Një blerje që ndryshon botën

Një blerje që ndryshon botën

479
0
NDAJ

Blerja e Luizianës ose bërja e Shteteve të Bashkuara ato që janë sot

 

 

Harta ndryshuese e Amerikës së Veriut

Për shumë mijëra vjet, indigjenët amerikanët e patën Amerikën e Veriut për vete. Nga viti 1600, europianët patën filluar që ta fusnin në dorë kontinentin. Tri vende kryesore e kolonizuan Amerikën Veriore: Britania, Spanja dhe Franca. Britania mori kontrollin e atij që tani quhet Bregu Lindor i Shteteve të Bashkuara. Anglia krijoi Virxhinian, koloninë e parë amerikane të saj, në vitin 1607. Xhorxhia, kolonia e 13-të dhe e fundit amerikane e Britanisë, u krijua në vitin 1733. 13 kolonitë e Britanisë zinin vetëm një rrip të hollë toke përgjatë Oqeanit Atlantik, megjithatë ato qenë filizat nga dolën Shtetet e Bashkuara. Spanja pretendonte gjithashtu pjesë të ndryshme të Amerikës Veriore. Perandoria amerikanoveriore e Spanjës përfshinte Meksikën. Ajo përfshinte gjithashtu edhe që është tani territori jugperëndimor i Shteteve të Bashkuara. Franca qe vendi i tretë që pretendonte territore amerikanoveriore. Flamuri francez valëvitej mbi Kanada. Franca pretendonte gjithashtu një zonë të madhe në të dyja anët e Lumit Misisipi. Francezët e quajtën këtë rajon Luiziana në nderim të Mbretit të tyre Luigjit të XIV-të. Britania, Franca dhe Spanja bënë luftëra për të përcaktuar se kush do të mbretëronte suprem në Europë. Ata argumentuan dhe nganjëherë edhe luftuan edhe për kontrollin mbi Botën e Re.

Për shembull, Lufta franceze dhe indiane shpërtheu në vitin 1754. Në njërën anë ndodheshin Franca, sëbashku me aleatët e tyre indigjenë amerikane dhe spanjollë. Në anën tjetër ndodheshin Britania, aleatët e së cilës përfshin 13 kolonitë e saj dhe disa indigjenë amerikanë. Në vitin 1762, në falënderim të ndihmës së dhënë nga Spanja në luftë, Franca u bëri spanjollëve një dhuratë: të gjithë territorin e saj të Luizianës në perëndim të Lumit Misisipi.

Vitin e ardhshëm, më 1763, Britania e fitoi Luftën franceze dhe indiane. Si pjesë e traktatit të paqes, Franca duhej që t’ia kthente Britanisë të gjithë territorin e saj të Luizianës në lindje të Lumit Misisipi. Si rezultat i kësaj, nga fundi i vitit 1763 harta e atyre që janë tani Shtetet e Bashkuara pati ndryshuar. Britania sundonte shumicën e territoreve në lindje të Lumit Misisipi. Spanja pretendonte shumicën e tokës në perëndim të lumit. Franca nuk e kishte më territorin e Luizianës, të paktën për momentin. Vetëm pak vite më pas, harta do të ndryshonte sërish.

 

Lindja e Shteteve të Bashkuara

Në vitin 1775 kolonitë amerikane u rebeluan kundër sundimit britanik. Vitin e ardhshëm, liderët e kolonive nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë. Ky dokument deklaronte se 13 kolonitë po shkëputeshin nga Britania. Ata qenë tani një komb i ri: Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Deklarimi i pavarësisë qe pjesa e lehtë. Ruajtja e saj qe shumë e vështirë.

