Histori futbolli

Histori futbolli

537
0
NDAJ

 

Opiumi i popujve?

Në çfarë gjëje futbolli ngjan me Zotin? Në devocionin që i mbajnë shumë besimtarë dhe në mosbesimin që i kanë shumë intelektualë. Në 1902, në Londër, Rudyard Kipling sokëlliu kundër futbollit dhe kundër «shpirtërave të vegjël që mund të kënaqen nga idiotët e përbaltur që e luajnë». Një shekull më vonë, në Buenos Aires, Jorge Luis Borges qe më i butë: mbajti një konferencë lidhur me temën e pavdekësisë të njëjtën ditë dhe të njëjtën orë në të cilën kombëtarja argjentinase luante ndeshjen e saj të parë të Botërorit 1978.

Përçmimi i shumë intelektualëve konservatorë mbështetet mbi sigurinë se idolatria e topit është supersticioni që populli meriton. E poseduar nga futbolli, pleba mendon me këmbët, kjo i bëhet ves dhe në këtë ekstazë subalterne realizohet. Instinkti kafshëror imponohet ndaj arësyes njerëzore, injoranca shtyp Kulturën dhe kështu masa e shpifur siguron atë që do.

Në këmbim, shumë intelektualë të majtë e skualifikojnë futbollin sepse tredh masat dhe devijon energjinë e tyre revolucionare. Bukë dhe cirk, cirk pa bukë: të hipnotizuar nga topi që ushtron një sharm pervers, punëtorët atrofizojnë vetëdijet e tyre dhe lënë që të tërhiqen për hunde, njëlloj si delet, nga armiqtë e tyre të klasës.

Kur futbolli pushoi së qëni një gjë angleze dhe pasanikësh, në Rio de la Plata lindën klubet e para popullore, të organizuara nëpër ofiçinat e hekurudhave dhe në kantieret detare. Në këtë periudhë, disa drejtues anarkistë dhe socialistë e denoncuan këtë makinacion të borgjezisë të destinuar që të shmangte grevat dhe të maskonin kontradiktat sociale. Përhapja e futbollit në botë ishte rezultati i një manovre imperialiste për të mbajtur popujt të shtypur në gjendjen foshnjore.

Megjithatë, klubi Argentinos Juniors lindi duke u quajtur Martirët e Çikagos në nderim të punëtorëve anarkistë të varur më 1 maj dhe qe gjithmonë kjo datë dita e zgjedhur për t’i dhënë jetë klubit Chacarita, i pagëzuar në një bibliotekë anarkiste të Buenos Airesit. Në ato vite të parë të shekullit, intelektualë të ndryshëm të majtë treguan se e vlerësonin futbollin, në vend që ta damkosnin si narkozë e vetëdijeve. Midis tyre, marksisti italian Antonio Gramsci, që i thuri elozhe si një «mbretëri e ndershmërisë njerëzore e ushtruar në qiell të hapur».

 

Topi si flamur

Verën e 1916, në kulmin e Luftës së Madhe, një kapiten anglez me emrin Nevill u hodh në sulm duke shkelmuar një top. Kërceu nga parapeti që e mbronte dhe, duke vrapuar pas topit, udhëhoqi sulmin kundër llogoreve gjermane. Regjimenti i tij, që hezitonte, e ndoqi. Kapiteni vdiq i goditur nga një e shtënë topi, por Anglia pushtoi atë tokë të askujt dhe mundi ta festonte atë betejë si fitoren e parë të vërtetë të futbollit anglez në frontin e luftës.

Shumë vite më pas, nga fundi i shekulli, padroni i Milanit ka fituar zgjedhjet me një thirrje beteje, Forza Italia, që vinte nga tribunat e stadiumeve. Silvio Berlusconi premtoi se do ta shpëtonte Italinë saktësisht ashtu siç kishte shpëtuar Milanin, superskuadrën kampione të gjithçkaje, dhe votuesit harruan se disa prej kompanive të tij ishin në pragun e falimentimit.

Futbolli dhe atdheu janë lidhur gjithmonë me një fill të dyfishtë dhe, në këto kufizime identiteti politikanë dhe diktatorë spekulojnë shpesh dhe pa kurrfarë skrupulli. Skuadra italiane i fitoi Botërorët e 1934 dhe 1938 në emrin e atdheut e të Mussolini, dhe lojtarët e tij e fillonin dhe e mbaronin ndeshjen duke himnizuar Italinë dhe duke përshëndetur publikun me krahun e ngritur.

