Historia e Youtube

Historia e Youtube

536
0
NDAJ

Ka ndryshuar jetën e mbretërve, krerëve të shteti e të qeverive, financierëve dhe terroristëve, këngëtarëve, aktorëve, gjeometrave dhe pastrueseve

Kush ua ka dhënë paratë e para themeluesve? Pse Google është ngutur që ta blejë për 1.7 miliard dollarë? Sa shërbime sekrete e përdorin për të kontrolluar dhe devijuar?

Pse një djalë bën një budallallëk dhe e shikojnë 150 milion spektatorë? Dhe pse në fakt një tjetër e shikojnë vetëm 12?…

 

 

Youtube ka ndryshuar jetën e mbretërve, krerëve të shteteve dhe të qeverive, financierëve dhe terroristëve, këngëtarëve, shkencëtarëve, aktorëve, bixhozçinjve, gjeometrave dhe pastruesve të grupeve të ndryshme etnike. Domethënë ekzistonte një Planet Tokë “ante Youtube” dhe ekziston sot një Planet Tokë “postYoutube”. “O rri brenda, ose ke mbaruar”, thonë në Wall Street, në Shangai dhe në Arcore. “Nëqoftëse ke talent, postoje në Youtube dhe të shikojmë sesa shikues bën”. Etj…etj… Të gjithë flasin e stërflasin. Por ku e ka fillimin cunami i viral videos, kur, si, pse dhe prej vullnetit të kujt, e dinë pak… vërtet pak.

Kush ua ka dhënë paratë e para themeluesve? Pse Google është ngutur që ta blejë për 1.7 miliard dollarë? Pse Barack Obama e ka përdorur për t’u bërë President i SHBA-së dhe Hillary Clinton, boll që ta mbrojë, ndeshet me qeverinë kineze dhe me qeveritë islamike? Pse konkurrentët e tij janë frikësuar aq shumë sa u është dashur ta shpikin Facebook menjëherë?

Sa shërbime sekrete e përdorin për të kontrolluar dhe devijuar? Pse familja mbretërore britanike ka hapur menjëherë një kanal brenda Youtube, pasuar nga Kombet e Bashkuara dhe Selia e Shenjtë? Pse një djalë bën një budallallëk dhe e shikojnë 150 milion spektatorë? Dhe pse e bën një djalë tjetër dhe e shikojnë vetëm 12 të tillë?

Pse brenda Youtube ndodhen të vdekurit, masakrat dhe përplasjet me zjarr live? Pse zihen të gjithë sëbashku publicitarë dhe ekologjistë, nacionalistë dhe imperialistë, të bardhë e të zinj, të verdhë dhe jashëtokësorë? E gjitha kjo e rrëfyer gjerësisht nga libri me titull “YouTube – La storia”.

 

Youtube, historia në të tashmen

Themeluesit: Chad, Steve dhe Jawed janar 2005. Në gjirin e San Françiskos është një ftohtë i madh. Një erë e akullt dhe e trazuar fryn nga oqeani dhe kontribut për ta mbajtur të ulur temperaturën. Megjithatë, të tri shokët janë me humor të mirë. Po konvergjojnë, secili nga banesa e vet, me shishe në dorë, drejt një feste. Por asnjëri prej tyre nuk e di se ky takim do ta shënojë përgjithmonë historinë e tyre personale dhe do të kontribuojë ndjeshëm në ndryshimin e historisë së epokës dixhitale.

Asnjëri prej tyre nuk mund ta imagjinojë se pak më vonë do të bënin negociata me të fuqishmit e Tokës dhe do të fitonin një ton me dollarë. Chad Meredith Hurley, vitlindja 1977, anglosakson i bardhë, ishte lindur dhe rritur në Pennsylvania; Steve Shih Chen, vitlindja 1978, ishte lindur në Taiwan dhe familja e tij kish vendosur të emigronte në Shtetet e Bashkuara më 1986; Jawed Karim kishte lindur në Merseburg, në Gjermaninë Lindore, më 1979, në kohën në të cilën fatet e atij vendi vendoseshin akoma në Kremlin.

