Traktatet që bënë Lindjen e Mesme

Traktatet që bënë Lindjen e Mesme

83
0
NDAJ

Lindja e Mesme pas Traktatit Sykes Picot

Traktati i fshehtë Sykes – Picot i majit 1916, me të cilin Franca dhe Anglia do të ndanin në rast fitoreje Perandorinë Osmane, në pjesën më të madhe e humbi domethënien e tij qysh një vit pas nënshkrimit, kur fakte të reja e modifikuar kompozimin e vetë rreshtimit aleat, si edhe objektivat specifike të ndjekura nga anëtarët e tij. Në realitet, shumë prej dispozitave të tij u bënë letër e vdekur dhe sidomos për anglezët rezultoi e qartë nevoja për të «rikontraktuar» midis fuqive të Antantës një modus vivendi të ri në Lindje të Mesme. Kjo u bë pa vështirësi në një hark kohor të gjatë, që shkon nga Armëpushimi i Mudros (30 tetor 1918), me të cilin Sulltan – Kalifi Mehmed Reshati i VI nënshkruante dorëzimin, deri në Traktatin e Lausanne, i përfunduar më 24 korrik 1923. Me këtë traktat të fundit, në dritën e marrëveshjeve të mëparshme – atë të Sanremo dhe atë të Sèvres, që e kishin shpërbërë tashmë Perandorinë Osmane – formalizohej krijimi i «mandateve» për Levantin dhe Mesopotaminë, të besuara dy fuqive europiane fituese të konfliktit. Në këtë mënyrë u kërkua të sistemohej e të mbyllej «Çështja Lindore» e vështirë nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare.

Duhet kujtuar se nëpërmjet këtyre marrëveshjeve (që thelbësisht konsistonin në vendosjen e kufijve dhe barrierave), kolonialistët europianë eksportuan në Lindje të Mesme dhe në Afrikë modelin e shtetit – komb në një rajon ku ai ishte i huaj, për shkak të mungesës së kufijve të qartë nga pikëpamja gjeografike, etniko – kulturore dhe fetare: për shekuj me radhë, personat, mallrat dhe idetë qenë spostuar lirisht, pa pengesa. Formalisht, Lindja e Mesme bënte pjesë në Perandorinë Osmane multietnike në pjesën më të madhe të saj, por faktikisht «ka qenë gjithmonë një përzierje popujsh, shkruan politologu palestinez Iyad el-Baghadadi, kështu që komponenët e ndryshme të saj nuk mund të ndaheshin pa mundur që të kryhej një pastrim etnik drastik».

Në përfundim të luftës, domethënë në momentin e Armëpushimit të Mudros, ushtria angleze pushtonte Palestinën, Libanin, Sirinë, Cilicinë, provincat e Basorës e Bagdadit dhe, menjëherë më pas, atë të Mosul: në të gjithë Levantin  dhe Mesopotaminë qenë të pranishëm ushtarë dhe garnizone të Madhërisë së Tij britanike. Kjo gjendje e gjërave e shtyu qeverinë angleze që t’i kërkojë asaj të Parisit që t’i rishikojë klauzolat e Traktatit të Sykes – Picot, në mënyrë që ta shtyjë të heqë dorë nga «mbrojtja» e pjesës më të madhe të territorit sirian, që në atë moment i nënshtrohej komandës së Faysal. Pse, pyesnin komandantët anglezë, francezët që qenë totalisht mungues nga teatri i luftës në ato rajone, në bazë të marrëveshjeve të vitit 1916, do të duhej të përfitonin nga pjesa ekonomikisht më e zhvilluar e Perandorisë Osmane?

