Miti fals i tregut të lirë

Miti fals i tregut të lirë

268
0
NDAJ

Amerika nuk është më shtylla e rendit ekonomik global. Kina po përfundon fazën e parë të globalizimit, e nisur në ‘800 nga Europa dhe nga Shtetet e Bashkuara

 

“Më së pari Amerika nuk do të thotë vetëm Amerika”, ka proklamuar në janar Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump në World Economic Forum të Davosit në Zvicër. Kjo ringjallje e papritur e pragmatizmit nga ana e një nacionalisti të deklaruar është demonstrimi sesa mund të ndryshojnë gjërat në një vit. Në ditën e tretë të mandatit të tij, Trump është tërhequr nga Traktati i Shkëmbimit të Lirë në Paqësor (TPP), një marrëveshje tregëtare rajonale me Japoninë dhe 10 vende të tjera. Pastaj ka shpërthyer kundër Kanadasë, Gjermanisë dhe Koresë së Jugut, të akuzuara se eksportojnë në Shtetet e Bashkuara më shumë sesa importojnë. Së fundi, ka premtuar të rinegociiojë marrëveshjet tregëtare me Europën, Kanadanë e Meksikën për të siguruar kushte më të favorshme për punëtorët amerikane. Kurse në Davos ka përdorur tone pajtuese, duke u zgjatur dorën atyre elitave mbështetëse të shkëmbimit të lirë e të globalizimit që zakonisht i denigron. Është e qartë se pozicionet e Trump ndaj tregëtisë dhe globalizimit kanë evoluar. Sipas çdo gjase, motivi duhet kërkuar në ngjitjen e një vendi, emrin e të cilit Presidenti amerikan ka menduar që të mos ia përmendë emrin. Në fakt, nëse Trump ka zgjedhur platenë e Davos për t’i komunikuar botës së “Amerika është e habur ndaj biznesit”, kjo për arësye se në Alpet zvicerane Kina ka rivendikuar lidershipin e ekonomisë globale. Me Shtetet e Bashkuara dukshëm të mbyllur në një kupolë proteksioniste të xhamtë, Kina është bërë e domosdoshme. “Në një botë të karakterizuar nga paqartësi dhe luhatje të mëdha, bashkësia ndërkombëtare shikon nga Kina”, ka thënë në 2017 Klaus Schwab, themeluesi i World Economic Forum, duke paraqitur mysafirin e tij Xi Jinping, President i Kinës dhe Sekretar i Partisë Komuniste Kineze. Para syve të grumbullit të zakonshëm të menaxhuesve të fondeve speculative, drejtuesve të Silicon Valley dhe përfaqësuesve të qeverive, Xi ka mbrojtur tregëtinë e lirë dhe globalizimin nga sulmet e Trump. “Disa njerëz fajësojnë globalizimin për kaosin në të cilin jetojmë”, ka thënë Presidenti kinez. “Por nuk mund të futemi në port çdo herë që ndeshemi me një stuhi, pasi kështu nuk do ta arrijmë kurrë bregun tjetër të oqeanit”. Pastaj deri ka cituar Charles Dickens: “Ishte koha më e mirë, koha më e keqe”: janë fjalët e përdorura nga shkrimtari anglez Charles Dickens për të përshkruar botën pas Revolucionit Industrial edhe sot jetojmë në një botë me kontradikta”. Mëkat që Dickens në të vërtetë po përshkruante botën përpara Revolucionit Francez. Edhe deklaratat e Xi qenë, pak të thuash, plot me kontradikta.