Prindërit e Jawed qenë spostuar fillimisht në Gjermaninë Perëndimore dhe më pas në vitin 1992 – njëlloj si prindërit Steve më 1986 – kishin bërë hopin e madh drejt American Dream: Tempullin e Mundësive. Të tre, pothuajse 30 vjeçarë, gjithsesi nuk janë njerëz të rëndomtë, por më shumë bartës të shëndetshëm dhe të pavetëdijshëm të asaj epidemie që do do të mund të kontribuonte fuqishëm që të përhapeshin fuqishëm: Video Comunicazione Virale.

Hurley, bir i një konsulenti financiar dhe i një profesoreje, ishte diplomuar para kohë në Twin Valley High School të Elverson, ku nëna e tij jep mësim akoma sot. Më pas ishte specializuar në Artet e Bukura në Universitetin e Pennsylvania. Kishte përfituar disa mirënjohje akademike midis 1992 dhe 1994 dhe ishte bërë një anëtar i shquar i Technology Student Association gjatë gjimnazit. Veç të tjerash, konsiderohej një ekspert i user interface dhe do të jetë ky një prej elementëve që «do të bënin diferencën».

Chen ishte një prej atyre asave aziatiko – amerikanë, që qysh nga mosha e njomë e përdorin tastierën e kompjuterit ashtu si disa gjeni të së kaluarës luanin pjanofortin, dhe që kënaqej duke montuar e çmontuar çdo gjë të prodhuar nga industria informatike. Kishte studiuar në John Jersey High School, pastaj në Akademinë e Shkencave të shtetit Illinois dhe së fundi ishte diplomuar në universitetin e po këtij shteti. Edhe Karim, djali i një inxhinieri nga Bangladesh i punësuar tek 3M dhe i një zonje gjermane që punonte në Universitetin e Minnesota, kishte frekuentuar Universitetin e Illinois, por e kishte lënë kampusin për t’u bërë një prej të punësuarve të parë tek PayPal. Gjithsesi, kjo nuk e kishte penguar të diplomohej në Computer Science më 2004.

PayPal! Ndonjërit këto dy fjalë nuk do t’i thonin asgjë, por në fakt janë shumë, shumë të rëndësishme në historinë që po tregojmë. Të tre janë takuar pikërisht në korridoret e kësaj kompanie dhe në dhomat e saj kanë kaluar ditët e tyre duke zhvilluar detyra të ndryshme, sëbashku me specialistët e tjerë, të gjithë të zënë për të spostuar nga njëri cep i botës në tjetrin dollarë amerikanë, australianë e kanadezë, euro, paund anglezë, jenë japonezë dhe renminbi kinezë të destinuar për transaksionet e vogla midis përdoruesve të rrjetit ueb të pafundëm dhe të sajteve e-commerce që ofrojnë mallra dhe shërbime 24 orë në ditë.

PayPal, një shpikje e madhe e 2000, ishte rritur duke luftuar organizata kriminale që tentonin t’i futeshin në sistem për të interceptuar fluksin e parave, deri kur kishte shpikur dhe patentuar softuerin Captcha, që i kish bërë të sigurta transaksionet. Një shkollë e madhe për tre heronjtë tanë, një palestër ku çdo ditë kihej të bëhej me një masë të pafundme përdoruesish.

Një observator i privilegjuar i shijeve planetare dhe i tendencave që modifikohen me shpejtësi shumë të madhe në tribùnë e pafundme të internetit. Në këtë periudhë PayPal menaxhonte transaksione vjetore prej 27 miliard dollarësh, ishte i disponueshëm në 190 vende, operonte në 123 milion llogari aktive të klientëve të vet dhe prej 3 vjetësh, domethënë nga momenti në të cilin ishte blerë nga eBay, shmangte me kujdes që të punonte për sajtet porno.

Për të gjithë këtë flisnin çdo ditë midis tyre të tre shokët: globalizim dixhital, etikë e marrëdhënieve në rrjet, vëllime të jashtëzakonshme shpenzimesh dhe aftësi për të menaxhuar masa të jashtëzakonshme terabajtesh.

Këto lloqet e tyre, aq familjare në këtë ambient sa në një kopsht diskutimet për panolinot dhe lodrat. Kështu PayPal qe humusi i tyre, supa fillestare nga e cila të nxirrnin vizione dhe tregues konkretë dhe, siç do ta shikojmë më pas, edhe mbështetjen e tyre ekonomike, manifestimi i parë themelor i besimit ndaj ëndërrave të tyre të lavdisë.

