në elektrifikimin dhe në krijimin e sistemit hekurudhor të vendit.

Le të spostohemi tani në Gjermaninë e fundit të Luftës së Parë Botërore. Pas rënies së perandorisë ka nisur bashkëpunimi midis Bashkimit Sovjetik dhe Republikës së re të Veimarit. Në Traktatin e Rapallos e vitit 1922 Moska hiqte dorë nga pagimi i dëmshpërblimeve të luftës nga ana e gjermanëve në shkëmbim të një bashkëpunimi të fuqishëm industrial dhe ushtarak. Kompani me emra të tillë si Krupp, Yunkers, Dornier, Daimler lidhën marrëveshje për prodhim dhe bashkëpunim në territorin sovjetik, edhe për t’i shpëtuar kontrollit të vendeve perëndimore që qenë vendosur në Traktatin e Versajës. Edhe Republika e Veimarit dhe në vijim ngjitja e nacionalsocializmit të Adolf Hitlerit janë financuar si nga kapitalizmi gjerman, ashtu edhe nga ai angloamerikan. Tri kartelet industriale gjermane: Vereinigte Stahlwerke (çelik), IG-Farben (kimik) dhe AEG (sektori elektrik), financohen kryesisht nga familja Warburg (Gjermani) dhe bankat amerikane National City, Chase Manhattan, Morgan, Kuhn&Loeb, të cilat nga viti 1924 deri në 1926 trasferuan në Gjermani një total prej 975 milion dollarësh. Edhe ndihma materiale për ngritjen luftarake të Gjermanisë qe e konsiderueshme: për shembull, Bendix Aviation e kontrolluar nga Morgan Bank dërgoi mijëra motorë avionësh në Gjermani nga viti 1934 deri në 1935. edhe kapitalistë të tjerë gjermanë, si për shembull Franz Thyssen dhe Alfred Krupp, kanë financuar ngjitjen e Hitlerit dhe kompanitë e tyre kanë vazhduar të operojnë edhe pas humbjes së nazistëve. Në vitin 1938 nacionalsocializmi i Hitlerit arriti kulmin e ideologjisë kriminale e fanatike të tij, e mbrujtur me urrejtje raciste. Por edhe politika ekspansioniste e Bashkimit Sovjetik vazhdoi të zhvillohet. Në fakt, me pushtimin e Polonisë nga ana e Gjermanisë në vitin 1939, pasoi pushtimi i Polonisë lindore dhe më pas i shteteve balltike nga ana e Bashkimit Sovjetik. Tashmë loja kishte përfunduar, qenë financuar dy shtete të shtyra të dy nga ideologji socialiste që, edhe pse kishin nënshkruar një pakt mossulmimi në vitin 1939, qenë destinuar që të shkatërroheshin njëri me tjetrin.

Dhe kështu ndodhi: beteja vendimtare qe ajo e Stalingradit (1942 – 1943), ku humbën jetën rreth 2 milion njerëz midis ushtarakëve dhe civilëve. Të dy diktatorët u përdorën kështu për qëllime kontrolli dhe dominimi nga ana e pushteteve të forta të financës ndërkombëtare. Me të përfunduar lufta, bankierët ofruan hua të mëtejshme për rindërtimin si të Gjermanisë, tashmë e ndarë më dysh dhe e pushtuar, ashtu edhe të Bashkimit Sovjetik, fitimtar, por i dobësuar ndjeshëm nga konflikti.

(nga Storica)

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

 

LEAVE A REPLY