Për bizneset e huaja është gjithnjë e më e vështirë të bëjnë biznes në Kinë: plani “Made in China 2025” i Pekinit synon ndaj “novatorizmit endogjen” dhe të vetëmjaftueshmërisë. Kur Trump në Davos ka denoncuar “praktikat e pandershme ekonomike” si “subvencionet industrial dhe planifikimin ekonomik shtetëror në shkallë të gjerë”, ishte e qartë se për kë po fliste. Megjithatë Xi ndonjë tagër që të rivendikojë rolin e kalorësit të globalizimit e ka. Kriza financiare e 2008 e ka dobësuar shumë ekonominë amerikane, ndërsa e ka kursyer thuajse krejtësisht atë kineze. Është e rëndësishme të kujtohet se në mesin e viteve ‘70 Kina mbante një kuotë të tregëtisë ndërkombëtare më të vogël se 0.5%, kurse sot është vendi eksportues më i madh i botës dhe nyja e rrjeteve të reja tregëtare transkontinentale gjithnjë e më shumë të ndërlikuara pavarësisht Shteteve të Bashkuara. “Kur Shtetet e Bashkuara rriten, rritet edhe bota” ka thënë Trump në Davos. Por Amerika nuk është më shtylla e rendit ekonomik global. Sistemi tregëtar i dominuar nga Kina e ka reduktuar varësinë e vendeve latinoamerikane dhe të Afrikës subsahariane nga tregjet amerikane dhe europiane. Kina po përfundon fazën e parë të globalizimit, të nisur nga Europa dhe nga Shtetet e Bashkuara në ‘800. Pjesë e këtij procesi është konsolidimi i Azisë Lindore si qendra e re e ekonomisë botërore.

Përgjigja ndaj kthese historike epokale është detyrë e Presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe Trump e ka bërë me një përzierje tipike kërcënimesh, batutash dhe dredhishë. Por për ta kuptuar deri në fund shtrirjen e objektivave ekonimikë të Kinës dhe degëzimet relative është e nevojshme që të bëhet një pyetje: pse ekonomia e tregut e drejtuar nga një shtet komunist është bërë ekonomia e dytë më e madhe e botës? Si ka arritur Kina të rritet kaq shumë me planifikimin e centralizuar ekonomik e subvencionet industrial dhe sidomos pa respektuar rregullat e shkëmbimit të lirë? Suksesi ekonomik i vendeve të Azisë Lindore si Japonia e shekullit të XX-të do të tashmë i mjaftueshëm për ta hedhur poshtë thirrjen e bërë nga Trump në Davos, domethënë që vendet mund të rriten vetëm duke eliminuar barrierat e lëvizjes së lirë të mallrave e kapitaleve dhe duke e zvogëluar në minimum ndërhyrjen e shtetit në ekonomi. Fakti është që për shumë vite këto mësime të historisë janë errësuar nga ortodoksia ekonomike, që sot vihet në diskutim pikërisht nga ngjitja e Trump dhe e Kinës. Në librin e tij të fundit, “Straight talk on trade”, Profesori nga Harvard University Dani Rodrik kritikon ashpër kolegët e tij ekonomistë, fajtorë që kanë aderuar në një konceptim semplicist të shkëmbimit të lirë e të globalizimit, që sipas mendimit të tij ka çuar na kaosin ekonomik dhe në kundërgoditjet e rënda politike në të gjithë Perëndimin. “Përgjegjësit e fitores tronditëse të Trump në presidencialet amerikane janë ekonomistët?”, pyet Rodrik. Ndoshta është ekzagjerim, por është e vërtetë se tezat “tregjet e lira baraz me progress” është mbështetur plot autoritet dhe me influencë sidomos nga ekonomisti  Milton Friedman.

