Kush i vret filmat

Kush i vret filmat

81
0
NDAJ

Industria e argëtimit po përqëndrohet gjithnjë e më shumë në pak duar. Lajm i keq për punonjësit dhe për publikun.

Gjatë gjithë pandemisë kanë qenë shumë ata që kanë pyetur se në cilin moment kompanitë e mëdha si Netflix dhe Amazon do të vendosnin të përfitonin nga vështirësitë e sektorit kinematografik për ta rritur vëllimin e biznesit të tyre. Debati është përqëndruar mbi mundësinë që kolosët e rrjetit të kapnin një zinxhir sallash kinematografike në vështirësi. Dhe në fakt blerja e parë me peshë ka qenë ajo e një kompanie të madhe prodhimi. Më 26 maj Amazon ka njoftuar se do të blinte MGM Studios për 8.45 miliard dollarë. Blerja e studiove historike të Hollywood do ta forconte pozicionin e Prime Video në një moment ekspansioni të platformave të streaming, por dëshmon edhe një tendencë preokupuese të inkorporimit brenda industrisë së argëtimit.

 

Shfrytëzimi i të drejtave

Katalogu i MGM e zgjeron ofertën e titujve të Amazon Prime dhe rrit sasinë e të drejtave të pronësisë intelektuale për t’u shfrytëzuar. CEO në ikje Jeff Bezos ka deklaruar se blerja ishte jashtëzakonisht joshëse, pasi “MGM ka një katalog të pasur me të drejta pronësie intelektuale për tituj shumë të dashur” që Amazon do të mund ta “riimazhojë dhe ta zhvillojë për shekullin e XXI”. Këto deklarime demonstrojnë sesa njihet tashmë rëndësia e të drejtave të filmit në kinema dhe në industrinë televizive, por nuk thonë asgjë lidhur me benefitet e mundshme për punonjësit apo për publikun. E vërteta është se zhvillimi i industrisë kulturore tashmë reflekton parasëgjithash interesat e një oligopoli gjithnjë e më të fuqishëm dhe se inkorporimi minon cilësinë e produkteve.

Vitet e fundit në Shtetet e Bashkuara konsolidimi i mjeteve të komunikimit masiv ka pasur një përshpejtim të fortë. Në vitin 2009 Comcast ka blerë NBCUniversal, ndërsa Disney ka filluar të transformohet në gjigandin të është sot me blerjen e Marvel për 4 miliard dollarë. Në 2012, Disney ka blerë edhe Lucasfilm, duke gllabëruar shtyllën e dytë, në terma të të drejtave, që aktualisht i mundëson të dominojë në shitjet e biletave: Star Wars. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe ka ndodhur një tjetër ndryshim i rëndësishëm që e ka stimuluat tendencën e inkorporimit: transformimin e Netflix nga kompani e specializuar në dhënien me qira të dvd në platformë streaming. Në mënyrë të veçantë hyrja e tij në sektorin e prodhimit kinematografik dhe televiziv më 2013 ka shënuar hyrjen e kapitalit të industrisë teknologjike në botën e mjeteve të komunikimit. Industritë teknologjike kanë një akses më të lehtë tek kapitali sesa kompanitë tradicionale e komunikimit dhe argëtimit, pasi investitorët janë të bindur që dijnë të gjenerojnë fitime të mëdha. Kjo ka krijuar një presion ndaj inkorporimit, ndërsa Amazon, Apple dhe kolosë të tjerë bënin hyrjen e furishme në sektor.

