Bertold Brecht: Një shkrimtar komunist me sytë nga Lindja dhe xhepat nga...

Bertold Brecht: Një shkrimtar komunist me sytë nga Lindja dhe xhepat nga Perëndimi

619
0
NDAJ

Burrë nga Berlini Lindor, por me llogari bankare në Zvicër. Një biografi zbulon hipokrizitë e Bertold Brecht

 

Ishte aq i ndjeshëm, sa që kishte teorizuar se përballë diktaturës së Adolf Hitlerit ishte krim qoftë edhe vetëm të shkruaje një poezi për bukurinë e luleve të mollës. Ama kishte heshtur gjithmonë lidhur me diktaturën tjetër, atë staliniste dhe të Gjermanisë Lindore. Që Bertolt Brecht ka qenë mjeshtër i dyfishtësisë morale dhe i oportunizmit ideologjik, kjo dihej prej kohësh. Dihej sidomos falë Paul Johnson, i cili i kushtoi një portret të madhërishëm midis “Intelektualëve” të tij, falë “Cultural Amnesia” të kritikut Clive James dhe biografisë së John Fuegi. Por kjo e fundit i përket më shumë se 20 viteve më parë. Sot është Stephen Parker, gjermanisti më i rëndësishëm i gjuhës angleze, ai që çimentohet në një biografi të re të Brecht, “A Literary Life”, nga shtëpia botuese Bloomsbury. Është një Brecht i vogël i vogël që del nga 700 faqet e këtij libri, që ka vlerën e madhe të mos e himnizojë të biografuarin, por të na e paraqesë atë në një dritë tokësore. Sytë e Brecht qenë drejtuar nga Lindja, por xhepat e tij qenë orientuar nga Perëndimi. Me syzet e tij me skelet metalik, aq shumë trendi, dhe xhupin e zi prej lëkure, aq elegantisht prej punëtori, Brecht ka qenë një prej shkrimtarëve më të adhuruar të Nëntëqindës. I famshëm për zuzarët kapitalistë, për lypësit peshkaqenë, për putanat e tij. Brecht transmetohet akoma në radio dhe në televizion, është objekt konferencash, tezash diplome, punësh aftësimi, monografishë të mëdha e të vogla, kujtimesh, bisedash, ditaresh. Por prapa fasadës prej riedukuesi të “borgjezisë së kalbur perëndimorë”, prapa idhtarit të revolucionit, pak dendi, pak murg budist, fshihet një egoist hipokrit dhe shfrytëzues. “Bert, dëshmon gruaja e tij e parë Marianne Zoff, nuk lahej kurrë. Një pisllëk që ka kostot e tij pasi duhen blerë produkte shumë të shtrenjta dhe mjaft aromatikë për të eliminuar erën e qelbur të dhomave”.

Biografia e Parker hedh dritë sidomos mbi oportunizmin e tij. Si fakti që ky hero kulturor i komunizmit donte me çdo kusht të fitonte shtetësinë austriake pas arritjes së tij në Berlinin Lindor. Në pranverën e 1948, pak pas kthimit në Europë nga Amerika, Brecht merr në Zvicër propozimin për t’u marrë si regjisor dhe dramaturg me Festivalin e Salzburg dhe për të vënë në skenë vepra në Vjenë. Pranon dhe në këmbim kërkon që të ndërhyhet pranë autoriteteve austriake për dhënien e shtetësisë dhe lëshimin e pashaportës. Një dokument që e mbron nga masat më të egra të vendosura nga qeveria komuniste, si puna e atyre që kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes. Burokratët e RDGJ-së nuk pranuan kurrë dhe është e kuptueshme një mungesë besimi e tillë nga ana e Brecht. Parker ka pasur akses në letrat dhe në dokumentat e Gjermanisë Lindore. Është e vërtetë se burokratët e Gjemranisë socialiste nuk e shikonin me sy të mirë, sa si një subjektivist të markës moderniste, një intelektual i vështirë e dinak, aq edhe si një joshës i rrezikshëm që me mendimin e tij rrënjësisht dialektik tërhiqte rininë, por Brecht qëndroi deri në fund një apologjet i shtetit policor.

