Demokracia në Amerikë

Demokracia në Amerikë

1889
0
NDAJ

Një sistem politik i themeluar mbi liritë dhe mbi kërkimin e lumturisë

 

 

Sharmi i politikës amerikane

Shtetet e Bashkuara janë sot superfuqia e vetme. Sharmi i tyre qëndron në fuqinë ekonomike, në pasurinë natyrore, në pasurinë materiale, në forcën ushtarake dhe në aftësinë novatore kulturore e teknologjike që e kanë bërë djepin e shpikjeve më të rëndësishme të shekullit të XX-të. Por më duket se ka një tërheqje akoma më të madhe që çlirohet nga institucionet dhe mekanizmat demokratike të saj që e bëjnë politikën amerikane më të admiruarën dhe më imituarën, por edhe më të urryerën e më të përçmuarën. Veçantia e sistemit politiko – kushtetues amerikan na jepet në radhë të parë nga kushtetuta e Shteteve të Bashkuara e vitit 1787 që është akoma sot ligji themeltar i një kombi që numëronte në fillimet e tij 3 milion banorë dhe që sot u afrohet 320 milionë qytetarëve me origjinë, kulturë, besim fetar, racë dhe etni shumë të ndryshme. Mrekullia e një vijueshmërie kushtetuese të paprecedent bashkëekzistues me një ndryshim të thellë politik e social qëndron në karakterin e thjeshtë, por thelbësor, të projektit kushtetues që nuk pretendoi atëhere dhe nuk ka pretenduar kurrë më pas të përshkruajë se cila shoqëri dhe çfarë demokracie duhej të ishin të realizuara, por deshi vetëm të përcaktojë rregullat të cilave duhej t’u përmbaheshin populli dhe shtetet e Unionit. Parimet e vetme themelore janë ato si të thuash “filozofike” të pavdekësuara në preambul: “I konsiderojmë në mënyrë aksiomatike këto të vërteta: se të gjithë njerëzit u krijuan të barabartë; se nga Krijuesi i tyre janë pajisur me të drejta të caktuara të pamohueshme, midis të cilave janë jeta, liria dhe ndjekja e lumturisë. Se për t’i ruajtur të gjithë këto të drejta u krijuan midis njerëzve qeveri, që e nxjerrin pushtetin e tyre legjitim nga konsensusi i të qeverisurve dhe se çdo herë që një formë qeverie do të demonstrohet pengesë për arritjen e këtyre qëllimeve, populli do të ketë të drejtën që ta modifikojë apo abrogojë…”. Është kushtetuta mbi 200 vjeçare e pandryshuar bashkë me sistemin politik fleksibël që ka realizuar atë kuadër stabiliteti dhe lirie që ka favorizuar zhvillimin ekonomik, social, civil të vendit. Urdhërimet e saj kanë emra të thjeshtë të bërë tashmë fjalor i përditshëm: federalizëm, presidencializëm, demokraci elektorale, ndarje e pushteteve, liri dhe të drejta individuale.

