OMS-ja në në qendër të polemikave

OMS-ja në në qendër të polemikave

146
0
NDAJ

OMS-ja është akuzuar se është shumë e afërt me Kinën. Ama problemet e agjencisë varen nga struktura dhe nga sjellja e shteteve që e përbëjnë atë.

Donald Trump e ka gjetur fajtorin. E akuzuar për menaxhimin katastrofik e pandemisë së Covid-19 nga ana e saj, në fushatë elektorale të përhershme, Presidenti amerikan i ka akuzuar publikisht “të këqinjtë”: Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OMS) dhe Drejtorin e Përgjithshëm të saj, etiopianin Tedros Adhanom Ghebreyesus. Më 15 prill, Trump ka njoftuar pezullimin e fondeve amerikane për OMS-në për të paktën 2 apo 3 muaj, “kohën e një investigimi”. Shtetet e Bashkuara janë financuesit e parë të agjencisë së Kombeve të Bashkuara me më shumë se 400 milion dollarë në vit, 10 herë më shumë se shuma e derdhur nga Kina. Por vendimi ka pak shanse që të zbatohet, pasi Kongresi i ka alokuar tashmë fondet për vitin 2020. Lëvizja është kritikuar nga thuajse të gjithë, në Europë, në Afrikë, në Azi dhe në vetë Shtetet e Bashkuara, veçanërisht nga Bill Gates, që me fondacionin e tij privat është një prej financuesve kryesorë të agjencisë. Ky zemërim i ri “trumpian” i shërben si megafon akuzave të drejtuara OMS-së prej javësh: drejtimi agjencisë ka qenë nën influencën e Pekinit; për të mos ofenduar Pekinin, ka mbuluar vonesat dhe gënjeshtrat lidhur me përhapjen e virusit; në janar ka humbur shumë kohë të çmuar, duke favorizuar epideminë, më pas e shndërruar në pandemi.

 

Përgjegjësitë e së kaluarës

Po më 15 prill Franca i ka rimarrë në terma më diplomatikë këto kritika. Gjatë një ndërhyrjeje në parlament, Ministri i Jashtëm Jean-Yves Le Drian, megjithëse i “hidhëruar” prej vendimit amerikan, ka vërejtur se “ndoshta ka pasur një mungesë reagimi dhe autonomie, ka mundësi kanë munguar mjetet për të individualizuar, alarmuar dhe informuar, ka munguar aftësia normative”. Por, ka shtuar ai, “nuk do të thotë se përgjegjësia është automatikisht e funksionarëve të OMS-së, ka mundësi problemet burojnë nga karakteristikat e organizatës”. Kritikat drejtuar OMS-së nuk përbëjnë ndonjë risi. Praktikisht në çdo krizë të madhe shëndetësore është drejtuar gishti nga OMS-së, një agjenci e madhe e krijuar më 1948, me 7000 punonjës dhe një bilanc prej 4.4 miliard dollarësh në vit në kapërcyellin midis 2018 dhe 2019. Në vitin 2003 agjencia u akuzua se kishte nënvlerësuar përhapjen e SARS-it. Në atë rast u akuzua sidomos Kina pse kish vonuar dhënien e informacioneve, pse kishte gënjyer dhe pse kishte fshehur situatën.

Midis viteve 2008 e 2009 agjencia qe shënjestër kritikash pse kishte reaguar në mënyrë disproporcionale ndaj pandemisë së gripit H1N1. Por gabimi më spektakolar ka qenë paaftësia e saj për të kuptuar shkallën e rrezikut të epidemisë së Ebolas në Afrikën Perëndimore midis viteve 2013 e 2015: OMS-së ju deshën 5 muaj që të deklaronte “një emergjencë të shëndetit publik me rëndësi ndërkombëtare” (USPPI), një alarm që i detyron të gjitha vendet të organizohen dhe të veprojnë në mënyrë të vendosur. Më pas agjencia do ta pranonte gabimin e saj duke nisur një hetim të brendshëm, duke i pranuar publikisht fajet e saj më 2015 dhe duke premtuar reforma të thella. Ndërkohë Charles Clift, një ish konsulent i reformimit të organizatës, botonte një raport të gjatë shumë kritik. OMS-ja është “tejet e politizuar, tepër burokratike, e keqorganizuar, tepër e ndrojtur kur bëhet fjalë për përballimin e situatave delikate dhe tepër e ngathët në përshtatje”, përmblidhte ai. Një vlerësim i pranuar edhe nga Theodore Brown, historian i Shëndetësisë, midis autorëve të një libri lidhur me historinë e organizatës të botuar më 2019.

