Ngritja dhe rënia e zyrës

Ngritja dhe rënia e zyrës

316
0
NDAJ

Zyrat qenë vendi i kohës së lirë të institucionalizuar. Drejtuesit kërkonin që të vinin në punë vartësit e tyre, ndërkohë që këta të fundit bënin gjithçka për t’ju shmangur detyrimeve të tyre.

 

Në pranverën e 1822 Charles Lamb, një punonjës i Kompanisë së Indive Lindore në Londër (një prej zyrave të para të historisë) u ul në tavolinë për t’i shkruar një letër një miku. Nëse të punuarit në një ndërtesë pararojë e entuziazmonte dhe ishte i lumtur që ishte pjesë e një institucioni që në shekujt e mëpasëm do të transformonte botën, sigurisht që nuk e linte t’i shikohej. “Nuk e di sa është e lodhshme”, shkruan Lamb, “të frymëzosh ajrin e katër mureve shtypëse, papushim, ditë pas dite, nga ora 10 deri në 16, orët më të bukura të ditës”. Letra bëhet më tej akoma edhe më e errët: Lamb shpreson që të qëndronte “ndonjë vit midis skrivanisë dhe varrit”. Për më tepër, “janë e njëjta gjë”, përfundon ai. Bota për të cilën fliste Lamb nuk ekziston më. Famëkeqja Kompani e Indive Lindore u zhyt në turp nga mesi i ‘800 dhe trashëgimia më  famshme e saj, dominimi kolonial britanik në Indi, u shpërbë një shekull më pas. Ama letra tingëllon akoma familjare, pasi ndërsa perandoritë e tjera janë shembur, perandoria e zyrës vazhdon të mbretërojë e pakundërshtuar mbi jetën punuese moderne. Është një perandori me përmasa marramendëse, që llogarit një popullsi prej qindra milionë  njerëzish në çdo cep të planetit dhe dominon horizontet e qyteteve tona: ndërtesat më të larta nuk janë më katedrale apo tempuj, por kontenitorë shumëkatësh që gëlojnë nga punonjësit. Kjo perandori kushtëzon jetët tona. Në rast se jeni midis nënshtetsave të saj, ka të ngjarë që kaloni më shumë kohë bashkë me kolegun e padurueshëm në të djathtën tuaj sesa me gruan apo burrin, të dashurit apo fëmijët tuaj.

Ose më mirë, deri pak kohë më parë ishte kështu. Këtë pranverë, thuajse nga një ditë në tjetrën, zyrat e të gjithë botës janë boshatisur. Nga New York e Parisi, nga Madridi e nga Milano, open space presin më kot të vijnë udhëtarët që nuk do të vijnë më kurrë. Ashensortë e boshatisur lëvizin lart e poshtë duke treguar numrin e kateve dhe duke hapur dyert në hapësirat boshe përpara; shpërndarësit e ujit gurgullojnë, duke ftohur ujin që askush nuk do ta pijë. Jeta në zyrë është ndalur. Qysh përpara Covid-19, kjo perandori kishte filluar të lëkundej paksa. Me rritjen e qirave, revolucionin dixhital dhe kërkesën në rritje të punës fleksibël, populli i saj kishte filluar ngadalë të emigronte drejt vendeve të tjera. Më shumë se gjysma e krahut të punës amerikan punonte tashmë nga shtëpia, të paktën për një pjesë kohe. Në të gjithë botën, puna në largësi ishte në rritje konstante prej një dekade dhe ekspertët parashikonin se do të rritej më tej. Ama askush nuk e imagjinonte një ndryshim kaq drastik kaq shpejt. Është shumë shpejt për të thënë nëse zyra ka vdekur. Siç ndodh shpesh kur jemi përballë një humbjeje të papritur, gjykimi ynë errësohet nga emocione kundërshtuese. Ndërsa përgatitemi për një ditë tjetër smart working duke veshur tutat, lehtësia e të qenit të çliruar nga spostimet e përditshme dhe kënaqësia e të kthyerit krahët atij që Philip Larkin e quante “bretku i punës” ngjyroset me brengë dhe nostalgji.