Edhe për nazistët, futvolli ishte një çështje shtetërore. Një monument në Ukrainë kujton lojtarët e Dinamos së Kievit të vitit 1942. Në kulm të pushtimit gjerman, bënë çmendurinë dhe mundën një seleksion të Hitlerit në stadiumin vendor. I kishin paralajmëruar: «Po qe se fitoni, jeni të vdekur».

Hynë në fushë të dorëzuar që të humbisnin, duke u dridhur prej frikës dhe prej urisë, por nuk mundën t’i rezistonin dëshirës për dinjitet. Të 11 u pushkatuan në përfundim të ndeshjes në anën e një përroi, me uniformat ende të veshura.

Football dhe atdhe, football dhe popull: në 1934, ndërsa Bolivia dhe Paraguaji përgjaknin njëra tjetrën në “luftën e Chaco-s”, duke diskutuar një copë shkretëtirë të hartës gjeografike, Kryqi i Kuq paraguajan formoi një skuadër futbolli që luajti në qytete të ndryshme të Argjentinës e të Uruguajit dhe mbllodhi mjaftueshëm para sa për të kuruar të plagosurit e të dyja palëve në fushën e betejës.

Tri vite më pas, gjatë luftës së Spanjës, dy skuadra shëtitëse qenë simbolet e rezistencës demokratike. Ndërsa Gjenerali Franco, i mbështetur nga Hitleri dhe Mussolini, bombardonte Republikën spanjolle, një seleksion bask i dëshiruar nga qeverisja lokale, Euzkadi, shëtistë Europën me qëllimin e bërjes së propagandës dhe mbledhjes së fondeve për mbrojtjen dhe, në të njëjtën periudhë, Barcelona arriti në Amerikën për një seri ndeshjesh në Meksikë dhe në Shtetet e Bashkuara. ishte viti 1937 dhe Presidenti i Club Barcelona kishte rënë tashmë nën plumbat e frankistëve. Të dy skuadrat, në fushë dhe jashtë saj, mishëruar demokracinë e persekutuar.

Vetëm 4 lojtarë katalanas i kthyen në Spanjë gjatë luftës. Nga baskët, vetëm 1. Kur Republika u mund, FIFA shpalli rebelë lojtarët e mërguar dhe i kërcënoi me skualifikim për jetë, por disa prej tyre arritën të gjejnë vend në futbollin latinoamerikan. Bashkë me shumë baskë u formua në Meksikë Club España, që në fillim rezultoi i pamposhtur. Qendërsulmuesi i skuadrës Euzkadi, Isidro Lángara, debutoi në futbollin argjentinas më 1939 me San Lorenzo dhe në ndeshjen e parë shënoi 4 gola. Në San Lorenzo shkëlqeu edhe Angel Zubieta, që tek Euzkadi kishte luajtur mesfushor. Më vonë, më 1945, në Meksikë, Lángara kryesoi klasifikimin e golashënuesve në kampionatin vendor.

Real Madridi, klubi model i Spanjës frankiste, dominoi botën midis viteve 1956 e 1960. Një skuadër e jashtëzakonshme, e aftë që të fitonte 4 kupa radhazi në kampionatin spanjoll, 5 kupa të Europës dhe në Ndërkontinentale. Kudo që shkonte, Real Madridi i linte njerëzit gojëhapur. Diktatura e Franco kishte gjetur një ambasador shëtitës të pakalueshëm. Golat që radio transmetonte qenë sinjale alarmi triumfuese, më efikasë sesa himni Cara al Sol. Më 1959, në një diskutim mirënjohjeje përpara lojtarëve, José Solís, një prej krerëve të regjimit, tha se «njerëzit që më parë na urrenin, tani falë jush na kuptojnë». Njëlloj si Cid Campeador, Real Madridi përmblidhte virtytet e racës, edhe pse vija e famshme sulmuese e tij ngjante më shumë me një Legjion të Huaj: aty shkëlqenin një francez, Kopa, dy argjentinas, Di Stefano e Rial, uruguajani Santamaria dhe hungarezi Puskas.