Për ta bërë një gjë të tillë, Shtetet e Bashkuara duhej të mundnin Britaninë në Luftën Revolucionare (1775 – 1783). Po të luftonin të vetme, Shtetet e Bashkuara mund ta humbisnin luftën, pasi Britania qe vendi më i fuqishëm i botës. Megjithatë, Franca dhe Spanja ndihmuan. Këta dy vende kërkuan hakmarrje ndaj armikut të vjetër të tyre, Britanisë. Francezët dhe spanjollët i ndihmuan amerikanët që ta fitonin luftën e tyre për pavarësi.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania nënshkruan një traktat paqeje në vitin 1783. Traktati i Paqes e njihte pavarësinë e vendit të ri. Traktati caktoi gjithashtu një kufi të ri për vendin e ri. Shtetet e Bashkuara nuk qenë më vetëm një rrip i hollë toke përgjatë Oqeanit Atlantik. Si pjesë e marrëveshjes së paqes, Britania i dorëzoi Shteteve të Bashkuara shumicën e territoreve të saj në lindje të Lumit Misisipi.

 

Ëndrrat e Napoleonit dhe Xhefersonit

Në vitin 1799 Napoleon Bonaparti mori pushtetin si sunduesi i Francës. Napoleoni qe një lider agresiv me një ushtri të madhe nën komandë. Ëndrra e tij ishte që të pushtonte botën. Në vitin 1800 ai e detyroi Spanjën që t’ia kthente Francës Territorin e Luizianës. Në atë kohë ky territor konsistonte në një sasi të madhe toke në perëndim të Lumit Misisipi. Franca nuk bëri shumë për ta sistemuar Territorin e Luizianës dhe e mbajti vetëm në mënyrë të lirë.

Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara, Tomas Xhefersoni ishte zgjedhur President i tyre në vitin 1801. Atë vit Shtetet e Bashkuara festuan ditëlindjen e 25-të të tyre. Vendi qe rritur shumë në çerekshekullin e parë të tij. Për një gjë, popullsia e tyre qe më shumë se dyfishuar, nga 2.5 milion në vitin 1776 në 5.5 million në vitin 1801. Në vend të 13 shteteve, tani qenë bërë 16 të tillë — Vermont, Kentaki dhe Tenesi i qenë bashkuar Unionit.

Gjithashtu gjatë këtij çerekshekulli të parë, kolonët kishin lëvizur fuqimisht drejt perëndimit. Për shembull, në vitin 1801 Alabama qe shtëpia e më shumë se 100 mijë njerëzve, popullsia e Ohajos qe rreth 50 mijë banorë, ndërsa ajo e Misisipit qe në rreth 10 mijë dhe ajo e Indianës në rreth 7 mijë. Këto dhe shumë territore të tjera në lindje të Lumit Misisipi do të bëheshin shtete në dekadat e para të shekullit të Nëntëmbëdhjetë.

Po për Territorin e Luizianës të madh në perëndim të Lumit Misisipi? Ato qenë toka që Franca i kishte rimarrë dhe tani i mbante në mënyrë të lirë. Presidenti Xheferson ëndërronte që t’ua bashkëngjiste këto toka atyre të Shteteve të Bashkuara. Territori i Luizianës qe një vend misteri për Xhefersonin dhe amerikanë të tjerë. Trojet, lumenjtë dhe malet e saj qenë të panjohura dhe të pashënuara në hartë. Shumë njerëz tregon histori të ekzagjeruara rreth zonës. Për shembull, thuhej se disa prej banorëve indigjenë të rajonit qenë gjigantë. Disa njerëz pretendonin se Territori i Luizianës qe vendi i një mali pothuajse 320 kilometrash të gjatë të përbërë nga kripë e pastër!

Presidenti Xheferson donte ta eksploronte Territorin e Luizianës me idenë se Shtetet e Bashkuara një ditë mund ta kishin të tyren. Problemi ishte se Franca nuk do ta lëshonte Territorin e Luizianës dhe Shtetet e Bashkuara nuk qenë në gjendje që të hynin në konflikt me Napoleonin për të.

 

Napoleoni bën një banjë

Në momentin që u bë President, Tomas Xhefersoni emëroi mikun e tij Robert Livingston si Ministër të Shteteve të Bashkuara në Francë. Xhefersoni e dërgoi Livingstonin në Francë me një mision. Ai ishte që të përpiqej të blinte qytetin dhe portin e Nju Orlinsit nga Franca për Shtetet e Bashkuara. Nju Orlinsi ishte një port i rëndësishëm amerikanoverior për transport detar. Nëqoftëse e kishin të tyre Nju Orlinsin, amerikanët mund të transportonin ngarkesa mishi, mielli, druri dhe mallrash të tjera nëpër Lumin Misisipi drejt qytetit. Nga Nju Orlinsi mallrat mund të transportoheshin në shumë vende të tjera.