Por nuk duhet të ngatërrohemi nga sentimentalizmi. Zyrat kanë qenë gjithmonë hapësira thellësisht jo të përkryera. Ajo e Kompanisë së Indive Lindore, ndër të parat e botës, u ndërtuan më nga nevoja e përfaqësimit sesa nga nevojat reale burokratike. Qenë stoli të skalitura në gur, ku soliditeti i shkallëve prej mermeri dhe eleganca e kolonave paladiane shërbenin për t’i projektuar botës së jashtme një ndjenjë produktiviteti dhe efikasiteti. Natyrisht që qe njkë budallallëk. Të krijuara për të garantuar efikasitet, zyrat qenë vendi i kohës së lirë të institucionalizuar. Në një lloj gare armatimesh, drejtuesit kërkonin që t’i vinin në punë vartësit e tyre, ndërkohë që këta bënin gjithçka për t’ju shmangur detyrimeve të tyre. Në East India House, ku atëbotë punonte Lamb, kontrolli obsesiv i detajeve arrinte në nivelet e një call center të sotëm. Në fillimet e ‘800, kompania kishte futur një libër prezence që punonjësit duhej ta firmosnin kur vinin, kur largoheshin dhe pastaj për çdo 15 minuta gjatë ditës. Në të vërtetë, nuk shërbente shumë. “Gjëja e bezdis jashtëzakonisht shumë Dodwell”, shkruan Lamb. “Nganjëherë duhet t’i shkosh që të firmosësh 6 apo 7 herë në ditë teksa lexon gazetën”.

Zyrat e para qenë ato qeveritare apo të enteve thuajse qeveritare si Kompania e Indive Lindore. Për të menaxhuar një vend, le më pastaj një perandori, shërbenin disa kuti dhe të qeverisje ishte më e thjeshtë nëse të gjithë funksionarët ndodheshin në të njëjtin vend. Por ndryshimi i vërtetë erdhi me Revolucionin Industrial. Qymyri, çeliku dhe avulli nisën të rotullojnë gjithnjë e më shpejt rrotat e industrisë tekstile angleze dhe hekurudhat u përhapën nëpër fshatra. Trenat e rinj me avull sillnin në qytete një numër gjithnjë e më të madh punëtorësh që nga skrivanitë apo nga tavolinat nisën të zhvillonin profesionet ndihmëse – financë, drejtësi, tregti me pakicë – të lindura për të mbështetur industrinë e rëndë. Ritmet e fshatit u bënë një kujtim i së kaluarës. Puna, që më parë ishte e copëzuar dhe shpesh e varur nga klima, u bë indi i vetë jetës. Elementi me pavazhdueshmëri më të madhe i zyrës nuk është edhe aq vendi fizik në vetvete, por koha që kalojmë brenda saj. Ky aspekt ishte i huaj për shumë shoqëri të së kaluarës.

Në ‘900, arkitektët dhe inxhinierët që në të kaluarën kishin projektuar fabrikat e spostuan vëmendjen e tyre ndaj zyrave. Pjesët e lëvizshme e këtyre makinave qenë njerëz në mish e kocka dhe prodhimi ishte thjesht letër, por konsiderohej se parimet qenë të njëjtit. Në Shtetet e Bashkuara ekipe ekspertësh të bindur se një zyrë e mirëorganizuar është një gjë e dëshirueshme në vetëvete, me kronometër në dorë, masnin kohën e nevojshme për të përfunduar me sukses çdo detyrë të caktuar. Çdo aktivitet që i sposonte më tej përpara akrepat e orës anullohej nga blloqet e tyre të shënimeve. Sipas Frederick Taylor, që në fund të ‘800 solli në fabrikë studimet e para lidhur me kohën dhe lëvizjen, punëtorët jepnin më shumë kur qenë të ulur në radhë përpara skrivanive, si në një sallë provimesh shkollore. Pak rëndësi ka se studime të tjera demonstruan se punëtorët japin më shumë kur vihen nën vëzhgim për të kuptuar sesa japin. Kishte lindur zyra open space. Studimet e fundit mbi kohën dhe lëvizjen të lidhura me zyrën japin rezultate shkurajuese. Puna e zyrës zë jo vetëm një pjesë të madhe të kohës tonë, por edhe pjesën më të mirë, orët ku jemi zgjuar e të gjallë. Shtëpisë dhe të dashurve tanë i mbesin vetëm mbeturinat. Sipas një studimi të Bain & Company të 2014, pjesa më e madhe e menaxherëve kalon të paktën 20 orë në javë nëpër mbledhje. Në harkun e një jete nënkuptojnë 5 vite. Pjesa më e madhe e këtyre mbledhjeve, zbulojmë trishtueshmërisht më pas, fare mund të ishin shmangur.

