Shpëtimi i Kombeve të Bashkuara në epokën e mosndëshkueshmërisë

Shpëtimi i Kombeve të Bashkuara në epokën e mosndëshkueshmërisë

69
0
NDAJ

Në marrëdhëniet ndërkombëtare edhe në momentet më të mira, moskuptimet nuk mungojnë. E konfirmon këtë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara António Guterres: “Kur dy diplomatë përplasen, ka të paktën 6 perceptime të ndryshme për t’u menaxhuar: si këta e perceptojnë vetëveten, si e perceptojnë respektivisht njëri tjetrin dhe si mendojnë se perceptohen nga të tjerët”.

Pas epidemisë së Covid-19 është e qartë si ky aktuali është një prej momenteve më të këqinj. Për pasojë, rastet për të ngecur në ndënjë keqkuptim shumëfishohen. Virusi i ka ngërthyer eksponentët e OKB-së në një dialog midis të shurdhërish, ndërsa idhtarët e multilateralizmit kërkojnë rastin për të promovuar demokracinë liberale, arritur kompromise dhe kërkuar përgjegjësimin e të fuqishmëve, përveçse përpara Këshillit të Sigurimit.

Për Guterres, kjo situatë është jashtëzakonisht frustruese. Sekretari i Përgjithshëm aktual ka qenë një prej liderëve të parë botërorë që e ka kuptuar rëndësinë e pandemisë dhe ka menduar se 15 shtetet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të kapnin rastin për të luajtur një rol vendimtar.

 

Grindje thuajse teologjike

Në mars Guterres ka tentuar t’i rikthejë rëndësinë Kombeve të Bashkuara duke kërkuar një armëpushim botëror që t’u lejonte mjekëve mundësinë e shpëtimit të jetëve njerëzore. Ka qenë një lëvizje e fortë dhe idealiste, por disa militantë në Kamerun, Tajlandë dhe Filipine kanë pranuar t’i ulin armët.

Problemi është se tensionet midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara lidhur me Covid-19 e kanë bllokuar rezolutën për muaj të tërë. Shtetet e Bashkuara i janë kundërvën pranisë në tekst të çfarëdo referimi pozitiv ndaj OBSH-së.

Tri muaj më pas, rezoluta më së fundi është miratuar, me përjashtimin e çfarëdolloj referimi direkt ndaj OBSH-së. Ndërkohë 12 milion njerëz qenë infektuar nga Sars-cov-2 dhe më shumë se 500 mijë kishin vdekur. Në këtë pikë bërja e propozimit për ndërprerjen e konflikteve tashmë ishte ezauruar. Për të pasur një ide krahasuese, në 2014 Këshilli i Sigurimit e kishte miratuar brenda ditës një rezolutë lidhur me Ebolën.

Edhe një deklaratë për festimin e përvjetorit të 75-të të Kombeve të Bashkuara me rastin e Asamblesë së Përgjithshme të shtatorit ka prodhuar një përplasje të gjatë brenda Këshillit të Sigurimit. Në fakt, Shtetet e Bashkuara nuk kanë dashur që të kishte kurrfarë referimi ndaj ndryshimit klimaterik. Ndërkohë Perëndimi, përfshi britanikët, dyshonte se mos Kina po komplotonte që të futeshin në rezolutë një seri konceptesh “komuniste”. Kjo ka çuar në kontraste të tjera. Në fund është arritur një marrëveshje, por pjesës më të madhe të personave të përfshirë u është dukur se kanë asistuar në një grindje teologjike të kuptueshme vetëm prej një grushti diplomatësh.

Guterres e pranon se në këtë moment vendimtar për planetin Këshilli i Sigurimit ka manifestuar një paralizë, bile edhe pak më shumë se kaq. “Raportet midis dy fuqive më të rëndësishme – Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë – janë më disfunksionale se kurrë. Fatkeqësisht, atje ku ekziston pushtet nuk ekziston lidership dhe kur ekziston lidershipi pushteti është i pamjaftueshëm. Veç kësaj, në rast se vërejmë institucionet multilaterale, jemi të detyruar të konstatojmë se nuk kanë instrumenta për të qenë efikasë, bile edhe kur i kanë, tregojnë vullnet të pakët. Nuk duan të ndikojnë”.