Paradokset e ngjitjes së Pekinit janë aq më shumë të dukshme nëqoftëse kujtojmë vizitën e vështirë të Friedman në Kinë në vitin 1980, kur vendi ishte i varfër dhe i dëshpëruar. Në ato vite nobelisti i ardhur nga Chicago po çimentonte famën e tij si apostull i tregut të lirë: sapo kishte botuar “Free to Choose”, një libër i shkruar me bashkëshorten Rose. Teza e Friedman, domethënë se “bota bazohet mbi individë që i ndjekin veçmas interesat e tyre” do ta influenconte politikën ekonomike amerikane për dekada, duke kontribuar në mënyrë vendimtare në diskreditimin e idesë, të mishëruar sidomos nga New Deal i Franklin D. Roosevelt, se qeveria ka një rol legjitim dhe shpesh të domosdoshëm në promovimin e zhvillimin ekonomik dhe në ruajtjen e më të dobtëve. Në fjalët e Ronald Reagan, dishepull i zjarrtë i Friedman, “qeveria nuk është zgjidhja e problemit tonë: qeveria është vetë problemi”. Tregu i lirë, thuhej, jo vetëm krijon pasuri për të gjitha vendet, por u jep mundësi maksimale zgjedhjeje konsumatorëve, ul çmimet dhe optimizon përdorimin e resurseve. Besimi i Friedman në efikasitetin e tregjeve është bërë “gjumi i thellë dogmatik i injektuar nga një opinion përfundimtar” për të cilin fliste John Stuart Mill. Friedman ka qenë mbështetësi më influent i liberalizmit ekonomik qysh kur 1776 Adam Smith identifikoi tregëtinë e lirë si themelin e pasurisë së vendeve. Por në 1980 thuajse askush në Kinë, aq më pak studiuesit që e kishin ftuar Friedman për të marrë pjesë në një tur konferencash, imagjinonte se mysafiri amerikan ishte një ideolog me temperament të paduruear dhe volatil. U shkaktuan ekuivokë të ndryshëm, shpesh komikë. Friedman u ankua për shoqëruesin kinez me “erë trupore të llahtarshme” që kishte dalë ta priste në aeroportin e Pekinit, por për të zbuluar më pas se ishte njëri prej profesorëve që e kishin ftuar. Leksionet e Friedman mbi avantazhet e shkëmbimit të lirë u pritën me dyzim të madh. Pohimi i tij se kapitalizmi ishte superior ndaj socializmit i shqetësoi jashtëzakonisht shumë kinezë. Një delegacion ekonomistësh jashtëzakonisht luftarakë u paraqit në hotelin e Friedman për ta indoktrinuar lidhur me arritjet e regjimit. Friedman, që (gabimisht) e konsideronte Japoninë dhe Korenë e Jugut si dy shembuj të shkëlqyer të tregjeve të hapur dhe konkurrenciale, në Kinë ndjehej kuptueshëm keq: vendi ishte mishërimi i gjithçkaje që ishte e gabuar në planifikimin shtetëror.

Në 1980 Pekini me vështirësi po dilte nga balta e eksperimenteve katastrofikë të Mao Ce Dunit. Qeveria e Ten Hsiao Pinit po eksperimentonte zgjidhje të tyre për të dalë nga prapambetja ekonomike ku ndodhej vendi, që sipas autoriteteve ishte shkaku kryesor i poshtërimeve të pësuara në shekullin e XIX-të dhe fillimin e atij të XX-të. “Zhvillimi është e vetmja e vërtetë”, ka thënë Teni. “Nëqoftëse nuk do të zhvillohemi, do të mbetemi keq”. Sipas tij, zhvillimi i vendit mund të arrihej në shumë mënyra të ndryshme. Ky fleksibilitet përmblidhej nga maksimë e famshme kineze: “Kalo lumin duke i prekur gurët”. Kinezët nuk mund ta toleronin që Friedman ta denigronte kaq hapur punën e qeverisë së tyre. Pavarësisht katastrofave të tmerrshme, shteti megjithatë e kishte rritur ndjeshëm nivelin e alfabetizimit dhe të moshës mesatare. Mbi të gjitha, Kina po kërkonte një rrugë të tretë: më shumë se nga Shtetet e Bashkuara, Pekini shikonte nga Japonia dhe Singapori si modele të një ekonomie në gjendje që ta përshpejtonte rritjen pa e vënë në rrezik autoritetin e Partisë Komuniste. Kinezët nuk dinin çfarë të bënin me këshillat e një mbështetëse amerikan të laissez-faire. Friedman u kthye nga Kina duke u qarë se nikoqirët e tij qenë demonstruar “pabesueshmërisht injorantë për mënyrën sesi funksionon një sistem capitalist apo tregu”. Friedman ndërroi jetë në 2006, pak përpara krizës financiare të 2007 – 2008. Midis pasojave të mëdha e të ndërlikuara politike të kësaj krize ka mundësi që është edhe zgjedhja në Shtetet e Bashkuara e një Presidenti proteksionist, që ka kërcënuar se do t’i anullojë impenjimet tregëtare disadekadëshe me rrezikin e kompromentimit të raporteve me aleatët kryesorë e vendit të tij. sigurisht, Friedman do të mbetej pafjalë përballë demonizimit të tregëtisë së lirë nga ana e Trump, por do ta gjente akoma më të vështirë të shpjegonte se pse pikërisht Kina, e qeverisur nga një parti komuniste, është bërë elementi qendror i ekonomisë kapitaliste globale. Në fakt, regjimi kinez nuk e ka arritur këtë objektiv duke i lënë të lirë 1.4 miliard qytetarët e tij për t’i maksimalizuar interesat e tyre private në tregje pa kufizime, por duke mbajtur nën kontroll monedhën, duke e ruajtur pronësinë e kompanive të mëdha dhe duke ndërhyrë rëndshëm në vendimet e investimit të bizneseve private.