Dritë hidhet nga Parker për sa i përket refuzimit të famshëm të Brecht që t’i japë mbështetjen e tij revoltave antiqeveritare të punëtorëve të Berlinit Lindor në vitin 1953, një simbol i pastër i servilizimit politik të tij. Në një letër të gjatë të drejtuar botuesit Peter Suhrkamp, Brecht shpjegon sesa qenë hidhëruar me të drejtë punëtorët. “Megjithatë, shkruan ai, edhe në orët e para të 17 qershorit rrugët paraqisnin një tërësi groteske punëtorësh jo vetëm të bashkuar me rininë më të degraduar… por edhe figurat vulgare dhe qesharake që i përkisnin epokës naziste, produkt vendor, njerëz që prej vitesh u mungonte një bandë, por që kishte qëndruar aty gjatë gjithë kësaj kohe”. Një dinakëri diabolike dhe perfide i mundësoi Brecht që të mbijetojë. “Sigurisht që e di: / jam i vetmi që, për fat, / ka arritur t’u mbijetojë kaq shumë miqve”. Vargje të shkruara përpara atij 25 maji 1955, kur në Sallën Sverdlovsk të Kremlinit, dramaturgut i jepet Çmimi Stalin për Paqen. Dekorata i jepet nga duart e Nikolai Tichonov, i cili në atë kohë ishte impenjuar në asgjësimin e çdo gjurme të inteligjencës antikonformiste në Bashkimin Sovjetik.

A dinte gjë Brecht për arrestimet e miqve të tij në Moskë? Padyshim. Në maj të 1941, një ditë përpara nisjes së tij për në Shtetet e Bashkuara, i premtoi regjisorit dhe kritikut mik Bernhardt Reich se do të ndërhynte që Stalini t’i lironte bashkëshorten, Asya Lacis, e cila ndodhej prej tri vitesh në kampet e përqëndrimit. Premtoi, por nuk bëri asgjë. Në fakt, Brecht i justifikoi disa herë spastrimet e Stalinit, edhe kur vizitoi Moskën në bordin e një limuzine. Filozofi amerikan Sidney Hook ka referuar për një bashkëbisedim që pati me të në vitin 1935 në Manhattan. Duke ngritur rastet e Zinov’ev dhe të Kamenev, Hook e pyeti Brecht sesi ia bënte që bashkëpunonte me komunistët, të cilët pushkatonin opozitarë, poetë dhe disidentë. Përgjigja e Brecht qe: “Sa më të pafajshëm që janë, aq më shumë e meritojnë plumbin kokës”. Kur ish e dashura e tij Carola Neher, e cila interpretoi për të “Operën për tri grosh”, u arrestua në Moskë, Brecht tha: “Nëse është dënuar, duhet të ketë pasur prova kundër saj”. Carola do të vdesë prej tifos në burg.

Brecht kalorësi i Berlinit Lindor e kishte gjithmonë valixhen gati. Një ves që e bashkon me shumë fëmijë të tjerë të revolucionit të Gjermanisë Lindore. “Hilde kuqalashja”, femra Ministre e Drejtësisë të cilës i detyrohen mijëra dënime kundër opozitarëve të regjimit, e ka detyruar djalin e vetëm të saj që të studiuonte në Rusi pasi kishte kërkuar të shkonte në Oxford. Edhe Max Reimann, kreu i Partisë Komuniste të Gjermanisë Perëndimore, i cili jetonte në Berlinin Lindor, kishte pasur telashe me fëmijët. Më i madhi, Joseph, u arratis në Gjermaninë e Bonit, por u kap shpejt nga agjentët komunistë që e kthyen me forcë në zonën sovjetike. Apo si Kurt Ebert, djali i Burgomastrit të Berlinit Lindor Friedrich, i dënuar me 20 vjet burg për spiunazh.