Por të punuarit nuk ka qenë kurrë vertet qëllimi i zyrave. Në 2004 Corinne Maier, një psikanaliste franceze që punonte për kolosin francez të elektricitetit EDF, shkroi një libër të titulluar Bonjour Laziness: Why Hard Work Doesn’t Pay. Një kritikë ndaj kulturës së kompanive, libri u bë menjëherë një bestseller botëror. Larg nga të ndihmuarit e efikasitetit, thotë Maier, zyrat janë të “kota” pasi punonjësit “humbasin goxha kohë duke marrë pjesë në mbledhje dhe duke folur gjuhën e kompanive, por në realitet bëjnë shumë pak”. Ajo e para kishte kuptuar se arrinte ta bënte të gjithë punën që duhej “gjatë 2 orëve të mëngjesit”. Në kohën e mbetur i kushtohej projekteve të saj, si hartimi i një teze universitare dhe i librave të saj. “Isha shumë efikase”, bën shaka ajo. EDF-ja, që dukshëm kishte në mendje një tjetër lloj efikasiteti, ia nënshtroi një mase disiplinore. Në përgjithësi të shkruarit për jetën në zyrë nuk e garanton famën e menjëhershme, të paktën në Perëndim. Letrat e Lamb janë emblematike. Destinatari i letrës si cituar më parë ishte William Wordsworth, poeti i madh romantik, që i kalonte ditët duke shëtitur në Lake District dhe i mbushte faqet e tij me narçizë vallëzues. Kurse Lamb i kalonte ditët e tij në lagjen financiare të Londrës duke mbajtur shënime në letër çmimin e çajit. Jeta jonë duket ajo e Lamb, por është ajo e Wordsworth që kujtojmë më shumë. Nuk ka qenë vetëm poezia ajo që e ka shpërfillur jetën në zyrë, por edhe narrativa (Kina, ku autorë me sukses të madh shkruajnë libra me tituj tërheqës si Blloku i shënimeve i nëpunësit publik, përbën përjashtim).

Tema është trajtuar nga shkrimtarë të mëdhenj, midis të cilëve Balzac, Dickens, Flaubert, Melville dhe Kafka, por gjithmonë me qëllim satirik më shumë sesa festiv. Shkrimtari amerikan Joshua Ferris është lavdëruar nga kritika për romanin e tij Then We Came To The End (Beat 2010), i shkruar i gjithi në vetën e parë shumës si për të nëvizuar anullimin e personalitetit të individit në identitetin kolektiv të kompanisë. Por në më të shumtën e rasteve zyra, që sëthë gjithmonë e pranishme në jetën tonë, është e munguara e madhe e letërsisë. Poetët janë më të hidhurit. John Betjeman uron që të bien bombat dhe “t’i bëjnë në njëmijë copa /ato mensa plot dritë dhe të klimatizuara”. Tek The Waste Land, T.S. Eliot (që kishte punuar tek Lloyds Bank) e përshkruan turmën e kalimtarëve që kalon London Bridge si një rreth dantesk: “Kaq e madhe, sa që unë nuk do ta kisha besuar kurrë se vdekja kaq shumë do kishte marrë”. Walt Whitman tallet me shitësat, njerëz “me këmbë të shkurtëra, fytyrë të ngrirë dhe gjoksin petë”.

Ka një ndjenjë të keqfshehur superioriteti në këto sulme, por motivet për t’i kritikuar zyrat janë të shumta. Nga pikëpamja arkitekturore, shembujt më të fundit shpesh janë të sikletshëm. Ndërsa në Romën e lashtë ishte Koloseu, në Firencen e Rilindjes Kupoja e Brunelleschi dhe në Kostandinopojë Bazilika e Shën Sofisë, ne sot kemi një seri kutishë të ndërkëmbyeshme xhami dhe çeliku. Motivi, thotë dizajneri britanik Thomas Heatherwick, është se projektimi i zyrave dhe në realitet i të gjitha ndërtesave publike është “zbehur”. Në të kaluarën, shpjegon ai, vendi i punës “mund të lejohej të ishte thjesht një skrivani”, ashtu siç një dyqan mund të ishte “një vend çfarëdo plot me tufa çorapesh apo mbathjesh”. Me revolucionin dixhital këtë nuk mund t’ia lejojmë më vetes. Sot, thotë Heatherwick, duhet të kemi në arësye të mirë për të dalë nga shtëpia, përndryshe “pse do të duhet ta bëjmë?”. Është momenti që zyrës të bëhet një rregullim.