 

Provat e ngërçit

Ky ngërç ka pasoja që shkojnë përtej zhdukjes së një koncepti abstrakt si rendi i bazuar mbi rregulla liberale. Për ta thënë me fjalët e David Miliband, CEO i International Rescue Committee dhe ish Ministër i Jashtëm laburist, “po jetojmë në kohën e mosndëshkueshmërisë”.

“Gjithçka pranohet. Respektimi i ligjit konsiderohet si gjë humbësish. Kjo është një epokë ku krimet e luftës mbesin pa u ndëshkuar dhe ligjet e luftës bëhen opsion. Është një epokë ku ushtarakët, milicitë dhe mercenarët besojnë se mund të veprojnë pa u ndëshkuar. Duke qenë se praktikisht mund të veprojnë pa u ndëshkuar, e bëjnë në mënyrën më të keqe”.

Ngjarjet në Siri janë një provë në mbështetje të vizionit të Miliband. Geir Pedersen, i Dërguari Special i 4-ët i Kombeve të Bashkuara nga shpërthimi i luftës civile atje, e ka vënë tashmë në diskutim rolin e vet. “Kur u kam kërkuar miqve dhe kolegëve nëse po bëja mirë apo jo që po e pranoja detyrën e re, më kanë quajtur të çmendur. Mendoja se pas 8 vitesh luftë do të kishte ardhur momenti për zgjidhjen e konfliktit. Natyrisht që prisja një mungesë besimi midis palëve të përfshira, por nuk besoja të gjeja një mosbesim total edhe midis institucioneve ndërkombëtare. E kam të vështirë ta pranoj këtë realitet”.

“E kryesoj këshillin çdo muaj dhe nganjëherë më duket se nuk ka shumë për të thënë”, rrëfen Pedersen. “Ka një zhgënjim të madh për faktin që procesi politik, pas 9 vitesh e gjzysmë, nuk ka sjellë kurrfarë progresi në ekonomi, robërit e luftës apo mbi mundësinë e rikthimit të refugjatëve me dinjitet. I kam bërë me dije Këshillit të Sigurimit se do kisha nevojë për ndihmë që të bëja hapa përpara. Me një konflikt në zhvillim prej kaq shumë kohësh, kam frikë se mos situata bëhet pjesë e normalitetit. Nuk arrij ta pranoj. Ka pasur mijëra të vdekur, por kjo nuk përbën më lajm”.

Libia është prova e dytë e ngërçit ndërkombëtar. Edhe në këtë rast, lufta civile është në vazhdim nga viti 2011, një hark kohor gjatë të cilit Kombet e Bashkuara kanë asistuar në shkelje të vazhdueshme të embargos së tyre lidhur me shitjen e armëve.

Ghassan Salamé, ish i Dërguar Special i Kombeve të Bashkuara për Libinë, bën një analizë të pamëshirshme të të gjitha gabimeve të kryera. “Gjatë Luftës së Ftohtë, Këshilli i Sigurimit bllokohej nga vetoja e kryqëzuar. Sot jemi të bllokuar nga shpërbërja e idesë së një sigurie kolektive. Brenda Këshillit, kjo ide nuk ekziston më. Gjatë viteve ’80 kemi përjetuar një periudhë liberalizimi financiar, i ashtuquajturi neoliberizëm. Kurse sot jetojmë një periudhë liberalizimi të forcës. Në këtë moment kushdo që i ka mjetet për të bërë diçka – në mungesë të limiteve të brendshme, për shembull një parlamenti – të veprojë me askënd që mund t’i kundërvihet. Të themi të vërtetën, e gjitha kjo dobëson demokracitë. Pse të mos e pranojmë publikisht? Problemi nuk është se demokracitë prodhojnë regjime të dobëta. Problemi është se demokracitë kanë nevojë për multilateralizëm. Është e domosdoshme që të gjitha vendet të kenë limite të brendshme, për të rregulluar sjelljen e qeverive. Nëse mund të injorosh kushtetutën tënde, parlamentin tënd, opinionin tënd publik edhe në rast se nuk ekziston një element kontrolli të jashtëm mbi pushtetin (Këshilli i Sigurimit ose fuqitë e mëdha) atëhere arrihet tek “të lirë të gjithë”. Për pasojë, zhduken të gjithe frenat e jashtme ndaj veprimit të fuqive afatmesme”.

