Doktrina Karaganov dhe politika e “bashkëkombasve”: mbrojtja e rusëve në Fqinjësinë e...

Doktrina Karaganov dhe politika e “bashkëkombasve”: mbrojtja e rusëve në Fqinjësinë e Afërt

171
0
NDAJ

Të nesërmen e shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik 22 milion qytetarë rusë u gjendën duke jetuar në territor të huaj. Megjithatë konturet e kësaj diaspore nuk qenë të përcaktuara. Çfarë lidhjeje duhej të ruante Moska me ta? Çfarë e karakterizonte identitetin rus? Dhe, akoma, a mund të shërbenin këta qytetarë si levë për të forcuar influencën e Kremlinit mbi Fqinjësinë e Afërt? Bëhet fjalë për çështje të kthyera të rëndësishme në vijim të aneksimit të Krimesë nga Federata Ruse në marsin e 2014. Mbrojtja e bashkëpatriotëve jashtë në emër të interesit kombëtar rus është qysh atëhere një prej politikave kryesore të presidencës Putin. Megjithatë, themelet e një vizioni të tillë zbresin në nëntorin e 1992, kur Sergej Karaganov tregoi i pari rëndësinë që mund të kishte diaspora ruse në politikën e jashtme të vendit.

 

Doktrina Karaganov

Në një ndërhyrje në një konferencë të vitit 1992, duke i vërejtur gjërat në perspektivë, Sergej Karaganov e rilexoi në mënyrë origjinale traumën ende të freskët e shpërbërjes së perandorisë sovjetike. Faktikisht ai theksonte se nëqoftëse kontrollohej dhe kultivohej siç duhej nga Kremlini, diaspora ruse do t’i siguronte Moskës një influencë politike dhe ekonomike jetëgjatë dhe të gjithpranishme mbi shtetet trashëgimtare të republikave sovjetike. Bërthamat e minorancave ruse në Fqinjësinë e Afërt mund të bëheshin kështu instrumenta të përshtatshëm të mbështetjes së interesit kombëtar rus. Për pasojë, Moska do të duhej të vepronte të siguruar besnikërinë e tyre, duke u paraqitur si garante e të drejtave dhe interesave të tyre kurdoherë që do të bëheshin objekt diskriminimi nga ana e autoriteteve të reja passovjetike. Në momentin e nevojës, Moska do të duhej të vraponte në ndihmë të tyre, edhe ushtarakisht dhe, paralajmëronte Kraganov, mbi të gjitha deri në mënyrë parandaluese çdo herë që do të konsiderohej oportune. Por ende e dëshiruar që të integrohej butë me Perëndimin, në Rusinë e Jelcinit ide të tilla nacionaliste dhe potencialisht luftarake nuk zunë vend pranë Presidentit. Megjithatë, me ndryshimin e kursit e politikës së jashtme të ndërmarrë nga Primakovi dhe të çuar përpara nga Putini, idetë e Karaganov u rikuperuan progresivisht deri sa u kodifikuan zyrtarisht në doktrinën ushtarake ruse të 2014 dhe në konceptin e politikës së jashtme të 2016. Në mënyrë të veçantë, ky dokument i fundit e fikson mbrojtjen e bashkakombasve banorë jashtë vendit si një prej objektivave tl politikës së jashtme të Federatës Ruse (Pika 3h), duke theksuar se: “Me referim ndaj interesave kombëtare të Federatës Ruse dhe prioriteteve strategjike kombëtare të saj, aktivitetet e politikës së jashtme të shtetit duhet të synojnë që të sigurojnë një mbrojtje gjithëpërfshirëse dhe efektive të të drejtave dhe të interesave legjitime të qztetarëve rusë dhe të bashkëkombasve banorë jashtë vendit”.

Kriteret për t’u quajtur “bashkëkombas” janë megjithatë qëllimisht të pasakta pasi autoritetet tentojnë që të fusin në këtë kategori jo vetëm qytetarët rusë dhe individët etnikisht rusë e rusishtfolës, por edhe familjet e tyre dhe të gjithë ata që ruajtur lidhje kulturore e të natyre tjetër me Federatën, si drejtpërsëdrejti, ashti edhe nëpërmjet prindërve. Një formulë që shkon shumë përtej asaj, shumë më kufizuese, që i individualizon si rusë vetëm bartësit e një pashaporte të Federatës Ruse. Në ditët e sotme, shtetet me komunitete më të mëdha ruse janë Estonia e Lituania (25% e popullsisë), Kazakistani (20%), Ukraina (17%).

