Liberalizmi sfidon pasione të tërbuara

Liberalizmi sfidon pasione të tërbuara

105
0
NDAJ

Një revistë dhe një fondacion: LeonWieseltier provon të rilançojë kështu në Shtetet e Bashkuara mendimin e qendrës së majtë. «Progresistët kanë ide ekstreme mbi punët e jashtme dhe kapitalizmin, kështu që nuk do të mund kurrë të fitojnë një zgjedhje presidenciale».

 

Me fondacionin dhe revistën tremujore të tij «Liberties» (që e quan «libër» pasi çdo kopje numëron 350 faqe) të krijuar në vitin 2020 në një «shtëpi të karrocave» të vjetër në Uashington falë fondeve të një miku filantrop, Leon Wieseltier dëshiron të shpëtojë liberalizmin. Në moshën 70 vjeçare, është një rikthim. Nxënës i filozofit Isiah Berlin dhe i kritikut letrar Lionel Trilling, Wieseltier ka qenë në ekzil për tre vjet nga bota e kulturës: i pushuar nga puna prej Brookings Institution, nga revistat «Atlantic» dhe «New Republic», ka parë t’i shembet një projekt i ngjashëm me këtë aktualin (quhej «Ideja») i financuar nga vejusha e Steve Jobs. Pas akuzave për komente të papërshtatshme dhe, në një rast, për një puthje jo të dëshiruar, për të cilën kërkoi falje, vetëm tre mike qëndruan vendosmërisht nga ana e tij. Ajë që inkurajoi takimin tonë ka qenë Maureen Dowd, editorialiste e «New York Times»: «Duhet të flasësh me Leon Wieseltier». Sot klima ka ndryshuar, disa tepri të #Me-Too njihen nga shumë palë. Për «Liberties», veç të tjerëve, kanë shkruar Martha Nussbaum, Louise Glück, Michael Walzer, Maria Stepanova, Paul Berman, Bernard-Henri Levy, Cass Sunstein, Roberto Calasso. «Eksperimenti i kundërkulturës» po ka sukses, shpjegon ai: shtyp 5000 kopje, por mund t’u dërgojë edhe një link abonentëve; ka vetëm tre punonjës, por një më shumë se dje. «Sa do të ketë shitur Kohë e tashme e Ignazio Silone? Nuk e bëjmë për paratë». Wieseltier dëshiron të ringjallë një debat të vërtetë mbi tema të anashkaluar në shpejtësinë e breaking news dhe në obsesionin për personazhe si Elon Musk («i keqi i James Bond në jetën reale») dhe dëshiron «të mbrojë disiplinat humanistike që po vdesin në Amerikë: dikur si liberalë, ashtu edhe konservatorë e dinin se kishte një limit ndaj politikës, që as nuk mund t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve, as të ushqejë shpirtin; shërbejnë artet, religjioni, filozofia, historia, por sot këtë disiplina janë nën sulmin e komisarëve progresistë, që këmbëngulin mbi pastërtinë ekskluzive e interpretimeve të tyre, apo janë të shtypura nga rrethanat ekonomike dhe nga eksitimi teknologjik i ardhshëm».

 

Objektivi juaj është të shpëtohet liberalizmi. Në çfarë kuptimi?

«Rehabilitimi i reputacionit të liberalizmit, që në historinë e tij ka bërë gabime dhe ka kryer krime, por jo kaq të shumta sa alternativat e liberalizmit. Jam një lloj liberali radikal, gjë që do të thotë se nuk jam i interesuar as për progresistët, as natyrisht për fashistët. Në një epokë ku të gjitha parimet tona duken në lojë dhe kontestohen, si edhe ka një kaos të madh intelektual, liberalizmi është akoma sot zgjidhja më e mirë ndaj problemeve tona sociale dhe ekonomike».

 

Çfarë mendoni për Rrugën e Tretë?

«Nuk më pëlqen metafora, e bën liberalizimin të duket në mesin e rrugës midis të majtës dhe të djathtës, një kompromis, gjë që nuk është. Është qendër e majtë, edhe pse me këto metafora hapësinore askush nuk e di se ku i kanë kufijtë».

 

Si e përkufizoni liberalizmin?

«Nga një pikëpamje filozofike është ideja se jetojmë në shumë botë dhe asnjëra prej tyre nuk mund të katandiset tek tjetra: përgjigjet ndaj të gjitha pyetjeve nuk janë ekonomike apo fetare, pyetjet ekonomike kanë përgjigje ekonomike e kështu me radhë. Jemi pluralistë, nuk besojmë se e gjitha kjo reduktohet në një gjë të vetme: një mënyrë absolutiste e mendimit të jetës. Një prej parimeve tona bazë është mossinkronizimi i kulturës me politikën, atë që sot njihet si wokeness, as e politikës me kulturën dhe besojmë në përhapjen e lirisë, nuk besojmë se është gjithmonë imperializëm i maskuar, përveç se kur është. Natyrisht që ka situata të dyfishta: çdo lëvizje autoritare apo totalitare në shekullin e XX përdorte fjalën “demokratike”, “çlirim” apo “liri” dhe unë ia dhashë mbështetjen time luftës në Irak, duke e hequr kur doli se nuk kishte armë të shkatërrimit në masë… Por liberalizmi beson në mundësinë e një lirie njerëzore të vërtetë».