Mbi këtë pikë të marrëveshjes Franca qe e palëkundshme: maksimumi që Lloyd George arrit t’i «zhvasë» Clemenceau qe Palestina dhe provinca e pasur e Mosulit. Në atë moment, Anglia kishte nevojë që fronti aleat të mbetej kompakt, sidomos prej sistemimit të vështirë të çështjeve europiane. Kryeministri anglet u tha qartë mbështetësve të «linjës së ashpër» për një çështje të tillë se miqësia me Francën vlente sa «100 Siri» dhe, në nëntorin e 1919, duke shkelur marrëveshjet e kryera me hashemitët e Mekës, u dha urdhër trupave angleze të tërhiqeshin nga Siria, Libani dhe nga Cilicia, duke ua lënë vendin francezëve. Ky vendim u perceptua në Lindje të Mesme si një tradhëti në kuptimin e vërtetë të fjalës nga ana e «Albionit dinak» kundrejt kauzës kombëtare arabe, i së cilës hashemitët qenë idhtarët e vërtetë, duke qenë se kishin fituar ndërkohë besimin e shtresave të mesme dhe të borgjezisë së qyteteve të mëdha të Lindjes së Mesme.

 

Neni 22 i Traktatit të Lidhjes së Kombeve

Konferenca e paqes që u çel në Versajë nuk e trajtoi drejtpërsëdrejti çështjen e komplikuar e Lindjes së Mesme, që u shtyr për një seli tjetër më të përshtatshme. Përveçse u mor me sistemimin e ri e Europës së pasluftës, ajo fiksoi disa parime, me qëllim rithemelimin e rendit ndërkombëtar mbi baza më të qëndrueshme. Me kërkesën e Shteteve të Bashkuara, më të interesuara ndaj problemeve të sigurisë botërore sesa të atyre europiane, u ra dakord për krijimin e Lidhjes së Kombeve si strukturë permanente brenda së cilës të zgjidheshin paqësisht kundërshtitë ndërkombëtare, me armët e diplomacisë dhe duke refuzuar rregullin e marrëveshjeve sekrete. Por struktura e re lindi e dobësuar, pasi në të nuk u pranuan as Gjermania, e konsideruar përgjegjëse e luftës botërore, e cila kishte shkaktuar mbi 10 milion të vdekur, as Bashkimi Sovjetik i lindur nga Revolucioni i Tetorit. Por mbi të gjitha në të nuk morën pjesë ata që i kishin qenë frymëzuesit e mëdhenj, domethënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak të kundërshtimit që Partia Republikane i bëri në Senat ratifikimit të Traktatit të Paqes. Akti kushtitues i Lidhjes së Kombeve – ose Pakti i Lidhjes së Kombeve – qe aneks i Traktatit të Paqes që u firmos në Versajë më 28 qershor 1919.

Në Paktin e Lidhjes së Kombeve, në Nenin 22, u krijua regjimi i «mandateve» në vend të protektorateve të vjetra në «ruajtje» të territoreve të Lindjes së Mesme – në mënyrë të veçantë rajoni i Levantit dhe ai i Mesopotamisë, që para lufte ishin pjesë e Perandorisë Osmane dhe që, lexohej në tekst, «nuk janë ende në gjendje të jetojnë në mënyrë të pavarur në kushtet e vështira e botës moderne». Me qëllim që të sigurohej zhvillimi i rajoneve të tilla i besohej një «fuqie mandatare» detyra e udhëheqjes së këtyre popujve drejt autonomise politike dhe ekonomike, deri në momentin në të cilin do të ishin në gjendje të «mbaheshin në mënyrë autonome». Menjëherë më pas specifikohej se «dëshirat e komunitetit duhet të mbahen në konsideratën më të lartë nga fuqia mandatare».