 

Midis një doktrine Monroe “allaruse” dhe Russkij Mir

Sipas Karaganov, komunitetet ruse në shtetet e reja të pavarura qenë enklava politike që do të duhej të siguronin jetëgjatësinë e influencës së Moskës në hapësirën passovjetike. Një vizion i tillë buronte nga ideja, sipas së cilës të sapolindurës Federatë Ruse duhej t’i takonte e drejta e ushtrimit në këto territore e një influence politike të ngjashme me Doktrinën Monroe amerikane. Për pasojë, ashtu siç Uashingtoni nuk kishte lejuar ndërhyrje europiane në kontinentin amerikan, njëlloj edhe Moska do të sigurohej që asnjë shtet passovjetik nuk do të integrohej në struktura perëndimore. Kjo shpjegon pse hyrja e republikave balltike në NATO në vitin 2004 dhe revolucionet e njëkohëshme me ngjyra në hapësirën passovjetike janë bërë për strategët rusë një burim obsesiv preokupimi për t’u kundërshtuar me të gjitha mënyrat.

Supozimi perëndimor sipas të cilit Rusia do ta pranonte gradualisht humbjen e perandorisë ishte e destinuar kështu që të hidhej poshtë. Por në Rusi, gjatë procesit të komplikuar të ripërkufizimit të identitetit kombëtar në vitet ‘90, këo qëllime qenë ende opake. Konsensusi strategjik – që megjithatë ishte tashmë i pranishëm në rrënjën e deklaratave të Karaganov – u arrit vetëm nga fundi i dekadës me ardhjen e Primakov dhe u struktura në vijim nga Vladimir Putin. Duke filluar nga mandati i dytë i këtij të fundit, idetë e Karaganov u morën dhe u bashkangjitën në mënyrë gjithnjë e më sistematike me konceptin e “botës ruse” (Russkij Mir). Fillimisht i lindur si një diskutim filozofik rreth të cilit qenë elemenë bazë të qytetërimit rus, Russkij Mir është bërë një iniciativë etnocentrike e mbështetur nga Kremlini me qëllim që të konsolidojë lidhjen e besnikërisë që bashkon diasporën ruse me Moskën mbi bazën e vlerave tradicionale dhe antiliberale.

Kështu, Russky Mir përmbledh një komunitet me konture qëllimisht të papërcaktuara dhe që i kalon kufijtë e Federatës, e cila qysh nga viti 1991 gjendet në një situatë ku kufijtë kombëtarë nuk përkojnë më me ato etnikë. Një mospërputhje e tillë për Kremlinin përfaqëson si një padrejtësi historike, ashtu edhe një kërcënim ndaj interesit kombëtar. Kështu që nga kjo buron edhe e drejta e Rusisë për të ndërhyrë në Fqinjësinë e Afërt në mbrojtje të atyre anëtarëve të botës ruse të konsideruar në rrezik. Sipas një vizioni të tillë, aneksimi i Krimesë duhet interpretuar kështu jo vetëm si akti i një shteti në gjendje të mbrojë interesat e tij, por edhe si riintegrimi në vend i një rajoni, kulturalisht rus, që ndodhet në gjendje rreziku.

 

Doktrina Karaganov në punë

Duke pasur parasysh këto premisa, është e qartë se mbrojtja e diasporës ruse jashtë bëhet një instrument i politikës së jashtme i manovrueshëm nga Kremlini. Nganjëherë për të përfunduar inkursione territoriale si në Krime apo në Gjeorgji, të tjera për të vënë nën presion shtete të tjera me qëllim që t’u studiojnë reagimet apo për t’o shkurajuar nga veprime të caktuara, si në rastin e republikave balltike. Fakti i veprimit apo i mosveprimit dhe gjithmonë sipas shkallëve të ndryshme të impenjimit pasqyron karakterin instrumental që mbrojtja e diasporës ruse ka në planet e Kremlinit.

Rasti i Krimesë është sigurisht ilustrimi më qartë i një instrumentalizimi të tillë. Në diskutimin e tij për Krimenë të 18 marsit 2014, Putini deklaroi se Rusia do t’i mbronte gjithmonë interesat e miliona rusëve apo të rusishtfolësve të pranishëm në Ukrainë pasi mbrojtja e tyre futej në interesin kombëtar rus. Mbrojtja e komunitetit rus në Krime u bë preteksti për një aneksim, por që varej sidomos nga kalkulime strategjike: t’i hiqej një pikë lidhjeje me vlerë të lartë gjeopolitike një vendi që gjithnjë e më shumë ishte rreshtuar rrezikshëm me strukturat atlantike dhe europiane. Për Moskën, një afrim i mëtejshëm i influencës perëndimore në kufijtë e saj ishte e patolerueshme dhe përgjigjia ndaj këtij ekspansionizmi perëndimor duhej të jepej me një “grusht te hekurt” siç kishte paralajmëruar Karaganov qysh më 2011. Këtij motivacioni i shtohej një tjetër: t’i bënte me dije botës së krenaria kombëtare ruse ishte gati të riparonte padrejtësitë historike e sipërpërmendura.

