Gripi spanjoll: Epidemia e parë mbarëbotërore

Gripi spanjoll: Epidemia e parë mbarëbotërore

143
0
NDAJ

Mëngjesin e 4 marsit 1918 intendenti Albert Gitchell u paraqit në infermierinë e Camp Funston në Kansas, me djegie fyti, ethe dhe dhimbje koke. Në orën e drekës infermeria u ndodh përballë më shumë se 100 rasteve të ngjashme dhe në javët në vazhdim numri i të sëmurëve u rrit deri në atë pikë, sa që kryemjeku i kampit ju desh që të kërkonte një hangar për t’i sistemuar të gjithë. Por Gitchell mund të mos ketë qenë njeriu i parë që është sëmurë nga gripi «spanjoll». Qysh në vitin 1918 pyetej se ku kishte nisur realisht epidemia dhe një gjë të tillë e bëjmë akoma sot. Ama dimë se ai i tij qe një prej rasteve të para që është dokumentuar zyrtarisht dhe, kështu, prej bindjes – dhe prej komoditetit – është konsideruar fillimi i epidemisë. Po të flasësh në mënyrë metaforike, 600 milion njerëz të tjerë e pasuan Albert Gitchell në infermieri.

Shtetet e Bashkuara kishin hyrë në luftë në prillin e 1917. Atë vjeshtë dhjetëramijëra të rinj të ardhur nga zonat rurale të vendit arritën kampet e ndryshme stërvitore të ushtrisë për t’u bashkuar me American Expeditionary Forces (AEF), kontigjentin ushtarak të drejtuar në Europë nga Gjenerali John «Black Jack» Pershing. Camp Funston ishte njëri prej tyre. Nga këtu ushtarët niseshin nëpër kampet e tjera të shpërndara në Shtetet e Bashkuara apo drejt e për në Francë. Në prillin e 1918 gripi ishte bërë tashmë epidemik në Midwest, në qytetet e East Coast ku imbarkoheshin ushtarët dhe në portet franceze ku zbarkonin. Në mesin e prillit kishte arritur llogoret e frontit perëndimor. Në Europë ishte një vapa e pazakontë stinore, por trupat gjermane filluan të ankoheshin për të ashtuquajturin Blitzkatarrh, gjë që padyshim alarmoi Richard Pfeiffer, përgjegjës shëndetësor i Armatës së 2 të ushtrisë gjermane, nga ku merr emrin bacili. Nga fronti, gripi u përhap me shpejtësi në të gjithë Francën dhe nga aty në Britani të Madhe, Itali dhe Spanjë. Nga fundi i majit edhe mbreti, Alfonsi i XIII-të, u sëmu në Madrid, bashkë me kryeministrin dhe anëtarët e qeverisë së tij.

Gjithmonë në maj, gripi i sinjalizua në Breslavi të Gjermanisë – Vroclavi i sotëm i Polonisë, ku në kohë paqeje Pfeiffer mbante Katedrën e Higjenës – dhe në portin rus të Odesës, 1300 kilometra në lindje. Në mars, pasi qeveria bolshevike kishte nënshkruar Traktatin e Brest-Litovsk me perandoritë e Boshtit duke e nxjerrë Rusinë nga konflikti, gjermanët kishin nisur të lironin robërit rusë të luftës. Në Gjermani kishte mungesë karhu pune dhe fillimisht gjermanët kishin mbajtur njerëzit e shëndoshë, më pas, me kërkesën e Kryqit të Kuq, kishin liruar disa mijëra invalidë në ditë. Ka mundësi që këta qenë «të vdekurit e pakallur e vërtetë» që e përhapën epideminë në Rusi.

