“30 vjet nga Milani i jashtëzakonshëm”

“30 vjet nga Milani i jashtëzakonshëm”

294
0
NDAJ

Një intervistë me Arrigo Sacchi

Në vitin 1989 AC Milan i Silvio Berlusconi – që në sezonin e mëparshëm, vitin e parë të Arrigo Sacchi në stol, kishte rifituar titullin kampion pas 9 vitesh dhe Superkupën Italiane – fituar Kupën e Kampionëve (fiks pas 20 vitesh), Superkupën UEFA dhe Kupën Ndërkontinentale. Tripletë e përëritur një vit më pas. Dhe të mendosh që pas seancës së parë stërvitore me trajnerin e ri, mbrojtësi Billy Costacurta kishte deklaruar: «Ky nuk zgjat më shumë se dy muaj». Gabohej. Ai edhe shumë të tjerë. Sepse «ky» – domethënë Sacchi – për ta thënë vite më pas me fjalët e një lojtari tjetër, “Chicco” Evani: «Ishte aq përpara, sa që edhe sikur të shikonte nga pas, shikonte sërish të ardhmen».

Ja pse duhet lexuar “La Coppa degli Immortali”, libër i shkruar nga Sacchi (bashkë me Luigi Garlando, gazetar i “Gazzetta dello Sport”) për të rindërtuar legjendën e ekipit që UEFA arriti ta quajë si «më i forti i të gjitha kohërave» dhe jo vetëm për shkak të tri hollandezëve – Ruud Gullit, Marco Van Basten e Frank Rijkaard. Dhe me një finale, atë të fituar 4 – 0 me Steaua e Bukureshtit, që do ta bëjë “L’ Equipe” të shkruajë: «Pas kësaj ndeshjeje, futbolli nuk mund të jetë më i njëjti».

 

Jo keq për një «Zotëri Askush» nga Fusignano, në atë të Ravenna. Përpara se t’i afroheshit futbollit, a është e vërtetë që bashkëpunonin me kineforumin e fshatit?

«Po, filmi i farë që projektuam qe “Korracata Potjomkin”».

 

Tullë e bukur. E pranoni shfryrjen e Paolo Villaggio në versionin Fantozzi: «Një budallëk i madh”?

«Le të themi që nuk më pëlqeu shumë».

 

Me Berlusconi dëgjoheshit edhe dy herë në ditë dhe në atë kohë nuk kishte as celularë. Ka ndërhyrë ndonjëherë në vendimet tuaja?

«Kurrë. Ishte tejet respektues për rolet. Dhe më mbrojti kur në fillim rezultatet nuk po vinin. Mblodhi lojtarët: “Sacchi gëzon besimin tonë të plotë; kush nga ne i beson, mirë; kush nuk i beson, mund edhe të largohet”. Vetëm një herë e shkeli shenjtërinë e dhomave të zhveshjes: ftoi në vizitë përpara një ndeshjeje Bobo Craxi dhe Roberto Formigoni. Ama më pas kërkoi falje».

 

Hëm, lidhur me argjentinasin Claudio Borghi keni diskutuar pak si shumë, në fund ia dolët ju që donit Rijkaard.

«Vura në tryezë dorëheqjen. Jo si provokim: për koherencë. Borghi nuk kishte asnjë prej vlerave që u kisha predikuar të tjerëve, çfarë figure do të kisha bërë me ekipin? Berlusconi vendosi: “Ok, po marr një trajneri tjetër, por ju qëndroni si Administrator i Deleguar”. Ju përgjigja se nuk isha i sigurtë se dija të bëja mirë zanatin tim, pas 15 vitesh, lë re më pastaj atë të drejtuesit. Fedele Confalonieri komentoi: “Kurrë nuk e kam parë Berlusconi të marrë kaq shumë “jo” në një herë të vetme”».

 

Taktika pa strategji është humbëse. Sun Tzu. I përmendur nga ju. Na përkufizoni pak taktikën.

«Është pritja e gabimit të kundërshtarit për të përfituar. Ne italianët e interpretojmë futbollin si jetën: mendojmë se dinakëria është vlerë, se peivilegji është e drejta kujt mundet. Jemi një popull servil që varpon gjithmonë në ndihmë të të fuqishmit, për të mbuluar korrupsionin dhe pandershmërinë. Winston Churchill thoshte: “Italianët i humbasin luftërat sikur të ishin ndeshje futbolli dhe ndeshjet e futbollit sikur të ishin luftëra”. Në fund të fundit, në kohërat moderne konflikti i vetëm i fituar është Lufta e Parë Botërore. Si? Me katenaçon në Piave».