Megjithatë, atë natë në festë të tre sigurisht që flasin për gjë tjetër. Vallëzohet, pihet, takohen njerëz dhe sidomos – kështu rrëfejnë kronikat dhe kështu e paraqesin protagonistët në intervistat e mëpasme të tyre – atë mbrëmje bëjnë shumë fotografi dhe regjistrojnë shumë video falë videokamerave që i kalojnë dorë më dorë.

Nuk e dimë në detaje se çfarë ndodh në ditët në vazhdim, por dijmë se të tre, siç ndodh shpesh në atë periudhë, tentojnë që t’u dërgojnë miqve të tyre nëpërmjet rrjetit internet si fotografitë, ashtu edhe videot e xhiruara në festë, për të ndarë lojërat, revokuar emocionet, batutat, shfryrjet e të tjera. Me fotografitë ecën gjithçka mirë, por me videot më të “rënda” hasen disa vështirësi. Madhësia, dimensionet e shumë megabajtëve, standardet e ndryshme e kodifikimit e dekodifikimit të sinjaleve, softuerët menaxhimit jo të përputhshëm dhe kërkesat e disa sajteve për procedura të gjata në pasjen akses apo të kostove të vogla të regjistrimit i ngadalësojnë veprimet, nganjëherë i bëjnë të pamundur.

Dhe e gjitha kjo nuk i pëlqen Chad, Steve dhe Jawed. Për profesionistë si puna e tyre, është e patolerueshme që t’u nënshtrohen kufizimeve që gjithsesi teorikisht janë të kalueshme. «Le të punojmë», thanë atëhere, «le të gjejmë një zgjidhje për një problem që na përket dhe që do t’u përkasë qindramilionë njerëzve të tjerë si ne». «Njerëzit kryejnë një thes me gjëra në botë», do të kujtojë më pas Chad Hurley, «i filmon dhe kërkon që t’i ndajë me të tjerët. Ja se çfarë duhet të bëjmë: të japim një mundësi për ta realizuar këtë televizion ekstrem të ri të realitetit».

Jemi në San Bruno, në kontenë San Matteo të Kalifornisë, një qytezë e qetë me 40000 banorë në afërsitë e aeroportit ndërkombëtar të San Francisco. Jemi dy hapa larg nga Silicon Valley, një zonë në të cilën qysh nga mesi i viteve Tetëdhjetë kanë parë dritën e diellit shpikjet dhe patentat e mëdha dhe kanë lulëzuar e janë rritur disa prej aplikimeve më të mëdha ueb, më pas të transformuara në biznese të mëdha falë markave që kanë bërë historinë e erës dixhitale.

Jemi në djepin e kulturës informatike, zotërinj, në kërthizën e Planetit Internet, ku çdo garazh, çdo papafingo, çdo bodrum është një laborator potencial, një dyqan ideshë, praktikash dhe përvojash që mund të çojnë në ndryshime të konsiderueshme, deri në revolucione të dijes, të paimagjinueshme vetëm pak ditë më parë. Disa sigla të lindura të dekadat e mëpasme tashmë janë konsoliduar dhe operojnë me mijëra punonjës dhe teknikë në brendësi ndërtesash të mëdha, të tjera kanë vdekur dhe janë varrosur; pothuajse të gjitha, pas themelimit të tyre, janë blerë dhe shitur, ose shkrirë, shpërbërë, rikorporuar.

Ndjehet në cdo pallat atmosferë finance teknologjike dhe pionerizmi dixhital. Ëndrrat, edhe ato më guximtaret, këtu janë të autorizuar nga bota e biznesit, aktivisht e pranishme në zonë. Këtu çdo djalosh i zgjuar disponon kontakte, kushërinj, miqësi që mund të arrihen me një klik telefoni celular, referentë të cilëve t’u dërgojnë një email me një projekt të vogël apo një ide të vogël në kërkim të financuesve.

Pas epopesë së madhe të NASDAQ-ut të mbështetur nga Clinton dhe Al Gore në vitet Nëntëdhjetë, kur mjaftonte ta nxirrje në bursë një kompani që operonte në internet për të siguruar financime të majme, dhe pas përfundimit të saj, me shpërthimin e flluskës spekulative që ka gjymtuar sidomos kompanitë dot.com, aka ardhur dimri i madh. Ngrica e aktiviteteve day-by-day është mbështetur mbi zjarre të ndezura nga imagjinata inkandeshente e etërve dixhitalë, duke përcaktuar sezone fitimesh të krahasueshëm me sektorë të tjerë të aktivitetit njerëzor, por të privuar nga hope dhe befasi të mëdha.