Livingstoni arriti në Francë në fund të vitit 1801. ai u takua me dy zyrtarë të lartë të Napoleonit. Njëri qe Ministri i Financave francez, Fransua dë Barbé – Morbua. Tjetri qe Sharl Moris dë Talejran, Ministri i Punëve të Jashtme. Të dy i merrnin urdhrat drejtpërsëdrejti nga Napoleoni. Napoleoni e dinte se amerikanët do të donin më më shumë se vetëm Nju Orlinsi. Ata do të ishin të lumtur që ta kishin të tyrin të gjithë territorin francez. Në atë kohë, Napoleoni po planifikonte të ndërmerrte një luftë kundër Anglisë. Hyrja në të do t’i kushtonte shumë. Nga do të vinin gjithë ato para? Napoleoni mori në konsideratë që t’ua ofronte Shteteve të Bashkuara të gjithë Territorin e Luizianës për një shumë të madhe parashë. Ai foli me zyrtarët e tij për këtë gjë. Fransua dë Barbé – Morbua i tha se shitja e Territorit të Luizianës qe një ide e mirë. gjithsesi, Shtetet e Bashkuara ose Britania shpejt mund të orvateshin që ta merrnin rajonin me forcë. Napoleoni fare mirë mund t’ua shiste tokën dhe të nxirrte diçka prej saj. Talejrani nuk qe dakord. Ai këmbënguli që Franca mund të ndërtonte një perandori të madhe në Territorin e Luizianës të saj.

Napoleoni anoi gjithnjë e më shumë drejt shitjes së rajonit. Vëllezërit e tij Lysien dhe Zhozef Bonapart, dëgjuan për shitjen e mundshme. Njëlloj si Talejrani, ata mendonin se ishte më mirë për Francën që ta mbante për vete gjithë territorin. Një mëngjes, në pranverën e vitit 1803, Lysieni dhe Zhozefi e vizituan Napoleonin në pallatin e tij në Paris. Ata u futën në apartamentin ndërkohë që ai po bënte një banjë dhe e këshilluan kundër shitjes së Luizianës.

Napoleoni u zemërua me vëllezrit e tij. “Nuk do të ketë asnjë debat!”, tha ai, duke nënkuptuar se fjala e tij qe përfundimtare. Kur vëllezërit e tij vazhduan të argumentonin, Napoleoni u ngrit nga vaska ku po lahej dhe i ulëriu Lysienit dhe Zhozefit. Ai qe aq i egërsuar me ta, sa që rrëshqiti në vaskë dhe i spërkati vëllezërit me ujë. Argumenti me vëllezërit duket se ka ndihmuar në bindjen e Napoleonit që t’ua shiste Luizianën amerikanëve. Napoleoni u tha ndihmesave të tij që të shikonin se çfarë do të ofronin amerikanët jo vetëm për Nju Orlinsin, por për të gjithë Territorin e Luizianës.

Robert Livingstoni sërish që po bënte maksimumin e tij që ta siguronte Nju Orlinsin për Xhefersonin. Me 11 prill të vitit 1803, Talejrani e ftoi Livingstonin për një bisedë në zyrën e tij. Papritmas Talejrani bëri një pyetje befasuese. Ai tha diçka si: “A do të donin amerikanët ta blinin të gjithë Luizianën? Do të doja që të dija sesa do të jepnit për të gjithë territorin”. Kjo hapi rrugën për atë çka mund të quhet marrëveshja më e madhe e shitjes së një pasurie të patundshme në histori.