Gripi zbarkoi në Afrikën Veriore në maj dhe, pasi ka bërë xhiron e kontinentit, arriti Bombein (sot Mumbai) përpara fundit të muajit. Nga India u spostua më pas drejt lindjes. Megjithatë, në një moment të caktuar, duhet të jetë ndeshur me vetveten që po kthehej prapa, pasi ka prova për praninë e saj në Juglindjen aziatike në prill. Shpejt arriti edhe në Kinë. Epidemia e çuditshme përhapet në veriun e Kinës titullonte me 1 qershor “The New York Times”: duke gjerbur kafen e tyre të mëngjesit, njujorkezët mësuan se qenë regjistruar 20000 raste në qytetin Tianjin, në veri të vendit, dhe «mijëra të tjerë» në Pekin. Në kryeqytet «bankat dhe dyqanet e mëndafshit kanë qëndruar mbyllur për disa ditë, pasi policia nuk ka qenë në gjendje të bëjë detyrën e saj». Epidemia shpërtheu në Japoni në fund të majit dhe në korrik ishte tashmë në Australi. Më pas u duk sikur u zhduk.

Kjo qe vala e parë, relativisht e flashkët, e epidemisë. Shkaktoi disa probleme, si gripi normal sezonal, por nuk nxiti panik. Shkaktoi një amulli të caktuar në fushëbetejat europiane, ku ndërhyri në mënyrë të konsiderueshme me operacionet ushtarake. Në vijim të firmosjes së Traktatit të Brest-Litovsk, që shkaktoi mbylljen e frontit lindor, Gjenerali Erich Ludendorff – arkitekt i ndërmarrjes luftarake gjermane – kërkoi që t’i paraprijë ardhjes së trupave amerikane duke lëshuar një ofensivë në frontin tjetër të vetëm të hapur, atë perëndimor: qe e ashtuquajtura Kaiserschlacht, «Beteja për Kajzerin». E konsideronte si shansin e vetëm për fitoren e Gjermanisë dhe kishte në dispozicionin e tij divizionet e liruara nga lindja. Por pavarësisht sukseseve fillestare, ofensiva dështoi. Të dyja palët qenë dobësuar nga gripi. Rreth ¾ e trupave franceze dhe më shumë se gjysma e atyre britanike u sëmurën gjatë pranverës. Njësi të tëra qenë paralizuar dhe spitalet ushtarake të improvizuara rrezikon realisht të shpërthenin. Situata në front ishte shumë e keqe. «Qemë shtrirë jashtë mbi një çarçaf me ethe të lartë», kujton Donald Hodge, një ushtar anglez i mbijetuar. Nga ana gjermane, 900000 njerëz qenë jashtë luftimit.

Propaganda aleate kërkoi që ta shfrytëzojë situatën në favorin e saj. U lëshuan postera mbi pozicionet e pushtuara nga ushtarët gjermanë në të cilën shkruhej se nëqoftëse ushtria e tyre i kishte braktisur, ajo britanike do t’i ndihmonte. E njëjta gjë u bë edhe sipër qyteteve. Në fillimin e viteve ’70 regjisori anglez Richard Collier u vu në kërkim të dëshmitarëve okularë të epidemisë dhe mori letrën e një gjermani, Fritz Roth, që i kujtohej se kishte kapur një prej këtyre posterave në rrugët e Këlnit kur kishte qenë fëmijë. Popullsia civile e Gjermanisë rrezikonte që të vdiste qysh nga dimri i 1916 – 1917, kur humbje të rënda në mbledhjen e patates kishin rënduar vështirësitë e shkaktuara nga blloku detar aleat. Fjalët e posterit ashtu siç i kujtonte Roth përktheheshin përafërsisht në këtë mënyrë: «Thoni lutjet tuaja, pasi pas dy muajsh do të jeni tanët. Do t’u japim mish të mirë, pançetë dhe gripi do t’ju lërë rehat».

Për atë verë, gripi e la praktikisht rehat, por nuk e kurseu Europën. Në fund të korrikut një oficer i ushtrisë turke me emrin Mustafà Kemal u sëmur në Vjenë tek kthehej për Konstandinopojë. Kishte shkuar të inspektonte linjat gjermane në frontin perëndimor dhe ajo që kishte parë e kishte lënë deridiku indiferent. Një ditë Kajzeri, aleati i tij gjemran, i kishte thënë pa shumë doreza se sipas tij perandoritë e Boshtit do të humbisnin luftën (oficeri turk më pas u shërua dhe u bë udhëheqësi i parë i Republikës së Turqisë me nofkën Atatürk, babait të turqve).

