Richard Sorge, spiuni i mallkuar

Richard Sorge, spiuni i mallkuar

1037
0
NDAJ

 

Në një mëngjes të ftohtë të 7 nëntorit 1944, teksa në Moskë festohet me frymëzim të veçantë patriotike përvjetori i Revolucionit të Tetorit pas rrezikut të shmangur të pushtimit nazist, në Tokio Richard Sorge, spiun i Stalinit, agjenti sekret që ka kontribuar në shpëtimin e Bashkimit Sovjetik, përgatitet të ekzekutohet i vetmuar, i braktisur nga eprorët e tij, i mallkuar nga viktimat e saj, i mohuar nga “miqtë” gjermanë, i injoruar nga “bashkëpatriotët” e tij rusë. Ekzekutimi i tij do të kalojë praktikisht pa u vënë re në vendin të cilit i kishte kushtuar ekzistencën e tij, duke sakrifikuar gjithçka, përfshi edhe jetën.

 

Dy sekretet e Luftës së Dytë Botërore

Nëse në Perëndim emri i tij fillon gradualisht të njihet dhe aktiviteti i tij i jashtëzakonshëm i spiunazhit në favor të Bashkimit Sovjetik vihet gjithmonë e më shumë në pah, në vendet komuniste askush nuk dyshon rolin përcaktues të luajtur nga spiuni sovjetik. Në vendet perëndimore libra, artikuj, ese, filma i kushtohet Richard Sorge, personazh i veçantë dhe enigmatic, që tremb dhe magjeps në të njëjtën kohë. Kurse në Europën komuniste askush nuk guxon ta përmendë emrin e tij. Pse? E megjithatë Sorge i kish zbuluar Stalinit dy sekretet më të ruajtura të Luftës së Dytë Botërore: datën e pushtimit nazist të Bashkimit Sovjetik dhe vendimin e Tokios për të mos e sulmuar Bashkimin Sovjetik, pavarësisht qënies së Japonisë në Tripalësh (Boshtin Romë – Berlin – Tokio). Informacion ky i fundit vendimtar, që do t’i mundësojë Stalinit të spostojë pjesën më të madhe të trupave të dislokuara në Siberi për t’i rezistuar një pushtimit të mundshëm japonez dhe t’i përdorë në fakt për të ndaluar ushtarët e Hitlerit në frontin perëndimor. Në thelb, Sorge mund të mburret se ka kontribuar ndjeshëm në shpëtimin e atdheut socialist, por Moska nuk do të flasë për të. Pse?

 

Pseudonimi R. Sonter, misionet për llogari të Kominternit

I lindur në vitin 1895 në afërsi të Bakusë, në Kaukaz, nga baba gjerman, inxhinier minierash, dhe nga nënë ruse, Richard jeton në Berlin një fëmijëri borgjeze, të qetë, pa vështirësi të veçanta. Idealist dhe patriot, me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore rekrutohet si vullnetar sapo kish mbushur të 19-at. Por shpejt do të zhgënjehet keqaz nga kokënxehtësia rinore dhe “sharmi i aventurës luftarake” do të transformohet në një ndjenjë të pamposhtur përçmimi dhe revolte ndaj mendimit të miliona njerëzve të sakrifikuar, shpesh në mënyrë të kotë. I tërhequr nga idealet pacifiste dhe internacionaliste të Rosa Luxemburg e të Karl Liebknecht, bëhet komunist dhe është i gatshëm t’i shërbejë, pa rezerva dhe pa limite, atdheut të ri sovjetik të dalë nga revolucioni i vitit 1917.

Me pseudonimin R. Sonter kryen nga Moska misione të ndryshme në Angli, Suedi e Danimarkë për llogari të Kominternit. Në 1929 transferohet pranë shërbimit sekret ushtarak, Zyra e 4-ët, i Ushtrisë së Kuqe (GRU), në atë kohë e drejtuar nga gjenerali letonez Pavel Berzin. Identitet i ri për Sorge, tani më i bërë Ramsay dhe mision i ri impenjues në një Kinë të shkatërruar nga lufta civile që kundërvë Kuomintangun e Chiang Kai-Shek me ushtrinë komuniste të Mao Ce Dunit. Teatër i operacioneve të tij do të jenë Nankini dhe Shanghai, ku organizon me mjeshtëri të jashtëzakonshme një rrjet informative të frikshëm dhe krijon mbulimet e nevojshme duke u vlerësuar nga autoritetet konsullore gjermane.

