Çfarë ndodh nëse Rusia vendos ta “shohë bllofin” e Shteteve të Bashkuara?

Çfarë ndodh nëse Rusia vendos ta “shohë bllofin” e Shteteve të Bashkuara?

33
0
NDAJ

Në rast se Rusia e “sheh bllofin” e Uashingtonit lidhur me Ukrainën, atëhere Shteteve të Bashkuara u mbeten pak opsione.

Tensionet në rritje midis Rusisë dhe Ukrainës po prodhojnë një valë mburrjesh pa vend nga ana e administratës Biden, si nga ana e “fajkojve të vegjël”, ashtu edhe nga ana e think tank të Uashingtonit. Administrata vazhdon që ta sigurojë qeverinë e Ukrainës se Shtetet e Bashkuara dhe NATO do ta mbështesnin Kievin në konfrontimin e tij me separatistët e mbështetur nga Rusia në rajonin lindor të Donbassit dhe me vetë Rusinë. Një komunikatë për shtyp e 2 prillit e Shtëpisë së Bardhë ka konfirmuar se në një telefonatë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, Biden “ka theksuar mbështetjen e vendosur të Shteteve të Bashkuara ndaj integritetit territorial tië Ukrainës përballë agresionit të vazhdueshëm të Rusisë në Donbass e në Krime“. Funksionarë të tjerë të nivelit të lartë të administratës, midis të cilëve Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin dhe Sekretari i Shtetit Antony Blinken kanë bërë të njëjtë gjë.

Në sipërfaqe, rusofobët amerikanë duken sikur thuajse kanë dëshirë për larje hesapesh ushtarake me Moskën. Marrëdhëniet bilaterale të përgjithshme janë përkeqësuar më tej me 15 prill, kur administrata ka vendosur një seri sanksionesh shtesë ndja bizneseve dhe qeverisë ruse për një seri fajesh të supozuara, midis të cilave ndërhyrja [e pretenduar] në zgjedhjet amerikane të 2020, keqtrajtimi i Alexei Navalny dhe i disidentëve të tjerë të brendshëm dhe sjellja agresive ndaj vendeve fqinje. Duke përdorur një logjikë dhe një gjuhë të ngjashme me atë të një gjimnazisti që përjeton një rritje testosteroni dhe mendon ta sfidojë rivalin në parkun e lojërave, admirali James Stavridis, ish komandant i forcave të NATO, ka pohuar në një editorial se Putini po synonte ekspansionin territorial në kurriz të Ukrainës dhe se Biden duhet të “shtrembërohet në fytyrë”.

Megjithat, ekspertë të besueshëm dyshojnë se Shtetet e Bashkuara do të futeshin realisht në luftë kundër Rusisë për të mbrojtur Ukrainën. Anatol Lieven, studiuesi i Quincy Institute, pohon kategorikisht se Shtetet e Bashkuara “nuk synojnë aspak ta luftojnë Rusinë” dhe, për pasojë, duhet të reshtin së armatosuri Ukrainën dhe inkurajuari pozicionin gjithnjë e më luftarak të Kievit kundër fqinjit më të madh e më të fuqishëm. Shpresohet që Lieven të ketë të drejtë dhe, edhe sikur të shpërthenin luftimet midis Rusisë dhe Ukrainës, shëndeti mendor duhet të mbizotëronte dhe liderët amerikanë nuk do të hynin në një luftë që bart rrezikun e ndërthurur të një holokausti bërthamor.

Një administratë e mëparshme amerikane e kishte inkurajuar një prej fqinjëve të Rusisë të “bënte bukuroshin” dhe të tregonte muskujt ushtarakisht, vetëm për ta braktisur kur kanë shpërthyer luftimet e vërteta. George W. Bush e kla shtyrë presidentin e Gjeorgjisë  Mikheil Saakashvili të besojë se vendi i tij ishte një aleat i çmuar i Shteteve të Bashkuara dhe se këto të fundit dhe NATO do t’i vinin në ndihmë Gjeorgjisë në rast se përfshihej në një konflikt të armatosur me Rusinë. Saakashvili kishte të gjitha arësyet të besonte se e kishte mbështetjen e palëkundur të Uashingtonit. Administrata Bush kishte furnizuar me miliona dollarë në armë Tbilisin, stërvitur trupat gjeorgjiane dhe kishte ushtruar presione aktive ndaj NATO për ta pranuar Gjeorgjinë si anëtare të re.

Por kur një Saakashvil shumë i sigurtë në vetëvete ka kërkuar që të marrë kontrollin e një rajoni separatist dhe ka vrarë trupa paqeruajtëse ruse aty, atëhere Moska ka ndërmarrë një kundërofensivë që i ka flakur tej njësitë gjeorgjiane. Pavarësisht indikacioneve të mëparshme mbështetëse të Uashingtonit, forcat amerikane dhe të NATO janë tërhequr me maturi. Gjeorgjisë i është dashur të firmosë një marrëveshje poshtëruese për t’u dhënë fund luftimeve.

Uashingtoni mund t’i duhet të përballojë një situatë të ngjashme në rast se Ukraina, duke besuar në mbështetjen e Shteteve të Bashkuara e të NATO, do të kërkonte në mënyrë idioteske t’ia mrrte Krimenë Rusisë apo lëshuar një ofensivë të re kundër separatistëve prorusë në Donbass. Duke qenë se e ka impenjuar kaq publikisht prestigjin e Shteteve të Bashkuara në mbështetjen e Kievit, për Uashingtonin do të ishte më e vështirë për ta braktisur Ukrainën nga sa ka qenë për administratën Bush që ta braktiste Gjeorgjinë në fatin e saj. Të njohurit e zakonshëm do të insistonin se Shtetet e Bashkuara nuk do të mund të tërhiqeshin pa pësuar një dëm të pariparueshëm ndaj “besueshmërisë” së tyre si superfuqi. Megjithatë edhe funksionarë arësyeshmërisht të matur ka mundësi që do ta parnonin se një ndërhyrje SHBA – NATO kundër forcave ruse mund të rezultojë jashtëzakonisht i rrezikshëm.

