Kaspiku? Nuk është as det, as liqen

Kaspiku? Nuk është as det, as liqen

133
0
NDAJ

Pas 22 vitesh negociata është vendosur natyra e Detit Kaspik: nuk është as det, as liqen. Faktikisht, më 12 gusht 2018 Federata Ruse, Irani, Kazakistani, Turkmenistani dhe Azerbajxhani kanë nënshkruar Konventën mbi Statusin Ligjor të Detit Kaspik, duke e quajtur një basen ujor ndërkontinental.

Konventa shënon një fillim të rëndësishëm për dinamika të reja në rajon. Me lindjen e republikave të reja passovjetike, u anulluan marrëveshjet e viitit 1940 e bashkëdominimit midis Bashkimit Sovjetik dhe Iranit, qysh atëhere, Kazakistani, Turkmenistani dhe Azerbajxhani filluan përplasjet për të drejtat e zhvillimit e të shfrytëzimit të detit. Kështu që dokumenti mund të konsiderohet si “kushtetuta e rajonit”, në fakt përcakton parimet themelore e ndërveprimit dhe bashkëpunimit midis shteteve, mekanizmave të sigurisë dhe strukturat për zgjidhjen e konflikteve. Konventa zhvillon një sistem rajonal sigurie të mbyllur,  i mbështetur fuqimisht nga Rusia dhe nga Irani. Objektivi është i dyfishtë: nga njëra anë të mundësohet shfrytëzimi i rezervave natyrore vetëm midis shteteve bregdetare dhe, nga ana tjetër, të pengohen aktivitetet ushtarake e shteteve të treta.

Gjëja që ka bërë të mundur këtë rezultat ka qenë ndryshimi i qasjes konceptuale ndaj statusit të Kaspikut. Procesi që ka çuar në këtë konkluzion epokal është karakterizuar nga një kërkim kompromisesh midis interesave dhe ambicieve të ndryshme të shteteve bregdetare. Për shembull, duke e pasur litoralin të kufizuar, Irani mbështeste prëkufizimin e liqenit që do të kishte imponuar ligjërisht një ndarje në 5 pjesë të barabarta të sipërfaqes, të tabanit dhe të thellësisë së ujërave. Kurse sikur të konsiderohej Kaspiku si det, atëhere do të hynte në fuqi Konventa e Kombeve të Bashkuara mbë të Drejtën e Detit (UNICLOS) e vitit 1982. Në këtë rast, gjerësia e ujërave territoriale të secilit shtet do të ishte me 12 milje detare. Nga momenti që Deti Kaspik është i lidhur me Detin e Zi nëpërmjet kanalit të lumit Vollga, mund të përkufizohej edhe si liqen transkufitar. Veç kësaj, një qasje e fundit, e mbështetut nga Azerbajxhani dhe Kazakistani, është marrë në konsideratë. Të dy këto vende këmbëngulnin për parimin e bazuar mbi të drejtën zakonore e vijës së mesit, e barazlarguar nga brigjet e secilit prej 5 shteteve. Për më tepër, Astana promovonte edhe një përdorim të përbashkët të sipërfaqes. Propozimi ngjallte jo pak problematika midis Azerbajxhanit dhe Turkmenistanit lidhur me të drejtat mbi disa vendburime të naftës në mes të Kaspikut. Marrë parasysh të gjithë këto pozicione, regjimi i ri parashikon një sovran territorial prej 15 miljes detare nga bregu dhe një zonë peshkimi prej 10 miljesh detare shtesë. Kështu, për të gjitha këto arsëye, rezultati i negociatave mund të konsiderohet revolucionar.

 

Interesat ushtarake ruse në Kaspik

Megjithatë, krejt paradoksalisht, konventa luan një rol të rëndësishëm në militarizimin e zonës. Në fakt, Neni 10, i dëshiruar fuqimisht nga Rusia, lejon përdorimin e pjesëve të përbashkëta të basenit kaspikas për aktivitete ushtarake. Veç kësaj, përjashton praninë e forcave detare që nuk i përkasin shteteve që lagen prej tij, duke i garantuar kështu Moskës predominimin detar në Kaspik. Faktikisht, flota ruse e Kaspikut është më e fuqishmja midis vendeve bregdetare. Në vitin 2005, me rastin e Konferencës së Përfaqësuesve të Flotave të Shteteve të Kaspikut, Rusia propozoi manovrën e përbashkët detare “KASFOR”, duke e futur në një kuadër më të gjerë bashkëpunimi operativ detar me shtetet kaspikase. Megjithatë, këto të fundit ju kundërvunë projektit rus. Për pasojë, Federata Ruse i ndryshoi objektivat e saj ushtarake detare në zonë: rritjen e pranisë së saj ushtarake në Kaspik nëpërmjet fuqizimit të Caspian Flottilla. Me anije moderne luftarake, armatime të reja dhe njësi të Marinës të fuqizuara, Rusia u konfirmua fuqia detare dominuese në rajon.

