“Më kanë vjedhur Franz Kafka”: Historia e procesit të dorëshkrimeve të humbura...

“Më kanë vjedhur Franz Kafka”: Historia e procesit të dorëshkrimeve të humbura të Joseph K.

57
0
NDAJ

Quhej njëlloj si femra e parë, Eva, dhe nga 2016 sillej vërdallë me dy thasë plastikë plot me dokumenta, duke e rruar kokën, vazhdimisht. I kishin marrë gjënë më të dashur, thoshte, duke mallkuar të nxehëtin e Tel Avivit dhe cinizmin e Izraelit, ajo, hebreje, bijë emigrantësh çekë. Thoshte se i kishin vjedhur Franz Kafka. Kjo është një histori tradhëtishë të përsëritura, një histori dashurie, miqësie, spiunazhi. Ka të bëjë me shkrimtarin më të madh të Nëntëqindës, që njëlloj si virusi pushton jetët, anashkalon njerëzit; e ka rrëfyer Benjamin Balint në një libër tmerrësisht bindës, të titulluar “Kafka’s Last Trial” (shtëpia votuese W.W. Norton & Company 2018, fq. 288). Gjithçka fillon në vitin 1924. Franz Kafka vdes dhe i kërkon mikut të tij të ngushtë Max Brod, ekzekutuesit testamentar të tij, që t’i djegë të gjitha dokumentat private, letrat, ditarët, punët e papërfunduara. Siç dihet, Brod nuk e plotëson vullnetin e mikut të tij, përkundrazi, “boton gjithçka, pa dallim”, siç shkruan Milan Kundera tek “Testamentet e tradhëtuara”.

Kjo është e para e tradhëtive të panumërta, në një aradhë të tërë tradhëtarësh. Në vitin 1939, Brod largohet nga Europa naziste, zbarkon në Tel Aviv. Një vit më vonë takon aty Ilsa Hoffe, të cilën e bindë që ta quajë hebraisht, Esther. Kështu, Esther bëhet sekretarja e tij, factotum-i i tij, ndoshta edhe dashnorja e tij. Esther Hoffe ka burrë, që ja quajnë Otto, dhe dy vajza, përkatësisht Eva e Ruth, është rrezatuese, e aftë dhe në dorëshkrimet e Kafka, të cilat i shtyp në makinë, gjen të kaluarën e humbur. Me vdekjen e Brod, 50 vite më parë, është Esther ajo që merr në dorëzim dorëshkrimet e çmuara, duke i kundërshtuar të gjitha dëshirat e mentorit të saj, që do të donte t’ia dërgonte Bibliotekës Kombëtare të Izraelit. Esther i ruan në mënyrë obsessive dokumentat, duke arritur megjithatë të shesë në vitin 1974 disa letra të Kafka një blerësi gjerman dhe sidomos më 1988 dorëshkrimin e “Procesit”, i kaluar ankand dhe i blerë për një shifër milionëshe nga Arkivi Letrar Gjerman i Marbach. Esther ndërron jetë në vitin 2007, në moshën 101 vjeçare, duke ua lënë dokumentat e Kafka trashëgimi të bijave: është në këtë moment që Biblioteka Kombëtare e Izraelit dhe Arkiva Letrare ngrenë pretendimet lidhur me trashëgiminë. Në vitin 2016 gjykata ia jep dorëshkrimet, të shpërndara midis një kasaforte bankare në Tel Aviv dhe njërës në Zyrih, Bibliotekës Kombëtare. Nënkuptohet, bëhet fjalë për dokumenta shumë të rëndësishme për historikun e letërsisë: një inventor ende jo i plotë regjistron mijëra letra – midis të cilave ato të Dora Diamant, e dashura e fundit e Kafka – dorëshkrimet e shumë tregimeve të tij dhe një grusht vizatimesh. Nga viti 2016, e shndërruar tashmë në një lloj Joseph K., Eva Hoffe ka nisur të rruajë kokën, “sikur të kishte një lidhur një kontratë me të vdekurit”, më thotë Blint. E motra Ruth ka vdekur më 2012. “Shikohet vetëm boshllëku…. E padurueshme bashkëjetesa me kushedi se kë… e pafundme të rrotullohesh symbullur, ofruar një shikimi të çfarëdoshëm të sinqertë “, shkruan Kafka mbi një shekull më parë, më 1916, në ditaret që do të duhej të përfundonin në zjarr. Më 4 gusht, Eva Hoffe ka ndërruar jetë në moshën 84 vjeçare. Sikur Kafka të ishte sëmundje.