Federalizmi qe shpikja e vërtetë e Shtatëqindës e një formë shteti në gjendje që t’u japë një unitet të fortë shteteve që kishin fituar pavarësinë nga Kurora britanike, por që tentonin të frenonin shtytje centrifuge. Presidencializmi arriti që të farkëtojë një tip ekzekutivi njëherazi demokratik, sepse mishërim i sovranitetit popullor, dhe në gjendje të sigurojë unitet, stabilitet dhe efikasitet. Demokracia federale, e themeluar mbi mekanizma automatikë votimi me afate fikse të pamundura nga çdo shtyrje dhe manipulim, siguroi ushtrimin efektiv të sovranitetit popullor në të gjitha postet lokale, shtetërore dhe federale. Ndarja dhe veçimi i pushteteve garantoi që çdo njeri që dispononte pushtet të mos abuzonte me të nga momenti që natyra njerëzore është e keqe dhe vetëm institutet dhe ligjet mund ta mbajnë nën fre. Së fundi, u përcaktua shenjtëria e lirisë dhe e të drejtave personale të sanksionuara, përveçse nga ligji natyror, nga karizma kushtetuese për të mbrojtur çdo individ nga arroganca e çdo pushteti. Është thënë se në fronin më të lartë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara janë ulur edhe personazhe me intelekt e moral të ulët dhe se, në periudha të caktuara politika amerikane ka qenë pre e njerëzve të paskrupuj të poseduar nga paranoja që shikonin kudo fantazmën e antiamerikanizmit. Është e vërtetë: por pavarësisht kësaj demokracia amerikane i ka duruar provës së kohës, nuk ka njohur përbindëshat e shekullit të XX-të – nazizëm, komunizëm, fashizëm – dhe ka arritur gjithmonë të absorbojë rrjedhjet iliberale që lindnin nga gjiri i saj. Kjo është arsyeja për të cilën demokracia amerikane vazhdon të përfaqësojë një model regjimi liberaldemokratik, institucionet e së cilës kanë dhënë provë të mirë në kohë megjithëse është përballur me situata shumë të ndryshme. Në periudhën e parë të republikës, federalizmi i sapolindur siguroi unifikimin e vendit dhe atë të entiteteve shtetërore me fizionomi laramane. Sigurisht, në vitet ’60 të ‘800, shpërthimi i Luftës Civile ku u ndeshën dy konceptime të kundërta të shtetit federal, por edhe pas konfliktit mizor, federata amerikane arriti të rikompozohet në një shtet të lehtë që favorizoi zhvillimin kapitalist të cilit i detyrohet transformimi i Shteteve të Bashkuara në fuqinë më të madhe industriale të botës. E gjithë historia amerikane demonstron sesi kuadri poltik dhe institucional amerikan ka qenë më i përshtatshmi për lulëzimin e vlerave të lirisë, demokracisë, drejtësisë dhe mobilitetit social, megjithëse në praninë e xhepave të mëdhenj të pabarazisë dhe të konflikteve tipike të modernizmit.

 

Federalizmi

Struktura federale e Shteteve të Bashkuara nuk doli nga një doktrinë politike: qe mekanizmi empirik për të bërë bashkë 13 shtete të reja (ish koloni) që synonin të ruanin autonomi e identitet dhe, njëkohësisht, të krijonin një qeveri qendrore në gjendje që të siguronte zhvillim ekonomik, paqe sociale dhe mbrojtje ushtarake. Kongresi me Dhomën e Përfaqësuesve të formuar në funksion proporcional të popullsisë, dhe Senati me 2 përfaqësuesit e njëjtë për çdo shtet qe motori i krijesës së re institucionale. Krijimi gjenial u bë kështu prototipi i shtetit federal modern që mbështetet mbi dy rende të ndryshme qeverisëse jo të mbivendosur nga pikëpamja hierarkike që ushtrojnë pushtetin dhe autoritetin mbi të njëjtën popullsi dhe të njëjtin territor.

Dialektika federaliste midis Uashingtonit dhe shteteve ka qenë në qendër të politikës e të historisë së Shteteve të Bashkuara. Me kalimin e kohës, federalizmi është interpretuar ndryshe: në mënyrë “kompetitive” kur shikohet në kushtetutë një kontratë midis shteteve të ndryshme sovrane të cilëve u janë rezervuar të drejtat e kërkuara jospecifikisht qeverisë federale; në mënyrë “bashkëpunuese” kur konsiderohen shtetet më pak të rëndësishëm dhe kushtetuta si një ujdi në të cilën theksohet fort qytetaria bashkëkohore si e kombit, ashtu edhe e shtetit. Tradicionalisht, federalizmi kompetitiv është shoqëruar me konservatorët dhe federalizmi bashkëpunues me progresistët, anipse sot dallimi nuk është më aq i dukshëm si dikur. Sferat e kompetencave të qeverisë federale dhe të qeverive shtetërore kanë ndryshuar rrënjësisht në kohë. Evolucioni ka ecur në kahjen e një ndryshimi progresiv të pushteteve federale, me rritjen e funksionit social publik të Welfare State dhe me zhvillimin e detyrave ushtarake e ndërkombëtare të Warfare State. Me zgjerimin e ndërhyrjeve të Uashingtonit është rritur vetë qeveria federale. Megjithatë, shteteve u mbetet ende një sferë e gjerë tagrash që burojnë nga vetëqeverisja lokale. Shtetet ruajnë kompetenca të plota legjislative mbi të drejtën civile, të drejtën penale, të drejtën tregtare dhe rregullimin e qeverive lokale, si dhe ushtrojnë pushtet mbi rendin publik, arsimin, shëndetësinë, të drejtën familjare me martesën dhe divorcin, pse jo dhe mbi vetë përkufizmin e krimeve si në rastin e dënimit me vdekje.