Në gusht gripi u rikthye i transformuar. Qe vala e dytë dhe më vdekjeprurëse e epidemisë dhe mendohet se ka shpërthyer në gjysmën e dytë të muajit në tri pika të ndryshme të Atlantikut: Freetown në Sierra Leone; Boston në Shtetet e Bashkuara dhe Brest në Francë. Ishte sikur të kishte udhëtuar për muaj nëpër oqean, ndoshta në Trekëndëshin e Bermudeve. Natyrisht, nuk kishte shkuar kështu. Në Freetown e solli një anije ushtarake angleze në Boston ka mundësi që erdhi nëpërmjet një avulloreje që vinte nga Europa, ndërsa në Brest arriti në vijim të zbarkimit të vazhdueshëm të trupave të AEF-it apo fluksit të rekrutëve francezë që vinin në qytet për stërvitjen detare. Në të vërtetë, në atë kohë francezët mendonin se u kishte në vend nga Zvicra. Kurse zviceranët mendonin se kishte ardhur nga Gjermania dhe Austria, pavarësisht tentativave për të vendosur masa karantine në kufi. Pavarësisht se ishte neutrale, Zvicra kishte nënshkruar më vendet ndërluftuese një marrëveshje për të mirëpritur një fluks konstant robërish lufte të sëmurë apo të plagosur, që sistemoheshin në kampe përqëndrimi në Alpe.

Psikanalisti Carl Gustav Jung, në atë kohë 43 vjeçar, ishte në krye të njërit prej këtyre kampeve, që mirëpriste oficerë të ushtrisë britanike në fshatun piktoresk malor Château-d’Aix. Në muajt e fundit të luftës disiplina ishte e shlirët dhe të internuarve u lejohej që të prisnin vizita. Një prej biografëve të Jung rrëfen këtë histori, ka mundësi apokrife: një ditë Jung po fliste me bashkëshorten e një oficeri anglez. Gjatë bisedës së tyre, ajo i tha se kishte ëndërruar një gjarpër deti të madh dhe se në ëndërrat e saj gjarpërinjtë kishin qenë gjithmonë sinonim sëmundjeje. Kur në kamp shpërtheu gripi, Jung e konsideroi si provën që ëndërrat mund të jenë paralajmëruese. Rasti i parë i gripit në kampin e tij u regjistrua në korrik; më 2 gusht u sinjalizuan vdekjet e para midis ushtarëve francezë që ktheheshin nga kampet e Zvicrës.

Nga Boston, Freetown dhe Brest vala e dytë u përhap duke ndjekur lëvizjet e ushtrive. Në fillm të shtatorit, në kthim drejt New York nga Franca në SS Leviathan, një anije për transportin e trupave, Franklin Delano Roosevelt – atëhere Zëvendësministër i ri i Marinës – manifestoi simptomat e gripit dhe ju desh që të zbritej në tokë me barrelë. Në dy muajt e mëpasëm, sëmundja i përhap nga bregu verilindor i Shteteve të Bashkuara në të gjithë Amerikën Veriore dhe zbriti në Amerikën Qendrore e Jugore, ku arriti edhe nga deti (siç ndodhi në Karaibe; Ishulli Martinikës u kursye deri në fund të nëntorit, kur gripi, siç ndodh shpesh, e arriti nëpërmjet një letre postare). Në Amerikën e Jugut, kontinent që nuk ishte prekur nga vala e pranverës, rastet e para u verifikuan pasi që më 16 shtator një anije postare angleze, SS Demerara, u instalua në qytetin Recife, në veri të Brazilit, me infeksionin në bord.

