Nga Angela Kasner tek Angela Merkel: Parabola e Kancelares

Nga Angela Kasner tek Angela Merkel: Parabola e Kancelares

369
0
NDAJ

Nga Angela Kasner tek Angela Merkel

Megjithëse Angela është një grua nga Lindja, ajo ka lindur me 17 korrik 1954 në Hamburg të Gjermanisë Perëndimore. Emëri i saj i pagëzimit është Angela Dorothea Kasner, bijë e një pastori luteran që në mesin e viteve ‘50, me dëshirë, vendosi të transferohej në Gjermaninë komuniste për të themeluar një seminar luteran. Fëmijërinë e saj e kaloi fillimisht në Quitzow dhe më pas në Templin, në veri të Berlinit, pothuajse në kufi me Poloninë. Lidhja e Angela me këtë të fundit nuk është ekskluzivisht gjeografike. Një biografi e kohëve të fundit e Stefan Kornelius, kryeredaktor i çështjeve të jashtme të “Süddeutsche Zeitung”, zbulon se gjyshi i Angela ishte me origjinë polake. Ludwig Kazmierczak ishte me origjinë nga Posen dhe në 1930 vendosi që ta ndryshojë mbiemrin e tij në gjermanisht, nga ku edhe mbiemri Kasner.

Horst Kasner, babai i Angela, kishte raporte të mira me regjimin dhe kishte një leje speciale që i mundësontë të udhëtonte lirisht edhe në Perëndim. Sipas një biografie të kohëve të fundit mbi të ashtuquajturën jetë të parë të Angela Merkel, Horst Kasner ishte pjesë e atyre teologëve protestantë nëpërmjet të cilëve regjimi synonte të pajtonte idealet socialiste me ato të Kishës. Këta teologë protestantë shikonin tek socializmi një alternativë të mundshme ndaj kapitalizmit perëndimor, aq sa në 1958 themeluan në Pragë një lloj “internacionaleje kristiane”, Konferencën Kristiane për Paqen ku aderoi babai i Angela. Por Horst Kasner ishte pjesë edhe vëllazërisë protestante të Weißensee në Berlin, ku kryepërgjegjësi i të cilës, Hanfried Müller (edhe ai i regjistruar në Konferencën Kristiane për Paqen) kishte kontakte të mira me drejtuesit e SED-it.

Me kalimin e kohës Horst Kasner u distancua nga regjimi, por nuk ka dyshim që familja e tij jetonte në një gjendje të privilegjuar brenda Gjermanisë komuniste dhe që i mundësoi Angela të shmangte çdo formë indoktrinimi ideologjik. Sipas biografisë së Kancelares të shkruar nga Evelyn Roll, filozofia e jetës e familjes Kasner ishte e thjeshtë, por edhe shumë e përcaktuar: çifti Kasner, që vinte nga Perëndimi, konsiderohej si më të mirë se të tjerët, pasi kishin plus vlerat autentike të kristianizmit. Angela do të orientohet gjithmonë pas këtij parimi dhe do të ketë detyrën e demonstrimit se është më e mirë nga të tjerët. Gjatë jetës së saj në Gjermaninë Lindore arrin shkëlqyeshëm një diplomë në Fizikë dhe më pas Doktoraturën në të në Leipzig, që do t’i mundësojnë të udhëtojë për motive shkencore në vende të ndryshme të bllokut sovjetik.

Një fakt i habitshëm dhe që shumë e injorojnë është se në atë kohë, për të vazhduar doktoraturën, ishte e nevojshme të paraqisje një punim që të demonstronte se i kishe thelluar dhge zgjeruar dijet e tua për marksizëm – leninizmin. Angela kishte paraqitur një punim me titull “Cila është mënyra e jetesës socialist?”. Nëse gjykimi për doktoraturën është magna cum laude, për thellimin politik merr vetëm një “mjaftueshëm”. Natyrisht, kjo nuk e pengon që të zhvillojë aktivitetin e saj shkencor. Angela u bë një shkencëtare e vlerësuar, e përmendur dhe me autoritet. Si pjesa më e madhe e qytetarëve të vendeve satelite të Bashkimit Sovjetik mëson shumë mirë edhe rusishten. Por Angela shkon përtej mesatares së qytetarëve të ish Gjermanisë komuniste: fiton olimpiadën e gjuhës ruse dillimisht në Templin, më pas në Neubrandenburg dhe, së fundi, edhe në Berlin. Siç kujton Erika Benn, një mësuesja e saj e vjetër e rusishtes, për të përjavshmen “Cicero”, Angela ishte shumë e mirë, ishte konstante dhe vullnet të hekurt.