Pa kurrfarë dyshimi industria informatike dhe e sajteve të internetit ka vazhduar të jetojë pas rënies së 1999, por asnjë yll i vërtetë i dorës së parë, përveç Google, nuk është shfaqur në skenë siç ndodhte në fakt, pothuajse si me magji, në të kaluarën. Por dikush, më 2005, fillon që të nuhasë aromën e një pranvere të re. Arinjtë zgjohen nga letargjia, demat fillojnë të përplasin thundrat me nervozizëm nëpër lëndina, të gatshëm që të vrapojnë si të hazdisur.

Analistët e tregut dhe të rinjtë qëndrojnë vigjilentë: diçka është duke ndodhur, perceptohet në diskutimet nëpër bare dhe në mbledhjet e punës, në hollet e hoteleve dhe në sallat e pritjes të aeroporteve. Dhe përreth tre miqve tanë kemi një lulëzim uebsajtesh të rinj që propozojnë zgjidhje të reja për problemet e vjetra.

Gjatë procesit evolutiv, natyral dhe i pashmangshëm, në ADN-në e medieve, pas ndryshimeve epokale në trajtimin e teksteve, është kaluar në menaxhimin e përmbajtjeve më komplekse, si audio, imazhet fikse e 3D, dhe tani ka ardhur momentin i evolucionit të imazheve në lëvizje. Ndryshimet e mëdha në mënyrën sesi njerëzit i kryejnë fil,mimet video, duke përdorur gjithnjë e më shumë videokamera të vogla dixhitale, dhe kostot e ulëta për mirëmbajtësit e uebsajteve, autorizojnë fluturimin e fantazisë: të mikpritjen, tregohen, shkëmbehen, t’u dërgohen miqve dhe jo, të rieditohen online, sasi të mëdha filmimesh.

Pas Flickr, uebsajtit të lançuar nga Yahoo!, që menaxhon miliona e miliona fotografi për përdoruesit e tij, tentohen versionet e para për të menaxhuar videot: Vimeo, Sharkle, Cliphack e Blip.Tv janë disa prej siglave që shfaqen në këtë fazë. Mbi të gjithë mbretëron, me autoritetin e emrit, Googlevideo. Por gjiganti i motorëve të kërkimit, duke ju përmbajtur komenteve të ekspertëve, parashikon akoma një procedurë të ngadaltë.

Tepër e ngadaltë për fëmijët e paduruar. Heronjtë tanë kanë tjetër gjë në kokë. Me 15 shkurt 2005 themelohet informalisht YouTube. Ja kështu pak kohë më pas tre heronjtë tanë në brendësi të një dhome të madhe – e destinuar të bëhet mitike – sipas disa versioneve sipër një picerie, sipas të tjerëve sipër një restoranti japonez, që merren me një videoklip i destinuar që të hyjë në histori si paraqitja e parë e një vepre lirike të suksesshme. Është 23 prill 2005. Jawed ka shkuar në kopshtin zoologjik dhe po flet me elefantë, ndërsa e ëma e filmon me një videokamerë të vogël.

Është një video e privuar nga çdo gjë e jashtëzakonshme. 17 sekonda banale siç mund të jenë banale videot e xhiruara në shtëpi, gjatë të cilave 26 vjeçari Jawed duket paksa i zverdhur. Por është shkëndija që nis reaksionin zinxhir. Prej 2 muajsh të tre po u përkushtohen zgjidhjes së problemeve. Tani janë gati. Pamjet e Jaëed dhe e elefantëve të tij, falë një softueri të ri të dalë nga përpunime të njëpasnjëshme, karikohen në rrjet (uploaded) me shpejtësinë e dritës me pak klikime dhe shfaqen në monitorët e tyre të verifikimit dhe në ekranet e destinuesve të tyre.

