Udhëtim në Azinë Qendrore që deri më 1991 qe Bashkim Sovjetik. Moska ushtron akoma influencën masive të saj aftësinë shantazhuese mbi ekonomitë e dobëta pa dalje në det, Pekini avancon me vendosmëri, ndërsa Europa dhe Shtetet e Bashkuara kërkojnë hapësirë. Pushtete të vjetra dhe tërheqje islamiste i bëjnë të brishta ekuilibrat.
Kur vite më parë një bashkëpunëtor i zellshëm i nënvizoi se në kryeqytet apo në Almaty (Alma Ata e vjetër, metropoli më i madh i vendit) nuk kishte monumente të mëdha të ngritur në nderim të tij, Nursultan Nazarbayev – lideri i Kazakistanit sovjetik i transformuar pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në president – satrap i republikës së pasur me naftë, gaz, uranium dhe minerale të tjera e lindur më 1991 – nisi të qeshë: «Nuk ka nevojë: ky qytet që kam themeluar është monumenti im». Duke arritur në Astana nuk mund të mos i japësh të drejtë: ulesh në aeroportin Nazarbayev ndërsa vetë emri i kryqytetit, i krijuar prej tij nga hiçi në mesin e stepave të Azisë Qendrore, ka ndryshuar kohët e fundit emrin e tij në Nursultan, pikërisht emrin i ish diktatorit. Ish sepse Nazarbayev më 2019 e la papritmas presidencën pas thuajse 30 vitesh pushteti absolut, megjithëse duke mbajtur për vete rolin e guidës supreme të vendit si president i Këshillit për Sigurinë Kombëtare. Në bazë të kushtetutës që pasoi, në pritje të zgjedhjeve të reja, presidenti i Senatit, Kassym Jomart Tokayev e pasoi: për shumë një presidencë tranzicioni në pritje të transferimit të pushtetit vajzës së përkëdhelur të Nursultan, vajzës së madhe Dariga, e nderuar nga gazetat më të mëdha kazake (rastësisht në pronësi të saj). Ndërsa në aeroport, duke pritur bagazhet, publiciteti vezullues prreth transportierit të fton të investosh nëpërmjet Nazarbayev Bank dhe sapo hipën në makinë të drejtuar nga qendra, ndeshesh me ndërtesat imponuese të Nazarbayev University. Pastaj, nëse viziton muzeumin kombëtar e shkëlqyer dhe modern, pritesh në hyrje nga një pikturë e madhe e (ish) guidës supreme, e medaljuar siç duhet, ndërsa oborri qendror dominohet nga statuja e bronztë e një Nursultan duke menduar dhe të ulur në një kolltuk imponues: version passovjetik i statujës së Abraham Lincoln në Memorialin e tij në Uashington.
Pra ke arritur në Nazarbayevstan? Po çfarë: pasuesi i tij, Tokayev, ka rezultuar aspak një i vënë me dorë. Fillimisht e ka shenjtëruar «themeluesin» duke propozuar që ai ta riemërtojë kryeqytetin; pastaj, me maturi, por edhe me konstancë, ka nisur një seri reformash politike, duke tentuar njëherazi ridimensionimin e pushtetit ekonomik të familjes së ish presidentit, që kontrollon (me teknika grabitqare, sipas shumë analistëve ndërkombëtarë) pjesë të mirë të aktiviteteve prodhuese të një vendi potencialisht shumë të pasur: i madh sa e gjithë Europa, plot me rezerva natyrore dhe me rreth 20 milion banorë, ka një të ardhur mesatare për frymë (11500 dollarë në vit) më të lartë se ajo e Rusisë. Problemi është shpërndarja e saj. Trazirat e janarit të kaluar – e shkaktuar nga pakënaqësia popullore prej dyfishimit të çmimit të gazit të lëngët (GPL), por më pas e transformuar në një grusht shteti në tentativë ndoshta e orkestruar nga një pjesë e familjes Nazarbayev dhe ndoshta e inkurajuar edhe nga Moska – ka ndryshuar gjithçka. Ndërsa Almaty, metropoli i vendit, ishte ngadalë në flakë (të ndezur pallatet e pushtetit politik), Tokayev në Nursultan ka refuzuar helikopterin që i ishte ofruar për ta shpëtuar. Presidenti ka dorëhequr vetë qeverinë e tij, duke eliminuar ministrat e konsideruar si jobesnikë, ka arrestuar kreun e shërbimeve të sigurisë (dhe ish kryeministrin) Karim Massimov dhe i ka kërkuar ndihmë pikërisht Kremlinit. Putini, që patjetër e konsideron të mbyllur epokën Nazarbayev, ka vendosur ta mbështesë: në 10 ditë forcat speciale ruse kanë rivendosur rendin në Almaty duke u tërhequr menjëherë më pas. Kanë lënë prapa 225 të vdekur dhe të paktën 5000 rebelë të arrestuar, menjëherë të etiketuar nga regjimi kazakas si terroristë.