Konkurrenca e sjellë nga kompanitë teknologjike veç të tjerash ka filluar të transformojë edhe modelin biznesor të sektorit. Kërkimi i përmbajtjeve të reja nga ana e shërbimeve streaming, të pajisur me resurse të mëdha ekonomike, ka shkaktuar një rritje të çmimeve, duke i detyruar kompanitë tradicionale që t’i përshtasin ofertat e tyre. Njëkohësisht modeli i streaming ka kapur hyrjet dytësore: në vend që ta nxjerrë një film në salla apo transmetuar një serial në televizor dhe më pas të shesë kopje materiale, replike dhe të drejta jashtë vendit për vite, sot përmbajtja mbetet në katalogun e platformës streaming për një kohë të papërcaktuar. Këto tendenca kanë përshpejtuar ritmin e inkorporimeve. Më 2016, AT&T ka blerë Time Warner (dhe, për pasojë, Warner Bros dhe HBO) për 85 miliard dollarë. Në të njëjtin vit ka ndodhur shkrirja midis CBS dhe Viacom. Më pas, më 2018, Disney ka blerë 21st Century Fox për 71 miliard dollarë, duke eliminuar faktikisht një konkurrent të madh të tij. Nuk është e vështirë të kuptohet pesha e kësaj lëvizjeje dhe impakti i saj ndaj industrisë.

Kritiku i njohur me pseudonimin Film Crit Hulk e krahason blerjen e Fox nga ana e Disney me një blerje hipotetike të Pepsi nga ana e Coca-Cola. “Disney ka blerë rivalin e tij, e ka çmontuar për të siguruar pjesë këmbimi, ka ruajtur disa marka me vlerë, ka shtënë në dorë katalogun dhe ka skartuar pjesën tjetër”, shkruan kritiku. “Dhe kështu, sikur të ishte asgjë, 1/6 e industrisë është zhdukur”. Edhe pse tashmë ishte rritur, përpara blerjes së Fox, Disney prodhonte çdo vit më pak filma respektivisht viteve ’90 dhe nuk do ta ruajë të njëjtin nivel prodhimi që kishte Fox. Ndërsa numri i projekteve zvogëlohet dhe pushteti i kompanive rritet, ata që e paguajnë janë punonjësit e sektorit.

 

Epoka e artë tashmë ka mbaruar

Në fillimin e luftërave të streaming mendohej se, për të tërhequr abonentë, platformat po inauguronin një epokë të re kreativiteti duke kërkuar të sigurojnë produkte të mëdha dhe talente të mëdhenj, para dhe prapa makinës së xhirimit. Vetë kompanitë po investonin mbi njerëz që zakonisht nuk arrinin të gjenin financues për projektet e tyre, duke u mundësuar një shkallë të lartë eksperimentimi të pëlqyeshme nga spektatorët në kërkim të diçkaje ndryshe. Por kjo fazë nuk ka zgjatur shumë. Në vitin 2019 analisti Eric Schiffer ka thënë se “epoka e artë e streaming” po përfundonte, pasi serialet e vegjël po hasnin gjithnjë e më shumë vështirësi për të mbijetuar. Vendimet e Netflix lidhur se cilat seriale të rinovoheshin përcaktoheshin nga një algoritëm opak që në fund ka çuar në një eliminim disproporcional të serialeve të krijuara nga gra. Rrallë një serial e kalonte sezonin e dytë apo të tretë, domethënë fazën ku zakonisht caktohen bonuse dhe rritje rroge.

Natyrisht që e gjitha kjo ka goditur punonjësit. Aktorët dhe regjisorët më të famshëm nuk do të kenë kurrë probleme, pasi janë shumë të kërkuar në një kulturë konsumi të qeverisur nga celebritete dhe influencer. Por njerëzit që punojnë në sheshxhirime, të gjithë ata të shënuar me gërma të vogla në titujt e mbylljes, nuk do të kenë të njëjtin fat. Edhe pse në Shtetet e Bashkuara kinemaja është një prej sektorëve të rrallë ku sindikatat janë ende influente, kompanitë teknologjike, pasi kanë marrë pushtetin e punëtorëve në sektorë të tjerë, kanë filluar sulmin. Sindikatat kanë luftuar për të siguruar “tutela dhe garanci themelore në një industri të karakterizuar nga përkohshmëria”, shkruan Film Crit Hulk. Megjithatë, shpjegon ai, njëlloj me kompanitë e gig economy që në Kaliforni kanë përdorur një referendum për t’ua mohuar të drejtat punonjësve të tyre, edhe gjigandët e teknologjisë dhe konglomeratet, në konkurrencë për dominimin e streaming, po vënë në shënjestër të drejtat e punonjësve. Sidomos kompanitë si Netflix nuk kanë pasur kurrë nevojë për punonjës të sindikalizuar, ndërsa në epokën e streaming është bërë thelbësisht e paperceptueshme feta e të hyrave dytësore (të gjeneruara kur një përmbajtje ritransmetohet apo i shiten të drejtat) të rezervuara punonjësve.

