Mitet lidhur me sistemet inteligjente

Mitet lidhur me sistemet inteligjente

174
0
NDAJ

Deduktimet e gabuara, mungesa e fantazisë dhe gabime të tjera të rëndomta na pengojnë që ta mendojmë në mënyrë më konstruktive të ardhmen.

 

 

Ka një histeri të madhe në debatin mbi të ardhmen e inteligjencës artificiale dhe të robotëve. Shumë pyesin sesa do të bëhen të fuqishëm, kur do të ndodhë dhe çfarë fundi do të kenë vendet tona të punës. Kohët e fundit në uebsajtin e informacionit financiar MarketWatch kam lexuar se pas 10 apo 20 vjetësh robotët do të zënë gjysmën e vendeve të punës të disponueshme sot. Janë pohime qesharake (përpiqem të përdor një fjalor professional, por nganjëherë nuk ia arrij). Artikulli theksonte se pas 10 apo 20 vjetësh në Shtetet e Bashkuara numri i atyre që merren me kopshtet dhe me mirëmbajtjen do të kalojë nga 1 milion në 50000. Po sot sa robotë i bëjnë këto punë? Asnjë. Sa demonstrime praktike ka pasur të mundësisë që robotët t’i bëjnë këto punë? Asnjë. Të njëjtat diskutime bëhen për sektorë të tjerë, ku vlerësohet se do të zhduket më shumë se 90% e vendeve të punës. Këto parashikime të gabuara kanë shkaktuar frikën e gjërave që nuk do të ndodhin, si zhdukja thuajse totale e vendeve të punës, “veçantia teknologjike” (një pikë hipotetike në zhvillimin e një qytetërimi ku progresi teknologjik do të përshpejtojë më tej aftësinë e të kuptuarit dhe të parashikuarit e qenieve njerëzore) apo dalja e sistemeve të inteligjencës artificiale që kanë vlera të ndryshme nga tonat dhe mund të kërkojnë të na shkatërrojnë. Duhet t’i korrigjojmë këto gabime. Po pse i bëjmë? Sipas meje, motivet më të zakonshme janë shtatë.

 

  1. Mbivlerësim Roy Amara, një prej themeluesve të Institute for the Future në Palo Alto, zemra intelektuale e Silicon Valley, është i njohur sidomos për një shprehje që ka marrë emrin “ligji i Amaras”: “Tentojmë që të mbivlerësojmë efektet afatshkurtëra të teknologjisë dhe të nënvlerësojmë ato afatgjata”. Optimistët mund t’i lexojnë këto fjalë në një mënyrë dhe pesimistët në mënyrën e kundërt. Një shembull i mirë i dy anëve të “ligjit Amara” është GPS-i. Duke filluar nga 1978, në Shtetet e Bashkuara është lëshuar në orbitë një konstelacion prej 24 satelitësh (që tani janë 31 nëqoftëse llogariten ato të shoqërimit). Qëllimi i GPS-it ishte që të garantonte saktësinë e dorëzimit të furnizimeve ushtarakëve amerikanë. Por në vitet ’80 programi ka rrezikuar shumë herë që të anullohet. Është përdorur për herë të parë në 1991, gjatë Operacionit “Desert Storm” në Irak, dhe i është dashur që të sjellë suksese të tjera që ushtarakët t’ia pranonin dobishmërinë. GPS-i kishte një finalitet të caktuar, por është dashur shumë kohë për ta bërë që të funksionojë ashtu siç pritej në fillim.

Sot është pjesë e shumë aspekteve të jetës së përditshme dhe, sikur të mos ishte më, do të ndjeheshim të humbur, por do të kishim ftohtë, uri dhe mund edhe të vdisnim. Tani kemi arritur në atë që Amara do ta quante afatgjatësia e GPS-it dhe në fillim askush nuk i imagjinonte mënyrat në të cilat përdoret sot. Kur dal për vrap, Apple Watch im më lokalizon në mënyrë aq të saktë falë GPS-it që tregon se nga cila anë e rrugës ndodhem. Ideuesit e parë të GPS-it nuk do të kishin besuar kurrë se mund të bëhej kaq i vogël dhe të kushtonte kaq pak. Avionët e përdorin GPS-in për të ruajtur rrugën. Veç kësaj, kjo teknologji përdoret për të kontrolluar lëvizjet e të dënuarve në liri me kusht, përcakton se çfarë lloj fare duhet të mbjellim dhe ku, kontrollon parkimet e kamionëve dhe regjistron paraqitjet e shoferëve. Në 30 vitet e fundit kjo skemë është përsëritur me teknologji të tjera: fillimisht premtimet e mëdha, më pas zhgënjimi, në fund një besim në rritje falë rezultateve që shkojnë përtej shpresave fillestare. Vlen për informatikën ose për sekuencimin e gjenomës. Inteligjenca artificiale është mbivlerësuar shumë herë dhe mendoj se është edhe kësaj radhe, pork a mundësi potencialitetet e saj afatgjata janë nënvlerësuar. Problemi është sa i gjatë është afatgjatë.