Duke pasur parasysh këto presione të kundërta, përgjigja më probabël e Shteteve të Bashkuara do të ishte ajo e goditjes ushtarakisht të një simboli të fuqisë dhe të influencës ruse, por që nuk shkakton një konfrontim të drejtpërdrejtë ushtarak me Moskën. Situata të kujton opsionet që liderët amerikanë miratonin gjatë Luftës së Ftohtë në rast se Bashkimi Sovjetik do të absorbonte enklavën perëndimore e Berlinit Perëndimor. Pritshmëria më e zakonshme ishte se Uashingtoni do të abstenonte nga një konfrontim bërthamor në Europë, por do të hakmerrej duke eliminuar aleatin e Moskës në Hemisferën Perëndimore, Kubën.

Një kundërpërgjigje e ngjashme “sy për sy” është ndoshta akoma probabël sot, në rast se konfrontimi aktual me Rzusinë do kulmonte në luftime midis forcave ruse dhe atyre ukrainase. Megjithatë lista e objektivave të mundshëm për një raprezalje nga ana e Shteteve të Bashkuara nuk është e gjatë. Kthimi duke goditur Serbinë, siç bëri me entuziazëm administrata Clinton në vitet ’90, do të ishte i kotë. Edhe pse Beogradi mban lidhje të ngushta me Moskën, vendi është demokratik dhe kërkon edhe të pranohet në Bashkimin Europian. Edhe aleatët e mediave më të zjarrta të administratës Biden do të kishin vështirësi ta portretizonin Serbinë e sotme si një diktaturë të urryer apo si një kërcënim ndaj paqes rajonale.

Siria do të ishte një kandidate më e besueshme, por ndërmarrja e një ofensive të madhe për të shfronësuar Bashar al-Assad do të ishte e rrezikshme po aq sa të sulmoheshin forcat ruse në Ukrainë. Moska ka një bazë detare me rëndësi vendimtare në Siri dhe mijëra ushtarakë ruse operojnë në vend. Rreziku i një përplasjeje midis forcave amerikane dhe ruse, duke shkaktuar kështu një luftë në shkallë të gjerë, do të dukej tejet probabël.

Kuba mbetet një objektiv i mundshëm, por ekziston një më i lehtë për një “luftë çlirimtare” amerikane që do të përbënte edhe një poshtërim gjeopolitik për Rusinë: Venezuela. Administrata e Donald Trump nuk e ka mbajtur të fshehtë faktin se dëshiron që ta rrëzojë regjimin e ekstremit të majtë të Nicolas Maduro. Administrata jo vetëm që i dhënë mbështetje diplomatike dhe financiare liderit të opozitës Juan Guaido, por edhe i ka kërkuar Rusisë që reshtë së mbështeturi qeverinë e Maduro. Sigurisht që Moska e ka mbështetur gjerësisht Maduro dhe nuk është e ekzagjeruar të thuhet se Venezuela është një shtet klient i Kremlinit. Gjatë viteve të Trump, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë kryer një “luftë me bedel” në kuptimin e vërtetë të fjalës lidhur me Venezuelën.

Pavarësisht shpresave të përhapura se Biden do të ndiqte një qasje më pajtuese, administrata ka vazhduar politikën e Trump. Uashingtoni e njeh ende Guaido si president legjitim të Venezuelës dhe Shtëpia e Bardhë e vazhdon “deklarimin e emergjencës” të Trump që e quan Venezuelën një kërcënim ndaj sigurisë kombëtare.

Pavarësisht mbështetjes ekonomike dhe politike ekzistuese, çdo ndërhyrje ruse në favor të Venezuelës duket tejet e pamundur dhe liderët amerikanë duken besimplotë në moderimin e vazhdueshëm të Moskës, pavarësisht veprimeve të Uashingtonit. Edhe kundërshtimi i brendshëm ndaj një lufte ndryshimi regjimi mund të mbështetet pa shumë probleme, edhe pse disa prej aleatëve progresistë të presidentit sigurisht që nuk do të ishin të lumtur. Administrata  (bashkë me legjionet e saj të aleatëve në media) do ta kalonte ndërhyrjen si të nevojshme jo vetëm për të larguar një diktaturë brutalisht represive, por edhe për të parandalur një kërcënim ndaj sigurisë në “oborrin e shtëpisë” të Amerikës.

Një luftë ndryshimi regjimi kundër Venezuelës është saktësisht lloji i përgjigjes “sy për sy” që mandarinët e politikës së jashtme amerikane, të poshtëruar, por ende të zemëruar dhe agresivë, mund të zgjedhin për ta shpëtuar paksa prestigjin në rast se Rusia do ta “shikonte bllofin” e Uashingtonit lidhur me mbrojtjen e Ukrainës. Natyrisht, ka edhe një mënyrë shumë më të lehtë për fajkojtë e kolltukut dhe bombarduesit me laptop të Amerikës që ta shmangin rrezikun e një poshtërimi të tillë. Por kjo qasje do t’u kërkonte atyre që përfundojnë së bëri “kokën e madhe”, “t’i nxjerrin shpatat nga milli” dhe nuk duken të prirur që të zgjedhin një qasje sa elementare, aq edhe të matur.

(Ted Galen Carpenter, Senior Fellow në Studimet e Sigurisë të Cato Institute, është autor i 12 librave dhe i më shumë se 900 artikujve lidhur me çështjet ndërkombëtare)

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

 

LEAVE A REPLY