Kriza karaibike

Kriza karaibike

67
0
NDAJ

Më 7 korrik një komando mercenarësh ka sulmuar rezidencën e presidentit haitian Jovenel Moïse. Duke ju referuar deklaratave të disa prej personazheve të përfshirë në sulm (lidhur me të cilin mbesin ende jo pak anë të errëta, sidomos në termat e të çarave në sistemin e sigurisë, duke parë se çuditërisht asnjë anëtar i Gardës Presidenciale nuk ka mbetur i plagosur në luftime), objektivi fillestar duket se ka qenë rrëmbimi i presidentit. Në fakt operacioni ka përfunduar me vrasjen e tij dhe plagosjen e gruas së tij.

Në orët menjëherë pas sulmit, policia haitiane ka theksuar se truri i operacionit duket se ka qenë ai e pastorit evangjelist Christian Emmanuel Sanon, i lindur në Haiti, por banor prej disa dekadash në Florida. Sipas disa deklarimeve të përcjella nga “New York Times”, ky person ka pohuar se është udhëzuar nga Zoti (dhe nga Shtetet e Bashkuara) për ta zëvendësuar Moïse dhe për ta ndryshuar vendin e tij, duke filluar me zëvendësimin e frëngjishtes me anglishten.

Me këtë qëllim të përcaktuar, Sanon duket se ka rekrutuar një grup mercenarësh nëpërmjet kompanisë CTU Security, që e ka bazën e saj në Florida dhe menaxhohet nga “refugjati” venezuelian Antonio Emmanuel Intriago Valera. Komandoja duket e përbërë nga 28 njerëz: 26 kolumbianë (në pjesën më të madhe ish ushtarë) dhe 2 amerikanë me origjinë haitiane. Shumë prej këtyre njerëzve, me pranimin e vetë Departamentit të Mbrojtjes, do të stërviteshin në Shtetet e Bashkuara, ndërsa qenë ende pjesë e ushtrisë kolumbiane. Veç kësaj, disa prej tyre duken të lidhur me fill të dyfishtë me DEA dhe FBI.

Pas vrasjes së presidentit në fuqi, pjesë e komandos duket sa ka penetruar brenda perimetrit të ambasadës së Tajvanit, ku policia do të arrestonte të paktën 11 prej tyre. Edhe në këtë rast, nuk kuptohet me saktësi sesi mercenarët kanë arritur të shkojnë në afërsi të ambasadës dhe të penetrojnë brenda saj pa vështirësi të veçanta. Megjithatë Joanne Ou, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme tajvaneze, ka lënë të kuptohet se personeli diplomatik ka lajmëruar menjëherë policinë në momentin ku anëtarët e komandos kanë hyrë brenda perimetrit. Mbetet për t’u kuptuar se për çfarë motivi mercenarët kanë zgjedhur të kërkojnë të strehohen pikërisht në këtë vend.

Lidhur me këtë, është mirë të kujtohet se Haiti është njëri prej 17 vendeve që ka marrëdhënie diplomatike pikërisht me Tajvanin. Roli i atij që Pekini e përkufizon si “provincë separatiste” nuk është aspak për t’u nënvlerësuar në rastin haitian. Siç dihet, forcimi i bashkëpunimit tregëtar midis Shteteve të Bashkuara dhe Tajvanit ka qenë kali i betejës i muajve të fundit të administratës Trump. Kurt M. Campbell, Këshilltari për Strategjinë në Rajonin e Indo – Paqësorit, i zgjedhur nga presidenti i ri Joseph R. Biden (ish teoricieni i Pivot to Asia obamian), ka theksuar nevojën e ndjekjes së të njëjtit drejtim të treguar shumë herë nga Mike Pompeo.

Separatistët e Tajvanit kanë edhe një histori bashkëpunimi të ngushtë me sekton e njohur me emrin Falun Gong, nga ana e tij i lidhur me fill të dyfishtë me evangjelistët amerikanë dhe me grupin QAnon.

Këtu nuk do të hyjmë në meritën e akuzave për korrupsion dhe menaxhim të pasurisë publike të bëra presidentit të ndjerë haitian. Ajo që ka interes për qëllimet e kësaj analize është të konstatohet fakti që duke filluar nga 2018 në mjetet e informimit shfaqen artikuj të shumtë që i referohen pakashumë drejtpërsëdrejti qeverisë së Tajvanit ku formulohet hipoteza se Republika Popullore e Kinës kërkon që të tërheqë aleatët e “provincës separatiste”, duke ju garantuar atyre hua pa interes. Përveç shembullit të vendeve si Burkina Faso, El Salvadori dhe Republika Dominikane (që i kanë prishur kohët e fundit marrëdhëniet diplomatike me Tajvanin në favor të Pekinit), në këto artikuj i referohet qartazi Haitit. Pakashumë në të njëjtën periudhë, gazeta properëndimore “South China Morning Post” avancoi hipotezën se presidenti Moïse (në detyrë nga 2017), ishte interesuar për projektet e Rrugës së Re të Mëndafshit, ndoshta i gatshëm për përmbysjen e vrullshme të qasjes tradicionale diplomaitke haitiane kundrejt Tajvanit.