Si një baba në diskotekë, prej disa kohësh zyra po e provon. Disa arkitektë kurajozë kanë arritur të thyejnë skemat duke projektuar zyra në formë kungujsh, rendesh djathi e walkie-talkie dhe kjo vetëm në Londër. Për të rigjallëruar paksa hapësirat e brendshme, startup-et kanë futur tavolina pingpongu dhe vaska me toptha (“argëtime idiote”, komenton prerë Heatherwick). Pastaj kanë filluar t’u ofrojnë vaktë falas punonjësve në tentativën për t’i mbajtur përjetësisht të lidhur pas vetes. Pse të darkosh në shtëpi kur kompania të ofron falas një pjatë më të mirë sesa tasi me makarona që të pret në frigorifer? Pastaj ka ardhur WeWork, një kompani sublokacioni që prej ndonjë motivi misterioz është bërë fenomen kult duke shpërndarë falas biskota dhe birra. Ndoshta kishte të bënte fakti që shefi ishte Adam Neumann, një njeri që dukej si Krishti i dalë nga fabrikat e lojërave të Mattel. Për pak kohë të gjithë kanë besuar tek Neumann. Pastaj, në një moment të caktuar, kanë pushuar. Vitin e kaluar, kapitalizimi i tregut të WeWork la zbritur në 1/6 e 47 miliard dollarëve të hipotezuar dikur dhe Neumann është dorëhequr. Natyrisht, për të bërë një zyrë nuk mjafton të ofrosh diçka për të ngrënë. Sipas Heatherwick, zyra duhet të jetë një vend frymëzimi, një “tempull”, një vend bukurie që mund ta admirojmë deri ta dashurojmë. Edhe pse kompania e saj e ka një zyrë, Heatherwick preferon ta quajë studio. Fjala zyrë, thotë ajo, “bën që të më priten krahët”.

Zyra mund të jetë vetëm një ofendim për sytë, por edhe e dëmshme për trupin. Të qëndrosh ulur nuk është tamam si të tymosësh duhan, por sigurisht që nuk i bën mirë shëndetit. Kalimi i gjithë kohës në një karrike bën të rritet rreziku i sëmundjeve kardiake, diabetit të tipit 2, disa tumoreve dhe i të gjitha llojeve të dhimbjes së kurrizit. Një tjetër problem i zyrës është se kristalizon pabarazitë sociale. Shefat tentojnë që të zgjedhin punonjës sipas imazhit dhe ngjashmërisë së tyre, duke përjetësuar kështu privilegjin mashkullor. Në 2018, midis drejtuesve të 100 kompanive të para të tregut të bursës së Londrës, kishte më shumë burra me emrin Steve sesa gra. Shpesh zyrat janë vende fizikisht të përgatitura për nevojat e burrave më shumë sesa të grave: sipas një studimi të kohëve të fundit, temperatura e ajrit është thuajse gjithmonë e vendosur “për t’ju përshtatur koeficentëve metabolizues të një burri 40 vjeçar që peshon 70 kilogram”. Burrat ndjehen mirë, gratë vdesin nga të ftohëtit.

Zyra ruan mekanizma të mëtejshëm në mbrojtje të patriarkatit. Kryesori është trajtimi i rezervuar fëmijëve të punonjësve: ose, më mirë, mostrajtimi. Për pjesën më të madhe të historisë, bota e punës i ka injoruar krejtësisht fëmijët (gara për sportelet e shkaktuar nga ardhja e binjakëve Banks në zyrën e babait tek Mary Poppins të bën të kuptosh se çfarë ndodh kur fëmijët paraqiten në vendin e punës). Ato që duhej të merreshin duhej të ishin engjëjt e oxhakut, si i quanin me dashuri viktorianët gratë e martuara. Në ‘900, kur më së fundi gratë hynë në botën e punës, engjëjt i humbën krahët. Zyrat ju përgjigjën atij transformimi epokal pa kurrfarë lëshimi. Qysh atëhere grave ju duhet të rropaten midis rolit të engjëllit dhe atij të menaxherit, duke ia paguar çmimin në termat e stresit. Për të mos folur për të gjitha ato foto katalogu që tregojnë gra të veshura si për zyrë që mbajnë fëmijët në krah. Një degë e vogël e botimeve është specializuar në libra me tituj kuriozë si Si arrihet të bëhet gjithçka?

