Gabimet e Francës në raportet me islamin

Gabimet e Francës në raportet me islamin

135
0
NDAJ

Debati pas vrasjes së mësuesit Samuel Paty është akoma edhe më i zjarrtë se ai që pasoi atentatet e Charlie Hebdo.

Pasi më 16 tetor mësuesit të shkollës së mesme Samuel Paty i është prerë koka nga një refugjat çeçen në një qytet të rajonit parisian, në Francë është hapur një refleksion i thellë lidhur me atë sesi duhet të ripërkufizohet raporti që Republika duhet të ketë me islamin. Debati është akoma edhe më i zjarrtë se ai që pasoi atentatet ndaj redaksisë së Charlie Hebdo dhe atyre të 13 nëntorit 2015 në Bataclan e në vende të tjera të kryeqytetit francez, ndoshta për shkak të masës së tmerrit, simbolit të vënë në shënjestër dhe vetë fakteve: Paty, një mësues Historie dhe Gjeografie, është vrarë nga një xhihadist pse ka treguar kariktarura të Profetit Muhamed gjatë një leksioni lidhur me lirinë e shprehjes. Ai, që për të mos lënduar dëshminë e tyre u kishte propozuar nxënësve myslimanë jo të interesuar për argumentin të dilnin nga klasa, pas leksionit kishte pësuar presione nga disa prindër, të mbështetur nga militantë integralistë.

Kjo ngjarje ka të bëjë me diçka jashtëzakonisht delikate, pasi nxjerr në pah probleme të  ndryshme, por që në fund të fundit vërtiten rreth çështjes së Republikës Franceze, transmetimit të traditës kulturore të saj në një kontekst të ndryshëm nga ai i fundit të Nëntëqindës dhe të asaj se çfarë duhet të ndajë një popull për t’u konsideruar komb. Një debat që e vë Francën përballë tvetes, me aftësinë unike në botë për të “prodhuar” qytetarë dhe për të mbrojtur universalitetin e modelit të saj, por edhe me limitet e këtij modeli për të kuptuar apo deri pranuar gjithçka që nuk i përshtatet krejtësisht.

Në shpirtin e shumë francezëve duket se ka ardhur momenti i sqarimit. Shtypi kombëtar, zakonisht më i përçarë lidhur me këto çështje, sot i kritikon në unison refuzimet e shumta që kanë çuar të bëhet loja e islamit radikal dhe kërkon që të mbrohen më shumë se kurrë parimet dhe vlerat e Republikës. Por duke qenë se debati zhvillohet në një atmosferë turbullire të madhe dhe që tema të lidhura midis tyre, por megjithatë të ndryshme, shikohen nga një këndvështrim i vetëm, ndjesia e konfuzionit mund të rritet.

Franca thotë se është në luftë, por nuk ka marrë kohën e nevojshme për ta identifikuar qartë armikun dhe kjo është e rëndë, po të kihet parasysh se të gjithë nuk janë dakord të thuhet se armiku është në shtëpi. Kundërshtari i dukshëm, me të cilin Franca është tashmë në luftë prej vitesh, është xhihadizmi ose, për ta thënë më mirë, grupet apo njerëzit që i referohen xhihadizmit dhe që kryejnë akte terroriste në territorin francez. Nuk mund të merren masa gjysmake në përballimin e një armiku që është në një logjikë lufte totale. Në periudhën afatshkurtër, xhihadizmi luftohet në terrenin e dijes, të inteligjencës dhe në frontin ushtarak. Kurse beteja ideologjike në realitet ka nevojë për më shumë kohë dhe paraqet shumë vështirësi. Xhihadizmi është një ideologji thellësisht fetare (edhe pse natyra e tij futet për mrekulli në pasmodernizëm), që nëpërmjet një leximi totalizues të islamit e ndan botën midis besnikëve të mirë dhe gjithë të tjerëve kundër të cilëve është legjitime të luftohet.

Fondamentalistët dhe salafitët kuietistë (korrenti më i shumtë në numër i salafizmit që frymëzohet nga mësimet e teologut Nasil al Din al Albani dhe shmang impenjimin aktiv politik) ndajnë pjesë të vizionit të botës xhihadiste, por nuk janë dakord në aspekte të ndryshme. Kjo nënkupton se në më të shumtën e rasteve, pavarësisht pikave të mundshme të konvergjencës midis shkollave të ndryshme, këto përplasen midis tyre. Përtej diskutimi të thjeshtë semantik, pse vlen të kujtohet e gjitha kjo? Sepse, sërish, për të bërë një luftë duhet identifikuar mirë armiku dhe nuk mund të përballet xhihadizmi, që është në prishje totale me vlerat e Republikës Franceze, njëlloj siç përballet islami radikal, me të cilin prishja është e pjesshme.

Fondamentalizmi islamik është armiku ambig, ai që luan me armët e kundërshtarit të tij dhe shtiret për të kaluar si aleati i tij. Salafitët kuietistë janë në një logjikë prisheje me shoqërinë, por në pjesën më të madhe të rasteve nuk tentojnë ta luftojnë apo ta modifikojnë jashtë hapësirës private, kurse islami radikal është më shumë në një logjikë pushtimi të hapësirës publike dhe kjo e bën akoma edhe më delikate luftën ndaj këtyre lëvizjeve.