 

Në historinë e dorëshkrimeve të Kafka kthehet në mënyrë të përsëritur fjala “tradhëti”: Max Brod tradhëton vullnetin e Kafka, që donte t’i digjte tekstet e tij private; Esther Hoffe tradhëton vullnetin e Max Brod, që donte t’ia dorëzonte dokumentat kafkiane Bibliotekës Kombëtare të Izraelit; Esther Hoffe, sipas të gjitha gjasave, tradhëton të shoqin për t’u bërë dashnorja e Brod. Kush ka tradhëtuar më shumë në gjithë këtë histori? Nga ana tjetër, është falë kësaj serie tradhëtishë që arrimë të penetrojmë në vërtetësinë e punës së Kafka…

Ka mundësi të keni të drejtë në identifikimin e tradhëtisë si tema që përshkon të gjithë historinë. Brod e justifikon tradhëtimin e vullnetit të Kafka nëpërmjet apelimit të një besnikërie dyfishe, më të lartë: ndaj letërsisë dhe ndaj dëshirave të vërteta të Kafka. Shtoj se duke tradhëtuar dëshirat e këtij të fundit, Brod e ka shpëtuar në mënyrë të dyfishtë trashëgiminë e tij: nga asgjësimi fizik dhe nga errësira e pasvdekjes. Fama e Kafka – “shpërblimi i hidhur i atij që qe në pararojë të kohës”, sipas Hannah Arendt – është meritë e Brod. Pa Judë, është thënë, nuk do të kishte pasur kryqëzim; pa Brod nuk do të kishte Kafka. Milan Kundera këmbëngul mbi faktin se Brod e ka tradhëtuar mikun e tij duke ia botuar veprat e papërfunduara dhe ditaret, letrën për të atin, e pa dorëzuar ndonjëherë, letrat e tij të dashurisë. Me këtë gjest jo të mirë, shkruan Kundera, Brod ka krijuar “modelin për mosbindjen kundrejt miqve të vdekur; një precedent gjyqësor për t’ju shmangur vullnetit final të autorit”. Por sikur Brod t’i ishte bindur vullnetit final të autorit, duke i hedhur në zjarr dorëshkrimet e tij, atëhere pjesa më e madhe e shkrimeve të Kafka do të humbiste. Kafka ynë është një dhuratë e mosbindjes së Brod. Duke vazhduar lidhur me këtë temë: Meir Heller, avokati i Bibliotekës Kombëtare të Izraelit, thekson se Brod ia ka lënë Esther Hoffe dokumentat e Kafka si ekzekutuese dhe jo si përfituese. Dorëshkrimet nuk kanë qenë kurrë pronësi e saj dhe ajo nuk do të mund t’ia kalonte vajzave të saj, Eva dhe Ruth. Esther Hoffe e ka tradhëtuar vullnetin e Brod, thotë Heller, ashtu si Brod ka tradhëtuar atë të Kafka.

 

Çfarë gruaje ishte Esther Hoffe?

Esther (Ilse) Hoffe ka qenë para së gjithash një grua e shënuar nga përvoja e mërgimit. E lindur në vitin 1906 në Opava (Troppau, në gjermanisht), kryeqyteti i Silezisë çeke, në fillim të 1940 ajo, i shoqi dhe vajzat largohen në Gjermani e më pas në Francë. Në Francë Otto, i shoqi, u mbyll në një kamp internimi jashtë Parisit. Eva dhe Ruth gjetën strehim në Villard-de-Lans, një qytet afër Grenoble. Për disa muaj, Eshter bëri vajtje ardhje nga një qytet në tjetrin, e dëshpëruar, për të mbrojtur vajzat dhe për të tentuar lirimin e të shoqit. Në fund, me ndihmën e të afërmve në Shtetet e Bashkuara, arriti që të sigurojë dokumentat e nevojshme për udhëtimin drejt Palestinë. Eva më ka thënë se e ëma, rrezatuese në publik, shpërndante një magnetizëm rreth vetes: “Nëse i duhej të futej në ndonjë bar, të gjithë do ta kthenin kokën nga ajo”. E duroi në privatësi dhimbjen e të mërguarve. Eva kujton se e ëma i binte me grushta murit të aprtamentit të tyre në Tel Aviv, sikur të mund t’i thithnin dhimbjen që kishte brenda. Kur ajo dhe Otto takuan Max Brod, të tri refugjatët njohën tek njëri tjetri atë që në mjedisin e ri nuk e gjenin. “Prindërit e mi dhe Max nuk qenë izraelianë”, kujtonte Eva. “Nuk e kuptonin kulturën izraeliane. Mënyra e tyre e të menduarit ishte internacionaliste”. Qe me sugjerimin e Brod që Ilse Hoffe mori emrin hebraisht Esther dhe që po me kërkesën e tij që Eshter pranoi ta ndihmonte të transkriptonte dhe të organizonte dokumentat që kishte shpëtuar nga qyteti i lindjes në valixhen e tij. Brod ishte i sigurtë që ajo mund ta kuptonte që ato dorëshkrime qenë një fill në gjendje të lidhnin të tashmen me të kaluarën, me jetën e mëparshme. Çdo mëngjes, Esther Hoffe shkonte në apartamentin e tij në HaYarden Street, dy blloqe larg nga plazhi. Vinte me një briosh në qese dhe e ndizte samovarin përpara se të lërgohej, pasdite. Duke parë se po fillonte të kishte vështirësi në të dëgjuar, Brod i besonte Esther që t’i përsëriste gjërat që nuk arrinte të kuptonte në telefon. Në librin e tij të kujtimeve, Brod e quan Esther “ortaku im krijues, kritiku im më i rreptë, shoku dhe aleati im”, ndaj të cilës “ndjehej pafundësisht në borxh”. Sipas Shin Shalom, një mik i tij, Brod thoshte se Esther kishte hyrë në jetën e tij “si një engjëll shpëtimtar”.