Të njëjtat motivacione kontribuojnë që të shpjegohet ndërhyrja e armatosur në Gjeorgji në gushtin e 2008, edhe një herë akoma e justifikuar zyrtarisht me nevojën për të mbrojtur shtetasit rusë e Oshecisë së Jugut dhe paqeruajtësit e CSI të dislokuar në rajon nga viti 1992. Është interesante të vërehet se më 2008 deklaratat zyrtare u referoheshin vetëm shtetasve rusë, domethënë personave në posedim të një pashaporte ruse, pa përdorur as termin “bashkëpatriotë”, as “të gjuhës nënë ruse”. Përkundrazi, më 2014, në diskutimet e tij Putini i bëri referim të hapur edhe këtyre termave të fundit me konture shumë më të vagullta. Nga kjo nxirret rritja e madhe e rëndësisë së doktrinës të Karaganov në politikën e jashtme të Kremlinit.

Si në rastin gjeorgjian, ashtu edhe në krizën ukrainase, është e rëndësishme të kujtohet “politika e pashaportave” e zbatuar nga Kremlini përpara ndodhjes së ngjarjeve luftarake. Duke filluar nga viti 2006, autoritetet ruse në Gjeorgji u dhanë shtetësinë ruse shecëve jugorë dhe e njëjta gjë ndodhi edhe në rastin ukrainas. Pas 7 vitesh konflikt në Donbass, megjithëse jo e interesuar për aneksimin e rajoneve separatiste të Luhanskut e Donjeckut, Moska duket se përqëndrohet vetëm ta kufizojë sovranitetin ukrainas, por e bën duke forcuar ndërkohë influencën e saj mbi rajon, aq sa në qershorin e 2020 autoritetet ruse kanë njoftuar qëllimin e dhënies së 1 milion pashaportave ruse banorëve të rajoneve perëndimore të Ukrainës.

Në radhë të parë midis shteteve që i frikësohen një zbatimi direkt të doktrinës Karaganov janë Estonia dhe Lettnia. Ama duhet kujtuar se, ndërsa Gjeorgjia dhe Ukraina qenë ende në traktativa për t’ju bashkuar strukturave atlantike, shtetet balltike qenë në fakt tashmë anëtarë të Aleancës Atlantike dhe, për pasojë, të mbrojtur nga Neni V. Prandaj një ndërhyrje ruse si ajo që ka ndodhur në Gjeorgji e në Ukrainë me pretekstin e mbrojtjes së minorancave ruse të pranishme në Letoni apo në Estoni duke vështirë e praktikueshme, duke i këshilluar Kremlinit maturi të madhe. Megjithatë kjo nuk do të thotë se Moska do të tërhiqet nga forcimi i lidhjeve të saj me botën ruse më qëllim destabilizimin indirekt të panoramës politike estoneze apo letoneze.

Ndoshta është pikërisht në këtë papërcaktueshmëri që qëndron edhe pika e forcës e doktrinës Karaganov. Ashtu si kufijtë e Russkij Mir janë lënë qëllimisht të mjegullta, po ashtu është edhe spektri i ndërhyrjeve të mundshme. Duke mundur të veprojë mbështetur në lidhje kulturore, sociale dhe ekonomike, me një destabilizim sociopolitik apo duke i hapur rrugën ndërhyrjes ushtarake, Moska është e gatshme ta ushtrojë influencën e saj mbi Fqinjësinë e Afërt. Spektri i këtij kërcënimi indirekt, por gjithmonë aty, mund ta forcojë kështu praninë ruse në hapësirën passovjetike, por, me qëllim që restaurimi i influencës ruse, të parashikuar nga Karaganov, të mund të ketë sukses, roli i Russkij Mir mbetet thelbësor, duke ju kërkuar rusëve që jetojnë përtejkufirit besnikëri, kujtesë dhe një identifikim të fuqishëm me vlerat e përbashkëta të ripropozuara nga Kremlini.

(nga Geopoliticus)

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

LEAVE A REPLY