 

Presidenca

Shtetet e Bashkuara janë një republikë presidenciale. Presidenti ka pushtetet dhe i ushtrin funksionet si të kreut të shtetit, ashtu edhe të kreut të qeverisë. Sipas Nenit 2 të kushtetutës, “Presidenti është i veshur me pushtet ekzekutiv”, zgjidhet drejtpërsëdrejti nga populli për jo më shumë se 2 mandate dhe se duhet të marrë kurrfarë miratimi nga Kongresi. Për 4 vjet qëndron në detyrë pa mundur që të hiqet, përveçse me impeachment. Ëstë lideri i vetëm i zgjedhur kombëtarisht dhe, për pasojë, mishëron dhe simbolizon unitetin e vendit, fuqinë dhe virtytet e tij. Nga 1790, në mënyrë të pandërprerë dhe pa përjashtim, çdo 4 vjet në datë fikse amerikanët kanë zgjedhur Presidentin e tyre. Demokracia amerikane karakterizohet për madhësinë e pushteteve të përqëndruara në duart e kreut të ekzekutivit, të balancuara nga kontrollet e Kongresit dhe të Gjykatës Supreme.

Në kuadrin e pushtetit ekzekutiv, Presidenti mund të miratojë “Urdhëra Ekzekutivë”, është Komandant i Përgjithshëm i forcave të armatosura dhe mund të mobilizojë Gardën Federale. Midis pushteteve kushtetues gjyqësorë të tij është edhe emërimi i të gjithë gjykatësve federale, parasëgjithash anëtarët e Gjykatës Supreme, dhe pushtetin faljes për krimet penale. Edhe në fushën legjislative, Presidenti luan një rol të rëndësishëm për sa një pjesë e mirë e ligjeve të diskutuara në Kongres vjen nga Presidenti kur përdor në maksimum pushtetet e tij. Nëse Kongresi mund t’i bllokojë me veto projektligjet presidenciale, po ashtu Presidenti, në bazë të pushtetit të peshave dhe kundrapeshave, mund t’i vendosë veton çdo ligji të votuar nga Kongresi. Në planin politik, Presidenti është kreu i partisë së tij gjatë gjithë mandatit presidencial. Presidentit i bashkëngjitet një Zëvendëspresident i zgjedhur bashkë, një kabinet i përbërë nga krerët e ministrive (aktualisht 14) dhe “agjencitë e lavarura”, që të gjitha bashkë përbëjna administratën, funksionarët kryesorë të së cilës – rreth 3000 – emërohen nga kreu i ekzekutivit.

Karshi këtij realiteti të ri politiko – administrativ është zhvilluar një konflikt i hapur midis pikëpamjes së liberalëve, të cilët duan që organizmat administrativë t’i mbrojnë më shumë qytetarët nga praktikat jokorrekte, dhe asaj që i akuzojnë për mungesë përgjegjësie, shpërdorim e keqpërdorim dhe dëshirojnë të bëhet një hap i fortë prapa. Por kritika më serioze drejtuar burokracisë është se ndodhet jashtë kontrollit popullor. Pavarësisht se Shtëpia e Bardhë, Kongresi, grupet e interesit dhe opinioni publik e kontrollojnë në thelb punën e saj, për shumë amerikanë burokracia aktuale është tejet e madhe, tejet e kushtueshme dhe tejet ndërhyrëse. Reduktimi i rrezes së saj të veprimit, një objektiv mbi të cilin janë çimentuar shumë teoricienë e politikanë që i kundërvihen Big Government, është gjithsesi e vështirë pasi sistemi politik amerikan bazohet mbi pluralizmin, filozofia e të cilit bën që të gjithë interesat të gjejnë një shumëfishtësi qendrash institucionale përfaqësimi.