 

Më thoni diçka për vajzat e Esther, Eva dhe Ruth: çfarë karakteri kanë pasur, si e kanë përballuar gjykatën izraeliane?

Nuk e kam takuar kurrë Ruth, por ndoshta mund t’u jap një ide për Eva. Në lagështinë mbytëse të mesit të verës në Tel Aviv, unë dhe Eva po ecnim përgjatë Dubnow Street. Ajo mbante një bluze me ngjyrë të ndezur, me një imazh të Marilyn Monroe, dhe një fustan të gjatë, me katrore. Kishte me vete 3 qese plastike, me fotografi dhe dokumenta që donte të m’i tregonte, përfshi certifikatën e saj të lindjes dhe pashaportën çeke. “Pavarësisht se jam izraeliane dhe hebreje”, më tha, “nuk mund të them se e dua këtë vend”. Kam përmendur intervistën që Brod i ka dhënë gazetës izraeliane Maariv në tetorin e 1960. I ka thënë gazetarit: “Sikur Kafka do të kishte dashur ta rrinte tokën e Izraelit, do t’i kishte krijuar veprat gjeniale në hebraisht!”. Shtova se në romanin e saj të fundit, Forest Dark, shkrimtarja hebreo – amerikane Nicole Krauss ka imagjinuar një kundër – jetë të Kafka, një lloj “po siku…”. Rrëfyesi i romanit të Krauss zbulon se Kafka ka ardhur në Palestinë midis dy luftërave botërore dhe se jetonte në mënyrë gati sekrete, i mbrojtur nga emri hebraik Amschel. Megjithëse nuk do ta takonte kurrë Kafka, Eva reagoi e tronditur. “Kafka nuk do të kishte zgjatur as edhe një ditë këtu”, më tha. Pas humbjes në Gjykatë Supreme, e kishte kapur një formë mazokizmi dhe vetëdëmtimi sublime. I kishte thënë parukieres që t’ia rruante kokën. Ishte ndonjë lloj zije? Ishte një lloj borxhi me të vdekurit? Ishte ndonjë lloj martirizimi? Duke folur për veten e saj sikur të ishte thjesht shumatorja e fatkeqësive të saj ligjore, i ka krahasuar shtyrjet dhe vonesat e rastit të saj me ato të ndeshura nga Joseph K. tek Procesi. Në të dyja rastet, thoshte, një sistem arbitrar është future në hapësira publike dhe private. “Mirë”, i thotë piktori Joseph K., “çdo gjë i përket gjykatës”. “Qysh nga fillimi i procesit”, më ka thënë, “e ndjeja veten si një bagëti e çuar tek kasapi”.

 

Çfarë ideje keni krijuar për Max Brod? Ishte vërtet mik i Kafka? Çfarë e shtyn që të botojë dokumentat më intime të Kafka, letrat, ditarët, tekstet e papërfunduara?