Sipas Salamé, Europa është tashmë e pafuqishme dhe është katandisur në rolin e bankierit të paqes që kufizohet të financojë rindërtimin menjëherë pas përfundimit të luftimeve.

 

Një fazë vendimtare

Harold Koh, Këshilltar Ligjor i Departamentit të Shtetit në administratën Barack Obama dhe Profesor i së Drejtës më Yale University, thekson se po përjetojmë një fazë vendimtare, e dyta vetëm ndaj konfliktit të fundit botëror. “Në vitet ’90 të ‘700, Immanuel Kant propozoi një arësyetim shumë të thjeshtë. Tha se njerëzimi nuk ka nevojë për një qeveri botërore, por për vende demokratike të impenjuara në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës nëpërmjet bashkëpunimit për një qëllim të përbashkët”.

“Në thelb, Kant po parafiguronte sistemin e Kombeve të Bashkuara. Alternativa, e shprehur në romanin “1984” e George Orwell, konsiston në një sistem influencash midis superfuqive ku nuk ekzistojnë vlera, njerëzit gënjejnë dhe aleancat ndryshojnë nga sot nesër. Liderët janë autoritarë në frontin e brendshëm dhe lidhin miqësi me diktatorët në skenën ndërkombëtare”.

Pjesa më e madhe e vëzhguesve bie dakord për faktin se vizioni orwellian po mbizotëron, siç deduktohet nga papajtueshmëria e vizioneve të Shteteve të Bashkuara dhe Kinës lidhur me rendin botëror pasperandorak.

Megjithatë Mary Robinson, Presidente e Elders, grupit të ish drejtuesve të Kombeve të Bashkuara, mendon se është tejet shpejt për të dhënë verdiktin ekstrem lidhur me multilateralizmin. Kohët e fundit Robinson ka deklaruar në Chatham House, OJQ-në që analizon dhe promovon bashkëpunimin lidhur me tematikat e mëdha ndërkombëtare, se multilateralizmi ka përjetuar një periudhë vështirësie të madhe. Ama ka nënvizuar edhe se në 2015 bota ka qenë e aftë të gjejë një ujdi lidhur me ndryshimet klimaterike dhe zhvillimin.

“Askush nuk do ta kishte mundur ta evidenonte më qartë nevojën për multilateralizëm, idenë e thjeshtë e bashkëpunimit midis vendeve për të zgjidhur probleme që janë tepër të mëdha për një vend”, shpjegon Robinson. Populistët, shitësit e mosbesimit e të nacionalizmit, janë përplasur me pandeminë. Edhe në Shtetet e Bashkuara, strategjitë e zakonshme të Trump duken joefikase.

Në rast se Joe Biden do t’i fitojë zgjedhjet e nëntorit, Shtëpia e Bardhë do të mirëpresë atë që ndoshta është ka mundësi politikani më atlantist i vendit. Tashmë Biden ka thënë se do ta anullojë urdhërin e tërhqjes së trupave nga Gjermania të dëshiruar nga Trump dhe ka premtuar të organizojë një takim midis demokracive, një propozim që mund të përplaset me projektin britanik për krijimin e një grupi me 10 vende demokratike. Me siguri, tonet e dialogut transatlantik do të ndryshonin rrënjësisht. Por një presidencë Biden nuk do të mjaftonte as për ta fshirë rivalitetin politik apo tregtar me Kinën dhe Rusinë, as të risjellë në jetë hegjemnoninë të cilën Shtetet e Bashkuara kanë gëzuar nga mbarimi i Luftës së Ftohtë.

 

Një reformë nga brenda

Biden nuk do të mund t’i eliminojë pengesat ndaj reformimit të Kombeve të Bashkuara dhe tl institucioneve që e përbëjnë, si OBSH-ja. Të gjithë aktorët e përfshirë bien dakord për faktin se Këshilli i Sigurimit është një objekt muzeal i ndërtuar për të vlerësuar fituesit e Luftës së Dytë Botërore, një instrument që nuk pasqyron ekuilibrin modern të forcave. Pjesa më e madhe e vëzhguesve, midis të cilëve ish Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon, mendon se nuk ka kuptim të rilançohen përpjekjet për reformimin e Këshillit të Sigurimit apo sistemin e vetos.