Për sa u përket artizanëve, shkrimtarëve të rinj dhe të profesioneve të reja të sheshxhirimeve që publiku i gjerë tenton t’i injorojë, Film Crit Hulk shkruan: “Rrogat për këto vende pune janë bërë jashtëzakonisht të ulëta dhe tashmë njerëzit janë të kënaqur nëse e kanë një punë”. Kjo i pengon punonjësit që të arrijnë stabilitetin financiar dhe i detyron të kalojnë nga një detyrë tek tjetra, gjithmonë nëse arrijnë t’i gjejnë. Punonjësit dhe sindikatat gjithësesi po provojnë të kundërsulmojnë dhe kohët e fundit edhe producentët po krijojnë një sindikatë të tyre për të siguruar kushte më të mira. Gjithësesi, pasojat e ndryshimeve në prodhimin e përmbajtjeve nuk prekin vetëm punonjësit e sektorit, por influencojnë edhe mbi llojin e filmave dhe serialeve televizive në dispozicion të publikut.

 

Modeli Disney

Në industrinë e argëtimit larmia dhe përbërja e kompanive ka pasur gjithmonë një rol kyç në përcaktimin e përmbajtjeve. Në vitet ’40 Departamenti amerikan i Drejtësisë u vendosi ligjet antitrust stuidove të mëdha kinematografike. Paramount Decrees e kufizuar kontrollin e studiove mbi shpërndarjen, duke çuar në një shpërthim të prodhimeve të pavarura. Në të njëjtën mënyrë, në vitet ’60, qeveria e Uashingtonit miratoi rregullat e programimit fin-syn (domethënë një ekulibër midis interesave financiare dhe rregullave antitrust), që imponuar një seri kufizimesh mbi atë që 3 transmetuesit e mëdhenj të kohës – ABC, CBS dhe NBC – mund të transmetonin herët në mbrëmje. Normat e reja ju mundësuan produksioneve të pavarura që të lulëzonin, ndërsa pushteti i oligopolit zvogëlohej.

Edhe një herë akoma, sot jetojmë në një periudhë ku një oligopol po imponon pushtetin e tij mbi industrinë e filmit dhe të televizionit. Disney kontrollon katalogun e tij dhe atë të ish 21st Century Fox, duke e kufizuar mundësinë e allave për të transmetuar filmat klasikë. Kompania shfrytëzon dominimin nëpër biletari, të arritur falë të drejtave mbi produktet e Marvel dhe mbi ato të sagës Star Wars, për të zbatuar kushte gjithnjë e më ndëshkuese ndaj tregëtarëve kinematografikë. Natyrisht, kjo tendencë ka prodhuar edhe një ndryshim të përmbajtjeve. Disney ka qenë në pararojë në futjen e një modeli të përqëndruar mbi titujt e mëdhenj që e përdor pronësinë intelektuale tashmë ekzistuese për të tërhequr një publik sa më të gjerë të mundur, falë Marvel, Star Wars, serialeve klasikë dhe të drejta të tjera të siguruara në vite. Kompania i shfrytëzon këto “marka” të mëdha për të prodhuar spin-off dhe miniserialë që dikur transmetoheshin në televizion (për të mos folur për parqet me temë dhe të kroçierave), por që sot janë gjithnjë e më shumë të disponueshme ekskluzivisht në platformën streaming e tij.