Një tjetër vend – satelit në shërbim të Putinit? Jo: Kazakistani jo vetëm i ka dhënë mbështetje pushtimit të Ukrainës, por e mbron sovranitetin e Kievit edhe në zonat e pushtuara nga Moska dhe aplikon sanksione ndërkombëtare kundër Rusisë. Pastaj, në ditët e kaluara, në Forumin e Shën Petërsburgut, Tokayev e ka kritikuar në mënyrë eksplicite Kremlinin duke e gjykuar si të pambështetshme zgjedhjen për t’ju besuar vetëm rezervave të brendshme duke hequr dor nga importet e e bllokuara nga embargoja dhe duke ritheksuar vullnetin për të mos njohur republikat e shkëputura të Donjeckut dhe Luhanskut, siç ka bërë në raste të tjera, nga Kosova tek Taivani. Me presidentin rus, gjithnjë e më shumë i vuajtur, që e ka rishpërblyer përpara duke ia deformuar emrin e tij, pastaj duke e paralajmëruar me ton kërcënues se i gjithë ish Bashkimi Sovjetik «është Rusia historike». Konfuzë? Sikur ajo për dominimin e Azisë Qendrore të mos ishte një lojë me njëmijë fytyra, ku gjërat shpesh janë të ndryshme nga sa duken, nuk do të quhej qysh nga Tetëqinda Loja e Madhe.
Tokayev po bën lojën e tij me një ushtrim të jashtëzakonshëm ekuilibrizmi. Nga njëra anë nevoja e mbajtjes së raporteve të mira me Moskën dhe ka kërkuar të pajtohet menjëherë pas përplasjes së Shën Petërsburgut: çereku i kazakasve janë të etnisë ruse, naftësjellësit nëpërmjet të cilëve Kazakistani eksporton naftën e tij kontrollohen nga Moska, ndërsa Baikonur, «Cape Canaveral» në zemër të stepës nga ku nisen misionet hapësinore ruse, është në Kazakistan dhe vendi ka rreth 7000 kilometra kufi me perandorinë e Putinit. Nga ana tjetër është vullneti për të zhvilluar marrëdhëniet – ekonomike dhe jo vetëm – me Kinën me të cilën ndaj 1782 kilometra të tjera kufi, dhe nevojën për të mbetur megjithatë sa më shumë i kapur pas Perëndimit. Shtetet e Bashkuara e humbasin influencën politike në zonë, sidomos pas tërheqjes nga Afganistani, lëvizje shumë e kritikuar nga të gjitha «Stan» e Azisë Qendrore, por që mbesin investitorë të mëdhenj në hidrokarbure (nga Exxon tek Chevron) dhe jo vetëm: General Electric punon në frontin hekurudhor (thelbësor në epokën e rilançimit të Rrugës së Mëndafshit si alternativë tokësore ndaj lidhjeve detare midis Kinës dhe Europës), në atë të energjive të rinovueshme dhe mund të furnizojë në të ardhmen edhe mincentrale bërthamore. Për këtë vend, ashtu siç me gradime të ndryshme për republikat e tjera ish sovjetike të Azisë Qendrore, Rusia dhe Kina janë vendimtare për sigurinë nga sulmet e jashtme dhe, pjesërisht, edhe për stabilitetin politik të brendshëm, por për zhvillimin, infrastruktura kineze menjëanë, ato që vlejnë janë sidomos kompanitë amerikane dhe europiane: midis 3 investitorëve të parë në Kazakistan nuk janë Kina dhe Rusia, por Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Europian me një rol të rëndësishëm të ENI (naftë, gaz dhe energji alternative) dhe impiantistikën, ndërsa i gjithë sistemi Itali po kërkon të jap një profil me dinamik, i shtyrë edhe nga një diplomaci më shumë business oriented.
