“Shtetet e Bashkuara do ta dominojnë akoma konkurrencën teknologjiko – ushtarake (pavarësisht...

“Shtetet e Bashkuara do ta dominojnë akoma konkurrencën teknologjiko – ushtarake (pavarësisht Kinës)”

91
0
NDAJ

Një intervistë me Andrea dhe Mauro Gilli

Një bashkëbisedim me Andrea dhe Mauro Gilli, respektivisht hulumtues pranë NATO Defense College të Romës dhe Center for Security Studies e Universitetit Politeknik të Zyrihut, bashkëautorë të “Why China has not caught up yet”, një studim i kohëve të fundit kushtuar temës së konkurrencës midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës në fushën ushtarake

Konkurrenca teknologjiko – ushtarake midis fuqive të mëdha, me vëmendje të madhe ndaj Shteteve të Bashkuara dhe rivalit kryesor strategjik të tyre, Kinës, është në qendër të “Why China has not caught up yet”, kërkim i botuar javët e kaluara në International Security, revistë kushtuar mbrojtjes dhe studimeve strategjike në aspektin ndërkombëtar. I realizuar nga Andrea dhe Mauro Grilli, respektivisht hulumtues pranë NATO Defense College të Romës dhe Center for Security Studies të Universitetit Politeknik të Zyrihut, raporti ka ngjallur një debat të gjerë dhe ngre disa pikëpyetje të thelluara në këtë bashkëbisedim me autorët.

 

Si ka lindur kërkimi juaj mbi temën e konkurrencës teknologjike në fushën ushtarake midis fuqive?

Mauro Gilli: Studimi ynë lind nga premisa si teorike, ashtu edhe praktike. Le ta fillojmë nga këto të fundit, që janë më imediate. Mbi 10 vite më parë, megjithëse në mënyra dhe në vende të ndryshme, njëri në Istituto Universitario Europeo të Fiesole dhe tjetri në Northwestern University di Chicago, të dy pyesnim sesa mund të zgjaste superioriteti teknologjik amerikan në fushën ushtarake. Qysh atëhere flitej për rritjen e Kinës, globalizimin dhe përhapjen e teknologjive ushtarake, për avantazhet që buronin nga teknologjitë tregëtare dhe spiunazhin kibernetik. Ishte një pyetje jashtëzakonisht e rëndësishme, por së cilës ishte vështirë t’i jepej përgjigje.

Këtu futet edhe komponenti teorik i kërkimit tonë. Pyetja jonë ishte e orientuar nga e ardhmja, por kërkimi bëhet me të dhënat dhe të dhënat ekzistojnë vetëm mbi të kaluarën. Kështu, për t’ju përgjigjur kësaj pyetje, kemi kërkuar që të zhvillojmë një teori. Teoria është një argument abstrakt që mbetet i vlefshëm pavarësisht nga koha, nga hapësira dhe nga rrethanat kontingjente. Me fjalë të tjera, nëpërmjet zhvillimit të një teorie, kemi kërkuar që të zhvillojmë një tezë, që kur të dhënat do të bëheshin të disponueshme, do të mundësonte që t’i jepej përgjigje me qartësi kësaj pyetjeje fillestare. Kështu që kemi nisur ta studiojmë të gjithë teorinë në fushën tonë, marrëdhëniet ndërkombëtare, dhe me habit ë madhe kemi kuptuar se e gjithë disiplina injoronte ndryshimin teknologjik. Kemi parë një hapësirë të pafundme për të kontribuar si në debatin akademik, ashtu edhe në atë praktik. Arsyeja është e thjeshtë: duke injoruar ndryshimin teknologjik, të gjithë ekspertët në fushën tonë konsiderojnë – dhe konsideronin – se superioriteti teknologjik amerikan në fushën ushtarake ishte i destinuar që të zhdukej. Dhe kjo ka influencuar jo vetëm debatin publik, por edhe shumë prej strategjive dhe politikave të adoptuara në vite nga aktorë të ndryshëm, përfshi disa agjenci qeveritare amerikane.

 

Në këtë kontekst rivaliteti në rritje, ku faktorë të tipit ekonomik, energjitik e tregtar duken se kanë një hapësirë të gjerë, sa është e rëndësishme tema e konkurrencës në fushën teknologjiko – ushtarake?

