Një perandori e re në Lindje: Nga Bosfori në Kinë

Një perandori e re në Lindje: Nga Bosfori në Kinë

49
0
NDAJ

A do të ndodhë bashkimi i të gjithë popujve turq?

Për herë të parë në 100 vitet histori të Republikës Turke, restaurimi i madhështisë së kaluar është bërë politika e qeverisë turke. Dështimi i integrimit me Europën ka pasur si pasojë idenë që një «perandori» e re të rezultonte shumë tërheqëse. Përkrah një ideje neo-otomane, që përqëndrohet mbi vendet arabe të Mesdheut dhe mbi Ballkanin, është bërë mundësi konkrete një bashkim i popujve turq, që shtrihet nga Bosfori deri në Kinë. Transformimi i raporteve midis Turqisë dhe popullsive turke të afërta me të në Azinë Qendrore dhe në Kaukaz është bërë realitet konkret me konfliktin e fundit në Nagorno – Karabakh. Në këtë rast nuk bëhet fjalë vetëm për soft power – i ushtruar mbi kulturën apo mbi fenë – dhe për marrëdhënie ekonomike: tani Turqia është e pranishme edhe ushtarakisht – ministri turk i Mbrojtjes propozon që të dërgojë njësi turke në Azerbajxhan – dhe tregon se është padiskutim i hapur të t’i mbështesë me çdo kusht «vëllezërit» e tij. Ky është vetëm një shembull sesi përkthehet në realitet ideologjia e panturqizmit. Turqia nuk është aktive vetëm në rajonin gjeografikisht fqinj të Kaukazit jugor dhe nuk është vetëm me ndihmën për azerët – lidhur me këtë, si turqit, ashtu edhe azerët thonë se janë një popull i vetëm që jeton në dy shtete të ndryshme – por edhe në të gjithë Azinë Qendrore, nga Irani, në Afganistan dhe deri në Rusi.

Ky rajon konsiderohet si një i tërë, diçka homogjene, një «botë turke». Dhe nuk është vetëm një çështje kuptimi të ftohtë racional, por këtu hyn në lojë edhe një aspekt emocional, që vjen nga një histori, një gjuhë, një kulturë dhe një fe e përbashkët. Turqit e Turqisë janë të ndjeshëm ndaj instancave të komunitetit të turqishtes të pranishëm në Kaukaz dhe në Azinë Qendrore. Për ta ky rajon është i rëndësishëm jo vetëm prej pozicionit të tij strategjik, por edhe pse e konsiderojnë si «atdheun» e popujve turq. Veç kësaj, nga Kaukazi vijnë edhe shumë prej emigrantëve në Turqi. Ëndërra e një «bote turke» që të shtrihej nga Ballkani deri në Ksiniang në fillimin e këtij shekulli dukej e parealizueshme.

Diferencat dhe kontradiktat midis Turqisë dhe disa shteteve të rëndësishme turke të Azisë Qendrore – veçanrisht Yzbekistani – qenë shumë të forta dhe ndikimi i vetë Turqisë tejet i dobët sa të synonte një unitet të vërtetë. Me kalimin e kohës, falë procesit të pakthyeshëm të derusifikimit dhe sidomos falë politikës së soft power (që shprehet me ngritjen e qendrave të formimit, si shkolla dhe universitete, me objektivinin e edukimit të një elite të orientuar nga Turqia), ajo ëndërr është dukur se është bërë pak e nga pak realiteti. Përmirësimi i marrëdhënieve me Yzbekistanin dhe hapja e Turkmenistanit, që më parë kishte mbështetur gjithmonë neutralitetin e tij, në një bashkëpunim më të ngushtë me aleancën midis popujve turq i kanë dhënë impuls të ri një procesi të tillë. Sot flitet shumë konkretisht deri për ndërtimin e një ushtrie të përbashkët midis shteteve turq, e ashtuquajtura «ushtri e Turanit». Gjendemi atëhere përballë ndërtimit të një federate të re apo deri të një «supershteti», që shkon nga Bosfori në Kinë, dhe që duhet të zërë vendin e Bashkimit Sovjetik të dikurshëm?