Ferenc Puskas quhej Cannoncino pum prej aftësive shkatërruese të së majtës së tij, që dinte të ishte edhe një dorezë. Po ato vite hungarezë të tjerë – Ladislao Kubala, Zoltan Czibor dhe Sándor Kocsis – ekspozoheshin tek Barcelona. Nq 1954 vendoset guri i parë i Camp Nou, stadiumi i madh që lindi prej Kubala, pasi turmën që shkonte të shikonte, me pasimet milimetrike dhe me gjuajtjet vdekjeprurëse të tij, nuk e nxinte më stadiumi i vjetër. Ndërkohë, Czibor nxirrte xixa nga takat e këpucëve. Humgarezi tjetër i Barcelonës, Kocsis, ishte një goditës i madh me kokë, aq sa të meritonte nofkën Kokë e Artë dhe një det shamishë që festonte gjithmonë golat e tij. Thuhet se Kocsis ka qenë koka më e mirë e Europës pas Winston Churchill.

Më 1950, Kubala kishte qenë pjesë e një skuadre hungarezësh në mërgim, gjë që i dha një pezullim 2 vjeçar të dekretuar nga FIFA. Më vonë ajo sanksionoi me më shumë se një vit skualifikim edhe Puskas, Czibor, Kocsis e hungarezë të tjerë që kishin luajtur në një skuadër tjetër mërgimtarësh duke filluar nga muajt e fundit të 1956, kur pushtimi sovjetik shtypi revoltën popullore.

Më 1958, në kulm të luftës për pavarësi, Algjeria formoi një skuadër futbolli që për herë të parë veshin ngjyrat e atdheut. Në formacion bënin pjesë Makhloufi, Ben Tifour dhe algjerianë të tjerë që luanin si profesionistë në kampionatin francez.

E bllokuar nga fuqia koloniale, Algjeria arriti të luajë vetëm kundër Marokut (vend ndaj të cilit për një mëkat të ngjashëm FIFA i revokoi anëtarësinë për disa vite), pastaj bëri disa ndeshje pa rëndësi, gara të organizuara nga sindikatat sportive e disa vendeve arabe dhe të Lindjes europiane. FIFA ia mbylli dyert kombëtares algjeriane dhe futbolli francez i ndëshkoi atë lojtarë duke ju dekreuar vdekjen civile. Të burgosur prej kontratave, nuk mund të ktheheshin më në aktivitetin profesionist.

Por pas fitimit të pavarësisë nga ana e Algjerisë, futbolli francez nuk pati zgjedhje tjetër përveçse se t’i thirrte lojtarët që tribunat i kërkonin me zë të lartë.

 

Camus

Më 1930 Albert Camus ishte Shën Pjetri që ruante portën e skuadrës së futbollit të Universitetit të Algjerit. Ishte mësuar të luante portier qysh fëmijë, pasi ai ishte roli në të cilin konsumoheshin më pak këpucët. Nga familje e varfër, Camus nuk mund t’i lejonte vetes luksin që të vraponte në mes të fushës: çdo mbrëmje gjyshja i kontrollonte shollat e këpucëve dhe i jepte një mësim solemn nëse ia gjente të konsumuara.

Gjatë viteve të tij si portier, Camus mësoi shumë gjëra: «Kam mësuar se topi nuk shkon kurrë drejt portierit atje ku ai shpreson që t’i shkojë. Kjo më ka ndryshuar shumë në jetë, sidomos në qytetet e mëdha, ku njerëzit zakonisht nuk janë të mësuar sesi duhet të besohet».

Mësoi edhe urtësi të vështira: të fitojë pa u ndjerë Zot e të falë pa u ndjerë plehrë dhe mësoi disa mistere të shpirtit njerëzor, në labirintet e të cilit diti më pas të investigojë duke ndjekur një rrugë nganjëherë të vështirë të ekspozuar nga librat e tij të shumtë e të shkëlqyer.

 

Njeriu që transformoi hekurin në erë

Eduardo Chillida ishte portier i Real Sociedadit në qytetin bask të San Sebastiánit. I gjatë, i dobët, kishte një mënyrë krejtësisht të tijën në pritje dhe tashmë ia kishin hedhur sytë Barcelona dhe Real Madridi. Ekspertët thonin se ai djalë do të bëhej trashëgimtari i të famshmit Zamora.