Në të vërtetë, historia e ekonomisë botërore tregon se fuqitë e mëdha ekonomike janë bërë gjithmonë të mëdha falë shteteve ndërhyrës. Pavarësisht pushteteve mistike që i atribuohen, dora e padukshme e interesit personal varet nga dora e dukshme dhe shpesh e rëndë e qeverisë. Për t’u kufizuar në një shembull, qenë kanonierat britanike ato që imponuan shkëmbimin e lirë në Kinën e ‘800, një mësim që kinezët e kanë ruajtur mirë në mendje. Përpara se bëhej “shkëmbyese e lirë”, Mbretëria e Bashkuar ka qenë për një kohë të gjatë proteksioniste. Gjatë industrializimit, vetë Shtetet e Bashkuara kanë qenë “djepi dhe bastioni i proteksionizmit modern”, siç ka shkruar historiani i ekonomisë Paul Bairoch. Tarifat e tyre mesatare në fundin e ‘800 – prej 45% – qenë të larta sa janë ato, të kripura, që Trump ka vendosur për importimin e lavatriçeve. Babai filozofik i proteksionizmit është Alexander Hamilton, themeluesi i sistemit financiar të Shteteve të Bashkuara, dhe midis dishepujve të tij ka gjermanë, japonezë dhe, në mënyrë indirekte, edhe kinezë. Në këtë kuptim, asnjë ndodhi nuk është më shumë ndriçuese se ajo e japonezëve, ka mundësi ndër më këmbëngulësit midis nxënësve të Hamilton. Pas vitit 1945, Japonia i paraprinte Kinës si nyje e rrjeteve tregëtare të Lindjes. Pas katastrofës të Luftës së Dytë Botërore, kontribuoi në rilindjen e Azisë dhe nga mesi i viteve ’90 ishte bërë investitori dhe eksportuesi kryesor në thuajse të gjitha vendet e Azisë Lindore: dërgonte në vendet fqinje numrin më të madh të ndihmave e të turistëve dhe ishte blerësi më i madh i lëndëve të para të tyre. Në mënyrë të veçantë, përfaqësonte një model zhvillimi që pajtonte ekonominë e tregut dhe ndërhyrjen e shtetit, një model nga i cili Kina po fillonte qysh atëhere të merrte spunto.

Si ka bërë një vend i shkatërruar nga nja luftë botërore dhe thuajse i privuar nga resurset natyrore të fitojë primatin ekonomik në Azi? Shpjegimi i Friedman tek “Free to Choose” është se “shkëmbimi i lirë ka vënë në lëvizje një proces që ka revolucionarizuar Japoninë dhe jetën e popullit të saj”. Francis Fukuyama, politologu sipas të cilit historia ka mbaruar në 1989, ia atribuon suksesin e Japonisë “liberalizmit ekonomik” sipas modelit të mbështetur nga Adam Smith. Në realitet, japonezët kishin zgjedhur një model shumë të ndryshëm, të frymëzuar pikërisht nga mësimet e Hamilton. Japonia i njihte mirë rreziqet politike e stanjacionit ekonomik. Në ‘800, në kulmin e imperializmit, kishte nënshkruar një traktat poshtërues me anë të të cilit e vinte politikën e vet tregëtare në duart e 5 fuqive perëndimore, hiqte dorë nga e drejta e vendosjes së tarifave, zvogëlonte ndjeshëm tarifat doganore dhe u jepte statusin ekstraterritorial qytetarëve të huaj banorë në qytetet portuale. Duke e kujtuar këtë turp, Dinastia Meiji ishte e vendosur që të rifitonte sovranitetin e saj dhe të mbrohej nga xhelatët e huaj. Modeli referues ishte Gjermania, që e bashkuar në vitin 1871 po kërkonte të vihej në të njëjtin hap me Mbretërinë e Bashkuar e industrializuar. Për ta arritur këtë objektiv, qeveria gjermane ju përshtat recetave për zhvillimin të propozuara nga Hamilton menjëherë pas shkëputjes së Shteteve të Bashkuara nga dominimi britanik. Në “Raportin për manifakturat” e tij, të paraqitur në vitin 1791, Hamilton fliste për industri të “sapolindura” që të mbështesnin nevojën e proteksionizmit ekonomik. Bir i një skocezi dhe i lindur në Inditë Perëndimore, në atë kohë koloni britanike, Hamilton e dinte mirë se strategjia proteksioniste britanike konsistonte në pengimin e kolonive që të konkurronin në treg, duke ju shfytëzuar resurset natyrore dhe duke i shitur mallrat e tyre në të gjithë botën. Kështu, sipas Hamilton, vendet e “sapolindura” kishin nevojë për një hapësirë të caktuar manovre përpara se të mund të konkurronin me fuqitë industrial e konsoliduara. Shtetet e Bashkuara ndoqën shumë prej rekomandimeve të tij dhe ato që përfituan qenë fillimisht industria tekstile dhe ajo e hekurit, më pas ajo e çelikut.