 

Blerja e Luizianës

Pasi Talejrani ofroi që t’ua shiste të gjithë Territorin e Luizianës, Livingstoni nuk qe i sigurtë sesa duhej të ofronte për të. Ai shqiptoi një shumë të vogël. Shtetet e Bashkuara qenë të gatshme që të paguanin 4 milion dollarë amerikanë për Territorin, tha Livingstoni. Siç e kish shpresuar Livingstoni, Talejrani këmbënguli se Territori i Luizianës vlente shumë më tepër sesa aq.

Ditën e nesërme, me 12 prill të 1803, Xhejms Monro mbërriti në Paris. Presidenti Xheferson e kishte dërguar Monroin në Paris që të ndihmonte Livingstonin në blerjen e Nju Orlinsit. Livingstoni i tha Monroit se ai favorizonte “bërjen e një përpjekjeje për ta blerë të gjithë territorin”. Monroi ra dakord. Ai dhe Livingstoni planifikuan strategjinë e tyre. ata prisnin që francezët të kërkonin një shumë mjaft të madhe për Territorin e Luizianës.

Ata do të fillonin duke ofruar një shifër të ulët. Në fund, të dyja palët do të takoheshin për një shifër diku në mes. Gjatë ditëve të ardhshme, të dyja palët negociuan. Livingstoni dhe Monroi negociuan për Shtetet e Bashkuara. Fransua dë Barbé – Morbua qe negociatori kryesor i Francës. Barbé – Morbua e filloi duke thënë se Napoleoni donte të paktën 20 milion dollarë amerikanë për Territorin e Luizianës. Amerikanët u kundërpërgjigjën me një ofertë 8 milionëshe. Kjo nuk ishte aspak e mjaftueshme, këmbënguli Barbé – Morbua. Ai insistoi se çmimi dysheme i Napoleonit qe 16 milion dollarë amerikanë. Kjo qe paksa si shumë për Shtetet e Bashkuara, thanë Monroi dhe Livingstoni. Megjithatë, ata e rritën ofertën e tyre në 12 milion dollarë amerikanë. Nëqoftëse amerikanët mund të ngriheshin disa milion më shumë, ata do arrinin marrëveshjen, tha Barbé – Morbua. Më së fundi, me 30 prill, dy amerikanët dhe francezët e arritën një marrëveshje. Franca do tia shiste Territorin e Luizianës Shteteve të Bashkuara për 15 milion dollarë amerikanë. Dy ditë më vonë, me 2 maj të vitit 1803, marrëveshja u nënshkruar. Livingstoni dhe Monroi qenë të eksituar që Shtetet e Bashkuara po fitonin një copë të tillë të madhe toke. Ndërsa marrëveshja po kompletohej, Livingstoni deklaroi: “Kjo është vepra më fisnike e të gjithë jetëve tona!”.

Në fillimet e 1800-ës, nuk kishte telegrafë apo telefona. Lajmet lëviznin me ngadalë midis Europës dhe Amerikës nëpërmjet anijeve. Nuk qenë veçse me 3 korrik të 1803 që lajmi i marrëveshjes së blerjes të Luizianës ka arritur Shtëpinë e Bardhë në Uashington, D.C. Presidenti Xheferson qe shumë i gëzuar nga lajmi, i cili vinte vetëm një 1 përpara ditëlindjes së 27-të të vendit. Megjithatë, blerja nuk ishte akoma zyrtare. Sipas kushtetutës amerikane, një traktat mund të kishte efekt vetëm nëqoftëse ndodhnin dy gjëra. E para, Presidenti duhet ta miratonte, gjë të cilën Xhefersoni e bëri. E dyta, di të tretat e Senatit duhej ta miratonin atë. Kjo sigurisht që nuk qe aq e sigurtë, pasi Shtetet e Bashkuara kishin pak para në atë kohë. Disa amerikanë mendonin se vendi nuk kishte asnjë punë që të shpenzonte 15 milion dollarë për një copë tokë të panjohur. Senati e votoi blerjen me 20 tetor të 1803. Shumica dërrmuese e senatorëve u bënë me Presidentin. Senati e miratoi traktatin 24 pro dhe 7 kundër. Kjo qe më shumë se dy të tretat e kërkuara për ta vënë në fuqi një traktat. Blerja e Luizianës tashmë u zyrtarizua.