Këshilli Suprem Aleat, i mbledhur në Sanremo në prillin e 1920, vendosi që të emërojë si fuqi mandatare Francën dhe Anglinë, të cilat qenë të detyruara të përgjigjeshin për punën e tyre përpara Lidhjes së Kombeve dhe organeve të saj të kontrollit. Pavarësisht disa modifikimeve të rëndësishme, «ndarja» e re e Lindjes së Mesme u krye në thelb mbi bazën e kritereve të fiksuara në Traktatin e Sykes-Picot. Franca pati mandatin për territoret që sot përfshijnë Sirinë e Libanin; kurse Anglia për ato që sot përfshijnë Palestinën, Izraelin, Jordaninë dhe Irakun. Këtë realitete politiko – shtetërore deri në atë moment nuk kishin ekzistuar kurrë në hartën gjeografike e Lindjes së Mesme, por u krijuan artificialisht nga fuqitë mandatare dhe fituan gradualisht pavarësi dhe gjithmonë pas negociatash të hollësishme.

Sistemi i mandateve bazohej në të ashtuquajturin «parim të civilizimit», mbi të cilin ngrihej projekti imperialist i fuqive koloniale dhe të cilit i referohej i sipërpërmenduri Nen 22 i Paktit, i cili afirmonte se mirëqenia dhe zhvillimi i këtyre popujve është «detyrimi i shenjtë» i vendeve të civilizuara. Në këtë mënyrë, teksa nga njëra anë fshiheshin nga harta gjeografike e Europës Qendrore perandoritë e vjetra multikombëtare, nga ana tjetër, nëpërmjet krijimit të sistemit të mandateve, forcohej dhe rivitalizohej «sistemi i vjetër kolonial», që do të zgjaste akoma deri në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore. Veç kësaj, mbi bazën e marrëveshjes, fuqitë mandatare kishin të drejtën e ndërhyrjes, edhe rëndë, në punët e brendshme e provincave të besuara atyre, edhe për t’ua modifikuar rendin politko – administrativ. Në fakt, anglezët e copëtuan mandatin e Palestinës duke ndarë Jordaninë, ndërsa krijuan Irakun, duke inkorporuar 3 provinca të ish Perandorisë Osmane: atë të Bagdadit, Basorës dhe Mosulit.

Kurse francezët e ndanë pjesën me shumicë kristiane nga gjithëka tjetër, duke krijuar Libanin. Siria u nda fillimisht në 4 shtete të vogla mbi bazë etniko – fetare (sunitë, shiitë, alavitë dhe kurdë); më pas, duke filluar nga viti 1927, u bë një republikë e modeluar sipas parimeve të konsittucionalizmit europian, pavarësisht se Karta Kushtetuese e hartuar nga Asambleja Kombëtare Siriane nuk ishte pranuar nga Franca, që në vitin 1932 i imponoi vendin një të vetën. Veç kësaj, në kundërshtim nga sa përcaktohej në Nenin 22 e Paktit të Lidhjes së Kombeve, në menaxhimin e interesave të tyre «koloniale», fuqitë mandatare nuk e mbajtën aspak parasysh pikëpamjen e komuniteteve, sidomos të klasave të mesme dhe të inteligjencës së re, që prej kohësh ishte pushtuar nga idetë e nacionalizmit arab.

 