Pason një chat: «Si duket?» «Mirë». «Mjafton vetëm Adobe Flash», saktëson dikush. «Mund t’ia përcjellësh dikujt tjetër?» «Po». «Mirë… shpejt do të mundesh edhe ta rieditosh online». Është agimi i një dite të re. Aventura fillon. Akoma sot, duke rrëmuar komentet ndaj videos së Jawed, që vazhdon të jetë e shikueshme në YouTube, ndeshemi në shprehje emblematike: «Nuk mund ta besoj se kanë bërë kaq shumë para me këtë… edhe unë dua të bëj diçka… ka njeri që ka ndonjë ide?»

Ose: «Videoja e parë? Kështu ka filluar gjithçka… dhe drita u shfaq. Ti je krijuesi ynë, Zoti ynë. Ju keni bërë histori». Ose akoma: «Seriozisht, dude, ju jeni si Zoti. Ju keni ndryshuar botën përgjithmonë dhe e keni bërë gjininë njerëzore më të bashkuar». E ekzagjeruar? Pak po, por nga ana tjetër miti, që të bëhet i tillë, ka nevojë për komente nga mitomanë.

 

Roelof Botha, njeriu i katërt

Në histori vetëm pak venture capitalist mund të gëzojnë kaq shumë sukses sa ka pasur tashmë ky zotëri jugafrikan në moshën e ëmbël të 33 vjetëve. Ama, kujdes: as Roelof nuk është njeri dokudo. I përcaktuar nga shtypi i madh amerikan «Math whiz and mentor», domethënë magjistar i matematikës dhe mentor, djaloshi Roelof ishte rritur në një familje të fuqishme jugafrikane dhe kur ishte fëmijë ulej në gjunjët e gjyshit të tij të famshëm me të njëjtin emër: Roelof «Pik» Botha, Ministër i Jashtëm në vitet e fundit të aparteidit. Pasi ka frekuentuar Universitetin e Cape Town, është diplomuar në Ekonomi dhe Statistikë dhe pasi ka qenë konsulent në Johannesburg i Mc Kinsey & Co., njeriu i katërt fluturon drejt Shteteve të Bashkuara dhe regjistrohet në Stanford Business School, ku merr në 2000 një diplomë tjetër.

Në këtë pikë periudha e stazhit dhe formimi akademik i tij janë të përkryera dhe ai ndjehet i gatshëm për të fituar dhe për të bërë të fitohen lumenj parashë. Ku të shkojë të punojë? Natyrisht, fati e shtyn që të shkojë tek PayPal. Në ardhjen e tij shoqëria e pagesave online po projekton një dalje në bursë. Roelof merr në dorë operacionet e daljes së titullit të ri 7 muaj përpara debutimit dhe ditën e kuotimit arrin një rezultat të shkëlqyer. Menjëherë promovohet në krye të drejtimit financiar dhe nga ajo skrivani manovron drejt një objektivi tjetër: shitjen e PayPal tek eBay. Operacion që përfundon në tetor të 2002 dhe që u siguron aksionerëve të tij shifrën e bukur të 1.5 miliard dollarëve. Congratulations!

Zakonisht Roelof mban një profil të ulët dhe pëlqen ti minimizojë ndërmarrjet e tij: «Provoj të vihem përballë numrit më të madh të mundshëm të mundësive», thotë për shtypin. «Në fundin e viteve Nëntëdhjetë nuk mendoja aspak që të shkoja e të bëja drejtorin financiar të një kompanie teknologjike. Nuk e kisha as idenë se çfarë ishte venture capital». Në realitet, ekspert i sprovuar i shkencave matematikore dhe ekspert i njohur i shkencave statistikore, në aferat e mëdha, Roelof është njeriu i duhur në vendin e duhur: një profesionist që menaxhon investimet financiare duke llogaritur në detaje rreziqet.

Në fakt, ky tip menaxheri, ashtu si bukmejkerësat që merren me baste, thirret për të parashikuar të paparashikueshmen. Të armatosur me modele matematikore dhe statistikore, vlerësojnë realitetin e ngjarjeve dhe kuantifikojnë pasiguritë me qëllim që të reduktohen në minimum humbjet dhe të maksimalizohen fitimet. Dhe Roelof është i zoti. Aq i zoti sa një prej bosëve të Sequoia Capital, Mr. Seth Sternberg, në një moment të caktuar të karrierës së tij tek PayPal i ofron një pozicion në atë që konsiderohet kompania më e madhe dhe më aktive e venture capital operuese në zonën e ndërmarrjeve të mëdha dixhitale.