Mund të mbyllen xhami apo shoqata, por idetë megjithatë do të mund të transmetohen nëpërmjet kanalesh të tjera. Problemi ka të bëjë me limitet e asaj që është e mundur të bëhet përballë përhapjes së një ideologjie dhe të praktikave që burojnë prej saj. Për shembull, si të reagohet përballë sjelljes së një burri për t’i dhënë dorën një gruaje, një qëndrim kundër vlerave të Republikës Franceze, por që në vetvete nuk përbën ndoonjë krim? Si të reagohet ndaj faktit që disa njerëz bëjnë një diskutim viktimist ku Perëndimi është gjithmonë agresori dhe myslimani gjithmonë viktima, në një vend ku fatmirësisht liria e shprehjes njihet si liri themelore?

Lufta kundër fondamentalizmit është jashtëzakonisht delikate, pasi konceptet e përhapura nga këto korrente mund të kenë një ndjekje të caktuar nga ana e myslimanëve, duke gjetur njëkohësisht mbështetjen e një pjese të së majtës, me arësye të mira dhe me arësye të këqia. Të këqia, sepse brenda kësaj lëvizjeje ka një tendence për t’i dhënë kredit një diskutimi viktimist dhe identitar mbi bazën e një vizioni pak më shumë paternalist që bën lojën e ekstremistëve dhe të çon në një rreth vicioz. Të mira, pasi urrejtja ndaj islamit, pabarazitë sociale, diskriminimet që burojnë nga e kaluara koloniale franceze ekzistojnë dhe duhen luftuar, pa ua lënë islamistëve monopolin e këtyre betejave. Mos marrja në konsideratë e këtyre realiteteve me pretekstin e pasjes së objektiv të parë luftën kundër islamit radikal mund të rezultojë kundërprodhuese në perspektivë.

Të mendosh se një qëndrim më autoritar dhe heqja dorë nga shteti i së drejtës do të mundësonin arritjen e rezultateve më të mira në luftën kundër islamit radikal do të thotë të injorosh historinë e vonshme e Lindjes së Mesme, ku për më tepër regjimet totalitare ua kanë hapur sistematikisht rrugën fondamentalistëve që pretendonin se i luftonin. Perimetri i luftës që Republika Franceze dëshiron të vendosë ndaj islamit radikal është në shumë raste evidente, por është shumë më pak në të tjera. Aq më shumë pasi debati zhvillohet në një klimë rrëshqitjeje djathtas të shoqërisë.

Cilët janë kufijtë e Republikës nga njëra anë dhe të islamit radikal nga ana tjetër? Një njeri përsosmërisht i integruar që mban shaminë në hapësirat  publike – një sjellje që nuk është kundër ligjeve franceze, por që mund të duket e papajtueshme me disa parime republikane (jo atë të laicittetit, por atë të barazisë midis burrit e gruas) – nga këndvështrimi i mbrojtësve të Republikës duhet të  konsiderohet si promovuese e islamit radikal?

Një njeri i integruar që ndjehet në siklet kur përhapen karikaturat e Profetit Muhamed, por nuk e vë në diskutim as edhe për një çast të drejtën për t’i botuar ato, a mund të konsiderohet republikan? Përtej asaj që parasheh ligjin, çfarë vendi  mund t’i lejojë Republika Franceze sferës së besimit  fetar dhe të intimitetit? Rreziku në këtë luftë është që të marxhinalizohen pikërisht këta myslimanë që duhet të jenë në vijë të parë për ta luftuar.

Franca duket se është në një moment vendimtar, në të cilën gjilpëra e peshores mund të anojë nga njëra anë apo nga tjetra. Nga njëra anë është vizioni thuajse religjioz i Republikës, që ka meritën e emancipimit të individit dhe të krijimit të një lidhësi midis qytetarëve të saj, por që mundd të duket aq shtrëngues sa të ketë vështirësi të përfshijë njerëz jo të bardhë e jo kristianë. Nga ana tjetër është një vizion më i gjerë, por që nuk i nënshtrohet specificitetit republikan, dhe që mundëson të përfshihen njerëz me origjina të ndryshme pa ju kërkuar që të heqin dorë krejtësisht nga identiteti i tyre.

Vizioni i parë parasheh që Republika të përballojë një provë force në të gjitha frontet me islamin, siç ka bërë në të kaluarën për ta nënshtruar katolicizmin. Opsioni i dytë imponon një provë durimi, aftësie pedagogjike dhe disponueshmërie për të ridiskutuar përkatësisht një pjesë të traditës republikane, sidomos të drejtën e blasfemisë, mbeturinë e një historie antiklerikale me origjinë nga Iluminizmi, që është specifike për Francën dhe që mund t’i duket agresive kujtdo që nuk e ka bërë (akoma)  të veten këtë histori apo çdo besimtari.

Për Francën nuk bëhet  fjalë që të heqë dorë nga historia, nga vlerat apo nga parimet e saj, por të ripërkufizojë çka e bën një tërësi individësh me kultura të ndryshme qytetarë të të njëjtit komb. Republika duhet të jetë një bllok homogjen tek i cili të konsakrohet si në kishë apo që mund të pranohen korrente të ndryshme, por që bashkohen lidhur me vlerat thelbësore? Nga ana tjetër, a nuk është kjo veçantia e Francës në botë, fakti që u ka mundësuar njerëzve nga Amerika Veriore, Afrika apo Lindja e Mesme që të ndjehen francezë e republikanë, megjithëse pa e shkelur kurrë truallin e saj?

(Anthony Samrani  për L’Orient-Le Jour)

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

LEAVE A REPLY