Tokayev e inkurajon Perëndimin duke i premtuar reforma demokratike: ato të vendosura pas revoltës së janarit dhe të ratifikuara nga populli kazakas me referendumin e fillimeve të qershorit (vendi ka një traditë të rëndë votimesh të «pilotuara», por kësaj radhe vëzhguesit ndërkombëtarë e kanë gjykuar rezultatin thelbësisht korrekt) janë megjithatë mjaft të kufizuara. Parlamenti nuk ka më shumë se një rol koreografik, por presidenti ruan pushtete shumë të gjera, ndërsa ka shumë rrugë për të arritur të kihet një sistem gjyqësor i pavarur. Presidenti i ri është megjithatë i vendosur të ndryshojë dhe po e bën me vendosmëri, të paktën për sa i përket çmontimit të sistemit të pushtetit të Nazarbayev: anëtarë të ndryshëm të familjes kanë përfunduar në burgl për korrupsion dhe vetël Nursultan është parë të privohet nga kushtetuta e re, e miratuar në referendumin e 5 qershorit, të kryesisë së Këshillit për Sigurinë. Pavarësisht kësaj, i ka ftuar kazakasit të votojnë në favor të reformës dhe ka shkuar vetë të votojë. Do të arrijë Tokayev të qëndrojë kaluar? Në këtë zonë, e dëmtuar në jug nga radikalizmi islamik dhe nga veriu prej neoimperializmit putinian, mund të ndodhë gjithçka, por presidenti po tregon dorë të fortë edhe me gjeste simbolike, por që lënë shenjën. Siç kur, kur po kthehej me avion nga një udhëtim jashtë shtetit, ish perandori Nazarbayev, në aeroportin e emërtuar me emrin e tij, është detyruar të vihet në radhë me të gjithë udhëtarët e tjerë për kontrollin e pashaportave.
Siç shkruan norvegjezja Erika Fatland në librin e saj shumë të bukur Sovietistan, «aziatikët kanë veçantinë e të pasurit respekt vetëm ndaj pushtetit të prekshëm e të dukshëm. Qasja morale e argumentimeve të urta i lë krejtësisht indiferentë». Kjo shpjegon edhe pse – në Kazakistan, ashtu si në Yzbekistan dhe në «Stan» e tjera të zonës – për luftën në Ukrainë qysh nga fillimet e saj flitet shumë pak dhe vetëm në termat e pasojave për ekonominë dhe sigurinë e Azisë Qendrore. Për shembull, disa ditë më parë ministri i Jashtëm i Yzbekistanit, Vladimir Norov, në aderimin e një serie projektesh infrastrukturore të lançuar nga Kina në Afganistan, ka shphrehur vlerësimin e tij për përpjekjet e Pekinit që synojnë në shmangien e një krize humanitare në vendin e kthyer në kontrollin e talibanëve dhe, me referim të qartë për Shtetet e Bashkuara dhe Europën, ka shprehur pakënaqësi për rënien e vëmendjes nga një komunitet ndërkombëtar, që i «shqetësuar nga kriza të tjera», nuk preokupohet më nga një emergjencë afganase që «kërcënon prosperitetin ekonomik dhe stabilitetin e të gjithë rajonit» qendroaziatik. Përshkrimi i dinamikave në veprim në këtë pjesë të botës sa të largët dhe larg çdo deti, aq edhe strategjike, është ndërmarrje e guximshme: përveç studimit të politikës së Kazakistanit, fuqi e vërtetë rajonale, duhet hyrë në logjikat e Yzbekistanit më të varfër, por nga Samarkanda në Bukhara, në Tashkent, plot me histori