 

Një pikë kthese

Shtetet e Bashkuara kishin edhe një problem. Ata nuk i kishin paratë për të paguar blerjen e Luizianës. Vendit ju desh që të huazonte shuma të mëdha nga bankat në Angli dhe në Hollandë. Përderisa duhej të paguhej interesi i huave, qeveria amerikane përfundoi për të shpenzuar shumë më tepër se 15 milion dollarë. Kostoja aktuale e blerjes së Luizianës përfundoi duke qenë rreth 23.2 milion dollarë. Kjo do të ishte e barabartë me rreth 500 milion dollarë në ditët tona.

Sërish, blerja e Luizianës rezultoi që të ishte një marrëveshje fantastike për Shtetet e Bashkuara. Vendi përfitoi 828000 milje katrore (2144510 kilometra katrore) tokë në perëndim të Lumit Misisipi. Për çdo milje katrore tokë të siguruar, qeveria pagoi rreth 30 dollarë sipas vlerës në fillimet e 1800-ës. Ky qe një çmim i ulët, po të kesh parasysh se eventualisht pjesë apo të gjitha 15 shtetet që u nxorën nga ky Territor: Luiziana, Arkanzas,Misuri, Ajova, Minesota, Teksas, Oklahoma, Kanzas, Nebraska, Dakota e Jugut, Dakota e Veriut, Nju Meksiko, Kolorado, Uajoming dhe Montana.

Blerja e gjithë kësaj toke qe një pikë kthese për Shtetet e Bashkuara në disa aspekte. Shtetet e Bashkuara kishin tani në zotërim Nju Orlinsin, ashtu siç kishte dashur Xhefersoni. Vendi kishte siguruar toka të pamata për pionierët që donin të vendoseshin në perëndim të Lumit Misisipi. Kjo hapi rrugën për një numër të madh kolonësh që të vinin në Shtetet e Bashkuara në vitet në vazhdim. Me marrëveshje, vendi i ri blinte disa toka bujqësore të pasura. Këto toka pjellore do të ushqenin si popullsinë në rritje të Amerikës, ashti edhe njerëzit anembanë botës. Gjithashtu, nëpërmjet dyfishimit të madhësisë së tyre, Shtetet e Bashkuara bëheshin një vend shumë i fortë nga sa kishin qenë më parë. Në fakt, disa historianë besojnë se blerja e Luizianës shënoi fillimin e bërjes së Shteteve të Bashkuara një fuqi e madhe botërore.

Megjithatë, për indigjenët, blerja e Luizianës rezultoi të ishte një pikë kthese e trishtuar. Kur territorin e kishin në zotërim francezët, popullsitë indigjene qenë lënë rehat në pjesën më të madhe të kohës. Pasi zotërimi kaloi në duart e amerikanëve, pionierët i përzunë fiset indiane nga tokat e tyre, ashtu siç kishte ndodhur në Bregun Lindor.

Po dy liderët e vendeve të tyre? Napoleoni nuk e arriti kurrë ëndrrën e tij për sundim botëror. Në vitin 1815 britanikët dhe aleatët e tyre e shpartalluan ushtrinë e Napoleonit në Betejën e Vaterlosë. Napoleoni i kaloi vitet e fundit të jetës si i burgosur në ishullin e largët britanik të Shën Elenës në Atlantikun jugor. Nga ana tjetër, Presidenti Tomas Xheferson pa që t’i  plotësohej ëndrra për ekspansion drejt perëndimit. Në vitin 1804 ai dërgoi Meriuether Ljuis dhe Uilliam Klark që të eksploronin blerjen e Luizianës dhe pjesë të tjera të Perëndimit amerikan. Ekspedita e Ljuisit dhe Klarkut i hapi rrugën Shteteve të Bashkuara që të pretendonin akoma më shumë toka në perëndim. në kohën e vdekjes së Xhefersonit me 4 korrik 1826 – ditëlindjen e 50 të vendit – Shtetet e Bashkuara qenë në rrugën e tyre për t’u zgjeruar “nga deti në detin e ndritshëm”.

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

LEAVE A REPLY