 

Nga ideologjia e panturkizmit tek «Realpolitika» në Lindje

Fillimet e ideologjisë së panturkizmit janë të njëkohshëm me atë të pansllavizmit. Ideologu i parë i unitetit, atëhere akoma vetëm kulturor, të popujve turq ka qenë Ismail Gasprinski (1851 – 1914). Idetë e tij u përhapën nga gazeta Tercüman («Përkthyesi»), motoja e të cilit ishte «Uniteti i gjuhës, i idesë dhe i veprimit». Në vetë Turqinë interesi për popujt e afërt turq të Perandorisë Ruse përcaktohej nga motive fetare, më shumë sesa etnike. Panturkizmi e bëri shfaqjen e tij në perandorinë Osmane vetëm pas revolucionit të «Turqve të Rinj». Një ideologji e tillë u paraqit si alternativë ndaj otomanizmit dhe islamizmit. Rasti i parë për t’i vënë në praktikë idetë e panturkizmit u paraqit pas rënies së perandorisë Ruse. Megjithatë, edhe pse duke pasur një simpati reciproke midis turqve osmanë dhe popujve turq të Perandorisë së vjetër Ruse, nuk mund të thuhet se në atë kohë ajo ishte më e fortë se identitetet kombëtare e popujve të veçantë. Republika Turke e re, që kishte zënë vendin e Perandorisë Osmane, i kishte refuyzuar identë e panturkizmit, duke u përqëndruar sidomos mbi forcimin e shtetit kombëtar brenda kufijve të veta. Rivendosja e panturkizmit ka ndodhur vetëm me fundin e Bashkimit Sovjetik. Kur ky ishte duke rënë, Turqia shmangte akoma çdo ndërhyrje në republikat turke. Kur në janarin e 1990 presidenti i Azerbajxhanit shkoi për vizitë në Turqi, presidenti turk nuk deshi të pozicionohej lidhur me ngjarjet në Azerbajxhan, duke e konsideruar si një çështje të brendshme të Bashkimit Sovjetik. Qysh atëhere, politika e Turqisë ka ndryshuar.

 

«Kthesa lindore» e Turqisë

Lindja  shteteve të reja të pavarura në Azinë Qendrore dhe në Kaukaz ka pasur si pasojë që, përkrah Turqisë, kishte edhe vende të tjera ku turqit kishin një rol dominues dhe gjuhët e kulturat e të cilëve qenë shumë të ngjashme me atë të vetë Turqisë. Më së fundi kishte përfunduar koha e izolimit të Turqisë midis Europës dhe botës arabe, në të cilën epoka e dominimit osman përbënte vetëm një kujtim të bukur. Veç kësaj, fakti që republikat e reja qenë relativisht më pak të zhvilluara i dha Turqisë një ndjenjë superioriteti, duke ngjallur tek ajo ambicien e marrjes së një roli udhëheqës dhe për t’u shtirur si model për zhvillimin e mëtejshëm të tyre. Këto ambicie përhapeshin në Turqi jo vetëm midis nacionalistëve turq, por edhe midis islamikëve, me ndryshimin që ndërsa të parët ëndërronin një aleancë midis popujve turq të bazuar mbi parimin e etniës, për të dytët roli udhëheqës i botës së popujve turq përbënte vetëm hapin e parë drejt rivendosjes së dominimit mbi të gjithë botën islamike.

Edhe klasa drejtuese turke kërkoi menjëherë ta shfrytëzoi këtë mundësi që të bohej kombi – udhëheqës i një aleance të gjerë shtetesh që shkonte nga Bosfori në Kinë. Qysh më 1991 presidenti turk Özal – i cili pohonte se shekulli i XXI do të ishte «shekulli turk» – kishte shkuar për vizitë jo vetëm në Moskë, por edhe në Azerbajxhan, Kazakistan dhe në republika të tjera. Kur më 8 dhjetor të atij viti u themelua Komuniteti i Shteteve të Pavarura që do të zëvendësonte Bashkimin Sovjetik, Turqia qe vendi i pari që njohu pavarësinë e shteteve turq të ish Bashkimit Sovjetik, duke hedhur kështu bazat e politikës së mëpasme të tij. Projektet qenë shumë ambicioze. Më 1992, gjatë një vizite në Azinë Qendrore, kryeministri turk Süleyman Demirel foli për mundësinë e themelimit të një «Bashkimi të Shteteve Turq», të daljes nga zona e rublës, të bashkëpunimit ushtarak dhe të ndërtimit të gazjsellësve e të naftësjellësve nga ana e Turqisë, përveçse të futjes së alfabetit turk. Por projektet e kohës qenë shumë më të mëdha nga mundësitë reale. Në rrugën e realizimit të ëndrrës panturke kishte shumë pengesa, jo e fundit dyzimi i elitave të Azisë Qendrore, pak të prirura që ta zëvendësonin Moskën me Ankaranë si pikën e tyre të referimit.