dhe kulturë, deri tek Turkmenistani i pasur i diktaturës së ashpër të Turkmenbashive, që është pranuar nga populli i tij edhe duke i dhënë benzinë falas të gjithëve. Ka vdekur në 2006 nga një infarkt, i zëvendësuar nga dentisti i tij personal që kishte qenë edhe ministër i Shëndetësisë. Pastaj duhet spostuar pak lentja e shikimit mbi Taxhikistanin shumë të varfër dhe mbi Kirgizistanin, i vetmi që ka tentuar (me sukses të pakët) rrugën e demokracisë. Ndërmarrje komplekse për këdo dhe akoma më shumë për ka kaluar vetëm pak javë në rajon. Duke përshkuar Yzbekistanin të kthehet në mendje ajo që tha shumë vite më parë në Indi një brahmin kujt mbante shënime të ethshme: «Kush vjen këtu për një javë dëshiron të shkruajë një artikull, kush qëndron për një muaj të shkruaj një libër, nëse qëndron për një vit e kupton se ai që sheh është një realitet i papërshkrueshëm».
Raportet midis këtyre ish republikave sovjetike janë komplekse, me incidente që nganjëherë mbesin të pashpjegueshme për vetë shtetet protagoniste, si në rastin e një përleshjeje zjarri e kohëve të fundit midis rojeve kufitare të Taxhikistanit dhe të Kirgizistanit, dy vendet me PBB më të ulët të rajonit. Kurse në disa raste të tjera konfrontohet ashpër dhe në dritën e diellit, si në rastin e «betejës për ujin» që nuk i mundëson Yzbekistanit të riaktivizojë lumenjtë, që të drejtuar në epokën sovjetike, kanë çuar në tharjen e Liqenit Aral: atë që deri disa dekada më parë ishte liqeni i katërt më i madh i botës, i madh sa Lombardia, Piemonte dhe Veneto të marra bashkë. Disa tipare janë evidente, si krenaria e Yzbekistanit. Megjithëse më i varfëri, ndjehet më i rëndësishëm se Kazakistani pasi i fortë nga kultura, matematikanët dhe shkencëtarët e tij si Avicenna dhe i historisë së tij mijëvjeçare, ndërsa ai kazakas është një popull nomad, me pak histori, i bërë i ngulur vetëm në carët dhe Rusia e sovjetëve. Karakteristika të tjera mbesin në gjysmëhije, por ka disa elementë të tjerë të përbashkët për të gjithë rajonin që shfaqin mjaft qartë dhe që duhet të bëjnë të reflektohet. Ai kryesori ka të bëjë me hegjemoninë ruse në zonë, e destinuar të zgjasë akoma për disa kohë, megjithëse pesë republikat e Azisë Qendrore janë të impenjuara në një mënyrë pakashumë të vendosur në një proces desovjetizimi. Pikërisht sepse perceptojnë ambiciet neoperandorake të Putinit, këtë vende kanë kërkuar të distancohen nga Moska, por në provën e fakteve nuk mund të bëjnë pa Kremlinin për një seri faktorësh, jo të gjitha të kapshme me sy të lirë. Nyja e parë është ajo e sigurisë së kufijve: frika e infiltrimeve të luftëtarëve të Shtetit Islamik (ISIS), tani që amerikanët janë larguar dhe Afganistani ka rënë në duart e talibanëve që po e humbasi kontrollin e provincave veriore, është i përhapur kudo. Këtu garancia e vetme (e pjesshme) vjen pikërisht nga Rusia, që vazhdon t’i ofrojë repartet ushtarake të saj për të vigjëluar kufijtë jugorë të «Stane».
