Një intervistë me Charles “Chas” Freeman

Një intervistë me Charles “Chas” Freeman

71
0
NDAJ

Mirëdita zoti Freeman. Ju falenderoj për gadishmërinë që t’u përgjigjeni pyetjeve të mia. Po ju bëj të parën: më 1972 ju ishit pjesë e delegacionit amerikan të Presidentit Nixon që shkonte për herë të parë në Pekin. Cila është rëndësia e kësaj ngjarjeje për vendin tuaj, Republikën Popullore të Kinës dhe të gjithë botën?

Ka ndryshuar me një dorë gjeopolitikisht botën. Në perspektivë ka lehtësuar rivendosjen e pasurisë e të pushtetit të Kinës, ka kontribuar në shembjen e Bashkimit Sovjetik dhe i ka çelur rrugën një rendi të ri ndërkombëtar.

 

Çfarë lloj njerëzish qenë dy presidentët Richard Nixon e Mao Ce Dun dhe çfarë raporti u vendos midis të dyve pas dhënies së dorës njëri tjetrit?

Të dy qenë politikanë që qenë ngjitur në pushtet nëpërmjet manovrash ideologjike, por të dy qenë edhe burrështetas që kishin reflektuar gjatë mbi gjeopolitikën. Takimi midis tyre e ka shtrirë mbrojtjen amerikane ndaj Kinës kundër një Bashkimi Sovjetik grabitqar që kërcënonte të vepronte ndaj Kinës nën “doktrinën Brezhnjev”. Kjo përfaqësonte  njohjen nga ana amerikane e rëndësisë së Kinës në gjeopolitikën globale dhe, nga ana tjetër, njohjen e kineze e dobësisë së saj ndaj një sulmi sovjetik.

 

Padyshim që ky qe një sukses i pabesueshëm diplomatik për të dyja palët. Kjo i detyrohet më shumë kurajës së Nixon, analizës politike të kthjellët të Kissinger apo vullnetit të Republikës Popullore të Kinës për të dalë nga izolimi ndërkombëtar?

Iniciativa qe e Nixon, e mirëpritur pas skepticizmit fillestar nga Kissinger. Ka qenë shumë kontradiktore në Kinë dhe do të ishte sulmuar gjerësisht sikur t’i ishte bërë e njohur elitës politike kineze. Për të njëjtin motiv, Nixon e mbajti sekret në Shtetet e Bashkuara.

 

Sot raportet midis të dy fuqive janë gjithnjë e më të tendosura. A ka diçka në këtë ngjarje historike që mund t’i mësojë diçka atyre që sot i duhet të menaxhojnë një situatë gjithnjë e më të nxehtë?

Mësimi themelor i hapjes së Nixon ndaj Kinës është i rëndësishëm si për vizionin strategjik, ashtu edhe për komunikimin pragamatik edhe me armiqtë e supozuar. Ama rrethanat qenë krejtësisht ndryshe. Në dekadën e shtatë të shekullit të XX, Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë zbuluar një interes të përbashkët në kundërvënien e një armiku të përbashkët të mjaftueshëm që t’u mundësonte atyre të reduktonin pengesën kryesore politike që i ndan: çështjen e Tajvanit. Atëhere, ashtu si edhe sot, Kina e konsideronte Tajvanin në rangun e një bastioni të palës humbëse dhe antikomuniste të mbështetur nga amerikanët në një luftë civile të pezulluar nga ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara, por jo e përfunduar. Sot nuk ekziston një armik i përbashkët i krahasueshëm me Bashkimin Sovjetik. Interesat e përbashkëta e të dyjave palëve janë më pak të natyrshme dhe më shumë abstrakte. Nuk ka asnjë presion strategjik për t’i lënë menjanë divergjencat për arritjen e mirëkuptimit dhe finesa e çështjes së Tajvanit nuk ekziston më.

 

Me që jemi në këtë temë, ju pyes se çfarë roli ka sot diplomacia në botën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe, duke pasur parasysh njohjen tuaj të thellë të kësaj bote, çfarë përkufizimi do t’i jepnit “artit të diplomacisë”?