Theksi i vendosur mbi afërsinë midis popujve turq nuk mbante parasysh diferencat që ekzistonin midis tyre, kontradiktat dhe problemet e shumta që i ndanin: për shembull, çështja e kufijve midis Kirgizistanit dhe Yzbekistanit, që ka përfunduar para pak kohësh; përplasjet etnike midis kirgizëve dhe yzbekëve, që kanë çuar deri në një gjakderdhje dhe fakti që ata donin tl afirmonin një identitet të tyrin. Veç kësaj, Turqia dukej tejet e dobët sa të mund të merrte lidershipin e në rajon. Ai që mund të pengonte më tej aspiratat turke ishte fakti se pavarësisht retorikës mbi raportet paritare, vendi do të kërkonte në çdo mënyrë të «vendoste raporte të veçanta» me vendet turke, por duke ruajtur gjithmonë «një pozicion dominues». Nga ana tjetër, edhe elitat e vendeve të Azisë Qendrore i kundërvihen tentativave të vendeve të tjera për ta përcaktuar identitetet e tyre duke u bazuar mbi besimin fetar (islamin) ose mbi përkatësinë ndaj një etnie të caktuar (turke): në fakt preferojnë që përqëndrohen sidoms mbi bashkëpunimin ekonomik, duke mbajtur të hapura të gjitha mundësitë.

 

Arsim dhe kulturë: instrumenta të rëndësishme influence

Turqia ka vendosur raporte ekonomike, diplomatike dhe deri ushtarake me vende të ndryshme të Kaukazit dhe të Azisë Qendrore. Por në këtë rajon nuk mund të konkurrohet ekonomikisht me superfuqinë Kinë dhe ushtarakisht (jo akoma?) me Rusinë. Por nuk ka nevojë, pasi pushteti i vërtetë i Ankarasë qëndron tek truri. Për shkak të pamundësisë së realizimit drejtpërsëdrejti të bashkimit të popujve turq nën egjidën e Turqisë, janë bërë përpjekje të mëdha në fushën diplomatike dhe kulturore (veçanërisht në atë të arsimit). Për të plazmuar të ardhmen e vendit është zgjedhur një rrugëtim i ngadaltë, por i sigurtë, domethënë ai i ndërtimit të një elite të re, e destinuar që të zëvendësojë të vjetrën, që i përket epokës sovjetike. Qysh në vitin 1992, ndërsa vendoseshin raportet diplomatike ne Kirgizistanin, në shkollat e larta dhe në universitetet e saj, Turqia kishte vënë në dispozicion 1000 vende të rezervuara studentëve kirgizë. Pak më vonë në Kirgizistan filluan transmetimet televizive në turqisht. Një shembull i qartë i bashkëpunimit në arësim midis Turqisë dhe kësaj republike është Universiteti turko – kirgiz «Manas», i themeluar më 1995. Ai është bërë universiteti më i mirë i Kirgizistanit falë mungesës së korurpsionit midis pedagogëve, cilësisë së formimit, një dhuntie të mirë teknike dhe sistemit falas të studimit.

Nga themelimi i saj deri më 2014, Turqia ka investuar 289 milion dollarë. Duke filluar nga fitorja e Partisë për Drejtësi e Zhvillim (AKP) nën drejtimin e Recep Tayyip Erdoğan, bashkëpunimi midis dy vendeve nl këtë fushë është bërë gjithnjë e më i ngushtë. Njëkohësisht, disa përfaqësues të kulturës kirgize janë shprehur në mënyrë kritike ndaj bashkëpunimit me Turqinë. Midis tyre ka pasur disa që janë distancuar nga kush e konsideron afërsinë gjuhësore një provë të afërsisë etnike. Kështu, ish ambasadori i Kirgizistanit në Turqi ka pohuar se gjuhët turke janë adoptuar nga popuj të ndryshëm dhe se nuk ka asnjë motiv për të afirmuar se midis kirgizëve dhe turqve, që sipas tij do t’i shtrëngonin popujt e veçantë që të hiqnin dorë nga identitetet e tyre. Ngjashëm me Kirgizistanin, pas pavarësisë Kazakistani ka filluar një bashkëpunim kulturor me Turqinë. Edhe në këtë vend transmetohet televizioni turk, veç kësaj, në vitin 1992 një universitet në qytetin Türkistan, në jug të vendit, është transformuar në një universitet kazako – turk. Aktualisht janë regjistruar 22000 studentë, të ardhur nga vende të ndryshme. Turqit kanë themeluar në këtë vend një universitet të tyrin, që mban emrin e ish presidentit turk Demirel, e ngritur në «Akademi të Popujve Turq» në kryeqytetin Astana. Por bashkëpunohet jo vetëm në fushën e arsimit dhe të masmediave, por edhe në atë të historisë dhe të ruajtjes së trashëgimisë kulturore. Kështu, Turqia ka kontribuar në restaurimin e mauzoleumit të një sufiu të nderuar me një financim prej 54 milion dollarësh.