Faktorë të tjerë të rëndësishëm janë ato ekonomikë: domethënënë shantazhueshmëria e republikave ish sovjetike si nga pikëpamja e eksportit të energjisë (siç u tha, duke mos pasur dalje në det, këto shtete duhet të kalojnë nëpërmjet vendeve të tjera, sidomos Rusia), ashtu edhe në frontin e punës. Në Yzbekistan, në rrugët e gjera të Samarkandës apo të kryeqytetit Tashkent të godasin dyqanet e ngjyrosura të veshura me flamuj amerikanë: janë agjenci që ndihmojnë të plotësohen modulet për të marrë pjesë në llotarinë amerikane që çdo vit jep një numër të caktuar green card për të hyrë në Shtetet e Bashkuara, por, pikërisht bëhet fjalë për të fituar një llotari: realiteti është se sot punëtorët e republikave qendroaziatike janë të lirë të emigrojnë vetën në Rusi, që në krizë të rëndë denataliteti, ka nevojë për krahë pune. Remitancat e tyre janë një pjesë konsistente dhe thelbësore e PBB të këtyre republikave. Rrethanë që i bën këto vende të shantazhueshme: mjafton që Putini të vendosë për pasjen e vizës që të emigrohet nga republikat e Azisë Qendrore për t’i vënë në gjunjë ato. Mbrojtje, ekonomi, punë, ama ka edhe faktorë të tjerë – kulturorë, të rendit politik e social dhe deri religjioz – që edhe pse më pak të dukshëm, janë po aq të rëndësishëm.
Këto shtete duan të desovjetizohen dhe i frikësohen neoimperializmit të Kremlinit. Vetë Nazarbayev, që bile ishte një hierark i Bashkimit Sovjetik, ka dashur ta ndërtojë Astanan në veriun e akullt dhe të izoluar të Kazakistanit, jo vetëm për kapriçio, por edhe për të shmangur që Moska të ishte e tentuar të aneksonte territore pothuajse të shkreta, banorët e pakët të të cilave janë kryesisht të etnisë ruse. Por në të njëjtën kohë janë të kushtëzuar nga një gjuhë dhe nga një kulturë – ruse, pikërisht – që janë ato të klasës drejtuese të saj, nga zakoni i një autoritarizmi dhe një statalizmi të vështira për t’u çrrënjosur, por edhe çrrënjosja ka rreziqet e saj: si në Egjipt ku i ashtuquajturi Google Revolution i Sheshit Tahrir i ka hapur rrugën jo demokracisë liberale, por integralizmit islamik të Vëllazërisë Myslimane, edhe në Azinë Qendrore perëndimi i grupeve drejtuese passovjetike diktatoriale dhe laike po favorizon një rikthim në islamizim. Një fenomen për momentin gradual, në mos tjetër sepse në këto vende përgjithësisht imamët duhet të regjistrohen pranë organizmave shtetërorë dhe predikimet e tyre, që nuk duhet të kenë përmbajtje radikale, janë të survejuara. Por tendenca shfaqet e qartë për të gjithë analistët kryesorë. Nëse në disa vende shtytja islamiste vjen nga poshtë, Kazakistani sinjalizohet prej një fenomeni shqetësues me shenjë të kundërt, top – down, me anëtarë të familjes Nazarbayev, që të vënë me shpatulla për muri nga regjimi i ri, reagojnë duke ju drejtuar xhihadizmit për të vënë në vështirësi Tokayev. Loja e Madhe ka rifilluar dhe kësaj radhe ndeshja luhet në shumë nivele. Tentativa për t’u shkëputur nga Rusia është në zhvillim, por jo sepse republikat qendroaziatike stigmatizojnë pushtimin e Ukrainës: nga Xhenxhis Khani tel Timurlengu, deri tek luftërat në Çeçeni, Gjeorgji, Armeni dhe Azerbaixhan, nga këto anë shpesh kundërshtitë rregullohen ende me përdorimin unilateral të forcës.
(Massimo Gaggi për La Lettura)
Përgatiti
ARMIN TIRANA