Nga Freetoën gripi u përhap fillimisht përgjatë brigjeve të Afrikës Perëndimore dhe, për pasojë, brenda nëpërmjet lumenjve dhe rrjetit hekurudhor kolonial. Nga stacionet hekurudhore, personat e infektuar e shpërndanë me biçikletë, me kanoe, me gamile dhe me këmbë deri në fshatrat më të thella. Me portet e saj të shumta dhe një rrjet hekurudhor të mirëzhvilluar, Afrika e Jugut ishte jashtëzakonisht e ekspozuar ndaj sëmundjes: gripi e arriti Cape Town në shtator në bordin e dy anijeve për transportimin e trupave, përkatësisht “Jaroslav” e “Veronej” – që më parë kishin ndaluar në Freetown e që kthenin në atdhe 1300 nga 21000 ushtarët e South African Native Labour Contingent me qëndrim në Francë. Me ardhjen e tyre u morën masa bazë pë izolimin e të infektuarve, por jo të gjitha rastet u identifikuan dhe në disa u dha gabimisht lejekalimi, duke u mundësuar atyre që të merrnin trenin për t’u kthyer në shtëpi. Nga Afrika e Jugut gripi u përhap me shpejtësi në të gjithë Afrikën Jugore deri në lumin Zambezi e më tej. Arriti Bririn e Afrikës në nëntor dhe Hailé Selassié i I, regjenti i atëhershëm i Mbretërisë së Etiopisë, sinjalizoi se kishe vrarë 10000 njerëz vetëm në kryeqytetin Addis Abeba: «Kurse unë, pasi kam qenë i sëmurë shumë, jam kursyer nga vdekja me vullnetin e Zotit».

Më 5 shtator, në Londër, Baletet ruse e Sergej Djagilev vunë në skenë “Kleopatrën” në Coliseum Theatre. Balerini dhe koreografi i madh Léonide Massine ishte i terrorizuar nga ideja e të sëmururit. «Mbaja të veshur vetëm një perizomë», kujton ai më pas. «Pas “vdekjes” time duhej të qëndroja për disa minuta në skenën e akullt, ndërsa i ftohti më hynte të palcë […]. Më pas nuk më ndodhi asgjë, por të nesërmen mësova se polici që qëndronte gjithnjë në hyrje të teatrit, një njeri gjigant, kishte vdekur nga gripi».

Në fund të shtatorit gripi ishte përhapur në pothuajse të gjithë Europën, duke shkaktuar një tjetër ngërc në operacionet ushtarake. Franz Kafka, që tashmë vuante nga tuberkulozi, u sëmur në Pragë më 14 tetor dhe, i shtrirë në shtratin e tij, qe dëshmitar nga dritarja i rënies së Perandorisë Austro – Hungareze. «Mëngjesin më të parë të sëmundjes», shkruan një prej biografëve të tij, «familja Kafka u zgjua nga zhurmë të pazakonta, nga vringëllima e armëve dhe nga urdhëra me zë të lartë. Kur hapën grilat, panë diçka alarmante: skuadra të tëra marshonin përgjatë rrugëve të errëta anësore për të izoluar Altstädter Ring». Ushtria ishte mobilizuar për të shmangur kërcënimin konkret të një revolucioni, duke parë situatën katastrofike ushqimore, dhe ndaluar lëvizjen gjithnjë e më të fortë që bëhej për pavarësinë çeke.

Historia moderne e Polonisë ka një jehonë të papëlqyeshme në mënyrën sesi u përjetua gripi spanjoll. Në 1918 vendi ishte fshirë tërësisht prej hartave nga fqinjët e fuqishëm të saj – Gjermania, Austro – Hungaria dhe Rusia – që ia kishin ndarë territorin. Vala e dytë e gripit hyri në Poloni nga të tre këto shtete; frontet e sëmundjes u takuan mbi Vistula, në Varshavë, në zemrën gjeografike të kombit, që do të bëhej i pavarur gjatë po atij viti. Në qendër të Varshavës edhe Jan Steczkowski – në krye të qeverisë së përkohshme të ngritur në territoret e pushtuara polake me bekimin e Gjermanisë e të Austro – Hungarisë – u sëmur.

Vala e vjeshtës lëvizi duke ndjekur një diagonale të gjerë që shkonte nga jugperëndimi në verilindje – duke sugjeruar se robërit e luftës që ktheheshin qenë akoma një burim infektimi – dhe ka mundësi penetroi në territorin e madh rus nga pika të ndryshme të kufirit të tij në harkun e disa ditëve apo maksimumi javëve. «Times» i Londrës shkroi se kishte arritur Petrogradin (Shën Petërsburgun e sotëm) në muajin gusht, bashkë me tifon, linë e dhenve, melengjitin dhe me një valë «çmendurie»; historiani amerikan Alfred Crosby tregon se qe AEF-i ai që e solli epideminë në Arhangelsk të Detit të Bardhë, në veri të Rusisë, kur më 4 shtator arriti në qytet për të mbështetur forcat antibolshevike. Përpara fundit të shtatorit, i sapokrijuari Komisariat i Popullit për Shëndetësinë në Moskë kishte filluar të merrte lajmin e infektimeve nga i gjithë vendi.