Diplomacia është menaxhimi i marrëdhënieve ndërkombëtare me masa në mugesë të luftës. Ne ndarjen kino – amerikane të dyja palët aktualisht nuk flasin. Kanë nevojë të rizbuloinë vlerën e komunikimit dhe edukuar dhe të vëmendjes ndaj pikëpamjeve dhe logjikës së tjetrit. Në shumë mënyra, secila po projekton historinë e brendshme mbi tjetrin, përtej kufijve të veta.

 

Kemi folur për Nixon, Mao, Kissinger. A ka udhëheqës sot në gjendje që t’u japin një kthesë historike ngjarjeve? Apo niveli i tyre të thirrur për të drejtuar vendet ka rënë ndjeshëm?

Nëse ka udhëheqës të tillë, nuk është e qartë se kush janë. Por, me plot ndershmëri ndaj skenarit aktual, lidershipit dukshëm mdeiokër të pjesës më të madhe të fuqive të mëdha botërore, është për t’u thënë se në fundin e viteve ’60 nuk ishte e qartë se Nixon apo Mao qenë shtetarët e kalibrit që më pas rezultuan se ishin.

 

Gjatë karrierës tuaj diplomatike keni takuar, ndërvepruar dhe punuar në kontakt të ngushtë me udhëheqës që kanë lënë shenjën gjatë rrjedhës së historisë pakashumë të vonshme. Kujtoni ndokënd me afeksion të veçantë? Keni gjetur karakteristika të përsëritura në njerëzit e fuqishëm?

Henry Kissinger sigurisht që dallohet prej njohjes sl historisë, realizmit dhe aftësisë diplomatike. Ka takuar një homolog të denjë tek Çu En Lai. Në ndryshim nga Kissinger, Çuja ka pasur idenë që të sillej si mentor ndaj një grupi vartësish që të mund të përcillnin stilin dhe substancën e diplomacisë së tij. Të dy njerëzit sot adhuron prej gjenialitetit të tyre, por trashëgimia diplomatike e asnjërit prej të dyve nderohet në praktikë.

 

Koha ndryshon gjithçka, kjo dihet. Si do t’i përkufizonit Shtetet e Bashkuara atëhere krahasuara me ato të sotmet?

Një vend ndryshe në një botë ndryshe. Më 1971 Shtetet e Bashkuara qenë bllokuar në një kontestim ideologjik e  gjeopolitik me Bashkimin Sovjetik, duke nisur të gjenin një strategji rrugëdaljeje nga luftërat në Indokinë, por jo të traumatizuar nga përvoja, me një qeveri që gëzonte besueshmërinë e periudhës së përpara Watergate dhe lidershipin financiar dhe ekonomik të pakundërshtueshëm në botë, të marrë perandorisë sovjetike dhe Kinës. Sot, pavarësisht përpjekjeve amerikane që të gjejnë një bazë ideologjike për konkurrencën me Kinën, kërcënimi i vetëm ndaj demokracisë kushtetuese është i brendshëm dhe vjen nga ata që ndjehen keq prej denigrimit dhe neglizhencës që u bëhet nga ana e elitave politike dhe financiare të vendeve të tyre. Bota është jashtë gold standard dhe abuzimi nga ana e Shteteve të Bashkuara me hegjemoninë e dollarit për t’u vendosur sanksione unilaterale vendeve të tjera po gjeneron një shkallë rezistence ql kërcënon kuazimonopolin e dollarit në marrëveshjet tregëtare. Populli amerikan është copëtuar, copëtuar me copëza të vogla dhe i ndaj në subkomunitete nga rrjetet sociale e nga mediat dhe nuk gëzon më shumë se një konsensus për pjesën më të madhe të asgjëje. Dhe Amerika nuk është më standardi qeverisësë të cilin aspiron pjesa më e madhe e vendeve të tjera.

 

Duke cituar Heraklitin, në një intervistë ju keni thënë se nuk mund të vizitohet e njëjta Kinë dy herë. Çfarë përkufizimi do t’i jepnit Kinës së sotme respektivisht asaj të atëhershmes?