 

Kongresi

Pushtetet legjislative i përkasin një Kongresi të përbërë nga Senati dhe nga Dhoma e Paërfaqësuesve. Senatorë dhe kongresmenë zgjidhen me afat fiks dhe Presidenti nuk e ka pushtetin e shpërndarjes së tij. Sot senatorët janë 100 në përfaqësim të 50 shteteve dhe qëndrojnë në post 6 vjet. Kongresmenët janë 435 dhe qëndrojnë të gjithë në post 2 vjet. Është karakteristike e parlamentarëve amerikanë lidhja e ngushtë me votuesit e kolegjeve të tyre. Në fakt, demokracia amerikane është kryesisht e mbështetur mbi momentin elektoral shumë më tepër sesa nga përkatësia partiake: raporti midis përfaqësuesit dhe të përfaqësuesit është i vazhdueshëm i detyruar dhe i institucionalizuar. 3 pushtetet kryesore të Kongresit të listuara në kushtetutë kanë të bëjnë me “shpatën”, “çantën” dhe “tregëtinë ndërshtetërore”, por me kalimin e kohës janë copëtuar nga interpretimi i Gjykatës Supreme dhe i legjislacionit. Partia mazhorancë kontrollin punët e komisioneve (22 në Dhomë dhe 17 në Senat) duke emëruar kryesuesit që ushtrojnë influencë të madhe. Në të kaluarën, për kryesuesit e vlente vjetërsia në post, por sot procedohet me caktime të mazhorancës. Përkatësia e të zgjedhurave në të dy partitë – demokrat apo republikan – ka rëndësi të paktë në mos për shpërndarjen e e përgjegjësive në komisione. Etiketa partiake vlen shumë pak në Kongres, kohezioni politik nuk ekziston dhe është krejtësisht munguese disiplina në votime.

Dialektika Kongres – Presidencë është thelbësore në regjimin e ndarjes së pushtetit dhe të peshave e kundrapeshave. “Qeveria e përçarë” mund të funksionojë mirë, siç ndodh shpesh, edhe me Presidentin nga një parti dhe mazhorancën e Dhomave të partisë tjetër. Për 30 vjet, nga paslufta e Dytë deri në 1974, Kongresi ka qenë në krizë, duke i pasur Presidenti të zgjeruara pushtetet e tij qysh nga Neë Deal. Franklin Delano Roosevelt arriti që të bëjë të miratohen të gjitha programet e tij edhe mjaft novatorë; Harry S. Truman e sfidoi hapur Kongresin kundër ligjit Taft-Harley që pengonte kontrollin e qeverisë ndaj kontratave kolektive; Dwight D. Eisenhower u kujdes pak për kundërshtimin e mazhorancës demokrate në Kongres, që në fakt nënshtroi John Fitzgerald Kennedy. Por pas vitit 1964, presidentët e errësuan krejtësisht Kongresin: me Lyndon Johnson, 80% e ligjeve vinte nga ekzekutivi dhe Richard Nixon deklaroi qartë se nuk do t’i zbatonte ligjet kur nuk përkonin me idetë e tij. Me aferën (1974) Kongresi krejtësisht i rinovuar arriti një shpagim dhe luajti një rol hegjemonist gjatë presidencave Gerald Ford e Jimmy Carter; por me Ronald Reagan, George Bush senior dhe me Bill Clinton sërish gjilpëra e peshores anoi sërish nga ana presidenciale.

 

Gjykata Supreme

“Në Shtetet e Bashkuara rrallë ngrihet një çështje politike që herët apo vonë nuk shkon në një çështje juridike”, vëren Alexis de Tocqueville tek “Demokracia në Amerikë”. Vërejtja që mbetet aktuale nuk duhet interpretuar në kuptimin e nënshtrimit të pushtetit gjyqësor ndaj atij politik, por të influencës që Gjykata Supreme ushtron mbi evolucionin institucional dhe mbi linjat drejtuese politike të vendit. Pushteti gjyqësor federal i ndarë në 3 shkallë ka si majë Gjykatën Supreme. Kongresi ka pushtetin që të ngrejë apo abrogojë gjykatat federale dhe të përcaktojë numrin e gjykatësve federalë, por jo të abrogojë Gjykatën. Të gjithë gjykatësit federalë emërohen nga Presidenti dhe konfirmohen nga Senati: Kushtetuta ruan pavarësinë e tyre duke përcaktuar se ata ruajnë zyrën e tyre derikur nuk do të pësojnë impeachment.