Marrëdhëniet midis Turqisë dhe një shteti tjetër të madh të Azisë Qendrore, Yzbekistanin, që aspiron edhe ai për një rol drejtues, kanë rezultuar shumë më të komplikuara se ato me Yzbekistanin dhe Kazakistanin. Por debutimet qenë shumë premtuese. Në vitin 1992 është mbajtur takimi midis ministrave të Kulturës të Turqisë, Kazakistanit, Kirgizistanit dhe Azerbajxhanit. Në këtë rast ishte diskutuar për themelimin e një zone të përbashkët gjuhësore dhe kulturore. Një iniciativë e prirur ql të promovojë një zonë të tillë ishte mikpritja në Turqi e studentëve të ardhur nga vende të ndryshme të gjuhës turke. Duke qenë vendi me popullsi më të madhe, Yzbekistani kishte siguruar edhe një numër bursash studimi më të madh se të tjerët. Por qysh më 1994, pas shfaqjes sl problemeve në raportet politike midis dy vendeve, ky bashkpunim kulturor pezullohet. Motivi zyrtar ishte se «pas forcimit të pozicioneve të islamistëve në Republikën Turke, qeveria e Repulikës së Yzbekistanit e kishte bllokuar menjëherë aksesin e studentëve yzbekë në institucionet arsimore të Turqisë». Megjithëse në vitet Nëntëdhjetë të shekullit të kaluar shkollat turke në Yzbekistan qenë shtuar deri kanë arritur numrin 65, në vitin 1999 ato u mbyllën të gjitha. Motivi ishte se Turqia ja jepte mbështetjen e saj opozitës (shumë shpesh me orientim islamik) në Yzbekistan.

Në Turkmenistan, raportet me Turqinë fillimisht kanë qenë modeste, edhe për shkak të politikës së izolacionizmit të presidentit të parë turkmen Saparmyrat Nyýazow. Megjithëse raportet më pas janë përmirësuar pas ardhjes në pushtet të pasuesit të tij, gjithsesi mbetej dyshimi se shkollat turke i edukonin nxënësit e tyre në drejtim të islamizmit dhe të nacionalizmit turk. Për këtë në vitin 2013 ato shkolla janë shtetëzuar dhe vendosur nën kontrollin e Ministrisë së Kulturës. Megjithatë, po atë vit është inauguruar Universiteti Ndërkombëtar Turkmeno – Turk, ku aktualisht studiojnë 400 studentë. Në 20 vitet e fundit Turqia ka dhënë 26000 bursa studimi për studentët e ardhur nga shtetet turke. Kështu, soft power i Turqisë dhe i idesë panturke është forcuar më tej në këtë rini që është e destinuar të plazmojë të ardhmen e rajonit. Tiparet kryesore e sistemit arsimor që turqit ofrojnë në vendet e Azisë Qendrore janë: parasëgjithash, ekselenca (universitetet dhe shkollat e ngritura nga Turqia konsiderohen më të mirat); në radhë të dytë, arsimimi sipas modelit të përhapur në Turqi; në radhë të tretë, patriotizmi; së fundi, arsimimi fetar. Një formim i mirë ka qëllimin që t’u mundësojë disa studentëve të zënë në të ardhmen poste kyçe në politikë dhe në ekonomik, veç të tjerash duke i edukuar me vlerat e panturkizmit, ku Turqia luan rolin kryesor.

