Shtetet e Bashkuara nuk janë një demokraci e realizuar

Shtetet e Bashkuara nuk janë një demokraci e realizuar

61
0
NDAJ

Javët e kaluar qiejt e Shteteve të Bashkuara janë ndezur fishekzjarre që festonin traditën e lirisë e të demokracisë së vendit me rastin e festimeve të 4 korrikut, Ditës së Pavarësisë. Por ndërkohë republikanët vazhdojnë ta zhbëjnë këtë traditë dhe po kërkojnë të sabotojnë For the People Act, një reformë për të zgjeruar të drejtën e votës dhe kufizuar financimet private për fushatat elektorale. Ka qenë një spektakël i çuditshëm. Është e vështirë ta analizosh vendin tënd në mënyrë objektive dhe kështu që u kam kërkuar disa studiuesve të huaj një opinion lidhur me sistemin politik amerikan. Për pjesën më të madhe kanë qenë biseda të sikletshme. “Demokracia amerikane nuk është ajo që amerikanët besojnë”, më ka thënë David Altman, një politolog kilian. “Ka një mospërputhje konjitive midis asaj që qytetarët amerikanë mendojnë për institucionet e tyre dhe realitetin”. Staffan Lindberg, Drejtor i Varieties of Democracy Institute, një qendër kërkimore që e ka selinë në Universitetin e Goteborgut, më tha: “Gjëja shqetësuese është se nganjëherë ajo që ndodh në Shtetet e Bashkuara të kujton disa vende të botës ku demokracia ka paguar një çmim vërtet të lartë dhe, në shumë raste, ka vdekur. Kam parasysh këtu Hungarinë e Orbanit, Turqinë e Erdoganit dhe Indinë e Modit”.

Në mënyrë ndoshta perverse, jam ndjerë i qetësuar nga lista e Lindberg. Shtetet e Bashkuar diferencohen nga këto vende në shumë aspekte. Kur ka një kolaps të demokracisë, zakonisht partia e përdor pushtetin dhe popullaritetin e saj për ta forcuar kontrollin e saj mbi shoqërinë. Por në Shtetet e Bashkuara problemi është më kompleks. Për momentin, demokratët kanë një mazhorancë shumë të vogël, të paktën në planin kombëtar, dhe po luftojnë që të realizojnë një seri reformash. Deri propozimi i kompromisit lidhur me ligjin elektoral i senatorit demokrat të moderua Joe Manchin – për të ndaluar manipulimin e kolgjeve elektorale, miratuar një regjistrim automatik të votuesve dhe të japë mundësinë që të votohet 15 ditë përpara datës së zgjedhjeve – do të përfaqësonte një përmirësim shumë më domethënës se çdo masë tjetër e miratuar nga vitet Gjashtëdhjetë e deri më sot.

Komentatorët progresistë shpesh përqëndrohen mbi rrezikun se mos demokracia bën hapa prapa dhe është një rrezik real. OJF njujorkeze Brennan Center for Justice bën me dije se midis fillimit të janarit dhe mesit të majit të paktën 14 shtete kanë miratuar ligje që e kufizojnë aksesin tek vota, gjë që i ka vënë Shtetet e Bashkuara “në rrugën e mirë për të bërë shumë më keq nga sa kanë bërë kohët e fundit në temën e shtypjes të votës”. Një tjetër raport i tri shoqatave që merren me të drejtën e votës ka listuar 24 ligje të miratuara në 14 shtete në vitin 2021 që do t’u mundësojnë parlamenteve shtetërore t’i “menaxhojnë zgjedhjet në mënyrë kriminale”. Por është e vërtetë edhe e kundërta: Brennan Center for Justice ka individualizuar të paktën 28 projektligje që e rrisin aksesin tek vota, të firmosura në 14 shtete.

Elementi që e dallon epokën tonë nuk është regresioni, por polarizimi. “Po bëhemi një shoqëri me dy nivele për sa i përket votimit”, ka thënë kohët e fundit Ari Berman, autor i librit Give us the ballot. The modern struggle for voting rights in America (Na jepni votën. Lufta moderne për të drejtën e votës sot në Shtetet e Bashkuara). “Është e lehtë të votohet në disa shtete, domethënë në ato më demokratë dhe është e vështirë ose po bëhet më e vështirë të votohet në një shtet republikan”, ka shtuar ai. Vëzhguesit e huaj e kanë kuptuar se demokracia multietnike në Shtetet e Bashkuara është një lule që rritet në një terren të brishtë. Nganjëherë mburremi se jemi demokracia më e lashtë e botës dhe kjo është e vërtetë në kuptimin teknik. Ama nëqoftëse përdoret një përkufizim më i gjerë i demokracisë, që të përfshijë të drejtën e votave për gratë dhe minorancat, jemi një prej demokracive më të reja të botës. “Është qesharake të thuash se Shtetet e Bashkuara janë demokracia më e lashtë e botës”, më ka thënë Lindberg. “Janë bërë demokratikë vetëm pas lëvizjes për të drejtat civile e viteve Gjashtëdhjetë. Në këtë kuptim, janë një demokraci e re, njëlloj si Portugalia apo Spanja”.