 

Nganjëherë fjala «liberal» përdoret për të përcaktuar progresistët.

«Ka një konfuzion terminologjik, por nuk janë e njëjta gjë. Termi “progresist” e ka origjinën e tij në periudhën e Theodore Roosevelt, kur ka lindur pjesë e mirë e liberalizmit në Amerikë; por duke filluar nga vitet ’30 progresistët qenë simpatizantë të Bashkimit Sovjetik. Përtej historisë së fjalës, ka diferenca domethënëse. Le të marrim politikën e jashtme: për progresistët, përdorimi i pushtetit amerikan jashtë vendit është imperializëm (Ukraina i ka vënë në siklet, nuk dinë se çfarë të bëjnë: parimet e tyre thonë që t’i tregojnë solidaritet Kievit, por kjo nënkupton të mbështetet mbështetja ushtarake amerikane, domethënë ajo që urrejnë më shumë); për një liberal mund të jetë në fakt një e mirë, mund të jetë e justifikuar, të gjesh aleatë dhe të jeshë në realitet zgjidhja e vetme për një problem historik, edhe pse nganjëherë mund të ketë finalitete pushteti. Në ekonomi: për progresistët, kapitalizmi është në thelbin e tij një motor pabarazie, një sistem mizor ku duhet t’i kundërvihesh për të krijuar një alternativë; për liberalët, kapitalizmi është sistemi ekonomik më mirë dhe më i lulëzuar që deri më tani është zhvilluar, edhe pse tepritë e tij duhet të frenohen. Nuk besojnë se tregu i lirë është i shenjtë, por se duhet të rregullohet nga politika. Për sa u përket të drejtave dhe lirive civile: për liberalët janë të bazuar mbi vlera universale dhe u zbatohen të gjithëve; për progresistët sot janë të bazuar mbi celebrimin e identiteteve të veçanta. Veç kësaj, progresistët i urrejnë liberalët më shumë nga sa urrejnë konservatorët: është loja më e vjetër e botës. Megjithatë mbi disa tema, si asistenca shëndetësore, unë e shoh si progresistët dhe në fund të gjithë kemi votuar për Biden».

 

Biden përfaqëson liberalizmin tek i cili ju besoni? Është edhe një model në krizë?

«Po, Biden është ky liberalizëm. Është nën sulm, deligjitimohet nga e majta dhe nga e djathta. Ama e majta progresiste nuk mund ta fitojë një zgjedhje presidenciale, gjithçka mund të bëjë është të dëmtojë Partinë Demokrate, të dobësojë forcat e qendrës së majtë, forcat liberale. Duhet rivitalizuar liberalizmi, duke e bërë seksi, dhe Biden, i varfëri njeri, nuk mund të bëjë asgjë seksi. Por në këtë moment problemi është se gjithçka është konfuze, njerëzit krijojnë një opinion duke lexuar celularin, janë postliberalët nga e djatha dhe nga e majta që i vjedhin idetë reciprokisht, askush nuk e kupton identitetin politik të tjetrit dhe është ky populizmi, që në realitet unë do ta quaja emocionalizëm, pasi populizmi në politikë nuk është gjë tjetër veçse besim tek supremacia e emocionit dhe në veçanti e një emocioni: zemërimit».

 

Kriza e së majtës është e lidhur me humbjen e votës së punëtorëve.

«Tribunët e majtë janë gjithmonë të shokuar kur humbasin votën popullore: marksistët ja vinin fajin vetëdijes false. Ama progresistët bëjnë gjëra që i dëmtojnë punëtorët, siç kur Alexandria Ocasio-Cortez ka shmangur që Amazon të hapte një seli të dytë qendrore në distriktin e saj: çfarëdo që ti të mendosh për Amazon (dhe unë sigurisht që nuk mendoj mirë), fakti është se 25000 vende pune do të shkojnë tjetërkund. Kush i përfaqëson më mirë interesat e të varfërve? Jo fashistët, por shtiret dhe veprojmë sikur të kishin diçka për të ofruar».

 

Çfarë mendoni për mënyrën ses politika e përballon emigracionin në Europë?

«Europa është një udhëkryq historik përjeton një krizë të pashmangshme të nocionit të vjetër europian të shtetit komb në një epokë migrimesh globale masive. Ishte një model ku kufijtë politikë, etnikë dhe fetarë përkonin në një kontinent të formuar nga shtete homogjenë. Natyrisht që kjo nuk ndodh kurrë; prandaj, për ta kuptuar heterogjenitetin e brendshëm, ishte zhvilluar një gjë e quajtur “problem i pakicave”, por sot numrat e emigracionit janë të tilla që vendet europiane janë vetëm dy alternativa të mundshme: njëra është ripërkufizimi i kombeve si multietnike, tjetra ësht fashizmi».

(nga La Lettura)

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

LEAVE A REPLY