Alexander Hamilton në vitin 1788 hartoi detyrat e Gjykatës: “Detyra e Gjykatës është që të deklarojë nul të gjitha ligjet kundër frymës së shprehur të kushtetutës”. Vendimet nuk duhet të merren domosdoshmërisht me unanimitet: përveç palëve bëhen publikë emrat e gjykatësve që miratojnë dispozitivin përfundimtar, edhe pse nuk bien dakord për motivacionet (Concurring Opinion) dhe të atyre që nuk e miratojnë dispozitivin përfundimtar (Dissenting Opinion). Pesha politike e Gjykatës buron nga Judicial Review, domethënë nga pushteti i kontrollit të kushtetutshmërisë së ligjeve qofshin ato federalë apo shtetërorë, që mund të përmblidhet në 3 parime: a) pushteti i gjykatave federale për të invaliduar ligjet federale, shtetërore dhe lokale nëqoftëse shkelin kushtetutën; b) supremacia e ligjeve apo e traktateve federale kur hyjnë në konflikt me ligjet lokale dhe shtetërore; c) roli i Gjykatës Supreme si autoriteti i vetëm final në interpretimin e kushtetutës.

Gjykata Supreme ka qenë instrumenti i ekspansionit të pushtetit federal, u ka imponuar kufizime shteteve, ka ndërhyrë thellësisht në çështjet ekonomike të vendit dhe ka rregulluar raportet sociale midis qytetarëve. Pas rizgjedhjes së parë të Roosevelt në 1937, qëndrimi i saj u bë më i hapur dhe liberal me miratimin e ligjeve të New Deal dhe qysh atëhere vendimet e rëndësishme, më shumë sesa ekonomia dhe pronësia, kanë pasur të bëjnë me çështjet e barazisë, të drejtave individuale e të minorancave raciale dhe lirisë fetare.

Në gjysmë shekullin e fundit Gjykata ka luajtur një rol të rëndësishëm për faktin se e ka zgjeruar për qytetarët mundësinë që të gjejnë dalje për çështje që nuk kanë pasur sukses në seli legjislative dhe ekzekutive. Por roli politik i sistemit gjyqësor mund të duket në kontrast me teorinë demokratike sipas së cilës pushteti për të bërë ligjet është vetëm i popullit apo i përfaqësuesve të zgjedhur të tij. Gjithsesi, duket se në një bilanc historik Gjykata ka kontribuar për t’i mbajtur të ndara të 3 pushtetet dhe ka mbrojtur të drejtat individuale të sanksionuara në Bill of Rights, duke forcuar përfundimisht karakterin liberal të strukturës kushtetuese amerikane. Ekuilibri midis ndërhyrjes së gjyqësorit dhe sovranitetit të politikës është i garantuar edhe nga sistemi i peshave dhe kundrapeshave: me ndërhyrjen e ekzekutivit dhe të legjislativit, gjyqësori sillet në demokraci, ndërkohë që shërben si qen roje i kushtetutës kur dy pushtetet e tjera tentojnë që ta  tejkalojnë duke shkelur parime thelbësore.

 

Bipartitizëm, parti të treta dhe grupe

Janë zgjedhjet presidenciale ato që modelojnë bipartititizmin amerikan: çdo kandidat për postin e Presidentit ka mbështetjen e një prej dy partive të mëdha të momentit. Dhe është për të mbështetur një kandidat që formohen partitë federale, që nga ana tjetër nuk ekzistojnë. Nga mesi i ‘800, skena politike amerikane ka qenë e dominuar nga dy koalicione të mëdha të quajtura parti, por se parti në kuptimin europian nuk janë: demokratë dhe republikanë. Bazat e tyre sociale e rajonale janë ndryshuar ndjeshëm në epoka të ndryshme dhe grupe që i përkasin një koalicioni shkëputen për të kaluar nga ana tjetër. Megjithatë, sistemi kombëtar ka mbetur bipartiak si në zgjedhjet presidenciale, ashtu edhe në të gjitha zgjedhjet e tjera lokale dhe shtetërore dhe kjo për shkak të modaliteteve të zgjedhjes. 100 senatorët dhe 435 kongresmenët, 50 guvernatorët e shteteve, kryebashkiakët e qyteteve dhe të gjithë postet e tjera lokale, shtetërore dhe federale zgjidhen me sistemin uninominal – mazhoritar. Kriza e sistemit bipartiak në vitet ’70 buronte nga rritja e numrit të votuesve të deklaruar si të pavarur që nuk identifikoheshin me një prej dy partive të mëdha. Ndërkohë janë shtuar grupet ekstrapartiakë të interesuar vetëm për një objektiv specifik.