Megjithatë, një zgjerim i Këshillit të Sigurimit ishte propozuar nga një tjetër ish Sekretar i Përgjithshëm, Kofi Annan, midis viteve 2002 e 2005. Annan mendonte se mund të kapej mundësia për të lehtësuar një ndryshim të shpejtë brenda Këshillit të Sigurimit, por planet e tij qenë hedhur në erë nga interesat e shteteve që janë pjesë e Këshillit të Sigurimit, ngurrues ndaj idesë së cedimit të pushtetit të tyre vendeve si India apo Nigeria.

Samantha Power, ish ambasadore e Shteteve të Bashkuara pranë Kombeve të Bashkuara, ka deklaruar në Komitetin për Punët e Jashtme britanik se në pamundësinë e një reformimi të institucioneve multilaterale, objektivi duhet të jetë ai i gjetjes së “zgjidhjeve të përkohshme”, në një tentativë për ta mbështetur demokracinë liberale nga jashtë Këshillit të Sigurimit.

Sipas Stephen Rapp, ish amabasador special i Shteteve të Bashkuara për Krimet Globale dhe Kryeprokuror i Tribunalit Special për Sierra Leonen nga 2007 deri më 2009, është e mundur të bëhen hapa përpara duke vepruar jashtë kontekstit të Këshillit të Sigurimit.

Asambleja e Përgjithshme ka miratuar me shumicë dërrmuese (105 në favor dhe 5 kundër) një propozim për krijimin e një mekanizmi ndërkombëtar të pavarur që duhet të shqyrtojë krimet e luftës e kryera në Siri. Pavarësisht objeksioneve të forta të ngritura vitin e kaluar nga Rusia, OPCW-ja, organi i Kombeve të Bashkuara që mbikëqyr përdorimin e armëve kimike, ka marrë detyrën që të hetojë lidhur me përgjegjësinë për sulmet kimike në Siri. Veprimi i OPCW-së tashmë ka filluar.

I lirë nga detyrimi i vetos, Këshilli për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara ka hapur një hetim për krime lufte në Libi e Venezuelë. Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi i është dashur që të paraqitet përpara një tribunali special për krime lufte, ndërsa në muajin prill në Gjermani kanë kaluar pas hekurave për krime lufte dy torturues të regjimit të al Assad, Anwar Raslan dhe Eyad al Gharib.

Ish Ministri i Zhvillimit dhe deputeti konservator britanik Andrew Mitchell thekson se Scotland Yard mund të bëjë të njëjtën gjë me 5 ruandezët e akuzuar për genocid dhe rezidentë në Mbretërinë e Bashkuara. Londra tashmë ka aderuar në sanksionet e parashikuara nga Magnitsky Act lidhur me të drejtat e njeriut dhe të eksperimentuara tashmë në Shtetet e Bashkuara. Shpejt edhe Bashkimi Europian do të bëjë të njëjtën gjë.

 

Të punosh me rivalë dhe aleatë

Joseph Nye, mbështetës i soft power dhe Profesor në Kennedy School të Harvard University, i ka zhvilluar këto shembuj për të ravijëzuar strukturën e një rendi të ri. Duke shkruar për Project Syndicate, Nye ka vërejtur që “në rast se Joe Biden do të zgjidhet, problemi me të cilin do t’i duhet të ndeshet nuk do të jetë rivendoja e rendit ndërkombëtar liberal, por mundësia që Shtetet e Bashkuara të arrijnë të punojnë bashkë me një grup të ngushtë aleatësh për promovimin e demokracisë e të drejtave të njeriut, duke bashkëpunuar me një tërësi më të zgjeruar vendesh për menaxhimin e institucioneve ndërkombëtare të domosdoshme në përballimin e kërcënimeve transkombëgtare si ndryshimet klimaterike, pandemitë, sulmet kibernetike, terrorizmi dhe paqëndrueshmëria ekonomike”.

Një rend i ri ë këtij lloji, në rastin e Shteteve të Bashkuara, do të kërkonte një rikthim të multilateralizmit në dy nivele, njërit me aleatët dhe tjetrit me rivalët. Kina dhe Rusia do të trajetoheshin si elementë revizionistë brenda rendit ndërkombëtar ekzistues dhe jo si armiq që i qëndrojnë jashtë.