Legjenda brechtiane tregon se në shkollë dogji publikisht Biblën, duke rrezikuar edhe që të përjashtohej prej opinioneve pacifiste. Një gënjeshtër e ndërtuar me art. Dramaturgu ishte një mjeshtër propagande: çdo ditë krihte flokët mbi ballë, mbante gjithmonë një mjekër triditëshe të gjatë dhe i shkruante librat e tij me lidhje të hirta, anonime. Pas lufte u transferua në Berlinin Lindor, por paguhej në një llogari bankare të ndodhur në Zvicrën e pasur, të vetëkënaqur, filisteje, borgjeze. Ja llogaria bankare e Brecht nën emrin Lars Schmidt: “Union Bank of Switzerland. Bahnhofstrasse. Zurich”. Por qysh në vitet ‘20 kishte refuzuar që të kishte të bënte me koperativat botuese e Partisë Komuniste Gjermane. Në vend të tyre preferonte kompanitë kapitaliste që i paguanin me korrektesë të drejta. Do të ndodhë edhe me botuesin Suhrkamp, simbol i atyre gjermanoperëndimorëve “shfrytëzues kapitalistë”, “shkatërrues të pafytyrë ekzistencash”, “të ftohtë”, të privuar nga “ngrohtësia njerëzore”, “të pandjeshëm ndaj vlerave”, të paaftë për “familjaritet, miqësi të vërteta”, “të magjepsur pas konsumizmit”.

Nga libri i Parker, që tenton shpesh drejt shfajësimit të Brecht “heretik” të komunizmit, zbulohet se poeti dhe shkrimtari i famshëm braktisi dashnoren Margarete Steffin në një sanatorium për tuberkulozin në Moskë. Vajza vuante shumë dhe, kur mjekët i këshilluan shtrimin e menjëhershëm, Brecht nuk deshi t’ia dinte: “Nuk do të shërbente për asgjë dhe, pastaj, tani ka nevojë për ju, nuk mund të qëndrojë në spital”. Në atë kohë Brecht filloi të përfitojë nga të drejtat e shumta të autorit që i paguheshin nga Moska e Londra dhe jetohej në një dhomë hoteli në Boulevard St. Germain me telefon në dhomë. Megjithatë ankohej për “varfërinë” dhe refuzoi që të sigurojë kurat për Steffin. Margarete i refuzoi kurat dhe vazhdoi të punojë për shkrimtarin e madh, për t’u braktisur më pas në Moskë në vitin 1941, kur Brecht u nis drejt Kalifornisë. Dhe në Moskë vdiq disa javë më pas, në moshën 33 vjeçare, me telegramin e fundit të Brecht në dorë. Ndërsa idhulli dhe dashnori i saj përsëriste: “Zhytu në ndyrësi – përqafo xhelatin – sepse bota ka nevojë”.

Është po ai Brecht që me 15 dhjetor të vitit 1953 i shkruan një letër ndërtuesit Hermann Hensellman duke ju përgjëruar që t’i bëjë një vater personal: “Shtëpia në Schumannstrasse 14b është një ndërtesë historike. Berliner Ensemble ka marrë në këtë shtëpi një apartament të sapondërtuar. Por zoti Koepsel i qendrës BVM thotë se nuk mund të instalojë një wc për çdo individ për arsye sociale, kështu që banorët e tjerë defekojnë në hapësirën e shkallëve. Tani nuk mund të pengohen harabelat apo njerëzit që të defekojnë. Të lutem, si shpërblim për vargjet e mia lidhur me një jetë më të mirë, të më instalosh një banjë në këtë adresë”.

Në një letër tjetër, Brecht ju përgjërohet autoriteteve që t’i japin një lejekalimi për ta përdorur në pikën e kalimit kufitar Dahlwitz – Hoppegarten: “I dashur shoku Maron, do të doja akoma t’ju kërkoja një leje speciale mbi bazën e së cilës mund të kaloj pikën e kalimit kufitar. Toni i policisë së popullit është bërë deprimues. Kam nevojë për pushim. Të lutem, më ndihmo ta kem dokumentin që më çliron nga diskutimet me policinë e popullit”. Është i njëjti Brecht që e justifikonte kështu shtetin policor: “Kur borgjezia e madhe dhe fisnikëria arritën që të mbajnë në jetë sistemin kapitalist duke vendosur një diktaturë mbi të gjitha klasat e tjera, në të njëjtën kohë hoqën dorë nga shumë liri individuale. Si mund proletariati të shpresojë që ta vendosë, pa këtë heqje dorë, diktaturën e tij, e domosdoshme për të ndërtuar socializmin?”.