Por fati kishte programe prejtësisht të tjera përt të. Më 1943 një sulmues kundërshtar, që jo rastësisht quhej Sañudo (I tërbuar) i theu meniskun dhe gjithë pjesën tjetër të gjurit. Pas 5 operacionesh, Chillida i dha lamtumirën futbollit dhe nuk pati ilaç tjetër përveçse të bëhej skulptor.

Kështu lindi një prej artistëve më të mëdhenj të shekullit. Chillida punonte me materiale të rënda, me ato që ngulen në tokë, por duart e tij të mëdha e lëshonin hekurin drejt qiellit duke e bërë që të zbulojë hapësira të tjera, duke e bërë të krijojë dimensione të tjera. Saktësisht atë që më parë, në futboll, bënte me vetë trupin e tij.

 

Goli i Rahn

Ndodhi në Botërorin e 1954. Hungaria favorite luante finalen me Gjermaninë. Mungonin 6 minuta nga fundi i ndeshjes, e ngecur në rezultatin 2 me 2, kur sulmuesi robust gjerman Helmut Rahn kapi një largim të mbrojtjes hungareze pikërisht në qendër të gjysmëhënës së zonës. Rahn shmangu Lantos dhe qëlloi me të majtën, një plumb që hyri afër shtyllës së djathtë të portës së mbrojtur nga Grosics.

Heribert Zimmerman, radiokronisti më popullor gjerman, e ulëriu atë gol me pasion jugamerikan: «Tooooooooooooooooooooor!!!!!».

Ai kishte qenë Botërori i parë në të cilin Gjermania kishte mundur të merrte pjesë pas luftës dhe populli gjerman ndjeu se sërish kishte të drejtë të ekzistonte: ajo ulërimë u transformua në një simbol të ringjalljes kombëtare. Vite më pas, ai gol historik ritingëlloi në kolonën zanore të një film të Fassbinder, “Martesa e Maria Braun”, që trageonte aventurat e një gruaja që nuk dinte sesi të bënte rrugë midis gërmadhave.

 

Goli i Sanfilippo

I dashur Eduardo, dua të të të tregoj se dje kam shkuar në supermarketin Carrefour, ku dikur ndodhej fusha e San Lorenzo. Kam vajtur me José Sanfilippo, heroin e fëmijërisë time, që qe golashënuesi më i mirë i San Lorenzo për 4 sezone radhazi. Me pak fjalë, jemi aty që ecim midis rafteve, të mbushura plot me tiganë, djathëra dhe salçiçe. Papritmas, ndërsa i afrohemi arkës, Sanfilippo hapi krahët dhe më tha: «Mendo se pikërisht këtu i kam shënuar atë gjuajtje me majë portierit Antonio Roma në ndeshjen kundër Boca Juniors». Ndeshet me një zonjë të shëndoshë që shtyn një karrel plot me produkte dhe i thotë: «Ka qenë goli më i shpejtë i historisë».

I përqëndruar sikur të ishte duke pritur një goditje nga këndi, më tregon: «I kisha thënë numrit 5, që atë debutonte: Sapo të fillojë ndeshja me nis një top të gjatë në zonë. Mos ki frikë, nuk do të bëj figurë të keqe. Unë isha tashmë i vjetër dhe djaloshi, Capdevilla quhej, u frikësua: E pos sikur të mos arrij…?». Sanfilippo më tregon një arkë me tuba majoneze. «Ma dërgoi aty!», thotë gati duke ulëritur. Njerëzit fillojnë ta shikojnë, të frikësuar. «Topi ka ardhur furishëm, paksa larg, aty ku është orizi, e sheh? Atëhere kam bërë një shkëputje». Menjëherë kam nisur të vrapoj si lepur, pavarësisht veshjes blu dhe këpucët me varak: «E kam lënë të përplaset në tokë dhe… sbam!». Gjuan një të majtë të madhe, sikur ta kishte vërtet topin aty. Të gjithë kthehemi të shikojmë drejt arkave, ku 30 vite e më shumë përpara ndodhej porta dhe të gjithëve u duket se topi përplaset në rrjetë një qime larg shtylle, pikërisht aty ku janë kutitë e radiove dhe brisqet e rrojes. Sanfilippo ngre duart për të festuar. Klinetët dhe arkëtarët nisin të duatrokasin. Edhe pak më është dashur që të filloja të qaja. El Nene (Fëmija) Sanfilippo e kishte sërish atë gol të 1962. E kishte ribërë që unë të mund ta shikoja.