Gjëja është e qartë nëqoftëse shikohen institucionet. Një shoqëri që i jep vlerë demokracisë dhe pjesëmarrjes politike nuk do ta kishte projektuar një sistem si ky amerikan. “Sistemi i Votuesve të Mëdhenj, që shërben për të zgjedhur presidentin, është një institucion parahistorik. Çdo studiues i demokracisë në botë mbetet i befasuar”, më ka thënë Altman dhe më pas më ka pyetur: “Pse votoni të martave? Nuk u jepni kohë njerëzve për të shkuar në qendrat e votimit. Duhet t’i kërkojnë leje shefit për të shkuar të votojnë. E çuditshme”. Lidhur me rolin e parave në financimet e fushatave elektorale, Altman ka shtuar: “Duket më i ngjashëm me një plutokraci”. Nga ky këndvështrim, përpjekjet aktuale e Partisë Republikane për t’ua mbyllur gojën kategorive të caktuara të votuesve nuk janë një deformim respektivisht një të kaluare të ndritshme, por një rikthim në origjinë. Dhe kjo i rrit shanset e tyre për sukses. Sipas Lindberg, “është më e zakonshme që demokracitë e reja të hyjnë në krizë më shumë se ato të vjetrat. Sikur Shtetet e Bashkuara të përkeqësoheshin në pikën sa nuk do të mund të konsideroheshin më demokraci, do të ishte një rikthim në të kaluarën: po ndaj të drejtave, ama vetëm për disa”.

Nuk bëhet fjalë për një përplasje lidhur me konceptin e demokracisë, por lidhur me atë se kush mund të marrë pjesë. “Problemi nuk është mënyra sesi njerëzit zgjedhin qeverinë e tyre”, më ka thënë Ivan Krastev, një politolog që drejton Centre for Liberal Strategies në Sofje. “Problemi themelor është lloji i njerëzve që qeveria dëshiron të zgjedhë: kujt do t’i jepet shtetësia, kujt do t’i jepet e drejta e votës, kush do kërkohet të përjashtohet”. Teoria e Krastev, që i përmbahet historisë europiane dhe amerikane, është se shtetet demokratike shpesh kanë dy lloje mazhorance. Njëra është mazhoranca historike e shtetit komb. Në Europë këto mazhoranca tentojnë të jenë etnike. Në Shtetet e Bashkuara mazhoranca është ngushtësisht më e lidhur me përkatësinë raciale dhe me besimin fetar, por ekziston edhe një përkufizim më literal i mazhorancës demokratike: koalicioni i votuesve që mund të bashkohen për të përcaktuar rezultatin e zgjedhjeve.

Në ndryshim nga mazhoranca historike, mazhoranca elektorale herëpasëhere ndryshon. Shpesh të dyja gjërat konvergjojnë: mazhoranca elektorale pasqyron mazhorancën historike. “Në të kaluarën duke sikur këto mazhoranca jetonin në harmoni, por tani problemi është sesa mazhorancat elektorale mund ta transformojnë mazhorancën historike”, më ka thënë. Gjatë luftërave në ish Jugosllavi, më ka shpjeguar Krastev, ekzistonte një thënie e famshme. “Pse do të duhet të jem pjesë e një minorance në vendin tënd kur ti mund të jesh një minorancë në vendin tim?”.

Nganjëherë ky arësyetim çuditërisht bëhet eksplicit, si kur Robin Vos, President i Asamblesë Shtetërore të Wisconsin, ka deklaruar: “Po të heqim Madison dhe Milwaukee nga kalkulimi elektoral shtetëror, do të kishim një mazhorancë të qartë”. Megjithatë, sipas Krastev, komenti i Vos nxjerr në pah nëntekstin e momentit aktual historik: “Pushteti i madh i komunitetit politik është pushtetit për të përfshirë dhe për të përjashtuar. Kush vendos se kush do të përjashtohet?”. Nuk dua të nënvlerësoj atë që po bën Partia Republikane për t’i dëmtuar institucionet. Të ngjall frikë fakti kur shikon një prej dy partive amerikane kur zhvillojnë idenë se demokracia në vetë vete është problemi i saj, përveçse të një programi politik me të cilin kërkohet të neutralizohet ky kërcënim. E kam quajtur “një spirale katastrofike për demokracinë”: një parti që merr pushtetin teksa humbet vota do ta përdorë pushtetin që mban akoma për t’i dobësuar votuesit dhe zgjedhjet që kërcënojnë të ardhmen e saj.

Por ky nuk është rezultati i vetëm i mundshëm. Ka qenë konfortuese të shikoje që gjithnë e më shumë demokratët e kuptojnë se duhet luftuar për ta mbrojtur demokracinë dhe, thjesht duke luftuar kundër obstruksionizmit, administrata Biden mund të miratojë ligje që do të bënin më shumë për t’i përmirësuar institucionet elektorale se çdo masë tjetër e miratuar në kohërat e Voting Rights Act të Lyndon B. Johnson të vitit 1965. Në këtë kuptim, republikanët e kanë kuptuar se çfarë rrezikojnë: të rigjenden në një vend demokratik, ku popullariteti i pakët i ideve të tyre do t’i ekspozonte ndaj pasojash të rënda elektorale. Një vend i denjë për siç ja rrëfejmë botës.

(Ezra Klein është një gazetar amerikan. Ka qenë ndër themeluesit e Vox. Është editorialist i “New York Times”, ku ka dalë edhe ky artikull, dhe është drejtues i podcast The Ezra Klein show)

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

LEAVE A REPLY