Princi Faysal në Konferencën e Paqes të Parisit

Në Konferencwn e Paqes të Parisit, që u zhvillua në gjysmën e parë të 1919, mori pjesë edhe Princi Faysal, Guvernator i «Sirisë së Madhe», me qëllim që afirmonte arsyet e kombit arab. Në mënyrë të veçantë, ai ishte i interesuar në konsolidimin e pozicionit të tij në Siri dhe t’u kërkonte anglezëve respektimin e marrëveshjes që ata kishin lidhur më 1916 me të atin, Sheikun e Mekës al-Husayn ibn Ali. Në janar ai i paraqiti Këshillit Suprem të Konferencës së Paqes një memorandum voluminoz në të cilin paraqiste arsyet e krijimit të një shteti autonom arab në Levant, homogjen për nga gjuha e për nga kultura dhe në atë moment i nënshtruar kontrollit të Anglisë. Kërkonte sidomos pavarësinë e menjëhershme e të plotë për «Sirinë e Madhe» dhe për provincën perëndimore të Hijaz, ndërkohë që pranonte, por vetëm përkohësisht, ndërhyrjen europiane në Palestinë e në Mesopotami, ku Anglia kishte treguar interes për vendburimet petrolifere e rajonit të Mosulit. Për ta bërë më të besueshëm propozimin e tij, Faysal firmosi me kreun e lëvizjes sioniste Chaim Weizmann një marrëveshje, në bazë të së cilës pranonte Deklaratën Balfour mbi krijimin e një «vatre kombëtare» për hebrenjtë në Palestinë. Në anë të dokumentit shtoi se, në rast se fuqitë europiane do të bënin edhe modifikimin më të vogël «për sa u përket kërkesave hashemite për një mbretëri arabe», atëhere ai nuk do të respektonte as edhe një klauzolë të marrëveshjes. Në realitet, siç do ta pranojë më pas, ai ishte qysh në atë moment i vendosur për të mos e bërë operative marrëveshjen dhe ta kundërshtonte lindjen e një shteti hebraik në një territor arab.

Perspektiva e një shteti të bashkuar arab në zemër të Lindjes së Mesme nuk shikohej me favor nga fuqitë europiane. Prania e Faysal në Paris konsiderohej nga Franca dhe sidomos nga Anglia më shumë se e sikletshme, dhe pse kërkesat e Princit hashemit i kundërviheshin rrënjësisht marrëveshjeve të bëra nga dy fuqitë në majin e 1916 – e më pas të rishikuara – lidhur me ndarjen e Lindjes së Mesme osmane. Delegacioni amerikan u propozoi aleatëve një rrugëdalje dinjitoze në linjë me shpirtin e Konferencës së Paqes dhe parimin wilsonian e vetëvendosjes së popujve, domethënë emërimin e një Komisioni Ndërkombëtar Hetimor me detyrën e verifikimit në terren e aspiratave reale të popullit arab. Me porosi të qeverisë amerikane u krijua kështu Komisioni King – Crane, pçor ku nuk morën pjesë as anglezët e as francezët dhe kjo përfaqësoi një element dobësie për vetë komisionin. Për Faysal, kjo zgjidhje i korrespondonte një gjysmë fitoreje: faktikisht ai mund të kthehej në atdhe me premtimin joshës e ardhjes së afërt të një komisionit të ngarkuar me verifikimin e situatës politiko – ekonomike të vendit dhe jo me duar bosh, gjë që do ta dobësonte lidershipin e tij dhe vënë në diskutim pretendimet e tij ndaj fronit sirian, i kontestuar nga familje të mëdha të ndryshme lokale. Është nënvizuar se prania në «Sirinë e Madhe» e Komisionit King – Crane «shpërtheu një nacionalizëm të zjarrtë, që për herë të parë përfshiu sektorë shumë të mëdhenj të popullsisë vendase».

Pasi ka mobilizuar opinionin publik, duke bërë marrëveshje me krerët e fiseve dhe të njohurit e qyteteve, Faysal punoi për mbledhjen e një asambleje përfaqësuese, me detyrëm e hartimit të një relacioni apo të një «manifesti» të aspiratave kombëtare të arabëve dhe kjo përpara se të mbrrinte Komisioni. Në ato rajone, të konsideruara periferike nga osmanët, kjo ndodhte për herë të par. Në emërimin e delegatëve u ndoq procedura elektorale osmane, domethënë ftohej secila etni, qytet apo lëvizje e organizuar që të dërgonte në përfaqësues të vetin në Damask. Në fund u zgjodhën 100 delegatë, të zgjedhur midis familjeve më të rëndësishme të Sirisë, por jo të gjithë të motivuar në të njëjtën mënyrë: në fakt, vetëm 60 morën pjesë në hartimin e manifestit.