Kur e kam takuar Kinën herën e parë, ajo ishte një vend i prapambetur, gri, i varfër dhe i izoluar. Preokupimi kryesor amerikan lidhur me të ishte dobësia e dukshme e saj ndaj nënshtrimit apo poshtërimit nga ana e Bashkimit Sovjetik. E kam parë Kinën të modernizohet, të shpërthejë në gëzimin e zhurmshëm të jetës, të zëvendësojë varfërinë me pasurinë (përfshi grupin e saj të miliarderëve) dhe të rrisë klasën e mesme më të madhe në numër të botës. Tani Kina është e lidhur – ndoshta më shumë e lidhur – me vende të tjera, si Shtetet e Bashkuara, me një numër të madh studentësh jashtë vendit dhe, derikur pandemia nuk i ka kufizuar udhëtimet ndërkombëtare, klasën turistike më të madhe të saj.

 

Arrijmë kështu në ditët tona. Prej kohësh shumë theksojnë se pandemia e ka ndryshuar përditshmërinë tonë, stilet tona të jetesës dhe marrëdhëniet ndërpersonale. Ky argument do të dukej i vëefshëm edhe për marrëdhëniet ndërkombëtare. Kështu, ju pyes sesi Covid-19 i ka ndryshuar raporte midis shteteve në përgjithësi dhe midis Shteteve të Bashkuara e Kinës në veçanti. E ka ndodhur një ndryshim drastik skenari apo pandemia ka përshpejtuar vetëm procese dhe dinamika të pranishme qysh më parë?

Pandemia do të duhej të stimulonte bashkëpunimin ndërkombëtar për ta kontrolluar dhe luftuar atë. Në të vërtetë është bërë një argument propagande, për pasojë më shumë midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Nuk është ende mbi apo nën kontroll. As bota nuk ka vënë në veprim ndonjë kundërshtim efikas ndaj saj. Deri më tani përfaqëson një dështim të multilateralizmit në vend se një rivendikim të tij.

 

Qendra e gravitetit e botës mos po spostohet drejt lindjes? Do të jetë ky shekulli aziatik siç thekson analisti Parag Khanna?

Historikisht, pjesa më e madhe e aktivitetit ekonomik dhe e pasurisë botërore ndodhej në Kinë, Indi dhe në botën islamike. Bota po kthehet në situatë që ishte përpara se Rilindja europiane dhe Iluminizmi, bashkë me Revolucionin Industrial, t’i mundësonin botës atlantike ta dominonte pjesën tjetër. Fuqitë kryesore të së ardhmes janë në Azinë Lindore e Jugore, pavarësisht se Europa dhe Amerika do të vazhdojnë të ushtrojnë një influencë të konsiderueshme.

 

Në Uashington duken të dëshiruar që ta luftojnë Kinën. Çfarë i shtyn Shtetet e Bashkuara që të duan ta përballojnë Pekinin në atë që duket një ndeshje e destinuar tek humbja? Sa i rëndësishëm është faktori psikologjik i superfuqisë në rënien e qartë e të pamohueshme të kujt nuk dëshiron ta ndajë skenën me një fuqi të re emergjente? Apo janë faktorët ekonomiko – politikë ato që e orientojnë Perëndimin në këtë konkurrencë me Dragoin?

Lufta e Ftohtë dhe momenti unipolar që pasoi e militarizuan politikën e jashtme amerikane. Pozicioni i paracaktuar i Shteteve të Bashkuata është tani që t’u përgjigjen të gjitha sfidave me masa ndëshkuese, kërcënime për përdorim force dhe përplasje ushtarake. Psikologjikisht, Shtetet e Bashkuara kanë vështirësi në përshtatjen me një botë ku për herë të parë në një shekull e gjysëm nuk janë domosdoshmërisht primus inter pares në nivel ndërkombëtar. Ndërkoha dekadenca e demokracisë amerikane, efektet e ngjitjes së një plutokracie në Shtetet e Bashkuara dhe bllokimet politike e lindura nga nja anësi intensive kanë krijuar zhgënjim popullor brenda vendit. Psikologjikisht është më e lehtë dhe politikisht më komode që t’i jepet faji i të këqijave të Amerikës Kinës, Rusisë dhe shteteve të tjera të huaja në vend që të impenjohesh në analizë retrospektive dhe të pranosh përgjegjësinë e gjendjes kombëtare.