Andrea Gilli: Jetojmë në një epokë ku ndryshimi teknologjik është në përshpejtim të bazhdueshëm. Rezultati është para syve të të gjithëve: ajo çka përshkruhej në vitet ’80 nëëpër librat dhe në filmat e fantashkencës, sot është në rendin e ditës: nga zbatimi i robotikës në fushën mjeksëore në atë të ndjesorëve dhe të softuerëve për njohjen faciale në smartfonë. Në fushën ushtarake, kjo është jashtëzakonisht e vërtetë: në fakt, në vitin 2014, Ministria e Mbrojtjes amerikane lançoi të ashtuquajturën “Third Off-Set Strategy” për të rivendosur dhe zgjatur superioritetin teknologjik amerikan në këtë aspekt.

Lidershipi teknologjik në përgjithësi dhe në fushën ushtarake në veçanti ka benefite të shumta. Sipas meje, 3 meritojnë vëmendje. Në nivel ushtarak, superioriteti teknologjik mund të mundësojë që të arrihet frikësimi për të cilin flitej në pyetje: për shembull, nëse ekzistojnë kapacitetet teknologjike për neutralizuar apo për t’ju përgjigjur me efikasitet një sulmi armik. Në nivel tregtar apo energjitik, superioriteti teknologjik mund të mundësojë që të arrihet lidershipi industrial. Për shembull, shfrytëzimi i lëndëve të para të caktuara kërkon kapacitetete të veçanta teknologjike. Google, Facebook apo Apple janë liderë në sektorët e tyre jo prej fatit apo prej dhuratës hyjnore, por sepse kanë zhvilluar kapacitete teknologjike të avancuara të vështira për t’u imituar. Pashmangshmërisht, kjo çon në konsiderata ekonomike. Në kursin e parë të Mikroekonomisë, studentët mësojnë se tregjet jo të përsosura, si monopolet apo oligopolet, gjenerojnë ekstrafitime. Monopolet dhe oligopolet që dalin nga ndryshimi teknologjik nuk janë përjashtim. Ama kur flitet për politikë ndërkombëtare, tregjet jo të përsosura mundësojnë që të kihet influencë dhe kjo influencë mund të përkthehet në frikësim apo deri në shtrëngim.

 

Në studimin tuaj ka dy pika që duket se kanë një rol qendror, domethënë që teknologjitë ushtarake dhe sistemet e armës janë sot instrumenta aq kompleksë, aq sa është shumë e vështirë të kopjohen apo të imitohen. Për t’u zhvilluar, kanë nevojë për resurse dhe investime mjaft të mëdha. Ky kompleksitet “produkti” është edhe një prej diferencave më të mëdha midis industrisë ushtarake dhe industrisë civile. A kanë pasur rol qendror këto dy tema në kufizimin e mundësive të imitimit në fushën teknologjiko – ushtarake?

Andrea Gilli: Pikërisht, edhe pse do ta doja të nënvizoja sesi diferenca është ende shumë e brishtë. Ka teknologji jashtëzakonisht komplekse, si avionët për transport civil, turbinat me gaz (të përdorura si për prodhimin energjisë, ashtu edhe për lëvizjen e avionëve) dhe vetë softuerët apo smartfonët. Në fakt, edhe në këto fusha vërejmë sesi tregu është jashtëzakonisht i koncentruar: ka pak prodhues, pasi barrierat ndaj hyrjes janë shumë të larta. E patën kuptuar gjatë kërkimit tonë të mëparshëm lidhur me përhapjen e dronëve. Kompanitë më të mëdha të softuerit në botë kanë lindur thuajse të gjitha në vendet perëndimore: fakti që këto kompani kanë një pozicion lidershipi shpesh prej disa dekadash dhe se rivalë nga Kina apo Rusia nuk kanë dalë evidenton sesa e vështirë është të zhvillohet apo edhe vetëm t’i kopjohet softueri.

Në fushën ushtarake, e gjitha kjo është edhe më e vërtetë për dy arsye. Nga njëra anë, kompleksiteti i platformave është akoma edhe më i lartë, për shkak të nevojës që duhet të neutralizojë sisteme dhe kundërmasa armike, domethënë të veprojë në kushte mjedisore në limit. E thënë ndryshe, një Boeing 747 nuk duhet të jetë në gjendje t’u shpëtojë mbrojtjeve raketore armike, të mbesë i padukshëm për radarët apo të kryejë manovra komplekse për t’i shpëtuar ndjekjes së gjuajtësve kundërshtarë. Kjo çon në pikën e evidentuar në pyetje: zhvillimi i kapaciteteve teknologjike e industrial për të arritur këtë performancë teknologjike është jashtëzakonisht e vështirë dhe e kushtueshme, pasi praktikisht operohet në kufirin e teknologjisë.

 

Pse është menduar, në të kundërt, se edhe në fushën ushtarake, ashtu si në atë civile, ishte e lehtë të imitoheshin produktet dhe teknologjitë e të tjerëve?