Lufta civile në Rusi, hekurudha transiberiane dhe konflikti midis Britanisë së Madhe dhe Rusisë – e ashtuquajtura “Great Game» – kontribuan në përhapjen e epidemisë në të gjithë Azinë Veriore. Gripi penetroi në Persi nëpërmjet rrugësh të ndryshme dhe pa hasur pengesa, por ndoshta kanali më efikas, në termat e përhapjes, qe ai verilindor nëpërmjet qytetit të shenjtë Mashhad. Arriti në Indi në shtator dhe në tetor ishte sërish në Kinë. Gjatë ditëve të fundit e shtrëngoi Kryeministrin japonez Hara Takashi që të anullonte një takim me Perandorin (Hara i mbijetoi gripit, por u vra 3 vite më vonë).

Në New York epidemia u deklarua e përfunduar më 5 nëntor, ndërsa vazhdonte ende në Europën e sakatuar nga lufta, edhe për shkak të mungesës së ushqimit dhe të lëndës djegëse. Konsulli francez në Milano shkruan se me ardhjen e të ftohtit gratë e detyruara të qëndrojnë në radhë për qumësht në mjegullën e akullt qenë pre e lehtë e sëmundjes. E liruar nga një burg anglez, patriotja dhe sufrazhistja irlandeze Maud Gonne u kthye në Dublin për të marrë riposedimin e shtëpisë së saj, të cilën ia kishte dhënë me qira poetit W.B. Yeats. Por Yeats, gruaja e të cilit ishte shtatzanë dhe ishte goditur nga gripi, e përzuri. Gruaja, që për një kohë të gjatë kishte qenë muza e tij dhe të cilës poeti i kishte kushtuar vargjet «Ec lehtë, pasi ecën mbi ëndërrat e mia», nisi ta bombardojë me letra të mbushura plot me urrejtje. E bija e Maud Gonne kujton një përplasje të tmerrshme të të dyjave «midis infermiereve dhe karrocave» të St. Stephen’s Green.

Megjithatë, atë vjeshtë gripi shpëtoi të paktën një jetë: atë të një fizikani të ri hungarez me emrin Leo Szilard. U sëmur gjatë stërvitjes së regjimentit të tij në Kufstein të Austrisë dhe ju dha leja që të kthehej në shtëpi, në Budapest. Me të arritur aty, u shtrua menjëherë në një spital «të ngjashëm me një lavanderi», me çarçafë të lagur të vendosura midis shtretërve. Nuk ka të ngjarë që kjo terapi me bazë lagështie të ketë kontribuar në shërimin e tij dhe ishte ende në spital kur mori një letër nga kapiteni i tij që regjimenti ishte dhjetuar në betejën e Vittorio Veneto, në frontin italian. Më pas, Szilard u transferua në Shtetet e Bashkuara dhe punoi për fuzionin bërthamor. Qe pjesë e grupit të impenjuar në prodhimin e bombës së parë atomike.

Më 9 nëntor Kajzeri abdikoi; më 11 u nënshkrua armëpushimi dhe në të gjithë botën shpërthyen fesimet, duke krijuar kushtet ideale për zhvillimin e një sëmundjeje masive. Mijëra njerëz dolën nëpër rrugët e Limës, kryeqytetit të Perusë, dhe në ditët në vazhdim pati një shpërthim të sëmundjes. Një efekt të ngjashëm e pati në Najrobi të Kenias, pas një balloje për armëpushimit të organizuar nga Kryqi i Kuq. Në Londër, poeti Ezra Pound vërdallosej nëpërmjet rrugëve të lagura nga shiu «për të vëzhguar efektin e armëpushimit mbi popullsinë» dhe u kthye me atë që në fillim e mendonte se ishte një ftohur i thjeshtë.