 

Unë kujtoj shprehjen e atribuar Benito Mussolini: «Të qeverisësh italianët nuk është e vështirë, është e kotë». Sipas jush, këtë e ka mësuar edhe Berlusconi?

«Berlusconi ka qenë një novator në gjithçka. Si politikan mund t’i vesh vetëm një gabim: që nuk ka hequr dorë kur e ka kuptuar se nuk do t’i realizonte kurrë ndryshimet që kishte në mendje dhe i shërbenin vendit».

 

Duke u kthyer tek futbolli: vesi italian është ai i të bërit katenaço, për t’u rinisur më pas në kundërsulm. Kurse ju teorizonit «futbollin total» e kombëtares hollandeze të Johan Cruijff.

«E keni parasysh formacionin breshkë të Jul Çezarit? Ja. Të mbrohesh duke vrapuar përpara, duke lëvizur si një trup i vetëm me një mekanizëm me sahat, duke luajtur në zonë në sinkroni, duke e mbajtur topin larg nga porta jotë, por afër asaj kundërshtare. Pretendoja 11 lojtarë në pozicion konstant aktiv, me ose pa top, përfshi edhe portierin. Presingu i konceptuar dhe i realizuar kështu rrit vetëvlerësimin dhe shkatërron atë të kundërshtarit. Kur një supertifoz si Diego Abatantuono erdhi për të luajtur në Milanello, u vu në mes dhe ju nënshtrua trajtimit: “Tani e di sesi ndjehet një top fliperi”».

 

Nuk shërben talenti i kampionit?

«Në masën në të cilën vihet në shërbim të kolektivit. Për mua, një lojtar është i madh në këto kushte: luan me ekipin, për ekipin, në të gjithë fushën dhe gjatë gjithë kohës. Cruijff ishte i tillë».

 

Kurse Zlatan Ibrahimoviç jo?

«Më telefonon Pep Guardiola dhe më pyet se çfarë mendoj për një ardhje të mundshme të Ibrës tek Barcellona. I përgjigjem se padyshim që është lojtar me peshë, por me ato që për mua janë katër difekte: individualizëm, protagonizëm, egocentrizëm, lakmi».

 

Për këtë arsye, gjatë një lidhjeje televizive, Ibra ka polemizuar me ju: duhet ta ketë ditur. Kurse Ruud Gullit e ka bërë të tijin verbin sacchian. Por jo pa ndonjë difekt të vockël. Një herë e akuzuat se arsyetonte «më shumë me k… sesa me kokë».

«U pëlqente femrave dhe i pëlqenin ato. Kur Berlusconi i kërkoi skuadrës se për të fituar titullin duhej të sakrifikonin një muaj abstinencë seksuale, ai ju përgjigj në mënyrë serafike: “President, unë me topet plot nuk arrij të vrapoj”. Atë herë duhej të luanim në Avellino. E shoqja na kërkoi se ku ndodhej, pasi nuk kishte fjetur në shtëpi. Në aeroport nuk paraqitet në hyrje, e gjetën duke fjetur në sallën e pritjes. Kur arritëm, mbyllem në dhomë me të dhe i jap një “dush të ftohtë”: “E ka parë veten në pasqyrë? Nuk të vjen turp? Dukesh si fantazëm. Është hera e parë që shikoj një me ngjyë të bëhet i bardhë”. Në fushë ishte sikur të mos ekzistonte. Dy javë më pas, në derbin me Interin, paraqitja e tij qe thjesht ekzaltuese. Kërkoi që të flisnim: “Në Avellino gabova dhe ju kërkoj falje. Ama në të ardhmen mos e përziej në mes ngjyrën e lëkurës time”. Kishte të drejtë».

 

Ka racizëm në futboll?

«Ka mungesë kulture, respekti për kundërshtarin, ka mungesë edukatë. Duhet të shkojmë në stadium njëlloj siç shkojmë në teatër. Dhe cili është slogani më shumë i shqiptuar? “Duhet të vdesësh”. Kemi mbetur në kohërat e Koloseut dhe me gishtin poshtë».