 

Zhvillimi i ri i panturkizmit

Është interesante të vërehet sesi ardhja në pushtet – pas zgjedhjeve të nëntorit 2002 – e AKP, me retorikën e saj islamiste dhe konservatore, fillimisht ka ngritur dyshime të ndryshme lidhur me impenjimin turk në rajon. Besohej se Turqia do të përqëndrohej më shumë mbi një axhendë panislamike. Megjithatë, kjo hipotezë shumë shpejt ka rezultuar e pabazuar. Pikërisht e kundërta, me qeverinë e AKP forcohet fuqimisht aktiviteti i Turqisë në rajonin e vendeve turke. Arësyeja duhet kërkuar në faktin se dy orientime të tjera të politikës së jashtme turke qenë përjashtuar: integrimi europian (për arësye të ndryshme) dhe politika e neo – otomanizmit, ku Turqia mbështeste shpresa të mëdha pas nisjes së revoltave në vendet arabe (sidomos pas fillimit të krizës siriane). Por shpresa që më pas nuk janë konkretizuar. Në fakt, idetë e panturkizmit janë bërë realitet në shumë fusha. Përtej integrimit ekonomik, fiton gjithnjë e më shumë formë ideja e unitetit dhe e fatit të përbashkët e popujve turq.

Të gjithë konsiderohen si të detyruar nga një përgjegjësi reciproke. Ilham Aliyev, Presidenti i Azerbajxhanit, ka pohuar se problemi i një shteti turk duhet të bëhet problemi i të gjithë shteteve turke. Veç kësaj, ka ekspozuar idenë e tij (që është edhe ajo e elitës politike të Azerbajxhanit) lidhur me të ardhmen e vende turke: «Ne aspirojmë të forcojmë pavarësinë e Republikës së Azerbajxhanit», por njëkohësisht «objektivi ynë është themelimi i “Turqisë së Madhe” dhe bashkimi i të gjithë turqve nën egjidën e e Turqisë».

Edhe Turkmenistani, që për një kohë të gjatë i është përmbajtur një politike neutraliteti, tani ka filluar të orientohet në kuptimin proturk. Motivet janë të ndryshme: afërsia me Afganistanin, por edhe me Iranin, nuk lë alternativa në kërkimin e aleatëve, edhe pranë atyre vendeve që mund të japin një dorë nga aspekti jo vetëm ekonomik (siç bën gjerësisht Turqia), por edhe ushtarake (36% e të gjitha armatimeve të importuara vijnë nga Turqia, 27% nga Kina dhe 20% nga Rusia). Në vitin 2019, pas seancës së Këshillit të Popujve Turq, Erdogani ka pohuar: «Flasim gjithmonw pwr njw komb nw dy shtete (Turqinë dhe Azerbajxhanin). Dje kam thënë se jemi bërë një komb i vetëm nga 5 shtete. Dashtë Zoti, edhe Turkmenistani do të bashkohet me ne dhe do të bëhemi një komb i vetëm në 6 shtete, duke e forcuar bashkëpunimin tonë në rajon».

 

Konkluzion

Në sintezë, në sintezë mund të pohojmë se megjithëse duket se ka pak të ngjarë perspektiva e një aleance të vërtetë midis shtetve të ndryshme turke, sidomos nën udhëheqjen e Turqisë, aktualisht vërehet një kthesë në kuptimin e vërtetë të fjalës, edhe në pozicionin e vendeve të Azisë Qendrore, lidhur me mundësinë e një bashkëpunimi më të ngushtë me Turqinë dhe midis tyre. Gjenerata e atyre që kanë qeverisur këtë republika si krerë partie po përfundon dhe vendi i tyre merret nga njerëz të hapur ndaj perspektivave që kemi ilustruar më sipër. Fakti që Turqia, pavarësisht fuqisë së saj të njohur ekonomike, është tepër e dobët sa t’ia arrijë e vetme ta bashkojë këtë rajon e bën një bashkëpunim të tillë akoma edhe më tërheqës si alternativë ndaj fuqive të tjera, sidomos Kinës (në Azinë Qendrore shumë kanë frikë se mos përmbyten nga ky vend). Elitat aktuale duan të vendosin raporte multipolare dhe nga ky këndvështrim Turqia përbën një opsion konkret, përkrah Kinës, Rusisë, Europës dhe Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, siç e kemi thënë tashmë, fuqia e vërtetë e Ankarasë qëndron parasëgjithash jo në sektorin ekonoik apo ushtaral, por tek truri, veçanërisht i atyre të rinjve, që të lindur pas rënies së Bashkimit Sovjetik, janë në kërkim të një ideali dhe të një identiteti të ri. Për ta mund të bëhet shumë tërheqëse ideja e një «super – shteti» turk dhe islamik.

(Vladimir Pachkov për La Civilta Cattolica)

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

LEAVE A REPLY