 

  1. Magjia e imazheve Kur isha adoleshent, Arthur C. Clarke ishte një prej shkrimtarëve të mi më të preferuar të fantashkencës bashkë me Robert Heinlein dhe Isaac Asimov. Clarke ishte shpikës, shkruante për shkencë dhe ishte edhe futurology. Midis 1962 dhe 1973 formuloi tri maksima që sot njihen si “ligjet e Clarke”.
  2. Kur një shkencëtar i vlerësuar, por i moshuar, pohon se diçka është e mundur, pothuajse sigurisht ka të drejtë. Por kur pohon se diçka është e pamundur, sipas të gjitha gjasave e ka gabim.
  3. Mënyra e vetme për të zbuluar limitet e së mundshmes është të shkohet paksa përtej këtyre limiteve dhe të hyhet tek e pamundura.

iii. Çdo teknologji mjaftueshmërisht e avancuar është e padallueshme nga magjia.

Do të doja të flisja për ligjin e 3-të të Clarke. Imagjinoni sikur të ekzistojë një makinë kohe në gjendje që ta transportojë Isaac Newton nga ‘600 në ditët tona dhe ta zbresë në një vend që do t’i dukej familjar: Kapelën e Trinity College të Cambridge University. Tani, tregojini një produkt të Apple. Nxirrni nga xhepi një iPhone dhe ndizjani duke i treguar ekranin plot me ikona. Njeriu që ka demonstruar se drita e bardhë përbëhet nga drita me ngjira të ndryshme, duke duke ndarë rrezet e diellit dhe më pas duke i rikompozuar, padyshim që do të befasohej kur të shikonte një objekt kaq i vogël që prodhon ngjyra kaq të gjalla në errësirën e Kapelës. Pastaj tregojini një film në të cilin tregohet fshati anglez dhe të dëgjonte një muzikë kishe që ndoshta e di. Pastaj tregojini një uebfaqe ku mund të konsultohet kopja e kryeveprës së tij, “Parimet matematikore e filozofisë natyrore”, me shënimet personale të tij, dhe mësojini lëvizjen që bëhet me fishat në ekran për t’i zmadhuar detajet. Nëqoftëse një gjë është magjike, është e vështirë që t’i njihen limitet. Imagjinoni t’i tregoni Newton se ai objekt mund edhe të ndriçojë errësirën, të bëjë fotografi, të zhirojë filma dhe të riprodhojë zëra. Pastaj tregojini se mund të bëjë llogaritje matematikore me një shpejtësi të pabesueshme e me shumë presje dhjetore dhe se mund të përdoret për të folur me njerëz që ndodhen në të gjithë botën. Mendoni se Neëton do të dinte të shpjegonte sesi është e mundur që një apparat i tillë i vogël bën kaq shumë gjëra? Edhe pse ka shpikur llogaritjen dhe na ka shpjeguar sesi funksionojnë optika e graviteti, nuk ka qenë kurrë në gjendje të dallojë kiminë nga alkimia. Prandaj mendoj se do të ishte konfuz dhe nuk do të kishte as më të voglën ide se çfarë është ky aparat. Për të nuk do të ishte gjë tjetër veçse një mishërim i okultes, do të ishte i padallueshëm nga magjia. Dhe të mos harrojmë se Neëton ishte një njeri shumë inteligjent. Çfarë tjetër mund ta imagjinonte Neëton? Duke mos ditur se duhet të karikohet, ndoshta do të hipotezonte se iPhone është në gjendje të funksionojë përgjithmonë kështu siç është.