Në këtë pikë, nuk duhet të habisë faktin që vetëm disa ditë më parë anëtarë të ndryshëm të Kongresit amerikan e kanë akuzuar hapur Kinën se ndërhyn në politikën e brendshme të Haitit, duke mbështetur gjithashtu se një ndërhyrje e tillë po përhapet me shpejtësi në të gjithë basenin karaibik.

Pavarësisht nga hipokrizia e zakonshme e kujt operon ushtarakisht në detet e të tjerëve, por pretendon kontroll absolut mbi zonat e afërta me brigjet e tyre, një perspektivë e tillë në terma gjeopolitikë nuk ka sesi të mos konsiderohet nga Shtetet e Bashkuara si një kërcënim thelbësor. Në fakt, qysh nga kohërat e Doktrinës Monroe dhe të teorive të admiralit  Alfred T. Mahan lidhur me influencën e fuqisë detare në histori, baseni karaibik, bashkë me Gjirin e Meksikës, konsiderohet nga strategët amerikanë si “Mesdheu i Shteteve të Bashkuara”: një hapësirë detare ku asnjë kërcënim ndaj hegjemonisë amerikane nuk mund të tolerohet (asnjë fuqi tjetër nuk mund të operojë pa u ndëshkuar brenda saj). Shembujt më të qartë të një supozimi të tillë kanë qenë kriza e raketave të Kubës e viteve ’60 dhe tentativa e dështuar e pushtimit në Gjirin e Derrave (edhe atëhere nëpërmjet një ndërthurjeje midis shëribmeve sekrete, “disidentëve” dhe grupeve të krimit të organizuar me bazë në Florida). Një shembull më i vonshëm është në fakt i hasur në tentativën për të vendosur një bllokim detar ndaj Venezuelës bolivariane.

E formuluar në vitin 1823, Doktrina Monroe meriton në thellim të shpejtë, pasi shpesh lshtë objekt keqkuptimesh të qarta. Ajo që historikisht konsiderohet një manifestim i izolacionizmit amerikan, në realitet paraqitet si formulimi i parë programatik i imperializmit amerikan, sidomos në momentin ku nga doktrinë e zbatueshme në një “hapësirë të madhe” gjeografikisht të përkufizuar, me Woodrow Wilson u bë parim universalist i vlefshëm për botën në tërësinë e saj. Sot pozicioni izolacionist mbështetet sidomos nga kush mendon për një forcim të brendshëm si kusht dhe premisë e domosdoshme për një projektim të ri të jashtëm të forcës. Për shembull, kjo është ajo që ka kërkuar të bëjë trumpizmi duke mashtruar edhe disa naivë (shpresohet) euraziatistë që pikërisht me të kanë kërkuar të ndërtojnë një aleancë taktike.

Pavarësisht retorikës së “America is back”, një strategji e tillë është e njëjta që po kërkon të ndjekë (megjithëse me parrulla të ndryshme) administrata Biden. Faktikisht, objektivi është ai i rindërtimit të një kohezioni social të brendshëm dhe i një “normalizimi” të “bahçes” në pritje të një konfrontimi të afërt dhe ndoshta vendimtar me forcat e Eurazisë, për të shmangur atë që megjithatë duket një evolucion i pashmangshëm të rendit global drejt multipolarizmit.

Preokupimi për normalizimin e “bahçes” e ka dalluar gjerësisht epokën Trump. Faktikisht ky proces konsiderohej nga administrata e mëparshme si më pak i kushtueshëm respektivisht operacioneve ekstrakontinentale. Veç kësaj, suksesi në tentativat e destabilizimit të realiteteve më shumë armiqësore ndaj Shteteve të Bashkuara në rajon (Kuba, Nikaragua dhe Venezuela në radhë të parë), konsiderohej i dobishëm në funksion të fushatës elektorale të 2020. Kjo qasje, në linjë me vijueshmërinë e zakonshme gjeopolitike midis administratave amerikane, është trashëguar nga trishtueshmërisht e njohura Doktrinë Cebrowski – Rumsfeld, e prirur që t’i eliminojë të gjitha këto entitete shtetërore jo të nënshtruara drejtpërsëdrejti ndaj hegjemonisë amerikane në dy zona të mirëpërcaktuara: Lindjen e Afërt e të Mesme, Deti i Karaibeve.

Mbi bazën e këtyre premisave, në vitin 2018 admirali Kurt W. Tidd përpunoi një doktrinë të saktë për destabilizimin e Venezuelës (“diktaturë majtoide që infekton të gjithë rajonin”) të ndërtuar mbi disa pika të caktuara: rëndimin e pakënaqësisë popullore nëpërmjet rritjes së çmimeve dhe mungesës së mallrave të dorës së parë (ushqim dhe barna); favorizim dhe rritje të paqëndrueshmërisë së brendshme. Një strategji e ngjashme është njëjta e përdorur për disa dekada, nëpërmjet embargos ekonomike, ndaj Kubës, e cila sot ndodhet në qendër të një tentative të re destabilizuese.