Në kohën e universitetit njihet me Ulrich Merkel, edhe ai student i Fizikës. U dashuruan dhe vetëm 23 vjeç (ajo) dhe 24 vjeç (ai), në 1977 u martuan me një ceremoni fetare. Martesa do të rezultojë shumë më e komplikuar nga parashikimi, ndoshta e vendosur tepër shpejt. Në atë kohë, të martuarit ishte edhe një strategjemë mjaft e përhapur për të përfituar lehtësira, si banesa dhe vende pune në të njëjtin qytet të bashkëshortit. Pothuajse një vit pas martese, Angela merr diplomën, transferohet në Berlin, por në 1982 ndahet nga Ulrich Merkel, por të cilit do të vazhdojë t’i mbajë mbiemrin.

“Vajza” e Kohlit

Gjendja e Angela Merkel në RDGJ-në komuniste ishte e ngjashme me atë të protagonistit të romanit “I Zgjedhuri” i Thomas Mann. Shkëlqente në studime dhe në virtyte, edhe formimin e tij kristian e perceptonte prej temperamentit, cilësive dhe formimit, ndryshe nga të tjerët. Ndjehej e huaj në atë jetë akademike, e ulur mbi libra, në atë gjendje politikisht mbytëse. Si Gregori, heroi i Thomas Mann, Angela ëndërronte ndërmarrje heroike, aventura dhe gjeste. Nuk e la që t’i shpëtonte rasti për t’u çliruar nga ajo botë dhe kështu, gjatë revolucionit paqësor demonstroi se kishte një shpirt dhe nuhatje për pushtetin deri më atëhere të mbajtur të fshehur.

Por jeta e Angela Merkel në ish Gjermaninë komuniste mbetet akoma sot në shumë aspekte mister. Sigurisht që aderoi në Freie Deutsche Jugend, lëvizjen politiko – rinore të regjimit dhe në 1981 qe edhe përgjegjëse për Propagandën dhe Agjitacionin, fakt të cilin Merkel e mohon: “Propagandë? Nuk e kujtoj absolutisht të kem bërë propagandë, kurrsesi. Isha e ngarkuar me Kulturën”. Megjithatë, nuk rezulton që Angela as të ketë qenë anëtare e SED-it, as e partive apo lëvizjeve të tjera që ju kundërvunë diktaturës. Në një biografi të kohëve të fundit të saj të shkruar nga Ralf Georg Reuth dhe Günther Lachmann, dy gazetarë respektivisht të “Bild” dhe të “Die Welt”, tentohet të demonstrohet se në realitet Angela që shumë më e afërt me SED-in nga sa është menduar deri më tani. Sipas biografisë të Reuth dhe Lachmann nuk ishte aq u huaj me sistemin e pushtetit të Gjermanisë Lindore. Vetë Merkel e ka minimizuar rëndësinë e tezave të tilla, duke u përgjigjur se në mënyrë ciklike dali skupe të supozuara për jetën e saj në Gjermaninë komuniste. Më shumë se tezat e Reuth dhe Lachmann duhet marrë seriozisht teza e një prej biografeve të Merkel. Sipas Jacqueline Boysen, në kuptimin e jetës në Gjermaninë Lindore të Angelas ka një moskuptim të raportit (dhe të diferencave të dukshme kulturore) midis Gjermanive Lindore dhe Perëndimore. Vetë Merkel në një intervistë të kohëve të fundit për të përjavshmen “Stern” ka kujtuar sesi 35 vitet jetë në RDGJ janë pjesë e ekzistencës dhe e rolit politik të saj.

E sigurtë është që Angela Merkel aderon në Demokratischer Aufbruch (Zgjimi Demokratik), lëvizja e opozitës e sapokrijuar pas rënies së Murit të Berlinit dhe që frymëzohej nga kristian – demokratët (CDU) e Gjermanisë Perëndimore. Aderimi në Demokratischer Aufbruch përshkruhet kështu nga Gertrud Höhler, autore e “Sistemi Merkel”. “Si Kancelare vë në rrezik Gjermaninë dhe Europën: “E heshtur, pothuajse në inkonjito, merrte pjesë në mbledhjet e Demokratischer Aufbruch. Në ato mbledhje mundësohej më së fundi të ëndërroje me zë të lartë, por Angela heshtëte. Kush më pas do të njihte si puçiste në perëndorinë e Kohl, CDU-në e Perëndimit, nuk arrin ta besojë se bëhet fjalë për të njëjtin njeri. Tek Demokratischer Aufbruch, në vend që të mbajë diskutime, merret me instalimin e kompjuterëve. Kur mbaron punë, largohet. Mbetet, por në vende më të mira, pa rënë në sy, por gjithmonë e më e dukshme”.