Sa për sqarim: gjatë dekadave të fundit, Sequoia Capital ka financuar për gjigantë të kalibrit Google, Yahoo!, PayPal, Cisco System, Oracle e Apple. Në para: Sequoia ka mundësuar ndërtimin e 10 përqindëshit e të gjithë vlerës së NASDAQ-ut. Nëse ndonjëherë do të duhej të hipotekohej ekzistenca e një Camelot-i dixhital, kompania do të ishte kështu njëfarë Tavoline e Rrumbullakët ku ulen kalorësit e një hipotetiku King Arthur.com.

«Jo vetëm që Roelof është shumë i aftë», thotë Sternberg kur e thërret tek Sequoia, «por është padyshim një me të cilin nuk mund ta kesh një raport». Le të kthehemi për një çast tek PayPal dhe të imagjinojmë takimin e Chad, Steve dhe Jaëed me Roelof. Ndoshta të tre janë në mensë kur takojnë bashkëmoshatarin e tyre jugafrikan. Ndoshta prezantohen në një mbledhje pune. Ndoshta mbesin të bllokuar sëbashku në një ashensor. Është fakt se të katërt njihen mirë dhe kështu… kujt t’i drejtohesh në atë verë të 2005, pasi ke krijuar sistemin e ri të shkëmbimit video (videosharing) të destinuar që të bëhet YouTube?

Roelof e mirëpret projektin e ish tre kolegëve me vëmendje të madhe dhe me një afeksion të caktuar. «Në ndryshim nga sajtet e tjera të videosharing që po debutonin, YouTube kishte forcën e thjeshtësisë dhe ishte bartës përvojash sociale dhe interaktive», do t’i thotë shtypit duke motivuar financimin. «Është për këtë arsye që Sequoia Capital u ka dhënë atyre 3.5 milion dollarët e parë».

Ladies and Gentlemen, ndaluni të gjithë! Këtu përfundon poezia dhe fillohet të flitet për para. Edhe pse 3.5 milion dollarë nuk janë shumë, është evidente se, përtej afeksionit, miqësisë dhe kreativitetit që po përgatitej t’i jepte jetë YouTube, në shkëmbim të financimit të parë të tij (start up), Sequoia Capital vihej në posedim të një përqindjeje të asetit të ardhshëm dhe të fitimeve eventuale të ardhshme. Detajet nuk janë zbuluar kurrë, por mendohet se Roelof kërkoi dhe siguroi për financuesit 40 përqind.

 

Terabajtet e para

Qysh këtu historia është shembullore. Akoma nuk ka ndodhur pothuajse asgjë, por skena në të cilën lëvizin protagonistët është e denjë për një rëndësi të caktuar. Katër qenie njerëzore, sapo kishin kaluar të 30-at: një amerikan i bardhë, një kinez nga Taiwan, një gjermano – bengalez dhe një jugafrikan, takohen në Silicon Valley e fillimeve të Mijëvjeçarit të III-të, ndërsa përreth tyre lulëzon një lloj apokalipsi global dhe, të shtyrë nga besimi në specien njerëzore dhe nga dëshira për të fituar, themelojnë një sipërmarrje që, sipas thënieve të tyre, frymëzohet nga një mendim i Allen Ginsberg: «Nuk i drejtohet kombeve, por atyre individëve që jetojnë në vendet qëllimi i të cilëve nuk është të ngrejnë kufi, por t’i heqin ato».

Po të donin mund ta frymëzonin themelimin edhe nga një shprehje tjetër të Ginsberg: «Vetëm shkencëtari është poet i vërtetë: na jep Hënën, na premton yjet, do të bëjë një univers të ri, nëqoftëse do të jetë e nevojshme». Kjo e dyta nuk u vjen në mendje themeluesve, që disponojnë në vend të saj një filozofi të tyre të thjeshtë dhe rigoroze:

  1. a) mos pusho kurrë së rrituri;
  2. b) i miqësor me këdo që takon;
  3. c) lehtëso interkonjeksionin gjeokulturor;
  4. d) dhe sidomos – por kjo pjesë e fundit do të zbulohet vetëm më pas – grumbullo miliarda dollarë ndërsa realizon tri pikat e para.