 

“Strategjitë politike e administratës amerikane për të përballuar dhe parandaluar hegjemoninë kineze në botë duhet të synojnë mbi bashkëjetesën paqësore midis dy vendeve”. Ky është një prej koncepteve kyçe që Henry Kissinger ka ilustruar në intervistën për të përditshmen gjermane “Die Welt”. Është ende e mundur të rindërtohen raportet Uashington – Pekin mbi bazën e bashkëjetesës paqësore e të bashkëpunimit ose, për të cituar Çezarin, zarat janë hedhur dhe Rubikoni është kaluar, duke shënuar një pikë moskthimi?

Sigurisht që është e mundur, por aktualisht nuk po kërkojmë ta bëjmë. Në një moment të caktuar, mund të jetë shumë vonë.

 

Si sillen të dy vendet në kontekstin global bashkëkohor?

Asnjë prej të dyve nuk po sillet në mënyrë të tillë që të tërheqë konsensus. Të dy janë të vrazhdë dhe jocivilë. As nuk po praktikojnë ndonjë diplomaci të prirur që të kandisin qeveritë dhe opinionet publike të huaja për drejtësinë e pozicioneve të tyre lidhur me çshtjet ndërkombëtare, kështu që të dy po i anashkalojnë partnerët dhe miqtë e mëparshëm. As nuk po kërkojnë ta udhëheqin botën në përballimin e sfidave planetare.

 

Perëndimi shikon tej të tjerët fajet e tij dhe, për këtë, i frikësohet ngjitjes së fuqishme kineze pasi shesh tek ajo një dëshirë për një hegjemoni globale. Në realitet Pekini nuk e ka shprehur kurrë një dëshirë të tillë, Kina nuk ka provuar kurrë të kolonizojë pjesën tjetër të botës. Kina duket se dëshiron të rifitojë vendin që i takon në një botë që do ta donte me një fat të përbashkët. Jeni dakord me këtë pohim?

Ka një tendencë të fortë ndaj “mirror imaging” si në Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe në Kinë. Secila duket se imagjinon që tjetri arësyeton siç sillet ajo. Shtetet e Bashkuara kalohen nga Kina prej primatit global dhe rajonal, por spostimi nuk është i njëjtë me zëvendësimin. Pjesa më e madhe e vendeve nuk dëshiron që të jetë e nënshtruar as nga Shtetet e Bashkuara, as nga Kina. Nuk ekzistojnë prova që Kina synon t’i nënshtrojë, edhe pse ka ngritur dyshime lidhur me trajtimin e saj prepotent ndaj vendeve si Koreja e Jugut dhe Australia. Kina na ka treguar qasje prej lidershipi botëror. Nuk pres që Kina t’i pasojë Shtetet e Bahskuara si hegjemon global.

 

Sipas jush, cilat janë arësyet kryesore e ngjitjes së fuqishme të Kinës dhe derë në çfarë piket Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të shtyhen për të kërkuar që ta frenojnë ekspansionin e saj?

Kina po rikuperon pasurinë, pushtetin dhe prestigjin që imperializmi europian, japonez dhe amerikan më parë ja kishin privuar. Shtetet e Bashkuara nuk mund ta pengojnë, por po kërkojnë me budallallëk që ta bëjnë në vend që të përqëndrohen mbi përmirësimin e kompetivitetit të vet.

 

Ndryshimi i administratës në Shtëpinë e Bardhë duket se nuk ka sjellë ndryshime substanciale në qëndrimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Kinës. Mbi çfarë bazash mbështetet startegjia efektive e Uashingtonit?

Uashingtoni ka qëndrim, nuk ka strategji. Qëndrimi është një konsensus kombëtar që i tejkalon përkatësitë partiake.

 

Nga ana tjetër, cilat janë shtyllat e strategjisë kineze ndaj Uashingtonit?

Të refuzojë ndryshimin e regjimit, të ruajë qetësinë e brendshme, të vazhdojë të rivendosë pasurinë dhe pushtetin e Kinës, të largojë kërcimin ushtarak amerikan aktiv nga periferia e saj, të prishë varësitë nga Shtetet e Bashkuara që e bëjnë Kinën të prekshme, të ndërtojë një botë multipolare në të cilën asnjë shtet nuk mund të kërcënojë aspektin ideologjik apo të diktojë rendin politik e çdo shteti tjetër.