Letrarët e mëdhenj e urrenin Brecht prej cinizmit hipokrit shembullor të tij, nga W. H. Auden, i cili e përkufizonte “një njeri i urryer”, tek Thomas Mann, që e quante “përbindëshi”. Parker tregon se kur Brecht doli përpara House Un-American Activities Committee, që hetonte lidhur me simpatitë komuniste të tij, dhe që në raportin e tij e quajti shkrimtari “kooperativist”. Brecht u përdrodh përpara komisionit amerikan me një “paraqitje servile” mjafton që të siguronte vizën për Europë. Ku filloi të pështyjë kundër Hollywood, që i kishte dhënë për të ngrënë, si një “industri droge”, kundër teatrit të vërtetë, ensemble, kolektivist.

I marrë në pyetje me 30 tetor të 1947 nga komisioni i Senatorit Joe McCarthy, pyetjes nëse ishte anëtarësuar ndonjëherë në Partinë Komuniste, ju përgjigj me një shpërfillje të fortë: “Jo, jo, jo, jo, jo kurrë!”. Dhe kur e pyetën nëse veprat e tij qenë të frymëzuara nga marksizmi, u përgjigj: “Jo, mendoj se jo, por, natyrisht, duke qenë se kam shkruar drama historike, më është dashur të dokumentoj… Aktivitetet e mia kanë qenë gjithmonë aktivitete pastërtisht letrare, në pavarësi totale”. Intelektualët amerikanë e akuzuar bashkë me të kishin refuzuar të përgjigjeshin, duke mbrojtur të drejtën e lirisë së mendimit dhe kishin përfunduar në burg. Njerëz si Dalton Trumbo (autori i “Papillon”), Albert Maltz, Edward Lawson dhe të tjerë si Alvah Bessie, Samuel Orty dhe Edward Dmytryk, që ju kundërpërgjigjën flakë për flakë komisionit pasi kishin vendosur të përdornin Amendamentin e I-rë për të pasur të drejtën e mospërgjigjes. Kurse Brecht u largua me këmbët e tij dhe me falenderimet e gjykatës për vlerën e bashkëpunimit të “sinqertë” të tij. Sapo arriti në Europë, u tall me gjykatësit dhe të bashkëakuzuarit e tjerë.

Ishte ky Brecht: Një maskë indiference dhe cinizmi sardonik. Të njëjtën që e vuri edhe kur manifestuesit kurajozë e Berlinit Lindor u masakruan në rrugët poshtë dritareve të tij. Ai qëndronte në Buckow, në Liqenin Scharmützel, në një vilë të mrekullueshme të konfiskuar një “kapitalisti” nga qeveria komuniste. E përdorte për pushimet verore të tij, por andej këtej bënte me dije se jetonte në “vilëzën e bahçevanit”. Për të u krijua edhe një term: “Salonbolschewik”. Shumë larg nga heroi fideist i interesit kolektiv. Më shumë një bolshevik sallonesh me një pashaportë austriake dhe që do të vdesë si austriak, por me mbështetjen politike dhe financiare të bllokut lindor komunist, një botues bujar që e subvenciononte nga Gjermania e lirë e Bonit dhe me një llogari bankare të majme në një bankë zvicerane, ku përfunduan edhe 160000 rublat e përfituara prej Çmimit Stalin. Natyrisht, të pataksuara. Me pak fjalë, një përbindësh meskiniteti. Një intelektual marksist tjetër me inteligjencë kritike goxha tjetër, T. W. Adorno, shkroi për Brecht fjalët më të tmerrshme dhe autentike. “Çdo ditë kalon orë të tëra për të futur pisllëk nëpër thonj që të duket si punëtor”.

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

LEAVE A REPLY