Ky është një problem që e kemi të gjithë kur imagjinojmë teknologjinë e së ardhmes. Është aq larg nga ajo aktuale sa që nuk ia njohim limitet. Dhe nëqoftëse bëhet e padallueshme nga magjia, çdo gjë që themi duket e padiskutueshme. Është një problem që e has rregullisht kur kërkoj me dikë për nevojën ose jo për t’ju frikësuar inteligjencës artificiale të përgjithshme, domethënë idenë se një ditë do të ndërtojmë agjentë autonomë në gjendje të lëvizin në botë thuajse si qeniet njerëzore. Më thonë se nuk kuptoj sesa do të jetë e fuqishme inteligjenca artificiale e përgjithshme. Por ky nuk është një argument i vlefshëm, nuk dijmë as edhe se do të ekzistojë ndonjëherë. Do të më pëlqente që të ekzistonte, ky ka qenë gjithmonë motivi kryesor për të cilin i jam përkushtuar robotikës dhe inteligjencës artificiale. Por kërkimi në këtë fushë nuk po ecën shumë mirë. Duket i bllokuar në të njëjtat probleme racionaliteti dhe bonsensi që inteligjenca artificiale ka prej 50 vjetësh. Nga ajo që shikoj, më duket se nuk e kemi akma vërtet idenë sesi ta ndërtojmë. Karakteristikat e saj na janë krejtësisht të panjohura, për pasojë bëhet shpejt diçka magjike me fuqi të pakufizuara. Por asgjë në universitet nuk është pa limite. Argumentimet magjike lidhur me teknologjinë e së ardhmes janë të bazuara mbi fenë, jo mbi shkencën.

 

  1. Paraqitje dhe kompetenca Të gjithë flasim për mënyrën sesi një njeri bën një detyrë të caktuar për të hipotezuar sesi mund të bëjnë një tjetër. Nëqoftëse i kërkojmë indikacione rrugore një kalimtareje dhe ajo na përgjigjet me siguri, duke na dhënë informacione që na duken kuptimplota, e pyesim edhe se ku blihen biletat e autobusit aty afër. Nëqoftëse njerëzit dëgjojnë të thuhet se një ropot apo një sistem inteligjence artificiale mund të bëjë një detyrë të caktuar, ata përgjithësojnë duke deduktuar se makina mund të bëjë të njëjtat gjëra të një qenieje njerëzore në gjendje ta bëjë këtë gjë. Kompjuterët në gjendje të etiketojnë imazhe të llojit “njerëz që luajnë frisbee në park”, nuk kanë ide se çfarë është njeriu apo për faktin se parqet janë përgjithësi vende të hapura. Sot robotët dhe sistemet e inteligjencës artificiale janë në gjendje të bëjnë shumë pak gjëra. Për ta nuk vlejnë përgjithësimet që u aplikojmë qenieve njerëzore.

 

  1. Fjalë valixhe Marvin Minsky i quante fjalët që kanë shumë kuptime “fjalë valixhe”. Një ndër më të fuqishmet është “të mësosh”, pasi mund t’u referohet shumë llojeve të përvojës. Të mësosh të përdoret shkopinjtë kineze është një përvojë ndryshe nga mësimi i muzikës së një kënge. Të mësosh të shkruash kodin e një softëare është një përvojë e ndryshme nga të mësuarit e ecjes në një qytet. Kur njerëzit dëgjojnë të thuhet se kuptimi automatic po bën hapa gjigande në në një sector të ri, tentojnë që ta barazojnë me një person që lëshohet në këtë fushë të re. Por kuptimi automatik është delikat, kërkon shumë përgaitje nga ana e kërkuesve, një lloj programimi social, një tërësi të dhënash special për stërvitjen dhe një strukturë kuptimi specific për çdo problem të ri. Kuptimi automatic nuk absorbohet si ai njerëzor, që mund të bëjë përparime të shpejta në një fushë pa qenë i taruar me saktësi apo i ndërtuar apostafat.