 

E shikoni Biden njeriun e duhur për të udhëhequr vendin – dhe botën perëndimore – në këtë pasazh historik të vështirë?

Opinionet e Biden janë formësuar në një epokë të kaluar. Është një restaurues, jo novator. Është një korrektiv i dobishëm për Trump, por, me mënyrën e tij përkushtohet për ta bërë sërish të madhe Amerikën, kësaj radhe referuar gjendjes së saj të kaluar. Vartësit kryesorë të Biden nuk janë mendimtarë strategjikë, kanë një përvojë të kufizuar në artin e shtetit dhe nuk duket se i kanë kuptuar e asimiluar krejtësisht shkallën me të cilën bota dhe vendi i Amerikës në të kanë ndryshuar. Dyshoj se Biden do të shihet në kohë si një figurë tranzicioni, jo si një rimodelues apo restaurues i rendit botëror.

 

Çfarë thoni për? Shikoni tek ai personalitetin e duhur për ta udhëhequr Kinën drejt rolit të saj të ri në botë?

Xi është tepër i zënë me kontrollin e Kinës në nivel kombëtar për ta bërë. Do ta pasojë në kohë, siç do të jetë edhe për Biden, një gjeneratë e re me ide të ndryshme dhe ndoshta më efikase lidhur me çështjet e jashtme e të brendshme.

 

Në samitin e fundit vjetor të NATO në Bruksel, Kina ka hyrë për herë të parë në listën e “rreziqeve” për sogurinë bashkë me Rusinë e Putinit. Kina përbë një kërcënim real apo është vetëm një spektër mendor për Perëndimin?

Perëndimi dhe Kina janë në garë për të parë se kush mund t’u ofrojë begati, siguri dhe qetësi të brendshme popujve të tyre. Kjo sfidë nuk mund dhe nuk duhet të përcaktohet nga strategji apo orientime ushtarake, por duhet të vendoset sesa mirë palë të ndryshme ja kalojnë ekonomikisht, teknologjikisht dhe kulturalisht. Politikisht është tërheqëse të thjeshtohet gjithçka në nivelin e një gare midis demokracisë dhe autoritarizmit, por ky është një konstrukt fals. Rezultati do të përcaktohet nga performanca, jo nga qëndrime apo demonstrime force ushtarake, aq më pak nga diatriba ideologjike.

 

Në një intervistë keni theksuar se difekti më i madh i kinezëve për sytë e perëndimorëve është se vazhdojnë të jenë kokëfortësisht kinezë. Çfarë ka që nuk arrin të kuptojë Perëndimi nga Kina? Cili është gabimi më i madh që po bëjmë?

Perëndimi ka shpikur idenë e sovranitetit kombëtar dhe e ka sanksionuar në Paqen e Westfalia. Në një farë mënyre tani po e kundërshtojmë këtë trashëgimi, ashtu si edhe nocionin e një shteti të së drejtës ndërkombëtare të qeverisur nga konsensusi midis shteteve sovrane njëlloj të barabarta. Kina nuk këmbëngul mbi faktin që dikush jashtë ta imitojë sistemin e saj. Kjo është sa realiste, aq edhe e urtë. Është si jorealiste, aq edhe idiote për ne të imagjinojmë se mund t’ia imponojmë Kinës kulturën tonë politike të preferuar. Kina mund të modernizohet, por nuk do të reshtë së qeni kineze më shumë sesa vende të tjera që pasi janë modernizuar kanë reshtur së qëndruari besnikë esencave të tyre kombëtare.

 

Për sa i përket mentalitetit të Luftës së Ftohtë, a është ende i pranishëm ai në elitën politiko – ushtarake? Duke pranuar dhe duke mos lejuar se po përjetojmë një luftë të ftohtë të re, me çfarë armësh do të luftohet?