Midis verës dhe vjeshtës 2005 në lokalitetin San Bruno, ku YouTube ka vendosur selinë e tij, ndodhin shumë gjëra. Falë financimit, djemat pajisen me infrastrukturat teknologjike e nevojshme; kontaktojnë bashkëpunëtorët e parë dhe në mënyrë të veçantë fitojnë aftësinë për të disponuar progresivisht mjaft terabajt që të mbajnë një numër të madh, stratosferik, videoklipesh kurrë të menduar deri më atëhere.

Në nëntor, megjithëse akoma në beta test, domethënë në një fazë eksperimentimi shumë të avancuar, por jo përfundimtare, janë të gatshëm të ndeshen me botën e jashtme: përdorues, analistë tregu, konkurrentë, gazetarë, ekspertë harduerësh e softuerësh presin daljen e parë të tyre më njëfarë kurioziteti.

Më 7 nëntor 2005 nxirret komunikata e parë, e përmbajtur, për shtyp, në të cilën lexohet: «YouTube, një kompani e menduar për të mbajtur dhe shkëmbyer videoklipe të prodhuar nga përdoruesit e saj, lajmëron se ka siguruar një financim të parë prej 3.5 milion dollarësh nga Sequoia Capital. E themeluar nga pionierë të internetit, YouTube ka zhvilluar shërbime të reja që u mundësojnë njerëzve të karikojnë me lehtësi, të identifikojnë nëpërmjet tag-eve dhe të shkëmbejnë videoklipe personale duke përdorur sajtin www.YouTube.com. Shërbimi mundëson veç të tjerash që të krijosh kanalin tënd personal video».

«Duke parë rritjen e njerëzve që bëjnë regjistrime video falë videokamerave dhe celularëve të tyre, YouTube është krijuar për të qenë destinacioni final, vendi në të cilin të shikohen dhe të shkëmbehen këto përvoja», pohon Chad në rolin e ri të Administratorit të Deleguar (CEO). Dhe shton: «Aktualisht menaxhojmë 8 terabajt të dhëna në ditë, domethënë ekuivalentin e sasisë së DVD-ve që do të gjendeshin në raftet e një Blockbuster. Para YouTube nuk ishte e lehtë për njerëzit që t’i shikonin videot e tyre në ueb. Zgjidhja ishte të suoprtohej çdo aprat riprodhimi dhe qindra format e ndryshme multimediale. Falë strukturës tonë teknologjike, përdoruesit tanë munden sot të na dërgojnë video nga çdo anë e botës në mënyrë të shpejtë, të lehtë dhe argëtuese». Dhe praktikisht është kështu.

YouTube përgatitet që ta bëjë (pothuajse) çdo aktivitet njerëzor të denjë për t’u filmuar e shkëmbyer dhe ka krijuar, në brendësi të uebit, vendin më të natyrshëm për t’i bërë publike këto akte që më parë konsideroheshin (vetëm) private. Në fakt, falë thjeshtësisë së tij, është duke zgjidhur vizionin e së ardhmes, ëndrrën mediatike të komunikimit interaktiv global, duke mundësuar një kontakt potencial të lehtë dhe fala midis çdo anëtari të popullsisë botërore.

Analistët dhe shtypi e kuptojnë shpejt. Ndërsa komentet lidhur me ofertën GoogleVideo e Microsoft Video vazhdojnë që të jenë problematike: «Do të duhen vite përpara se këto sajte të ngrihen… Më pak se 10 përqind e videokamerave janë në gjendje të transferojnë videoklipe për shkak të procedurave… Përdoruesit duhet të shkarkojnë softuerin, të dërgojnë videoklipin, të mbushin skedat me të dhënat e tyre, të përfshijnë titullin, përshkrimin, gjininë, presin miratimin… Do të duheshin orë ose deri dhe ditë».

Në rastin e YouTube komentet janë mahnitës: «Përdoruesi regjistrohet, tregon një titull dhe dërgon. Karikimi është pothuajse në çast». Veç të tjerash, gjëja që impresionon të gjithë është sasia. Dy javë nga debutimi zyrtar, gazetat nuk kanë sesi të mos nënvizojnë: «YouTube mundëson që të shikohen një numër mbresëlënës kripesh, 3 milion, dhe njerëzit karikojnë në sajt 8000 të reja në ditë». Në këtë pikë terabajtet në dispozicion janë bërë tashmë 16 dhe Chad pohon: «Blockbuster e shikueshëm falas tani janë dy». Është akoma vetëm fillimi.

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

LEAVE A REPLY