Në të njëjtën mënyrë, njerëzit dëgjojnë të thuhet se një kompjuter mund të mundë një kampion botëror shahu (siç ka ndodhur në 1997), tentojnë që të mendojnë se “luan” siç bën një qenie njerëzore. Në realitet, ky kompjuter nuk e kishte idenë se çfarë ishte loja dhe ishte bile më pak i përshtatshëm: kur një qenie njerëzore luan, nuk ngec prej një ndryshimi të vogël të rregullave. “Fjalët valixhe” mashtrojnë njerëzit lidhur me kapacitetet e makinave për të bërë të njëjtat detyra të qenieve njerëzore. Ky është një prej motiveve për të cilat kush kryen kërkime lidhur me inteligjencën artificiale – dhe zyrat e shtypit institucionale akoma më shumë – është në ankth të theksojë se ka bërë përparime në një larmi specifike të një “koncepti valixhe” të caktuar. Është e rëndësishme të nënvizohet “një larmi specifike”, por ky detaj humbet menjëherë. Gazetat shkruajnë tituj të mëdhenj mbi “fjalën valixhe” dhe deformojnë perceptimin e pikës në të cilën ka arritur inteligjenca artificiale dhe sesa do të duhet për përparimet e tjera.

 

  1. Rritja eksponenciale Shumë njerëz vuajnë nga një formë e rëndë “eksponencializmi”. Të gjithë kanë krijuar idenë se sipas “ligjit të Moore” kompjuterët do të përmirësohen rregullishtm si mekanizma me sahat. Në 1965 Gordon Moore, që 3 vite më vonë do të themelonte kompaninë Intel, kishte thënë se numri i komponentëve që mund të futen në një microchip do të dyfishohej çdo vit. Kjo është demonstruar e vërtetë për 50 vjet, edhe pse konstantja kohore e dyfishimit ka kaluar gradualisht nga 1 vit në 2 dhe po i afrohemi fundit të këtij mekanizmi. Dyfishimi i komponentëve në brendësi të një microchip ka bërë që vazhdimisht të dyfishohet shpejtësia e kompjuterëve dhe kjo ka prodhuar microchip kujtese me një kapacitet që katërfishohet çdo 2 vjet. Ka prodhuar edhe fotokamera dixhitale me rezulucione gjithnjë e më të larta dhe ekranë me kristalë likuidë që kanë gjithnjë e më shumë pikselë. Por “ligji i Moore” ka funksionuar deri kur nuk ka ndërhyrë një limit fizik. Njerëzit që vuajnë nga eksponencionalizmi mendojmë se eksponencialët që përdoren për të justifikuar një tezë do të ecin përpara deri në infinit. Por “ligji i Moore” dhe ligje të tjera që u përkasin eksponencialëve mund të mos funksionojnë më pasi nuk qenë eksponencialë qysh nga fillimi. Kur drejtoja Laboratorin e Informatikës dhe Inteligjencës Artificiale (CSAIL) të Massachusetts Institute of Technology (MIT) dhe kisha nevojë për të mbledhur fonde për më shumë se 90 ekipe kërkimore kam provuar të përdor shtimin e memories së iPod-it për t’u demonstruar financuesve se gjërat po ndryshonin me shumë shpejtësi.

Ja, sasia e muzikës që mund të arkivohej në një iPod 400 dollarësh apo një më ekonomik: 10 Gigabyte në 2002, 20 në 2003, 40 në 2004, 80 në 2006 dhe 160 në 2007. Pastaj vazhdova prej disa vitesh dhe pyesja se çfarë do të bënim me gjithë këtë memorie në xhep. Në bazë të ritmit të rritjes që sapo kam përshkruar, sot një iPod 400 dollarësh duhej të kishte 160000 Gigabyte memorie. Por iPhone më i avancuar (që kushton shumë më tepër se 400 dollarë) ka vetëm 256 Gigabyte memorie, më pak se dyfishi i kapacitetit të iPod-it të 2007. Kjo rritje e veçantë eksponenciale është ndalur papritmas kur madhësia e memories ka arritur në pikën ku mund të arkivohej e gjithë diskografia e çdo njeriu të zakonshëm, plus aplikacionet, fotot dhe videot. Eksponencialët ndalet kur arrijnë një limit fizik apo kur nuk është më ekonomikisht e kuptimtë të ecet përpara. Edhe në rastin e sistemeve të inteligjencës artificiale kemi asistuar në një përmirësim të papritur të prezantimeve falë suksesit të kuptimit automatik. Shumë njerëz janë të bindur se do të vazhdojmë të shikojmë rritjen e prezantimeve të inteligjencës artificiale me një ritëm të rregullt në infinit. Por suksesi i kuptimit automatic ka përkuar 30 vite punë dhe ka qenë një gjë e izoluar. Kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë më ngjarje të izoluara. Për shembull raste në të cilat kërkimi do të prodhojë papritmas një hap të shpejtë të para në prezantimet e inteligjencës artificiale. Por nuk ka asnjë ligj që të na thotë se me çfarë frekuence do të ndodhë.