Kjo nuk është një Luftë e Ftohtë e re, pavarësisht përpjekjes së Shteteve të Bashkuara për ta paraqitur si të tillë. Bota nuk është e ndarë as në mënyrë domethënëse midis ideologjishë, as nuk është e ndarë në blloqe shtetesh konkurrues. Ideja se bota mund të kuptohet dhe të organizohet në terma “rivaliteti midis fuqishë të mëdha” i mohon vendeve të rangut të mesëm dhe atyre më të vegjël çdo rol në përcaktimin e fatit të tyre apo në plazmimin e rendit botëror. Kjo nuk është një ide shumë tërheqëse përtej politikës së brendshme amerikane. Ideja se ka një luftë të madhe manikease midis demokracisë dhe autoritarizmit presupozon se autoritarët ndajnë një ideologji. Në të vërtetë janë universalisht të preokupuar vetëm me ruajtjen e pushtetit dhe nuk shikohen si pjesëmarrës në një sistem vlerash. Demokracitë janë në vështirësi, por vështirësitë janë bërë në shtëpi. Kjo është një situatë e re. Sfidat që paraqet janë reale, por kërkojnë një vizion dhe strategji të re. Zbatimi i arësyetimit të Luftës së Ftohtë siç bëjnë shumë, është një recetë për parëndësinë dhe/ose dështimin.

 

Kohët e fundit kjo qendër studimore është marrë me Ksiniangun. Çfarë fshehin akuzat e Uashingtonit për genocid të popullit ujgur kundër Pekini, çfarë objektivash?

Nuk besoj se kanë ndonjë objektiv koherent përveç atij të marrjes së një poze morale dhe hipokrite. Kina ka paguar një çmim reputacioni por politikat e saj të gabuara në Ksiniang. Nëqoftëse i hiqet fushatës amerikane për të shpifur ndaj Kinës, ky çmim reputacioni mund t’i shtyjë kinezët për ta modifikuar sjelljen e tyre. Sanksionet dhe denoncimet e ekzagjeruara të Uashingtonit bëjnë që Kina t’u rezistojë ndryshimeve politike të dëshiruara nga frika se mos duket që po u cedon presioneve të huaja, ndërsa duke i privuar këtë masa pretendohet të zëvendësohen mjetet e tyre të ekzistencës dhe dë diskreditojnë shkaqet e tyre duke pretenduar që ta bëjnë pjesë të luftës së gjerë antikineze të politikës amerikane.

 

Për çfarë flet Pekini kur flitet për Ksiniangun dhe për çfarë flet Uashingtoni – për pasojë, aleatët e tij – kur i referohen këtij rajoni të Kinës?

Kina është e shqetësuar për terrorizmin islamist. Pavarësisht fushatës së tyre kundërprodhuese kundër një terrorizmi të tillë, Shtetet e Bashkuara nuk do ta njohin preokupimin kinez. Politikat e Kinës janë brutale aq sa nuk ka të ngjarë të funksionojnë, por të dyja palët po flasin lidhur me të, por asnjë prej palëve nuk është e interesuar për opinionet e tjetrës.

 

Tibet, Hong Kong, Ksiniang. Tre gurë në strategjinë e frenimit, rrethimit dhe destabilizimit të përdorur nga forcat perëndimore kundër Pekinit? Më falni për brutalitetin e pyetjes, por deri në çfarë pike Perëndimi është i përfshirë drejtpërsëdrejti në fushë në këto veprime?

Jo edhe aq. Aktivistët e Hong Kongut janë bërë një turmë pa udhëheqës që nuk ka ndonjë axhendë koherente lidhur me “dy sisteme”, por po sulmojnë aktivisht “një Kinë“. Këshilli Legjislativ i Hong Kongut nuk ka qenë në gjendje të miratojë legjislacionin lidhur me sigurinë kombëtare si kërkohet nga Ligji Themelor. Së fundi, Kina është shtyrë në veprimin e drejtpërdrejtë, me rezultate tragjike por liritë politike e popullit të Hong Kongut. Megjithatë, nënvizoj se nuk ka pasur kurrë “demokraci” në Hong Kong. Ajo që është shkatlrruar nuk ka qenë kurrë demokraci, por perspektiva dhe mundësia më e mirë për të. Në Tibet e në Ksiniang, ashtu si në Hong Kong, mbështetja e huaj e mirësynuar ka inkurajuar nivele disidence dhe rezistence ndaj dominimit kinez që nuk mund të kenë sukses apo të mbështeten. Të mendohet këtu për inkurajimi perëndimor ndaj hungarezëve dhe çekëve për t’u rebeluar kundër kontrollit sovjetik. Këto qenë shtytje ekonomike që kanë përfunduar keq. Askush nuk do të hyjë në luftë apo do të ndërmarrë veprime efikase për të mbështetur vetëvendosjen apo shkëputjen nga Kina e Ksiniangut, Tibetit apo Hong Kongut. Nxitja e banorëve të tyre që të presin një mbështetje të tillë është moralisht e pështirë.