 

Me teserën e Partisë Nacional Socialiste. Në Tokio korrespondent i 3 të përditshmeve

Në qendër, në Moskë, janë jashtëzakonisht të kënaqur nga puna e Ramsay, për të cilin parashikohet tashmë një mision i ri, kësaj radhe në Japoni, politika ekspansioniste e së cilës e preokupon jo pak Kremlinin. Praktikisht, në sytë e Berzin vetëm Sorge do të ishte në gjendje të krijonte rrjetin informative për të cilin Moska ka jashtëzakonisht nevojë. Me përfundimin e mandatit kinez, Sorge lutet që të kthehet në Gjermani, ku sapo ka ardhur në pushtet Hitleri, me qëllim që të ndërtojë mbulesën më të besueshme të mundshme përpara nisjes për Japoni. Në këtë Richard është shumë i aftë, u bën të ditur se i ka vënë menjanë fluturimet rinore, se është kthyer në atdhe duke e gjetur më së fundi Gjermania një kryetar të ri e të vërtetë, një socialist autentik. Jo të socializmit delirant dhe destruktiv nga i cili qe joshur në rini, por të një socializmi realist, kombëtar, që mbron interesat e vërteta e popullit gjerman. Në një periudhë riciklimi politik të shpejtë, deklarimet e Sorge nuk duhet të jenë dukur kushedi sesa të dyshimta. Veç kësaj, Richard është orator brilant, gazetar i shkëlqyer, ekspert i rrallë i çështjeve kineze. Me pak fjalë, askush nuk do të mrekullohet kur “doktor Sorge” do të marrë teserën e Partisë Nacional Socialiste dhe do të arrijë të dërgohet në Tokio si korrespondent i tri gazetave të mëdha: Frankfurter Zeitung, Täglische Rundschau dhe Berliner Börsen-Zeitung.

Me 6 shtator 1933 “gazetari” Richard Sorge zbarkon në Yokohama dhe niset menjëherë për Tokio me objektivin parësor: të hyjë në ambasadën e Rajhut të Tretë, ku mund të mësojë shumë gjëra dhe jo vetëm për ecurinë e raporteve japono – gjermane. Detyra i lehtësohet shumë nga atasheu ushtarak gjerman, Eugen Ott, të cilit nga ana tjetër i paraëet kredenciale vështirë të kontestueshme. Veç kësaj, rruga i lehtësohet edhe nga “simpatia” e ushqyer ndaj tij nga Zonja Ott, jo e pandjeshme ndaj sharmit misterioz që Richard do të ushtrojë gjithmonë ndaj grave. Me pak fjalë, në kushte të tilla, dyert e ambasadës nuk i hapen, por i shqyhen.

 

Një infiltrim prej manuali në historinë e spiunazhit

Richard do të arrijë deri aty sa të ndihmojë Ott në punën e tij. Atasheu ushtarak duhet të dërgojë rregullisht në Berlin raporte të detajuara lidhur me situatën poliko – ushtarake të Japonisë. Megjithatë, duke i injoruar gjuhën, njohës i pakët i burokracisë dhe i mentalitetit japonez, has vështirësi të mëdha. Sorge e kap fluturimithi rastin dhe i ofrohet bujarisht ta ndihmojë mikun. Përfundimisht, i propozon jo vetëm që t’i kalojë lajmet më interesante me të cilat vihet në dijeni, por edhe t’i shkruajë drejtpërsëdrejti raportet për t’u dërguar në kryeqytetin gjerman. Akoma më i jashtëzakonshëm është vazhdimi. Pikërisht mbi bazën e raporteve të shkruara nga Richard, Ott fiton në Berlin famën e “njohësit të hollë” të çështjeve japoneze. Dhe kur do të bëhet fjalë për të emëruar shefin e ri të misionit, askush nuk do të habitet nga emërimi i Eugen Ott, i cili, mirënjohës, i beson doktor Richard Sorge postin e të “atasheut të shtypit të ambasadës”, duke i mundësuar në mënyrë të pavetëdijshme një infiltrim të paprecedent në historinë e spiunazhit.

E kapur ambasada gjermane, Richard krijon dhe nis shpejt rrjetin informative të tij, që do të përbëhet nga element me vlerë të veçantë: operatori i radios Max Clausen, gazetari japonez Hosumi Ozaki, gazetari jugosllav Branko Vukeliç dhe piktori Yotoku Miyagi.