 

Vonesa dhe dykuptimësi

Këto konstatime, të njohura prej kohësh, i japin të drejtë Trump? Absolutisht jo. Parasëgjithash, OMS-ja është rezultati i asaj që e kanë bërë 194 shtetet që e përbëjnë. Veç të tjerash, institucioni mbetet  një protagonist themelor i shëndetit publik, i domosdoshëm sidomos për vendet më të varfëra, dhe ka arritur rezultate të ndryshme pozitive. Gjithmonë i okupuar që të bëjë të harrohen gabimet dhe të këqijat e tij, edhe një herë akoma Trump ka zgjedhur që të godasë dy objektivat e preferuara të tij: multilateralizmin dhe Kinën. OMS-ja ka favorizuar përhapjen e “virusit kinez”? Ky pohim, i ndodhur në një tweet të Presidentit amerikan, është larg nga realiteti. I kontaktuar nga Mediapart, një eksponent i “Komitetit të Emergjencës” së agjencisë, që ka kërkuar të mbetet anonim, siguron se “vendimet e marra në janar nuk qenë të diktuara apo të influencuara nga Kina”. Ky komitet përfshin 15 shkencëtarëë dhe specialistë nga e gjithë bota dhe Drejtori i Përgjithshëm është i detyruar ta konsultojë. Tedros Adhanom Ghebreyesus nuk mund të vendosë i vetëm, anipse ndërhyrjet e tij i mundësojnë që t’i konturojë në mënyrë nganjëherë shumë politike zgjedhjet teknike dhe shëndetësore të marra. Megjithatë, kronologjia e janarit tregon në mos për vonesa, të paktën për ambiguitet, në reagimet e organizatës.

Më 31 dhjetor Kina kishte vendosur ta informonte agjencinë për të disa raste polmoniti me origjinë të panjohur. Më 3 janar qenë referuar 44 raste. “OMS-ja këqyr nga afër situatën dhe është në kontakt të ngushtë me autoritetet kineze”, ishte saktësuar. Kritika e parë drejtuar organizatës ka të bëjë me modalitetet e transmetimit të virusit. Më 4 janar, OMS-ja deklaronte se “në bazë të hetimeve të para të bëra nga autoritetet kineze nuk ka prova të qarta të një transmetimi midis qenieve njerëzore”. Por studimet e para e votuara nga mjekët kinezë dhe informacionet e ardhura nga Wuhan nuk linin dyshime për faktin që sëmundja transmetohej midis qenieve njerëzore. Pse OMS-ja i merrte pasivisht deklaratat e autoriteve kineze? Vetëm një javë më pas, më 22 dhe 23 janar, agjencia ka pranuar se sëmundja transmetohej midis qenieve njerëzore. Komiteti i Emergjencës është mbledhur në ato dy ditë. Disa ekspertë kishin bërë një vizitë të shkurtër në Wuhan më 20 dhe 21 janar. Qysh prej atij momenti gjërat janë përshpejtuar, ka mundësi edhe pse ndërkohë ka ndodhur një ndryshim radikal në Kinë: pushteti qendror dhe Presidenti Xi Jinping e kishin marrë situatën në dorë, duke i përjashtuar autoritetet lokale, të akuzuara se kishin fshehur atë që po ndodhte qysh nga nëntori.

Më 22 janar është vendosur izolimi i Wuhan, ku qenë sinjalizuar 557 raste. “Ekziston një transmetim i virusit  midis qenieve njerëzore”, deklaronte komiteti. Por edhe pse nënvizohej rëndësia e situatës dhe i kërkoheshin Kinës “informacione më të shumta”, nuk shpallej emergjenca USPPI. “Komiteti ishte i ndarë më dysh, ndërkohë që për të funksionuar ka nevojë për një konsensus të gjerë”, vëren personi i intervistuar nga Mediapart. “Atëhere kishte 557 raste. I kemi kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm që të mblidheshim në ditët në vijim, gjë që e kemi bërë. E vërtetë, nuk mund të verifikonim të dhënat që na vinin, por nuk mund të them se në janar nuk qemë të informuar në kohë për atë çka po ndodhte”, shton ai.

 

Diplomaci komplekse

Një javë më vonë është mbajtur mbledhja e re. Kësaj radhe është deklaruar emergjenca USPPI. Në atë moment në Kinë kishte “7711 raste të konfirmuara dhe 12167 raste të dyshuara”. Virusi kishte dalë nga kufijtë dhe qenë regjistruar 83 raste në 18 vende. “Komiteti mendon se është ende e mundshme të ndërpritet përhapja e virusit nëqoftëse vendet do të marrin masa të forta për ta individualizuar me shpejtësi sëmundjen, të izolojnë dhe të trajtojnë rastet. Qysh nga ai moment, njoftimet e OMS-ja janë shtuar. Një mision i përbashkët i agjencisë dhe i Kinës, ku merrnin pjesë edhe ekspertë amerikanë, ka hetuar në terren midis 16 dhe 24 shkurtit. Më 11 mars, agjencia ka deklaruar gjendjen e pandemisë. Por më shumë sse voensat e supozuara e të diskutueshme, ai që nuk është miratuar është marrëdhënia nënshtruese e institucionit me autoritetet kineze. OMS-i ështtë chinacentric, është shprehur si indinjuar Donald Trump: pëson influencën kineze dhe funksionari më i lartë i saj nuk është gjë tjetër veçse një marionetë në duart e Pekinit.