 

Duke qenë se kemi bërë një digresion të vogël lidhur me Ksiniangun, po ju pyes se çfarë mundësishë i ofron botës Belt and Road Initiative e lançuar nga Xi Jinping.

Konektiviteti nuk lshtë mjeti ekskluziv i një vendi për të bërë tregëti, të lehtësojë zhvillimin apo të krijojë influencë. Një rrugë ose një port mund të përdoren nga kushdo që vendi mikpritës dëshiron apo lejon. Belt and Road Initiative drejtohet bilateralisht nga qeveri, kompani dhe individë në Kinë dhe pjesëmarrës të tjerë, jo vetëm në Kinë. Duhet mirëpritur, nuk i duhet pasur frikë. Nëse Perëndimi është i preokupuar se mos konektiviteti fiton një influencë të tepruar në vendet pjesëmarrëse për Kinën, ai duhet të konkurrojë që të fitojë influencë për vetëveten, mos të kërkojë të pengojë projekte që vende të tjera i gjejnë të dobishme dhe për të cilët Kina është e gatshme t’i bashkohet në planifikim, në financim dhe në ekzekutim.

 

Sipas vizionit dhe përvojës tuaj, në perspektivë bota do të dominohet nga një fuqi hegjemone, do të jetë bipolare apo multipolare? Kurse në të ardhmen e afërt cili do të jetë roli i Rusisë dhe i Bashkimit Europian?

Nuk besoj se në të ardhmen do të ketë një rend botëror të vetëm, por një multidimensionlizim multipolar. Shtetet mund të kenë marrëdhënie politike të pakëta, por lidhje ekonomike të forta. Mund të kenë marrëdhënie ushtarake që plotësojnë interesa të përbashkëta, por mund të jenë rivalë teknologjikisht ose diçka e tillë etj., etj. Në disa dimensione, një vend mund të jetë i shquar; në disa të tjera, një vend tjetër. Parashikoj një sistem ku shumë aktorë do të kenë aftësi manovruese, bashkëpunuese dhe konkurruese. Themelet e forcës ruse po dobësohen, por Moska po demonstron se është një aktor diplomatik dinak në kontekstin e ri. Europa do të duhej të bashkohej, por është gjithnjë e më e shpartalluar. Vetëm europianët mund të vendosin karakteristikat dhe dimensionet e rolit të ardhshëm të tyre.

 

Po ju bëj pyetjen e fundit. Sa është i rëndësishëm studimi i gjeopolitikës klasike (me të dgjitha devijimet dhe evolucionet e saj) për të kuptuar dinamikat komplekse e kësaj bote të ndërlidhur?

Shumë i rëndësishëm. Po kthehemi në një bote me marrëdhënie ndërkombëtare fluide që nuk shikoheshin qysh nga epoka e raporteve klasike tl forcës në Europën e shekullit të XIX. Do të kemi nevojë të rifitojmë zhdërvjelltësinë diplomatike dhe aftësitë e burrështetasve të mëdhej të asaj epoke.

(Charles “Chas” Freeman ishte një prej anëtarëve të delegacionit amerikan që vizitoi për herën e parë Repzublikën Popullore të Kinës. Ishte viti 1972, një jetë më parë. Njohës ekspert i Kinës dhe i artit të diplomacisë e dinamikave të vendit të tij, i është përgjigjur pyetjeve lidhur me marrëdhëniet aktuale midis Uashingtonit dhe Pekinit, por jo vetëm).

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

LEAVE A REPLY