Komisioni punoi për 6 javë, duke udhëtuar në vend dhe duke dëgjuar njerëz, grupe dhe përfaqësues të ndryshëm të komuniteteve lokale dhe më pas, në gushtin e 1919, u tërhoq në Stamboll për të hartuar relacionin final. Në konkluzionet e tij ai përdori pa rezerva indikacionet e marra nga «manifesti» i paraqitur prej Kongresit të Damaskut dhe kjo se për të mirën e kombit arab so të ishte oportune që të krijohej në territorin e «Sirisë së Madhe» një shtet unitar dhe i panashëm, me Princin Faysal si monark kushtetues. Veç të tjerash, në rast se vendosej t’i nënshtrohej vendi kontrollit të një fuqie fiduçare sipas indikacioneve të marra nga Kongresi, sugjerohej se duhej të preferoheshin Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose, si alternativë, Anglia, ama jo Franca, e konsideruar si fuqi jo e pëlqyeshme. Lidhur me çështjen hebraike, Komisioni King – Crane nënvizonte se premtimet e Deklaratës Balfour rreth krijimit të një national home për hebrenjtë në Palestinë rezultonin të papajtueshme me «të drejtat civile e fetare të komuniteteve arabe në Palestinë». Veë të tjerash, denoncohej praktika e shpronësimit të trojeve, e kryer në mënyra të ndryshme nga organizata sioniste në dëm të banorëve arabë, dhe pohohej se 72% e peticioneve të marra në «Sirinë e Madhe» qenë kundër programit sionist.

Në fund të gushtit të 1919, Komisioni ia paraqiti raportin delegacionit ameirkan në paris. Pasi është marrë nga Sekretaria e Konferencës, raporti thjesht u arkivua, pa u diskutuar kurrë. Zhvillimi i mëtejshëm i situatës në rajone të tilla demonstroi falsitetin e premtimeve të perëndimorëve dhe kotësinë e procedurave që qenë aktivizuar me kërkesën e Konferencës së paqes. Praktikisht, menjëherë më pas, Franca dhe Anglia krijuan një aset të ri të Lindjes së Mesme, duke mos i mbajtur aspak parasysh aspiratat kombëtare të arabëve. Për të mos prishur aleancën me Frncën, Anglia deklaroi se duke filluar nga 1 nëntori i 1919 do t’i tërhiqte trupat e saj nga Siria e Libani, duke u lënë kshtu fushë të lirë në këto rajone trupave franceze. Londra e këshilloi Faysal të arrinte një marrëveshje me Parisin, por ai nuk arriti të mbajë nën kontroll turbulencat e ndjekësve të tij, që e shtynë të bënte një politikë provokatore ndaj francezëve. Përpara një pushtimi të parashikueshëm ushtarak, Këshilli Kombëtar Sirian përgatiti një deklaratë pavarësie kombëtare, që u shpall më 8 mars të 1920, që veç të tjerash njihte Faysal si Mbret të Sirisë, Palestinës dhe Libanit.

Kjo deklaratë nuk u pranua nga asnjë prej fuqive të mbledhura në Paris. Tashmë të vendosur për të ndërhyrë ushtarakisht, francezët në muajin korrik lëshuan një ultimatum, duke i kërkuar Faysal që ta pranonte mbrojtjen e francezëve. I këshilluar keq nga bashkëpunëtorët e tij, shumë prej të cilëve shpejt do ta braktisnin në fatin e tij, Mbreti i ri e la që të kalojë afati i fiksuar pas nisur asnjë traktativë; pas kësaj ushtritë franceze marshuan me ushtrinë e tyre në Damask, duke i dhënë fund mbretërisë jetëshkurtër të Faysal, i cili u përzu nga Siria. Trupat e sovranit hashemit tentuan ta bllokojnë avancimin francez pranë një hani në afërsi të Khan Maysalun. Bëhej fjalë për një ushtri të vogël të përbërë nga 2000 vullnetarë të keqarmatosur, por shumë të motivuar. Pas një beteje të shkurtër, francezët i shpartalluan sirianët dhe menjëherë më pas pushtuan kryeqytetin, totalisht i pambrojtur.