Netflix, Amazon dhe kompani të tjera të mëdha të sektorit po kërkojnë ta imitojnë këtë strategji, siç e demonstrojnë deklarimet e Bezos pas blerjes së pronësisë intelektuale të MGM. Amazon ka investuar rreth 500 milion dollarë vetëm për sezonin e parë e serialit të tij të ambientuar në botën e Lord of the Rings të J.R.R. Tolkien, në tentativën për të prodhuar Game of Thrones e tij dhe po kërkon të shfrytëzojë pronësinë intelektuale të MGM për të krijuar përmbajtje po aq të njohshme dhe të përfshijë publik të ri. Origjinaliteti është i vështirë për t’u shitur dhe të bindësh sot një kompani që të marrë përsipër rrezikun e prodhimit të diçkaje të re bëhet gjithnjë e më e komplikuar.

Duke komentuar blerjen e MGM, gazetari dhe shkrimtari Nicholas Russell ka shpjeguar se lufta e streaming dhe tendenca pasuese e inkorporimit po i transformojnë flimat dhe serialët në “produkt për t’u komercializuar dhe grumbulluar për të siguruar abonime të reja”. Kjo çon në një “reduktim si të cilësisë, ashtu edhe të vitalitetit të formave të ekspresionit kinematografik”. Ndërsa kompani si puna e Disney prodhojnë gjithnjë e më pak filma për kinemanë, duke u përqëndruar ekskluzivisht mbi blockbuster, rrit fluksin e përmbajtjeve për platformave streaming që shërbejnë vetëm për të ruajtur vëmendjen e publikut. Ama cilësia e programeve reduktohet ndjeshëm.

Është gjithnjë e më e vështirë të kuptohet ajo që mungon, në këtë rast specifik të atyre filmave dhe serialeve nuk janë prodhuar pse tregjet janë strukturuar për të stimuluar lloje të tjera përmbajtjeje. Filmat dhe serialët e pavarur ekzistojnë akoma, por panorama e dominuar nga shfrytëzimi i pronësisë intelektuale u lë pak hapësirë historive origjinale, që nuk burojnë nga histori të tjera popullore. Kush kritikon filmat e mëdhenj me superheroj, fantashkencë dhe fantazi sulmohet nga kush vlerëson thjeshtëzimin e çdo historie në nivel fëminor dhe futjen e tij në kornizën e një universi tashmë të njohur dhe familjar. Mbetet për t’u kuptuar se cilat do të jenë pasojat e shkrirjes midis Amazon dhe MGM, por ngjarja vendos një precedent preokupues të krahasueshëm me blerjen e Fox nga ana e Disney. Një prej kompanive dominuese të botës së teknologjisë ka gllabëruar një studio historike kinematografike hollywoodiane për qëllimet e saj monopoliste dhe maksimumi që pjesa më e madhe e komentatorëve mund të bëjë është të pyesin nëse do të shkojnë apo jo serialë të rinj në Prime Video.

Është momenti që autoritetet të cilat rregullojnë konkurrencën ta përqëndrojnë vëmendjen e tyre mbi oligopolin ekzistues në botën e argëtimit dhe të mjeteve të komunikimit masic dhe të veprojnë me shpejtësi për të futur norma të ngjashme me Paramount Decrees apo me rregullat fin-syn. Vlera e pronësisë intelektuale për gjigandët e komunikimit masiv tregon edhe se duhen çmontuar mbrojtjet e tepruara e copyright për t’i detyruar kompanitë që të investojnë në diçka të re. Veç kësaj, filmat dhe serialet nuk duhet të jenë një prerogativë ekskluzive e sektorit privat. Vështirësitë e botës së kinemasë tregojnë nevojën e një platforme publike për të investuar në produksione që tregojnë jetët e njerëzve që nuk janë domosdoshmërisht të pasur dhe ndoshta e shtyjnë publikun të ketë një qëndrim kritik ndaj botës ku jetojmë. Natyrisht, Amazon nuk ka asnjë interes që ta bëjë një gjë të tillë.

(nga Tribune)

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

LEAVE A REPLY