Dyshimet e Moisiut

Dyshimet e Moisiut

72
0
NDAJ

Glilot – Tel Aviv, Selia Qendrore e Mossadit

18 gusht 2017, ora 14:30

12 eksploruesit e dërguar nga Moisiu në mision rikonjicioni në Tokën që Zoti i kishte premtuar popullit të tij  pas 40 ditësh u kthyen në shkretëtirën ku qenë strehuar Profeti dhe njerëzit e tij. 10 prej tyre qenë plot me zemërim dhe rrëfyen se toka aq e ëndërruar e Izraelit ishte një vend i pajetueshëm. Prej fjalëve të tyre deduktohej një panoramë zhgënyese: ai vend ishte aq armiqësor dhe i ashpër sa që hante banorët e tij.

Njerëzit që e jetonin ishin të mëdhenj dhe kishin ndërtuar qytete aq të fortifikuara sa që ti fusje në zotërim do të ishte e pamundur. Qenë të bindur se do të ishte më mirë për të gjithë të ktheheshin në Egjipt. Skllevër, ama gjallë.

Vetëm Joshua dhe Caleb qenë të mendimit kundër, vetëm ata qenë kthyer me përshtypje pozitive dhe rrëfimet e tyre, thuajse të ekstazuar, të jepnin përshtypjen se vendi që patën eksploruar ishte vërtet Rruga e Qumështit dhe e Mjaltit. Dukej se kishin udhëtuar përmes një cepi të botës të ndryshëm e të largët krahasuar me atë që kishin eksploruar gjithë të tjerët.

Çfarë u jepte këtyre dy zërave jashtë korit kurajën dhe vullnetin për të përballuar betejat e nevojshme në pushtimin e asaj toke të premtuar popullit të tij nga i Përjetshmi? Sipas të urtëve, Joshua ishte frymëzuar nga Zoti, kurse Caleb bartëte brenda vetes dëshirën që hebrenjtë, pas vitesh skllavërie, të kishin vendin e tyre. Dhe ndodhi kështu që  Joshua e Caleb, të dëgjuar nga Moisiu, e sollën gjeneratën e mëpasme në Tokën e Premtuar dhe e bënë të drejtuar nga besimi në Zot dhe në fatin hebre.

Rrëfimi biblik i eksploruesve tingëllonte në kokën e Memunehit, Drejtorit të Mosadit, që ashtu si Moisiut, i duhej të zgjidhte midis atyre që tregonin një situatë të caktuar dhe atyre që tregonin saktësisht të kundërtën: domethënë të zgjidhnin midis përkthimeve të informatave të ardhura nga thuajse të gjithë shërbimet sekrete perëndimore, që lidhur me çështjen e bërthamores iraniane ruanin qetësinë maksimale, apo t’i jepte besimin njërit prej njerëzve të tij të infiltruar në Teheran, që rrëfente historinë e kundërt.

Në raportin e tij, agjenti pohonte me siguri se gjithçka që deri në atë moment iranianët kishin vënë në punë në qendrat e ndryshme bërthamore që kishin ndërtuar, spostohej gjatë atyre orëve në vende të tjera sekrete të caktura të nesërmen e firmosjes së traktatit me Shtetet e Bashkuara dhe Europën.

Në fund, Moisiu i besoi Joshua e Caleb dhe populli i Izraelit hyri në Tokën e Premtuar, por ai çfarë duhej të bënte? Ti besonte CIA apo MI6 angleze apo të infiltruarit të tij, që duke rrezikuar për muaj të tërë, muajsh shëtiste nëpër rrugët e Teheranit i maskuar? Që agjenti i tij mund edhe të kishte rënë në ndonjë gabim ishte një hipotezë që nuk mund të përjashtohej apriori, por instinkti dhe përvoja i thonin se në atë situatë kishte më shumë të ngjarë një axhustim i raporteve që shërbimet sekrete aleate ia kishin xhiruar, pikërisht për të penguar ndërhyrjet izraeliane potencialisht të sikletshme.

Informacione false, në total ose pjesërisht, për të kënaqur nevoja politike sigurisht që nuk qenë ndonjë risi dhe, pasi kishte firmosur në Gjenevë, obtorto collo ose pse të bindur se për ta ishte komode, kontrata kapistall e dëshiruar nga Presidenti Obama, dyshimi se plikot e ardhura nga aleatët përmbanin karremin e helmuar ishte thuajse një siguri. Ama një siguri që nuk mund ta provonte.