Në dhjetorin e 1918 një pjesë e mirë e planetit ishte çliruar sërish nga gripi. Qenë vërtet pak vendet e Tokës të kursyer nga vala vdekjeprurëse e vdekjes: Antarktida, ishulli i vockël i Shën Helenës në Atlantikun Jugor, ishulli Marajó në derdhjen e Rios dhe, së fundi, Australia, përjashtimi më shquar nga rregulli se mund të bëhej pak për t’u mbrojtur. Falë një karantine mjaft të rreptë, kishte arritur ta mbante larg gripin. Autoritetet australiane e hoqën karantinën në fillimin e 1919. Një çikë si shpejt, siç u bë e qartë më pas, sepse pikërisht atëhere shpërtheu vala e tretë. Në termat e ashpërsisë, kjo u vendos në mesin e dy të mëparshmeve. Më shumë se 12000 australianë vdiqën në verën australe 1918 – 1919, pasi virusi kishte arritur të merrte shtysë.

Por australianët nuk qenë të vetmit që kishin ulur vigjilencën. Vala e tretë shpërtheu ndërkohë që e gjithë bota mezi po merrte veten nga e dyta. Në New York piku u arrit në javën e fundit të janarit dhe gripi arriti në Paris ndërkohë që po bëheshin negociatat e paqes. U sëmurën delegatët e vendeve të ndryshme. Provë e mëtejshme, gjithmonë po të kishte akoma nevojë, që virusi i kalonte kufijtë gjeopolitikë.

Ka njerëz që kanë hipotezuar ekzistencën e një vale të katërt, e cila do të godiste vendet e Veriut në dimrin 1919 – 1920 dhe midis viktimave mund të kenë qenë sociologu gjerman Max Weber dhe, në Britaninë e Madhe, fizikani kanadez William Osler, ai që e kishte quajtur polmonitin «miku i vjetër i njeriut». Por zakonisht kjo e fundit u përjashtua nga epidemia në kuptimin e vërtetë të fjalës. Pothuajse të gjithë e konsiderojnë të përfunduar valën e tretë – dhe, për pasojë, epideminë – në Hemisferën Veriore në majin e 1919. Kurse Hemisfera Jugore u ndesh për muaj të tërë me vuajtje, nga momenti që epidemia u shkallëzua në kohë.

Në Brazil pati një valë të vetme – ajo e vjeshtës 1918 – kurse në Kili vala e dytë shpërtheu një vit më pas. Epidemia më vdekjeprurëse që u përplas mbi Liman e Perusë qe në fakt vala e tretë, në fillimin e 1920. Qyteti Iquitos gjendet në thellësinë e pyllit amazonas peruane dhe akoma sot është i arritshëm vetëm me rrugë ajrore dhe lumore. Falë izolimit të tij, vetëm sa u prek nga gripi në fundin e 1918, por pikërisht ku izolimi, bashkë me mundësitë e pakta të aksesit ndaj kurave, bënë që ky takim të ishte katastrofik. Përqindja e vdekshmërisë në Iquitos, në atë kohë në qendër të tregëtisë së gomës në Amazonë, qe sa dyfishi i asaj të regjistruar në Lima.

Numri i lartë i fundit i të vdekurve u regjistrua në bregun përballë të Paqësorit, në Japoni. «Epidemia e fundit», siç u quajt nga japonezët (për ta dalluar nga «epidemia e parë» e vjeshtës 1918), shpërtheu në fundin e 1919 dhe përfundoi në 1920. Më 18 mars 1920 një fshatar japonez nga Shōnai, 500 kilometra në veri të Tokios, shkroi në ditarin e tij: «Keishirō ka marrë të ftohtë dhe kollitet, kështu që ka shkuar për vizitë në imazhin e hyjnisë që bën të pushojë kolla, në jug të fshatit Kannonji». Faqet menjëherë më pas e më pas të bëjnë të kuptosh se Keishirō, një anëtar i familjes së fshatarit, vuante nga gripi spanjoll. Nëse është kështu, duhet të ketë qenë një prej rasteve të fundit, pasi epidemia tashmë kishte përfunduar.

(nga libri i Laura Spinney me titull Pale Rider: The Spanish Flu of 1918 and How it Changed the World)

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

LEAVE A REPLY