Për t’ia arritur do të nevojitej një çangazhim i caktuar në planin ekonomik, por jo politik. Përkundrazi, siç e ka nënvizuar ish Kryeministri australian Kevin Rudd, do të duhej i njëjti nivel impenjimi politik me Kinën, por duke ndjekur binarë më të qartë.

Shtetet e Bashkuara duhet të kalojnë nga strategjia antikineze e Trump – konfliktuale, e paparashikueshme dhe episodike – në një konkurrencë strategjike sistematike. Paradoksalisht, fiksimi i një serie vijash të kuqe të qarta midis Kinës dhe Perëndimit do t’i mundësonte multilateralizmit që të lulëzonte.

Europa ka nevojë të dëshpëruar për një rend të ri botëror. “Nëqoftëse duam të konsiderohemi dhe të respektohemi nga Kina si partner i barabartë, duhet të organizohemi”, ka deklaruar Presidenti francez Emmanuel Macron.

Në vitin 2019 Franca dhe Gjermania kanë formuar Aleancën për Multilateralizmin, një grup informal i përbërë nga rreth 50 vende (por jo nga Mbretëria e Bashkuar) që ka pasur një rol vendimtar në arritjen që OBSH-ja të miratonte një rezolutë për të nisur një analizë të punës së saj gjatë pandemisë së Covid-19.

Mbretëria e Bashkuar avancon propozimin e një D10, të përbërë nga demokracitë e G7, plus Australinë, Korenë e Jugut dhe Indinë. Është një variant i një ideje të propozuar fillimisht nga fundi i 2018 prej James Lindsay, Drejtor i Studimeve pranë Këshillit të Marrëdhënieve me Jashtë, që kishte folur lidhur me një “komitet për shpëtimin e rendit botëror”.

Në Europë, nën sipërfaqe, zien një optimizëm i habitshëm. Ministrja e Jashtme spanjolle Arancha González ka deklaruar se “po jetojmë një moment vendimtar në Europë, duhet të vendosim nëse duam të bëjmë apo jo një investim të madh në institucionet europiane për t’i mbrojtur qytetarët tanë”.

Për González do të bëhej fjalë për futjen e nkë kontrate të re sociale midis qeverisë dhe njerëzve. “Nuk shikoj një botë që po deglobalizohet. Përkundrazi, po riglobalizohet, por nuk kemi një sistem qeverisjeje për këtë botë të riglobalizuar. Mungojnë rregullat globale”.

Ashtu si bashkëkombasja e saj, edhe shefi i diplomacisë së Bashkimit Europian Josep Borrell është i bindur se Europa është gati ta ngrejë stekën. “Duhet të ndryshojmë mentalitet dhe të pushojmë së qëni akomodues në të gjitha situatat. Duhet të mësojmë të themi “jo””, ka deklaruar në Këshilli Europian për Punët e Jashtme. “Europa duhet të mësojë gjuhën e fuqisë dhe, në rast se i duhet ta mësojë, kjo do të thotë se në këtë moment nuk e di. Aktorë të tjerë dinë si të përdorin jo vetëm gjuhën e forcës, por forcën në vetëvete. Në Libi e në Siri, Turqia dhe Rusia kanë përdorur forcën, jo vetëm gjuhën e saj. Na pëlqen apo jo, janë bërë zotër të lojës”.

Një prej vizioneve më optimiste i së ardhmes së bashkëpunimit ndërkombëtar i përket njeriut që ka menaxhuar periudhën menjëherë pas genocidit në Ruanda. “Mendoj se po jetojmë një epokë revolucionare”, ka deklaruar Roméo Dallaire, ish gjeneral dhe senator kanadez që ka shërbyer si komandant i forcës UNAMIR, trupës paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara në Ruanda, midis viteve 1993 e 1994. “Më të vegjëlit se 25 vjeç do tw fillojnë të jenë shumë aktivë dhe do të kërkojnë që njerëzimi të trajtohet siç e meriton. Janë gjenerata pa kufij. Ktëa të rinj do të kenë mjetet për të influencuar falë armës së pabesueshme të rrjeteve sociale. Kanë forcën për t’i shkelmuar liderët që i kanë frenuar deri më tani”.

(Patrick Wintour për The Guardian)

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

LEAVE A REPLY