Osvaldo Soriano

 

E shkreta nëna ime e adhuruar

Në fund të viteve ’60, poeti Jorge Enrique Adoum u kthye në Ekuador pas një mungese të gjatë. Sapo arriti, kreu menjëherë detyrën tipike e qytetit të Quito: shkoi në stadium për të parë skuadrën Aucas. Bëhej fjalë për një ndeshje të rëndësishme dhe stadiumi ishte plot e përplot.

Përpara ndeshjes u mbaj një minutë heshtje për nënën e arbitrit, e cila kishte ndërruar jetë një ditë më parë. Të gjithë u ngritën në këmbë, të gjithë heshtën. Menjëherë më pas, një drejtues mbajti një fjalë të shkurtër ku i thuri elozhe përkushtimit shembullor sportiv të një njeriut që përgatitej të drejtonte ndeshjen, duke bërë detyrën e tij edhe në më të trishtuarën e rrethanave. Në qendër të fushës, me kokën e ulur, njeriu me të zeza mori duatrokitjet e ndjera të publikut. Adoum shqeu sytë, i dha një pickuar vetes në krah: nuk arrinte t’u besonte syve. Në çfarë vendi ndodhej? Sigurisht, gjërat kishin ndryshuar shumë. Më parë njerëzit merreshin me arbitrin vetëm për t’i ulërirë «bir kurve».

Nisi ndeshja. Pas 15 minutash, stadiumi shpërtheu: gol i Aucas. Por arbitri e anulloi për pozicion jashtëloje dhe menjëherë turma i kujtoi të ndjerën që e kishte nxjerrë në jetë: «Jetim kurve!», ulërinë shkallët.

 

Vlen gjithçka

Më 1988 gazetari meksikan Miguel Ángel Ramírez denoncoi ekzistencën e një burimi Rinie të Përjetshme. Disa lojtarë të kombëtares së të rinjve të Meksikës, që qenë tashmë përtej limitit të lejuar me 2, 3 apo deri 6 vjet, qenë zhytur në këto ujëra magjikë: drejtuesit kishin falsifikuar certifikatat e tyre të lindjes dhe kishin krijuar pashaporta false. I nënshtruar trajtimit hyjnor, një prej këtyre lojtarëve kishte arritur të bëhej 2 vjet më i vogël se i vëllai binjak. Atëhere Zëvendëspresidenti i skuadrës Guadalajara deklaroi: «Nuk them se është gjë e bukur, por ka ndodhur gjithmonë». Dhe Rafael del Castillo, që ishte kreu i futbollit rinor, pyeti: «Pse Meksika nuk mund të mashtrojë, ndërkohë që vendet e tjera e bëjnë rregullisht?».

Pak pas Botërorit të 1966, një prej përgjegjësve të Asociación del Fútbol Argentino, Valentín Suárez, tha: «Stanley Rous është jokorrekt. Ka organizuar kampionatin që ta bëjë ta fitojë Anglia. Edhe unë do të bëja njëlloj sikur Botërori të luhej në Argjentinë».

Morali i tregut, që në ditët tona është morali i botës, autorizon të gjitha rrugët që çojnë tek suksesi, për sa banditeske mund të jenë ato. Futbolli profesionist nuk ka skrupuj pasi është pjesë e një sistemi pushteti që skrupuj nuk ka dhë është i gatshëm që ta blejë efiçencën me çdo mjet. Në fund të fundit, skrupujt nuk kanë qenë kurrë gjë me ndonjë vlerë të madhe. Skrupulli ishte njësia më e vogël e peshës, më e papërfillshmja, në Italinë e Rilindjes. 5 shekuj më vonë, Paul Steiner, lojtar i skuadrës gjermanë Këln, shpjegonte: «Luaj për para dhe për pikë. Kundërshtari do të më marrë para dhe pikë. Për këtë arsye më duhet të luftoj kundër tij me çdo mjet».

Dhe lojtari hollandez Ronald Koeman e justifikonte kështu futbollin e dhunshëm e bashkëkombasit të tij Gilhaus, që pothuajse e shkatërroi francezin Tigana në 1988: «Qe një gjest klasi të pastër futbollistik. Tigana ishte më rrezikshmi dhe duhej neutralizuar me çdo çmim».