Mauro Gilli: Pyetje e shkëlqyer, që të çon në pikën mbi lidhjen midis botës akademike dhe asaj të “policy”. Ka shumë arsye, besoj se 3 në mënyrë të veçantë luajnë një rol qendror. E para ka bëjë me faktin se kish studion shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare, përgjithësisht ka vetëm një “miell bazë” të kufizuar në “Hyrje në Mikroekonomi”, “Hyrje në Makroekonomi” dhe, kur ecën mirë, “Hyrje në Ekonominë Ndërkombëtare”. Këtu nuk bëhet fjalë për debatin e zakonshëm midis ekonomisë neoklasike dhe heterodokse. Ka studime që janë ndriçues për sa i përket temës. Problemi është studentët e Masterit dhe të Doktoraturës në Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare janë të prirur që të marrin si realiste supozimet bazë që në fakt nuk janë – për shembull mbi zëvendësueshmërinë e faktorëve të prodhimit, mbi “jopërjashtueshmërinë” e dijes apo mbi mungesën e kostove të transaksionet. Në radhë të dytë, ka vëmendje shumë të pakët për disiplina të tilla si Historia Ekonomike dhe Historia e Teknologjisë. Historia e Teknologjisë është një fushë akoma pak e eksploruar. Në radhë të tretë – me përjashtime shumë të rralla – si disa studiues të Columbia University, MIT e University of Chicago, dhe dishepujt e tyre – edhe në Shtetet e Bashkuara, aspektet teknike e teknologjisë ushtarake në pjesën më të madhe të tyre injorohen. Kjo është e kuptueshme, pasi të lexosh artikuj dhe vëllime akademike në inxhinieri, për kë nuk ka baza shkencore, është jashtëzakonisht e vështirë dhe kërkon kohë.

 

Sipas kërkimit tuaj, distanca ekzistuese midis Shteteve të Bashkuara dhe rivalëve të tyre në fushën teknologjiko – ushtarake, përfshi Kinën, është ende shumë e madhe. Kjo edhe pavarësisht revolucionit dixhital dhe përdorimit të gjerë të kibernospiunazhit që i atribuohet në këtyre vite disa vendeve. Sa gjatë mund të ekzistojë kjo distancë, ky hendek, sidomos midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës?

Andrea Gilli: Kjo është një pyetje e rëndësishme të cilës kërkimi ynë dhe asnjë kërkim në botë nuk mund t’i japë një përgjigje të saktë. Por puna jonë ndihmon që të kuptohet se çfarë ndryshoresh do t’i influencojnë këto dinamika. Le të japim ndonjë konsideratë në përgjithësi de më pas ndonjë konsideratë më të detajuar. Në radhë të parë, puna jonë sugjeron se superioriteti teknologjik amerikan nuk do të arrihet lehtësisht dhe me shpejtësi. Resurset e investuara mund të ndihmojnë që të reduktohen afatet, por siç e argumentojmë në invel teorik dhe e demonstrojmë në mënyrë empirike, resurset financiare mjaftojnë deri në një farë pike. Në radhë të dytë, shumë do të varet nga çfarë do të bëjnë Shtetet e Bashkuara dhe Kina në vitet e ardhshme. Për shembull, Shtetet e Bashkuara mund të pushojnë qysh nesër së investuari në teknologji ushtarake, ndoshta për të financuar infrastruktura apo sisteme welfare në nivel të brendshëm. Në të njëjtën mënyrë, suksesi i Kinës do të varet nga zgjedhjet e brendshme të saj, duke filluar nga politika në fushën e arsimit. Kësaj i shtohen konsiderata më të detajuara lidhur me superioritetin e ardhshëm teknologjik. Ashtu si Kina, Shtetet e Bashkuara po kërkojnë që si ta shfrytëzojnë inteligjencën artificiale dhe, në mënyrë të veçantë, teknika të machine learning, ashtu si progresi në fushën e ndjesorëve, të paterialeve dhe të procesorëve për të ardhmen. Kërkimi ynë sugjeron se këto teknologji të reja i mbështesin, por nuk i zëvendësojnë dot kapacitetet aktuale ushtarake. Për pasojë, primati teknologjik i ardhshëm në fushën ushtarake do të varet shumë sa nga kapacitetet industrial tradicionale, edhe nga kapacitetet për t’i integruar me dije më të vonshme.

 

Në këtë diferencë midis kapaciteteve ushtarake të fuqive, Shtetet e Bashkuara dhe Kina, sa ndikojnë apo mund të ndikojnë edhe faktorë të tjerë, për shembull për sa u përket kapaciteteve operative të forcave të armatosura, apo kapacitetit të tyre për projektim global apo edhe, për shembull diferencës dhe përmasave të fuqisë detare?