Rasti kubanez është tejet kompleks dhe në këtë kontekst nuk duhen mohuar se ekzistojnë disa faktorë kritikë brenda sistemit të ishullit. Megjithatë ajo që ka qenë strategjia amerikane ndaj Kubës, e rinovuar më tej me mbi 200 masa të reja shtrënguese të vendosura nga administrata Trump, mund të përmblidhet për bukuri me fjaët e diplomatit amerikan Lester Mallory, të shprehura qysh në vitet ’60 e shekullit të kaluar: “E vetmja mënyrë për t’ia hequr mbështetjen e brendshme (Fidelit dhe revolucionit) është nëpërmjet zemërimit dhe pakënaqësisë popullore që lindin nga situata e keqe ekonomike […] Duhet të përdorim me shpejtësi të gjithë mjetet e mundshme për ta dëmtuar jetën ekonomike të Kubës […] një linjë veprimi, që duke qenë më e afta dhe më diskretja e mundshme, siguron avantazhet më të mëdha falë privimit nga paraja për mbështetjen e rrogave reale, shkakton uri, dëshpërim dhe rënien e mundshme të qeverisë”.

Megjithëse është mbështetur shumë herë teza se Covid-19, pavarësisht origjinës së tij, gjithësesi mund të përdoret si armë (edhe thjesht në terma propagande). Në fakt, protestat kubaneze kanë lindur në vijim të një rritjeje të shpejtë (dhe mjaft të dyshimtë) të numrit të rasteve në ishull. Një risi thelbësore, po të kihet parasysh se Kuba gjatë gjithë vitit të parë të pandemisë ka arritur t’i mbajë nën kontroll infektime e vdekje dhe deri të zhvillojë dy vaksina (Soberana 02 dhe Abdala) që duket se kanë një efikasitet të konsiderueshëm ndaj virusit.

Përveç gjeopolitikës vaksinore (“Perëndimi” me drejtim amerikan, tokë e konkurrencës kapitaliste, nuk pranon konkurrentë në një moment historik ku është e nevojshme të rikompaktësohen radhët), nuk duhet anashkaluar fakti që në majin e këtij viti, në vazhdën e planit të përbashkët të bashkëpunimit 2021 – 2026 për zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit midis qeverisë së Republikës të Kubës dhe Komisionit Ekonomik Euraziatik të 31 majit 2018, Kuba ka ratifikuar një dispozitë për të vendosur një bashkëpunim efektiv me vendet e Unionit Euraziatik: një projekt që në perspektivë mund ta shkëpusë ishullin nga dara e embargos amerikane.

Nuk ka nevojë të përmendet që në diskutimin me të cilin u njoftua një ratifikim i tillë, presidenti kubanez Miguel Diaz-Canel Bermudez denoncoi hapur tentativat e përsëritura perëndimore për të diskredituar dhe destabilizuar Bjellorusinë, përfshi tentativën për vrasjen e presidentit Lukashenka.

Për hir të së vërtetës dhe mbështetjes së pjesshme të tezës lidhur me “spontanitetin” fillestar te manifestimeve (megjithëse jo të “shkëndijës”), duhet thënë se shumë prej atyre që kanë dalë npër rrugët e qyteteve kubaneze për të protestuar thuajse menjëherë janë distancuar nga batakçinjtë dhe të infiltruarit, duke afirmuar besnikërinë e tyre ndaj revolucionit dhe duke denoncuar tentativat e qarta instrumentalizuese nga ana “perëndimore”.

Në vitet ‘80 e shekullit të kaluar “geopolitikani militant” Jean Thiriart, në stilin e tij pastërtisht pragmatist, theksoi tezën se një Europë e bashkuar e sovrane (nga Dublini në Vladivostok), në një rend hipotetik multipolar do të duhet të kishte kurajën që të “hiqte dorë” nga miti i revolucionit kubanez (domethënë ta linte ishullin në një fat të ri objektivi ekzotik për turistët dhe lojtarët amerikanë të bixhozit) në këmbim të kontrollit absolut të Mesdheut dhe të eliminimit të atij avamposti “perëndimor” brenda tij (burim i përhershëm jostabiliteti) që paraqitet nga entiteti sionist.

Në ditët e sotme një projektualitet i ngjashëm mbetet ende tejet i largët në kohë. Për pasojë, kushdo që i kundërvihet me forcë imperializmit amerikan, pavarësisht diferencave ideologjike, nuk ka sesi të mos marrë një pozicion të pastër mbrojtjeje të sovranitetit kubanez kundër çdo lloj ndërhyrjeje të huaj.

(nga Geopoliticus)

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

LEAVE A REPLY