Sipas traditës, demokratët mbahen si “partia e njerëzve të thjeshtë”. Tradicionalisht gëzojnë mbështetjen e minorancave etnike dhe fetare joprotestante, të sindikatave e të grave dhe kanë një ndjekje të mirë në zonat metropolitane, sidomos në shtetet industriale e Nordest e të Midëest. Kurse republikanët konsiderohen si “partia e njerëzve që posedojnë”, tradicionalisht e rrënjosur në grupet e elitës së ashtuquajtur WASP, domethënë e bardhë (White), anglosaksone (Anglo Saxon) dhe protestante (Protestants). Quhen “parti të treta” të gjithë ata kandidatë që konkurrojnë për presidencën me një etiketë partiake të ndryshme nga demokratja dhe republikania. Megjithëse në këtë shekull pak kanë pasur ndonjë sukses të konsiderueshëm, kandidatë – partitë e treta në rrethana të caktuara kanë luajtur një rol të rëndësishëm si në rastin e konflikteve për skllavërinë, industrializimin apo të drejtat civile. Përgjithësisht, jeta e një partie të tretë exaurohet gjatë një zgjedhjeje presidenciale.

Por në Shtetet e Bashkuara procesi vendimmarrës kalon nëpërmjet mekanizmash që përtej institucionevdhe partive përfshijnë edhe grupet e interesit. Ndërthurja e të tre elementëve është e fortë, duke qenë se partitë janë të dobëta dhe grupet që veprojnë në skenën ekonomike, sociale, mjedisore, fetare dhe civile janë të shumtë dhe aktivë. Grupet nuk përfaqësojnë një alternativë, por një komplement të partive: për të kuptuar diversitetin e roleve, mund të thuhet se partitë i zgjedhin dhe grupet nuk i zgjedhin kandidatët në zgjedhje. Pavarësisht kësaj ndarjje të roleve, partitë dhe grupet janë në këtë pikë të ndërthurur sa që mund të thuhet se nganjëherë grupe të caktuara përfaqësojnë krahun e djathtë apo krahun e majtë e një partie të caktuar.

 

Liria dhe të drejtat

Ka një numër të caktuar ideshë që mbajnë mendimin politik amerikan dhe, midis këtyre, rëndësi të veçantë kanë ato lidhur me liritë dhe me të drejtat. Premisa se ka disa të drejta natyrore nga të cilat askush nuk mund të privohet dhe që duhen mbrojtur nga ndërhyrjet e çdo autoriteti. Kjo shpjegon arsyen për të cilën u miratuan në 1791 10 amendamentet e para të kushtetutës federale, të njohur si Bill of Rights me qëllim që të bëhej e qartë se akte të caktuara kundër të drejtave themelore dhe procedurale të njeriut janë të ndaluara dhe se disa të konsideruara si mungesë kufizimesh, në veçanti kufizimet e vendosura nga pushteti publik, duhet të jenë të garantuara. Është ky thelbi i konstitucionalizmit amerikan që ushqyer ngurrimin e fortë e qytetarëve amerikanë për të kërkuar ndërhyrjen e qeverisë në zbatimin e të drejtave të caktuara apo të pranojnë se liri të caktuara civile mund të shkelen nga subjekte private apo që t’u lejohet autoriteteve në rrethana të veçanta  të privojnë nuk ka rëndësi se cilin individ nga të drejtat themelore të tij.

Do të donim t’i përmbyllnim këto shënime mbi systemin politik amerikan duke cituar atë që Max Lerner pohon tek “America as a Civilization”: “Liria mund të shikohet pjesërisht si një funksion i mënyrës sipas të cilës pushteti shpërndahet, ndahet dhe përhapet në shoqëri. Amerikanët tentojnë të mendojnë se qeveria është armiku kryesor i librisë dhe e konsiderojnë historinë e lirisë në Amerikë si historinë e një lufte manikease midis engjëjve (individualistë) të dritës dhe armatës (qeveritare) të errësirës. Atje ku pushteti është përqëndruar, qoftë ai burokraci publike, një grup i fortë biznesor, një sindikatë e madhe, një staf ushtarak, një perandori e fuqishme masmediatike apo një kishë e disiplinuar, këtu njerëz që kanë për zemër ruajtjen e lirisë duhet të ndërhyjnë për ta izoluar pushtetin dhe për të penguar që ai të kombinohet me koagulime të tjera pushteti”.

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

LEAVE A REPLY