Më shumë sesa shkëmbimi i lirë, qe formula e Hamilton ajo që i transformoi Shtetet e Bashkuara në ekonominë më dinamike të botë gjatë gjithë ‘800 dhe deri në vitet ’20 të ‘900. E njëjta formulë u adoptua nga vende të tjera që mateshin për herë të parë me konkurrencën ekonomike ndërkombëtare. Nxënësi më influent i Hamilton qe Friedrich List, një economist gjerman që jetoi në Shtetet e Bashkuara nga 1825 më 1830 dhe shkroi një libër të titulluar “Outlines of American Political Economy”. Me kthimin e tij në Gjermani, List e damkosi ungjillin e tregut të lirë të predikuar nga Mbretëria e Bashkuar si oportunizëm i pastër: sipas tij, nga lartësia e pozicionit të tyre, britanikët mund t’ia lejonin vetes që t’I jepnin një shkelm shkallës së proteksionizmit të cilën e kishin përdorur për të arritur në majën e industrisë dhe të prodhimit ndërkombëtar. List nuk ishte aspak kundër shkëmbimit të lirë, por më parë nevojitej që të rriteshin sektorët më të rinj ekonomikë në një mjedis të mbrojtur. Duke ndjekur mësimet e tij, Gjermania u transformua me shpejtësi marramendëse nga një ekonomi bujqësore në një fuqi industriale. Për Japoninë, posti në lojë ishte akoma edhe më i lartë. Në Azi nuk kishte praktikisht asnjë vend të vetëm që të mos ishte detyruar nga Mbretëria e Bashkuar, nga Vendet e Ulëta dhe nga Franca që t’u nënshtroheshin kushteve tregëtare të egra. Liberalizmi ekonomik nuk ishte një opsion i praktikueshëm. Për të udhëhequr zhvillimin ishte e nevojshme një dorë e dukshme: më shumë sesa tregu, shteti. Duke ndjekur shembullin gjerman, Japonia subvencionoi rëndshëm fabrikat e para të saj, kopjoi dizajnin britanik dhe importoi makineri e inxhinierë nga jashtë. Përveçse mbrojti pjesën më të madhe të industrisë nga konkurrenca, u garantoi një minimum fitimi bizneseve. Kur Lufta e Parë Botërore u dha fund monopoleve europiane në kolonitë aziatike, kompanitë japoneze u futën me produkte tekstile, biçikleta dhe ushqime të konservuara. Sipas shembullit të imperializimit të “shkëmbimit të lirë” europian, Japonia kishte invaduar dhe pushtuar tashmë Tajvanin dhe më pas Korenë, duke i konvertuar të dyja vendet në tregje të mbrojtura për industritë e vogla të saj. në mbështetje të mëtejshme të strategjisë, shteti japonez zbuti kompanitë prodhuese me tendera dhe kufizime. Tokio subvenciononte industrinë për rritjen e eksporteve, që ka nga ana e tyre ndihmonin kompanitë që të investonin për novatorizmin dhe të bëhesh konkurruese në nivel ndërkombëtar.

(vijon)

 

(Pankaj Mishra është një shkrimtar dhe eseist indian)

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

LEAVE A REPLY