Në justifikimin e tradhëtisë së tij, Brod thoshte se Kafka ia kish nënshtruar të shkruarën e tij një presioni të jashtëzakonshë, se ia nënshtronte artin e tij kritereve jashtëzakonisht të larta – “standardeve më të larta fetare” dhe “një autokritike të çfrenuar”, shtonte Brod. I konsideronte shënimet e Kafka – nota, jo testament juridikisht detyrues – si produkte të një “depresioni të përkohshëm”. Shkruan: “Vendimi im për ta botuar veprën pas vdekjes është bërë më e lehtë nga kujtimi i të gjitha luftërave spazmodike që i kanë paraprirë çdo botimi të veçantë të Kafka që ia kam “zhvatur” me forcë dhe shpesh duke ju përgjëruar. Megjithatë, më pas është pajtuar me këto botime dhe ka mbetur relativisht i kënaqur”. Brod e kuptoi se ngurrimi i Kafka për t’i botuar veprat e tij nuk buronte nga qëllimi për t’i mbajtur sekret, por nga bindja e paplotshmërisë së tyre, nga boshllëku i pamatshëm midis asaj që ishte dhe asaj që do të kishin mundur të kishte qenë. Praktikisht, gjëja e parë që Brod botoi nga shkrimet e Kafka pas vdekjes së tij qenë të dy notat që ndalonin botimin e veprave të tij. Me këtë, Brod donte të demonstronte besnikërinë e tij të vërtetë ndaj Kafka: e botonte veprën e tij, por në të njëjtën kohë edhe vullnetin e Kafka për të mos e bërë një gjë të tillë. Në vitin 1921, kur ai e denoncoi për herë të parë qëllimin për të djegur çdo gjë, Brod ju përgjigj duke i thënë: “Nëqoftëse seriozisht mendon se unë jam i aftë që ta bëj një gjë të tillë, atëhere më lejo të të them këtu dhe tani se nuk do t’i plotësoj dëshirat e tua”. Pas vdekjes së Kafka, Brod ka pohuar: “Franz do të duhej të emëronte një ekzekutues tjetër sikur të kishte qenë absolutisht dhe përfundimisht i sigurtë se donte që dikush t’i realizonte udhëzimet e tij”.

 

Çfarë dokumentash të pabotuara të Kafka mund të zbulojmë në Bibliotekën Kombëtare të Izraelit? Ka tekste që mund ta përmirësojnë dijen tonë për shkrimtarin?

Për një përgjigje të plotë duhet të presim, por inventari i paplotë i materialeve në kasafortat bankare të Tel Avivit dhe Zyrihut, që shkon në 170 faqe, liston rreth 20000 letra – midis të cilave 70 letrat e Dora Diamant, e dashura e fundit e Kafka, për Brod – ditarët e pabotuara të Brod, dy dyzina vizatimesh të panjohura të Kafka dhe dorëshkrimet origjinale e tregimeve të Kafka (midis të cilave, Përgatitje dasme në fshat).

 

Çfarë ju ka shtyrë të shkruani një histori si kjo?

Qëndroja i ulur, në seancat e procesit gjyqësor, i magjepsur nga mënyra me të cilën secila nga palët, e impenjuar në një luftë të ashpër gjyqësore, dhe deri edhe gjykatësit, të luhateshin midis regjistrash retorikë: ligjorit dhe simbolikut. Kam kuptuar se procedimet gjyqësore mundësonin që të hidhnin dritë mbi çështje të rëndësishme për Izraelin, Gjermaninë dhe marrëdhënien ende të brishtë midis tyre. Si Arkiva Kombëtare e Marbach, ashtu edhe Biblioteka Kombëtare e Izraelit kanë sjellë në sallë frikërat lidhur me të kaluarat respektive kombëtare; të dy kërkonin ta përdornin Kafka si një trofe për të nderuar të kaluarën e tyre, sikur shkrimtari të ishte një instrument për prestigj kombëtar. Qysh atëhere e dija se duhej ta shkruaja historinë e një shkrimtari të panjohur, i mbushur plot me gjeni, dëshira e fundit e të cilit është tradhëtuar nga miku më i ngushtë i tij; një arrati e dhimbshme nga pushtuesit nazistë, ndërkohë që mbylleshin dyert e Europës; një histori dashurie midis mërgimtarësh të bllokuar në Tel Aviv dhe dy vende obsesioni i të cilëve për të tejkaluar dhimbjet e së kaluarës ka gjetur hapësirë në një dramë gjyqësore. Mbi të gjithë, kam kuptuar se procesi i hapte rrugën një pyetje tjetër, mjaft të fortë: i kujt është Kafka?

(nga Pangea)

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

 

LEAVE A REPLY