Prania ushtarake ruse në basen ka një rëndësi strategjike që shkon përtej kufijve bregdetarë të Kaspikut. Faktikisht, më 7 tetor 2015, Caspian Flottilla lëshoi një sulm raketor në Siri, duke gidtur qytetet Raqqa, Idlib dhe Alep. Operacioni u krye nga Deti Kaspik nëpërmjet armëve me saktësi në gjendje të godisnin objektiva në 1500 kilometra largësi. Përveç se riafirmoi pozicionin e saj ushtarak të dorës së parë, Rusia ka demonstruar kështu se është në gjendje ta shtrijë fuqinë e saj edhe në skenarë jashtërajonalë.

 

Interesat energjitike ruse në Kaspik

Në Nenin 14 të konventës lejohet ndërtimi i naftësjellësve dhe i gazsjellësve në tabanin e Detit Kaspik; lidhur me këtë aktualisht projekti kryesor është Gazsjellësi Transkaspikas (TCP) nëpërmjet të cilit gazi turkmen dhe azer arrijnë Europën, duke kaluar nëpër Kaukaz e Turqi dhe duke shmangur kështu Rusinë. Ky projekt është dëshiruar fuqimisht si në Europë, ashtu edhe në Turkmenistan e Azerbajxhan, të cilët synojnë respektivisht t’i diversifikojnë furnizuesit energjitike dhe rrugët tregëtare të eksportimit. Nga momenti që konventa përcakton sektorë të saktë teritorialë dhe i garanton edhe shteteve bregdetare të drejtën e investimit në projekte energjitike dhe të çelin rrugë tregëtare nëpërmjet territorit të tyre, Rusia nuk e ka më të drejtën që ta pengojë ndërtimin e TCP në zonën azere dhe turkmene.

Në rajonin e Kaspikut, projekti TCP konsiston në dy pjesë kryesore: ndërtimin e një gazsjellësi nga Türkmenbaşy (Turkmenistan) në Shah Deniz (Azerbajxhan) dhe zhvillimin e vendburimit petrolifer të Tengiz në Kazakistan. I pari është i financuar nga Bashkimi Europian, i cili ka investuar 40 miliard dollarë në South Caucaus Pipeline (SCP). Kurse i dyti menaxhohet nga kompania Chevron, e cila ka kontribuar me 37 miliard dollarë me objektivin e rritjes së prodhimit deri në 300000 fuçi për t’i eksportuar drejt Europës. Megjithatë, vetë konventa mund të përbëjë një pengesë për këto projekte. Faktikisht, gjithmonë në Nenin 14 shprehet mjaft qartë e drejta e shteteve bregdetare për të ndaluar çdo lloj aktiviteti për arësye mjedisore duke ju referua një konvente të mëparshme për mbrojtjen e mjedisit detar të Detit Kaspik të vitit 2003. Veç kësaj, edhe kufizimi në sektorin territorial e një shtet tjetër mund të përbëjë një motiv për të bllokuar çdo lloj projekti.

Rusia ka pasur një rol themelor në krijimin e këtyre klauzolave si rezultat i rritjes së konkurrencës në sektorin e prodhimit të gazit natyror. Faktikisht, pas shembjes së Bashkimit Sovjetik, Rusia përbënte shtetin kryesor dhe të vetëm për tranzitimin e gazit, pasi republikat e reja përdornin naftësjellësit dhe gazsjellësit e ndërtuar në epokën sovjetike. Megjithatë, si Rusia, ashtu edhe Irani e nxitën zhvillimin dhe nxjerrjen e resurseve natyrore në Kaspik, të vlerësuara në 48 miliard fuçi dhe 9 miliard metra kub gaz natyror. Për pasojë, u inauguruan rrugë të reja dhe alterative, si naftësjellësit Baku – Supsa e Baku – Tbilisi – Ceyhan dhe gazjellësi Baku – Tbilisi – Erzerum. Kështu, pavarësisht se mbetet një shtet tranzit për naftën nga Kazakistani (duke mos pasur dalje në det), përfundimisht Rusia e ka humbur kontrollin e saj. Tani, me TAP, çështja e TCP mund të dalë më në pah, në një optikë fuqizimi dhe ekspansioni të ardhshëm të gazsjellësit adriatikas. Megjithat, Rusia arrin të ushtrojë një influencë të fuqishme në rajon. Një shembull ka qenë roli qëndror që ka marrë në ndërmjetësimin e konfliktit në Nagorno Karabakh. Moska synon që ta forcojë rolin e saj qendror në rajon.

Përfundimisht, Konventa mbi Statusin Ligjor e Detit Kaspik e vitit 2018 është rezultat i gjeopolitikave të shumta e të ndryshme dhe nuk përbën një pikë finale. Faktikisht, ajo është rezultati i një angazhimi nevojash të brendshme e të jashtme të shteteve bregdetare, por megjithatë ka krijuar një hapësirë dialogu të paprecedent dhe që mund të përdoret për të diskutuar çështjet e pazgjidhura të trashëguara nga rënia e Bashkimit Sovjetik. Duke marrë një rol të dorës së parë në negociata, Rusia ka kërkuar të konsolidojë influencën e saj në çështjet e sigurisë në Azinë Qendrore. Në këtë kuptim, me firmosjen e konventës, Moska e shikon Kaspikun si për ta forcuar rolin e saj në Eurazi.

(nga Geopoliticus)

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

LEAVE A REPLY