Niste kështu pushtimi kolonial i Sirisë, formalisht i quajtur «mandat» nga marrëveshjet ndërkombëtare, që do të zgjaste 26 vjet. Sipas historianit të botës arabe Eugene Rogan, beteja e Khan Maysalun «qe njolla e tradhëtisë e Anglisë, që nuk i kishte mbajtur premtimet e bëra gjatë luftës, dështimin e vizionit të Presidentit amerikan Wilson lidhur me vetëvendosjen kombëtare dhe triumfin e interesave franceze e angleze ndaj shpresave dhe aspiratave të miliona arabëve». Pas këtij fakti, fuqitë koloniale apo mandatare u konsideruan armike të kombit arab dhe, për pasojë, për t’u luftuar me të gjitha mënyrat e me të gjitha mjetet.

 

Konkluzion

Sipas disa analistëve, shumë të këqija të situatës aktuale të Lindjes së Mesme janë për t’u kërkuar në mënyrën me të cilën u krijuan shtetet e Levantit e të Mesopotamisë në periudhën e «mandateve», domethënë duke mos mbajtur parasysh faktin se çdo vend përbëhej nga komunitete të shumta etniko – profesionale, bashkëjetesa paqësore të cilëve duhej respektuar dhe garantuar përpara çdo gjëje tjetër. Interesat individualiste të Francës e të Anglisë kishin penguar dhe marrë frymën zhvillimit të lëvizjes komëtare arabe, e cila mbështetej transversalisht nga komunitete dhe besime fetare të ndryshme që jetonin në këtë rajon të madh. Lëvizja kishte një matricë afetare dhe kjo përbënte një risi për rajonin e Lindjes së mesme. Në realitet, kishte lindur si lëvizje lufte kundër autokracisë osmane dhe shpresonte të siguronte mbrojtjen e fuqive demokratike europiane, sidomos të Anglisë. Por kështu nuk ka ndodhur dhe «Albioni dinak» preferoi ta sakrifikojë këtë kauzë për interesat e saj politike dhe ekonomike të prirura që të ruanin në Lindje perandorinë e tij koloniale dhe, po të ishte e mundur, ta zgjeronte. «Mandatet» e krijuara nga Lidhja e Kombeve i shërbyen parasëgjithash këtij qëllimi.

Në analizë të fundit, siç pohon filozofi francez Edgar Morin, fuqitë e mëdha perëndimore humbën një rast të shkëlqyer. «Një kombi bashkuar arab, shkruan ai, do të kishte mundur të zhvillohej në kuptimin multietnik e multifetar, duke parë se në secilin prej këtyre territoreve kishin bahskëjetuar gjithmone islamikë kristianë dhe hebrenj. Ky komb do të kishte mundur të konsolidohej, duke u zhvilluar në një klimë lirie fetare dhe tolerance». Me perëndimin përfundimtar të kolonializmit, pas Luftës së Dytë Botërore është konsoliduar në Lindje të Mesme jo forma demokratike e shtetit, siç kishin shpresuar në atë kohë fuqitë europiane, por ajo autoritaro – ushtarake, ose dinastiko – pasurore, pasojat e të cilave në planin politik e social janë ende dhimbshëm të dukshme në shumë vende. Veç kësaj, lufta për krijimin e një shteti unitar arab, i ashtuquajturi «panarabizëm», duke filluar nga vitet ’80 dhe sidomos me krizën e socializmit arab, është bërë pasuri ideale e lëvizjeve islamiko – radikale, të cilat e lidhin temën e kombit arab me atë të umma-së.

(nga La Civiltà Cattolica)

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

LEAVE A REPLY