 

Dokumente dhe paraprirje që mund të ndryshojnë rrjedhën e historisë

I organizuar kështu, në mars të 1941 Sorge dërgon në Moskë kopjen e një telegram të Ministrit të Jashtëm të Rajhut Von Ribbentrop për Ott, në të cilin flitet për sulmin e pashmangshëm gjerman ndaj Bashkimit Sovjetik në mes të qershorit. Dy muaj më pas arrin të jetë edhe më i saktë, duke treguar se 190 divizione të mira gjermane janë grumbulluar në kufijtë lindore dhe se pushtimi do të kryhej padyshim me 22 qershor. Por Stalini nuk i beson. Është ende i bindur për vlefshmërinë e aleancës kundër natyrës nazisto – sovjetike dhe, duke kryer një gabim vlerësimi politiko – strategjiko – ushtarak me pasoja të pallogaritshme, i përgjigjes spiunit shumë të zotit të tij: «Dyshojmë në vërtetësinë e informacioneve tona».

Ndërkaq Sorge, duke e kaluar shokun brutal që i ka shkaktuar përgjigja negative e Stalinit, ndërhyn edhe një herë akoma me një paraprirje që mund të ndryshojë rrjedhën e historisë. Informon eprorët e tij se ka mësuar nga një burim i sigurtë – Ozaki ka arritur të ndërfutet në enturazhin e Kryeministrit Princit Konoje – se qeveria japoneze është shumë e impenjuar me pushtimin e Indokinës franceze sa për të parashikuar të sulmojë Bashkimin Sovjetik: «Opsioni jugor është mbizotërues përfundimisht ndaj atij verior». Një lajm eksploziv, që ndryshon të gjithë kuadrin strategjik – ushtarak lindor. Kësaj radhe Stalini i beson, në fund të fundit nuk ka shumë kohë për të humbur. Trupat naziste nuk bëjnë gjë tjetër veçse avancojnë. Situata është dëshpëruar. Kështu, mbi bazën e informacioneve të dhëna nga Sorge, diktatori sovjetik urdhëron transferimin e trupave të stacionuara në Siri. Moska nuk do të merret nga nazistët. Hitleri pothuajse e ka humbur luftën.

 

Agjenti më i mirë që Stalini nuk deshi ta shpëtojë

Por për Sorge në Bashkimin Sovjetik nuk duhet të flitet. I ekzekutuar nga japonezët, askush nuk do të guxojë ta përmendë në Moskë ndodhinë e papërsëritshme njerëzore të tij. Praktikisht mund të dalë gabimi trashanik poliko – strategjik i kryer nga Stalini, i cili ka të gjithë interesin ta mbajë të fshehur ndodhinë për të mos u dhënë elementë të dobishë denigruesve dhe kundërshtarëve politikë të tij.

Kështu, vetëm në shtator të 1964, 11 vjet pas vdekjes së diktatorit gjeorgjian dhe në kulmin e klimës së destabilizimit, gazeta “Pravda” “zbulon” spiunin e madhe: «Rrethana të shumta oenguan që të thuhej më parë e gjithë e vërteta mbi ndërmarrjet e pavdekshme e agjentit të inteligjencës Richard Sorge dhe të shokëve të tij. Tani ka ardhur momenti të flitet për njeriun, emri i të cilit do të jetë për gjeneratat e ardhshme një symbol përkushtimi ndaj kauzës së madhe të luftës për paqen, një simbol kurajoje dhe heroizmi».

“Rrethanat e shumta” e cituara nga “Pravda” kishin qenë në realitet hezitimet e Stalinit, që kish demonstruar besim të pakët në shërbimin sekret ushtarak, konsideratë e pakët për planet strategjike e Komandës së Lartë dhe nuk kishte dashur të besonte në informatat e dhëna nga agjenti më i mirë i tij që e kish mohuar dhe nuk kishte dashur ta shpëtonte. Por historia do të ngarkohet që në një farë mënyre t’i japë drejtësi veprës së Ramsay.

 

“Hero i Bashkimit Sovjetik”, tani njihet historia e një njeriu

Në fakt, teksa rrëzohen statujat e Stalinit, ngrihen ato të kushtuara Sorge, ndërsa i komunikohen botës krimet staliniane, agjenti i inteligjencës Richard Sorge do të dekorohet “Hero i Bashkimit Sovjetik”, ndërsa emri i Stalinit përgjithësisht do të hidhet poshtë, ai i Sorge do të nderohet deri në cepat më të largët të vendit.

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

 

LEAVE A REPLY