Indiferenca e përsëritur e zyrës ndaj fëmijëve ka çuar në fenomenin social që Emily Oster, Profesore e Ekonomisë në Brown University dhe autore e Cribsheet, një guidë mbi bazë statistikore për të rritur fëmijët, e quan “prindërim sekret”. Prindërit sforcohen në të gjitha mënyrat që të mos bëhet e ditur se kanë fëmijë, duke vënë në zbatim një seri teknikash që shkojnë nga mosekspozimi i fotove të familjes në zyrë tek të shtirurit si të sëmurë për t’u kujdesur që të mbajnë fëmijët e tyre vërtet të sëmurë. Frika, thotë Oster, është se mos dikush “mund të mendojë se po i jepet prioritet rolit të tyre si prindër”. Kur je nënë që punon “i bën gjërat pakashumë fshehurazi”, thotë ajo. Pavarësisht lodhjes së spostimeve, kolegët, qëndrimi ulur dhe mbledhjet e kota, zyra na jep diçka tjetër: gëzim. Lucy Kellaway, që prej vitesh në “Financial Times” i kushtohet absurditetit të jetës në zyrë, flet për “artificialitetin e madh” i të cilit i bëhemi pjesë në momentin kur shkelim në zyrë. “Shtiremi se i kemi gjithmonë veshjet në rregull dhe se jemi profesionistë e impersonalë në gjithçka e për gjithçka, kur ka mundësi në kokat tona – sigurisht edhe në shtëpitë tona – mbretëron rrëmuja”. Sa mund të jetë e mrekullueshme kjo arteficë.

Tani që punojmë thuajse të gjithë nga shtëpia, midis fëmijëve, thërmijave të bukës së thekur përdhe dhe ilaçit të rrobave, po fillojmë të kuptojml se edhe fiksioni i një jete të rregullt në zyrë është një çlirim. I jep çdo dite strukturën e saj, ritmet e nisjes dhe të mbrritjes. Veshja e një këmishe të hekurosur për mrekulli apo e një kostumi të sapodalë nga lavanderia dhe dalja nga shtëpia do ishte ndoshta fiksion, ama, thotë Kellaway, është edhe “një prej gjërave të bukura të jetës së punës. Na mundëson të jemi njerëz ndryshe. Të gjithëve na ka ardhur në grykë nga ajo që jemi sa që mundësia për të qenë dikush tjetër, dikush më tërheqës, është një tundim i parezistueshëm”. Kur kjo rrugëdalje na mohohet, sharmi i saj pashmangshmërisht që rritet. E kështu, pavarësisht kërcënimeve me të cilat po ndeshet zyra, ka motive të mira për të qenë optimistë lidhur me të ardhmen e saj. Gjatë këtyre ditëve “hiperkonkretja vlerësohet gjithnjë e më shumë”, vëren Heatherwick. Shitjet e disqeve janë në maksimum prej vitesh, kopertinat e librave rrallë kanë qenë kaq të bukura. Edhe pse shumë nuk do ta kishin pranuar kurrë deri në këtë pranverë, gjithë ato skrivani, ata njerëz, ajo rrëmujë dhe ajo humbje kohe kanë avantazhet e tyre.

Njerëzit kanë nevojë për zyrën. Në këtë moment, raportet online na mbajnë gjallë si qenie sociale, por videkonferencat e punës shpesh janë të sikletshme dhe të papëlqyeshme. Pas gëzimit fillestar të rrëmimit nëpër shtëpitë e të tjerëve nëpërmjet Zoom, gjendemi përpara fytyrave të kolegëve, akoma më të afërta dhe akoma më invaduese se më parë, dhe vërejmë të tmerruar floktë e rralla dhe ballet e larta të tyre, të ndërgjegjshëm se edhe atyre u ngjallim të njëjtin efekt atyre. Nuk jemi më njerëz, por fytyra groteske. Asnjë bashkëbisedim në Skype nuk mund ta replikojë atë që Heatherwick e quan “kimia e të paparashikueshmes”. Zyrat ndoshta nuk do t’i mbushin me poezi faqet e antologjive, por “mund të jenë mallëngjyese si çdo vend tjetër në Tokë. Pasi ajo që na mallëngjen nuk është të qëndrosh i ulur përpara kompjuterit, por janë marrëdhëniet që kemi me njerëzit e tjerë”, thotë Kellaway. Pavarësisht ankesave, edhe Charles Lamb ishte i vetëdijshëm. Kur Wordsworth duket se kënaqet pak si shumë me gëzimet sublime e botës natyrale, Lamb përgjigjet: “Nuk ka rëndësi për mua nëse nuk do ta shoh kurrë një mal në jetën time”. Në shpërblim e vriste mendjen për qytetet dhe sigurisht që e donte zyrën. Ankesat e tij, shkruan, qenë thjesht “grindje midis të dashuruarish”. Mbi të gjitha, dashuronte skrivaninë e tij. Sepse është “druri i vdekur i skrivanisë ai që më bën të jetoj”.

(Catherine Nixey është kritike radiofonike e Times of London)

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

LEAVE A REPLY