 

  1. Skenarë hollivudianë Në shumë filma fantashkence hollivudianë bota është si tani, vetëm me diçka më shumë. Tek “Bicentenary Man”, një film i 1999 drejtuar nga Chris Columbus, protagonist ha mëngjesin e shërbyer nga një robot humanoid që flet dhe ecën. Në një moment të caktuar merr në dorë një gazetë, një gazetë letre, as një tablet apo podcast. Shumë kërkues janë po aq të privuar nga fantasia, sidomos ata më pesimistët, të bindur se herët a vonë makinat do t’i shpëtojnë kontrollit tonë dhe do të fillojnë të na vrasin. Injorojnë faktin se, nëqoftëse një ditë do të jemi në gjendje t’i ndërtojmë, aparate kaq inteligjentë do ta ndryshonin botën. Nuk do të kapeshim në befasi nga ekzistenca e këtyre superinteligjencave. Do të evoluojnë në kohë, bota jonë do të jetë tashmë e populluar nga makina të ngjashme dhe do të kishim krijuar përvojë. Shumë më përpara se të jetë superinteligjenca të liga, do të ketë disa më pak inteligjente e më pak luftarake. Më përpara akoma, do të ketë makina shumë grindavece. Më përpara akoma makina të bezdisshme. Dhe akoma më përpara makina arrogante dhe antipatike. Ndërkohë do të ndryshojmë botën, duke e modifikuar mjedisin për të mirëpritur teknologjitë e reja dhe vetë teknologjitë. Nuk them se nuk do të ketë ndonjëherë problem, them se nuk do të jenë të papritura.

 

  1. Kohët e përhapjes Disa kompani eksperimentojnë shpesh versione të reja të një software. Facebook fut funksione të reja thuajse çdo orë. Në shumë raste, nëse ka problem dhe versioni i ri duhet të tërhiqet, dëmi ekonomik është qesharak. Kurse kostoja marxhinale e paraqitjes së hardware të ri është në fakt e lartë. Shumë prej automobilave që blejmë sot, të cilat nuk drejtohen vetë dhe për më tepër nuk përdorin softëare, do të jenë ende në qarkullim në 2040. Ky është një limit objektiv i përhapjes së makinave që drejtohen vetë. Nëqoftëse sot ndërtojmë një shtëpi, shpresim që ta zgjasë më shumë se 100 vjet. Në fabrikat e të gjithë botës shikohen rregullisht makineri të vjetra prej dekadash. Kam parë deri kompjuterë që kanë Windows 3.0, versionin e sistemit të lëshuar në 1990. Në pothuajse të gjitha fabrikat, kur dëshirohet të modifikohet fluksi i informacioneve, duhen javë për të kuptuar sesi të rilidhen dhe më pas skuadra teknikësh që modifikojnë hardware. Kohët e fundit një prej prodhuesve më të mëdhënj të këtyre instrumentave më ka thënë se synojnë që ta azhurnojnë software tri herë çdo 20 vjet. Shumë kërkues dhe ekspertë të inteligjencës artificiale imagjinojnë se bota është tashmë dixhitale dhe se do të mjaftojë që të futen sisteme të rinj për të ndryshuar menjëherë gjithçka, në zinxhirin logjistik, në fabrikë dhe në krijimin e produkteve. Asgjë nuk është më larg nga e vërteta. Pothuajse të gjitha risitë në fushën e robotikës dhe të inteligjencës artificiale duan shumë më tepër kohë për t’u përhapur nga sa imagjinon si kush punon në këtë sector, ashtu edhe kush e vëzhgon nga jashtë.

(Rodney Brooks është një shkencëtar australian. Ka drejtuar Laboratorin e Informatikës dhe Inteligjencës Artificiale të Massachusetts Institute of Technology. Ky artikull është përshtatur nga Technology Review)

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

 

LEAVE A REPLY