Doktrina Dagan, që e merrte emrin nga Meir Dagan, një prej paraardhësve të tij në drejtimin e Institutit, që e kishte futur si modus operandi, detyronte një kontroll serioz të çdo informacioni që vinte nga shërbimet e huaja.

Pikërisht në këtë rast, duke parë se interes i thuajse të gjitha fuqive perëndimore ishte ai i mbajtjes së Izraelit larg nga lojërat, një kontroll ishte më shumë se i domosdoshëm. Por, nga ana tjetër, nisja në Iran e një operacioni eksplorues në shkallë të gjerë do të ishte një lëvizje e rrezikshme.

Për Memunehun opsionet qenë dy: të detyronte të infilturarit aktualë të bënin punë të jashtëzakonshme, me një ngarkesë të mëtejshme pune që do t’i detyronte ta braktisnin, krejtësisht apo pjesërisht, atë që po bënin ose të infiltroheshin agjentë të tjerë, duke e zgjeruar rrjetin, gjë që duhej organizuar me kujdes dhe me një humbje kohe që në ato momente nuk mund t’i lejohej vetes.

Ishte për t’u konsideruar se, në hipotezën më të largët se një agjent i tij praktikisht mund të kishte gabuar, të lëvizje në një territor armiqësor në kërkim të asgjësë, përveçse e kotë dhe e rrezikshme, do të ishte një lëvizje që mund ta nxirrte vendin lakuriq përpara gjithë botës.

Në kohët e Moisiut nuk kishte as internet, as gazeta, aas televizor dhe as radio, por në 2017 një lajm i çfarëdoshëm, sidomos nëse bënte fjalë për Lindjen e Mesme, bënte  xhiron e botës brenda pak minutash. Me rënduesin që, edhe sikur vetëm një prej agjentëve të tij të ishte zbuluar, Izraeli do të vihej në bangon e të akuzuarve e gjykatës botërore, një gjykatë që pret vetëm pretekstin më të vogël për ta dënuar Shtetin Hebraik.

Drejtori hoqi syzet dhe i vendosi mbi skrivani. Në harkun e disa orëve do të takonte Kryeministrin që priste raportin e tij, por ai, edhe pse prej ditësh po e studionte dosjen, nuk kishte vendosur akoma se çfarë duhej bërë.

Mendimet e tij ecnin këmbëzbathur mbi thëngjij të ndezur dhe i silleshin në kokë si një turbinë inkadeshente e pandalshme.

Kalimi si të mira i informatave të marra dhe shpresa në fatin e mirë ishte çmenduri, ndërsa t’i besoje raportit të njeriut të tij mund ta shtrëngonte që t’i duhej të investonte disa milion dollarë financim të jashtëzakonshëm dhe të merrte përsipër përgjegjësinë e vënies në rrezik të jetës së agjentëve, tashmë të infiltruar ose për t’u infiltruar, në kërkim të provave.

Zëri jashtë korit, i dekodifikuar, ishte brenda kartelës së rezervuar dhe qëndronte për bukuri në një fletë format A4, ia vlente që ta rilexonte edhe një herë akoma:

 

Nga Apostulli 04

 

Supervizorit

Nëndrejtorit të Operacioneve

Drejtorit

 

Regjistrohet aktivitet i madh rreth vendeve të ndjeshme – STOP

Pjesë e pajisjeve të centraleve gjatë këtyre orëve po spostohen në vende të panjohura – STOP

Në Teheran i frikësohen kontrollit të inspektorëve të AIEA – STOP

Edhe dokumentacioni mbi aktivitetet katalogohet dhe përgatitet për transferim – STOP

Në pritje të udhëzimeve procedohet sipas programit – STOP

 

Pesë fjali dhe pesë STOP që prej disa ditësh kishin mbushur me makth orët e pushimit të Memunehut, që si gjithmonë në këto raste ishhte strehuar tek tregimet e Shkrimeve të Shenjta. Kishte gjithmonë një episod në to që fliste për situata të cilat, në një farë mënyre, ngjanin me ato që i duhej të përballonte dhe, anipse asnjëherë nuk gjendej në ato faqe zgjidhja e problemeve të tij, ishte gjithmonë një mënyrë e bukur për të kërkuar frymëzimin.