Shumë specialistë të organizatës nënvizojnë paaftësinë e Tedros Adhanom Ghebreyesus për t’u ndeshur ballazi me Kinë, me rrezikon se mos shkatërron çfarëdolloj forme bashkëpunimi dhe shkëmbimi informacionesh. Në revistën “Science”, Lawrence Gostin nga Georgetown University mendon se Drejtori i Përgjithshëm ndodhet “në një situatë thuajse të pamundur”. Por përtej kësaj diplomacie komplekse shëndetësore, mbesin homazhet nderimet e bëra Pekinit nga Tedros gjatë gjithë krizës. Nuk është surprizë: Kina e kishte mbështetur në mënyrë përcaktuese kandidaturën dhe zgjedhjen e tij në drejtimin e OMS-së më 2017, me votat e të gjitha shteteve të Bashkimit Afrikan.

Afrikani i parë i zgjedhur në krye të OMS-së, Tedros e kishte pranuar menjëherë kërkesën kineze për ta suprimuar statusin e vëzhguesit të Tajvanit, duke pranuar parimin e “një Kine të vetme”. Qysh atëhere, konflikti është në zhvillim. Tajavnai ka një prej sistemeve më të mirë shëndetësorë të botës, është tek dera e Kinës dhe e ka menaxhuar në mënyrë mjaft efikase krizën e Covid-19. Në një botim të kohëve të fundit të Fondation pour la Recherche Stratégique (FRS, një institut i pavarur francez), kërkuesja Valérie Niquet ka ripërshkuar strategjinë afatgjatë të Kinës për ta rritur influencën e saj në agjencitë e mëdha e Kombeve të Bashkuara. Duke u bazuar mbi votat e vendeve afrikane, Pekini ka mundur të zërë poste të rëndësishme dhe të kontrollojë drejtpërsëdrejti ose jo organizma të ndryshëm ndërkombëtarë. E intervistuar nga Mediapart, Niquet konfirmon: “Tedros Adhanom Ghebreyesus nuk ruan asnjë distancë politike kundrejt regjimit kinez. Nga ana tjetër, Kina është burimi i farë i investimeve të huaja dhe partneri i parë tregtar i Etiopisë”, vendlindja e Drejtorit të Përggjithshëm, që në të kaluarën ka qenë edhe Ministër i Shëndetësisë dhe Ministër i Jashtëm i saj. François Godement, një ekspert tjetër i Kinës, bën një analizë shumë të ngjashme me atë të Niquet: “Ngurrimi i Drejtorit të Përgjithshëm për të kritikuar Pekinin bie në sy”.

 

Çmimi për t’u paguar

Është e vërtetë se në të gjitha diskutimet e tij, para dhe pas krizës, Tedros nuk i ka kursyer komplimentet ndaj Pekinit. Kërkuesja Alice Ekman shpjegon në revistën “Grand Continent” se “qysh nga 2017 Tedros ka bërë të tijët elementët e fjalorit të pushtetit kinez”. Duke analizuar një diskutim të mbajtur në Pekin në gushtin e 2017, një muaj pasi ka marrë postin, kërkuesja vëren se “me të, organizata rreshtohej përkrah Kinës në promovimin e “Rruge Shëndetësore Mëndafshi””. Më 28 janar, Tedros ka shkuar në kryeqytetin kinez për të takuar Xi Jinping. “E vlerësojmë seriozitetin me të cilin vendi juaj përballon këtë epidemi dhe sidomos impenjimin e transparencën që kanë demonstruar drejtuesit tuaj”. As edhe një fjalë në fakt për mjekët që kishin hedhur alarmin, mbi raportet e censuruara dhe gazetarët e persekutuar. Por edhe e vërtetë edhe se në javët e mëpasme edhe një lider tjetër politik është komplimentuar me Kinën dhe me Xi Jinping: Donald Trump, që në “cicërimat” e tij, përpara se të fliste për “virusin kinez”, përshëndeste Pekinin. Perëndimi – Shtetet e Bashkuara dhe vendet europiane të parët – zbulojnë se kanë humbur terren në shumë organizata ndërkombëtare, shpesh të annashkaluara, në mos të denigruara. Për një kohë të gjatë OMS-i është konsiideruar agjencia shëndetësore e vendeve të varfëra e jugut të botës, por Covid-19 i kujton Perëndimit se sot neglizhenca apo armiqësia e tij ndaj një multilateralizëm efikas kanë një çmim politik dhe shëndetësor.

(François Bonnet për Mediapart)

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

LEAVE A REPLY