Andrea Gilli: Fuqia ushtarake është produkt ndryshoresh të shumta. Teknologjia ushtarake është vetëm njëra prej tyre dhe jo gjithmonë më e rëndësishmja. Nëqoftëse nuk kuptohet funksionimi apo dobishmëria e disa platformave ushtarake, përfundohet për t’i humbur luftërat apo betejat. Për shembull, përpara Luftës së Dytë Botërore, Japonia dhe Gjermania nuk inestuan në nëndetëse pasi mendonin se dobishmëria e tyre kishte ardhur duke u zvogëluar për shkak të shpikjes së radarëve apo sonarëve. Fushata e Atlantikut dhe ajo e Paqësorit demonstruan të kundërtën. Kjo anekdotë na çon në konsiderata më të rëndësishme. Forca të armatosura, të përgatitura dhe gjithmonë gati, mundësojnë që të kuptohen dinamika taknike, operative e teknologjike dhe kjo mund të ndihmojë që të shfrytëzohen më mirë risitë teknologjike apo platformat e reja. Për shembull, Shtetet e Bashkuara e kuptuan rëndësisnë e aeroplanmbajtëseve gjatë një serie wargames të zhvilluara në Newport të shtetit Rhode Island, ku edhe e ka selinë Naval War College. Këtu nuhatje konceptuale drejtuan më pas investimet në teknologji e në platforma. Përmasat e forcave të armatosura mund të ndihmojnë, sidomos kur bëhet fjalë për ekonomi të rëndësishme të shkallës, por nuk duhet harruar se organizma shumë të mëdha bëhen pashmangshmërisht edhe më të ngurta dhe, për pasojë, mund të jenë më të vështira për t’u rinovuar apo modernizuar.

 

Kurse për sa i përket temës së kibernospiunazhit dhe asaj të investimeve në teknologjitë e tipit dixhital, inteligjencë artificiale dhe robotikë, të zhvilluara nga Kina, a është e mundur që të paktën në këta sektorë, ku Pekini është shpenzuar gjatë këtyre viteve, mund të ketë shpejt një tejkalim kinez në dëm të Shteteve të Bashkuara?

Mauro Gilli: Natyrisht që gjithçka është e mundur. Ama ka arsye të mira për të dyshuar. Andrea sapo ka botuar një dokument lidhur me temën. Po jap 3 konsiderata, të shkurtëra. Në radhë të parë, inteligjenca artificiale i komplementon, nuk i zëvendëson, dijet tradicionale teknologjike. Veç të tjerash, arsyeja është implicite në studimin tonë dhe kjo na çon në konsideratën e dytë. Inteligjenca artificiale dhe sidomos teknikat e machine learning kanë nevojë për të dhëna. Por nëse, siç e themi në studimin tonë, pjesa më e madhe e dijes teknologjike të nevojshme për të zhvilluar armatime komplekse është e heshtur dhe jo e kodifikueshme, atëhere kontributi që mund të japin Artificial Intelligence dhe i Maschine Learning është i kufizuar. Në radhë të treta, të dhënat në dispozicionin tonë tregojnë se po, hulumtuesit kinezë botojnë gjithnjë e më shumë dokumenta në këtë fushë, në përqindjen e parë trë dokumentave akademike për nga numri i citimeve, hulmutuesit kinezë mungojnë. Kjo nuk habit, pasi e dinë se në Kinë nuk janë kushtet më të mira për të bërë kërkim, nga liria akademike në ruajtje kundër plagjiaturës tek institucionet sociale e morale që nxisin novatorizmin.

 

Çfarë do të duhet të bëjnë Shtetet e Bashkuara për ta ruajtur avantazhin e tyre teknologjiko – ushtarak ndaj konkurrentëve të drejtpërdrejtë të tyre?

Andrea dhe Mauro Gilli: Studimi ynë nuk është përfundimtar dhe, përkundrazi, fton që të bëhet shumë punë në këtë fushë. Mbi bazën e asaj çka kemi studiuar, zgjidhja është e thjeshtë: të vazhdojnë të favorizojnë novatorizmin, të ruajnë shpenzimet në kërkim, zhvillim, por edhe në prokurim, në mënyrë që të mos i atrofizojnë dijet teknike e praktike dhe, paralelisht, t’u lënë forcave të armatosura, industrisë dhe teknikëve hapësirën për të eksperimentuar në çdo nivel, në mënyrë që të shfrytëzojnë kështu çdo mundësi të mundshme.

(nga Formiche)

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

 

LEAVE A REPLY