Sipas studiuesve të Torahut, hebrejtë që ndoqën Moisiun drejt Tokës së Premtuar qenë vetëm 1/5 e totalit, 4/5 të tjerët nuk i besuan Profetit, nuk i ndoqën udhëzimet e tij dhe për këtë vdiqën gjatë epidemisë së parafundit. Pasi kishte nxjerrë nga Egjipti i Faraonëve atë që mbetej nga populli i zgjedhur, Moisiu, profeti më i madh  hebraizmit, kishte pasur mbi vete përgjegjësinë e 600000 njerëzve.

Sesi ishte arritur në atë shifër do të mbetej përgjithmonë mister, ndërsa ishte e sigurtë se ai, në atë moment, ishte gardiani i sigurisë i mbi 8 milion izraelianëve jo të gjithë hebrej dhe ai nuk ishte profet ose ndoshta nuk dinte as të ushte … dhe numri i shtetasve të Izraelit ishte i certifikuar nga Gjendja Civile.

Vetëm një gjë ishte e qartë, të dy opsionet që kishte përpara syve qenë njëri më keq se tjetri: Çfarë të bënte? Nevojitej një opsion i tretë, diçka që mund të siguronte, pa shumë rreziqe, elementë të mëtejshëm që mund të ndihmonin të vendosej se çfarë dhe kur të bëhej.

***

Në gushtin e 2017 rrjeti i të infiltruarve të Mossadit që në Teheran kontrollonte frekuentuesit e dhomave të pushtetit, nga eksponentët fetarë apo të qeverisë tek inxhinierët dhe teknikët e programit bërthamor, mbiquhej “Reshet Alef” (Rjeti A) dhe ishte i formuar nga 12 agjentë operativë. Duke pasur parasysh llojin e misionit që duhej të realizonin, kishte vend vetëm për agjentët operativë, ata që kishin tejkaluar stërvitjet e parashkuara nga protokollet e rrepta të lindura prej vitesh të tëra përvoje në terren.

Agjentët me qëndrim të përhershëm që operonin në Iran kishin mundësi të viheshin në kontakt midis tyre në bazë të një skeme të paracaktuar që mundësonte si të punohej në mënyrë autonome, ashtu edhe në çift dhe, po të ishte e nevojshme, edhe në grup.

Për shembull, agjenti  01 mund të vihej në kontakt me agjentin 02 dhe me agjentin 12, agjenti 02 mund të vvihej në kontakt me agjentin 01 dhe me agjentin 03, ndërsa agjenti 12 me agjentin 01 dhe agjentin 11, në një zinxhir të copëtuar, që në rast nevoje mund të lidhej, tërësisht ose pjesërisht. Por ky operacion duhej të ishte i kufizuar në raste të jashtëzakonshme.

Asnjë agjent nuk e njihte “folenë” e të tjerë dhe identitetet e koperturës të përdorura, bëhej fjalë për një masa paraprake elementare për të ruajtur kopertuat e ndryshme në rast se ndonjëri prej tyre zbulohej dhe arrestohej: edhe nën torturë, askush nuk mund të tregojë atë që nuk e di.

 

***

Edhe pse nuk ishte fetar, shpesh Drejtori citonte Shkrimet e Shenjta, jo vetëm ato hebraike, dhe për shkak të këtij vesi kishte fituar nofkën Messia. Ndoshta për shkak të kësaj nofke ose sepse agjentët e infiltruar në Iran qenë 12, ndonjë mbikëqyrës në damar për shaka i kishte dhënë Apostullin e tij si emër të koduar.

Pikërisht në këtë periudhë tensionesh të mëdha, Mossadi kishte në krye një Mesia dhe 12 Apostuj që spiunonin Ajatollahët, 12 agjentë operonin në zona të ndryshme të vendit dhe kishin një sistem të personalizuar për të qëndruar në kontakt më supevizorin e tyre, që nga Selia Qendrore në Glilot, kontrollonte çdo lëvizje, merrte mesazhe apo lëshonte urdhëra.

Raporti që hidhte poshtë informatat e shërbimeve sekrete perëndimore kishte ardhur nga agjenti Apostulli 04… se mbi çfarë bazohej ishte një mister brenda misterit.

(nga libri “Mossad. Una notte a Teheran”  i autorit Michael Sfaradi)

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

LEAVE A REPLY