 

Pas një ndeshje me Pisa, referuar Gullit, Presidenti Romeo Anconetani tha: «Një përbindësh në gjithçka. Ama edhe ne kemi fenomene të kësaj natyre».

«Gazetarët nuk mund ta dinin se nuk aludonte për futboll. E kishte parë Gullit nudo në dhomat e zhveshjes. Anconetani kishte në skuadër Paul Elliott, luante me streçe çiklistash poshtë mbathjeve».

 

Nuk e shikoj lidhjen.

«Dërgova Silvano Ramaccioni (menaxheri i ekipit, shënimi im.) të investigonte: mbante streçe çiklistash sepse nuk kishte mbathje aq të mëdha sa duhet, të themi, për t’i përfshirë organin».

 

Edhe për portierin Sebastiano Rossi flitej shumë për dhunti «ekstrafutbollistike».

«Në vitin 1982 fitova titullin Pranvera me të rinjtë e Cesena. Në këtë rast që Dino Manuzzi, Presidenti i ekipit, që mbeti i shtangur përpara Rossi që po vishej: “Ostia, che usel!”».

 

Me këto dy anekdota keni vrarë besimin tim tek vetvetja. Futbolli dhe homoseksualiteti: një tabù për të cilën është tabù të flitet?

«Shikon, nuk kam bërë kurrë policin e futbollistëve të mi: nëse i vija të luanin, e bëja sepse besoja. Dhe nëqoftëse i besoja, sigurisht që nuk shkoja t’i kontrolloja nëse bënin seks apo jo përpara ndeshjes, ose me kë. Kur duke stërvitur një skuadër (në parantezë: nuk ishte Milan), mu pëshpërit se për njërin prej djemve thuhej se ishte gei, vërejta se, për nga mënyra sesi paraqitej në fushë, do të kisha dashur që si ai të kisha edhe të tjerët».

 

Kush janë trashëgimtarët e Arrigo Sacchi?

«Mos më bëni të dukem mburravec. Sigurisht, nuk mendoj se e ka keq Costacurta: “Mister, na kanë imituar në të gjithë botën, por jo në Italia”. Por shikoj që, krahasuar me tatkticienët, strategët janë në rritje: kam parasysh këti Maurizio Sarri, Gian Piero Gasperini, Marco Giampaolo (sot trajner i Milan, që do ta sillja në Parma kur isha aty si Drejtor Teknik në fillimvitet 2000), Roberto De Zerbi. Kërkojnë bukurinë e lojës dhe një futboll dominimi. Edhe Roberto Mancini po ndërton një Kombëtare të re dhe ambicioze që sulmon me kurajo dhe nuk ndalet tek rezultati».

 

Pse në nivel ndërkombëtar futbolli ynë është në gjendje kaq të keqe?

«Sepse parasëgjithash sukseset ndërtohen me ide, me vlera dhe me punë. Lejomëni të shtoj: edhe me stil. Të ardhurat qëndrojnë relativisht. Në vitin 1989 kishte 3 ekipe italiane në finalet e 3 kupave europiane. Dy i fituam. Nga fillimi i këtij shekulli, hiq 3 Champions (dy të Carlo Ancelotti me Milan, një të Josè Mourinho me Interin), nuk ka asgjë tjetër, ndërsa Spanja ka çuar në shtëpi 18 trofe».

 

Juve ka investuar shumë. Pyes veten sesi do të pajtohet sarrizimi, pjellë e sacchizmit, me stilin Juve të modeluar nga motoja e Avokatit Gianni Agnelli: «Të fitosh nuk është gjëja më e rëndësishme. Ama është gjëja e vetme që ka vlerë».

«Po shkruaj një artikull pikërisht lidhur me këtë. Nëqoftëse Presidenti Andrea Agnelli është orientuar kështu, ndonjë arsyetim duhet të jetë bërë. Në librin tim i lejoj vetes një këshillë jo të kërkuar: për të hapur një cikël fitues në Europë, Juventusi duhet të bëjë një hap përpara për të bashkuar në një meritën, bukurinë, forcën dhe fitoren».

 

Pas 100 vjetësh, kur nuk do të jesh më, çfarë epitafi do të ketë në varrin tuaj?

«Ka kaluar jetën duke u përmirësuar dhe duke përmirësuar të tjerët».

 

Ja keni arritur gjithmonë?

«E sigurta është që e kam provuar gjithmonë».

(Antonello Piroso për La Verità)

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

LEAVE A REPLY