Qëllimi justifikon mjetin dhe çfarëdo poshtërise është në rregull, edhe pse është më mirë t’i bësh fshehurazi. Basile Boli i Olympique Marsiglia, një mbrojtës i akuzuar se keqtrajtonte kaviljet e të tjerëve, rrefeu pagëzimin e tij të zjarrit: në 1983 nxorri jashtë luftimit me një goditje me kokë Roger Milla që po e luante mendsh me bërryla. Dhe Boli nxorri përvojën e tij: «Këtu përmblidhet mësimi iniciatik. Godit përpara se të tjerët të godasin ty. Ama godit me mjeshtëri».

Duhet goditur kur topi është larg. Arbitri, ashtu si telekamerat, i kanë sytë e mbërthyera pas topit. Në Botërorin e 1970, Pelé vuajti markimin e italianit Bertini. Më pas e lavdëroi kështu: «Bertini ishte artist në kryerjen e faullit pa u shikuar. Më godiste me grushta në brinjë apo në stomak, më shkelmonte kaviljet. Një artist i vërtetë».

Midis gazetarëve argjentinas është i shpeshtë entuziazmi për kurthet që i atribuohen Carlos Bilardo, pasi dinte t’i bënte mjeshtërisht dhe me rezultate të mira. Po ti besosh asaj që thuhet, kur Bilardo ishte lojtar i shponte kundërshtarët e tij me një gjilpërë dhe pastaj e bënte fytyrën si qingj. Dhe si drejtues i kombëtares argjentinase arriti që t’i sigurojë një shishe uji të përzier me substanca që shkaktonin të vjella mbrojtësit brazilian Branco, një lojtar i papërmbajtshëm, gjatë ndeshjes më të vështirë të Botërorit të 1990.

Gazetarët uruguajanë e kanë zakon që t’i quajnë faullet e rënda faulle kriminale me tradhëti dhe më shumë se një e ka përdorur efikasitetin e shkelmave paralajmërues për të frikësuar kundërshtarët në ndeshjet ndërkombëtare. Shkelmi në fjalë duhet të jepet në minutat e para të lojës. Pastaj, në fakt, rrezikohet nxjerrja jashtë me të kuqe. Në futbollin uruguajan dhuna ka qenë pjellë e dekadencës. Më parë Garra charrúa ishte emri që tregonte kurajën, jo sharlatanët.

Në Botërorin e 1950, pa shkuar më larg, gjatë finales së famshme të Maracaná, Grazili bëri dyfishin e faullave të Uruguajit. Në Botërorin e 1990, kur trajneri Óscar Tábarez arriti që të ta kthejë kombëtaren uruguajane në lojën e pastër, disa komentatorë vendas patën kënaqësinë të riafirmonin se kjo nuk sillte rezultate të mira. Dhe janë të shumtë tifozët, por edhe drejtuesit që preferojnë të fitojnë pa nder, në vend që të humbasin me fisnikëri.

Pepe Sasía, sulmues uruguajan, tregonte: «Të rrëzohesh përdhe në sy të portierit? Drejtuesve u duket e shëmtuar…. Nëqoftëse kapesh».

Tifozët argjentinas kanë treguar mrekulli për golin që Maradona shënoi me dorë në Botërorin e 1986, «pasi arbitri nuk e ka parë». Në eliminatorët e Botërorit 1990, portieri i kombëtares kiliane, Roberto Rojas, simuloi një plagosje duke u prerë në ballë, por e kapën. Pavarësisht, tifozët kilianë, të cilët e adhuronin dhe e quanin Condor, e kanë transformuar menjëherë në një dordolec të mjerë, «pasi trukimi i ka dalë keq».

Në futbollin profesionist, si në çdo gjë tjetër, nuk ka rëndësi krimi nëse alibia është e mirë. Kulturë nënkupton të kultivosh. Çfarë kultivon tek ne kultura e pushtetit? Cilat mund të jenë rrëfimet e trishtuara të një pushteti që u ofron mosndëshkim krimeve të ushtarakëve dhe plaçkitjes së politikanëve e i transformon në arritje?

Shkrimtari Albert Camus, që kishte qenë portier në Algjeri, thoshte: «Gjithçka që di në fushën e moralit, ia detyroj futbollit». Por është e qartë se nuk i referohej futbollit profesionist.

(Disa copëza të marra nga libri i Eduardo Galeano “Mjerim dhe fisnikëri e lojës së futbollit”)

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

LEAVE A REPLY