Merkel ka dy sponsorë të dorës së parë: Wolfgang Schnur, kryetar i lëvizjes reformiste “Zgjimi Demokratik”, dhe Lothar de Maizière, lider i CDU-së lindore dhe kreu i fundit i qeverisë së RDGJ-së përpara ribashkimit (si edhe xhaxhai i Thomas de Mazière, njeriu i fortë i CDU-së merkeliane). Më pas të dy kanë rezultuar informatorë jozyrtarë të STASI-t. falë këtyre mbështetësve, Merkel bëhet shefe e Departamentit të Komunikimit dhe Raporteve me Shtypin dhe zëdhënëse e qeverisë së Lothar de Maizière. Bëhet kështu protagoniste e heshtur e ribashkimit dhe vlerësohet nga ai që do të jetë mentori i saj: Helmut Kohl. Nuk është rastësi që do të bëjë gjithçka që ta njohë personalisht. Të dy do të takohen për herë të parë me 2 tetor të 1990, një ditë përpara ribashkimit të Gjermanisë. Është hapi i parë i lidhjes së gjatë politike midis të dyve.

Është këtu që nis ngjitja e papritur, e shpejtë dhe e rrufeshme në pushtet e Angela Merkel në Gjermaninë që pak më vonë do të ribashkohet. Zgjidhet në Parlamentin gjerman në Mecklenburg-Vorpommern, në një zonë elektorale që përfshin kolegjet e Pomerania, Rügen dhe Greisfald I. Akoma sot është zona e saj elektorale dhe “Angie”, siç quhet me simpati, është e lidhur me këtë rajon në të cilin zhvillohet një prej takimeve më të pamundura të CDU-së në diten e së “mërkurës të gërmadhave”.

Në qeverinë e tretë Kohl, Angela Merkel u emërua Ministre për Familjen, Gratë dhe Rininë. Në 1991 Lothar de Maizière dorëhiqet nga zëvendëspresidenca e partisë pse dyshohet se ka pasur raporte me STASI-n. Kohl vendos që Angela Merkel duhet të marrë postin e de Maizière. Kancelari i vjetër gjerman duket se e ka zgjedhur si të përkëdhelurën e tij. Por nëse kemi të bëjmë me një vlerësim real apo pse Angela Merkel, grua nga Lindja, paraqitet si një spot i përkryer publicitar për Kancelarin gjerman që ka luajtur gjithçka me ribashkimin politik të Gjermanisë, nuk do ta mësojmë kurrë. E sigurtë është se vetë Merkel do të deklarojë në 1994 se ka bërë karrierë pse ishte grua dhe se në atë moment ekzistonte nevoja për një grua.

Nga 1993 deri në 2000 Merkel është edhe Presidente e CDU-së në Mecklenburg-Vorpommern, pasi Krause është denoncuar se ka paguar në të zezë një bashkëpunëtore. Edhe kësaj radhe Angela shfrytëzon një krizë të tjerëve për të nxjerrë përfitim për vete. Nga 1994 bëhet edhe Ministre për Mjedisin dhe Sigurinë e reaktrëve Bërthamorë, ky rol i ka dhënë edhe një shikueshmëri të madhe dhe shtytjen për të ndërtuar karrierën e saj politike. Kjo përvojë si ministre do t’i shërbejë 10 vite më pas, kur si Kancelare fillimisht do të propozojë kthimin në energjinë bërthamore dhe, më pas, si pasojë e incidentit të Fukushimës në Japoni, ta braktisë sërish bërthamoren, siç kishte vendosur më parë qeveria Schröder në kohën kur Angela ishte shefe e opozitës. Tema e mjedisit do të mbesë filli përçues i karrierës së saj politike, aq sa më pas do të quhet Klimakanzlerin. Është e njohur se përsa i përket mjedisit Angela ka pak rivalë në klasën politike: arrin të bashkojë dije shkencore dhe përvojë politike.

Por le të kthehemi në 1994, vit në të cilin Merkel është ministre e qeverisë tretë Kohl. Në këtë fazë konsiderohet një prej më besnikeve të Kancelarit dhe, si ministrja më e re e qeverisë, ju vu edhe nofka simpatike das Mädchen (“vajza”). Megjithatë të dy nuk ka sesi të mos jenë më të ndryshëm. Siç lexohet në biografinë e Angela Merkel të shkruar nga Evelyn Roll, Merkel e kishte përshkruar raportin e saj me Kohl si dy pika finale të një diagonaleje: nga njëra anë e reja që impenjohej në politikë, nga tjetra një shtetar me përvojë të madhe; nga njëra anë një Kancelar i jugperëndimit të Gjermanisë, katolik, nga ana tjetër gruaja nga veriperëndimi, protestante; Kohl përfaqësonte vijueshmërinë me gjeneratën e Konrad Adenauer, kurse Merkel, në të kundërt, ishte rritur në diktaturën socialiste të RDGJ-së; nga njëra anë një grua që i përkiste një gjenerate që kishte njohur vetëm një vend të ndarë më dysh, nga tjetra një burrë që i kishte përjetuar personalisht tmerret e luftës. Merkel dhe Kohl qenë krejtësisht të ndryshëm, nuk kishin asgjë të përbashkët. Por për sa das Mädchen i detyrohej jashtëzakonisht shumë Kohl (edhe pse vetëm nga një moment i vetëm i jetës së saj), ajo kishte një raport ndryshe nga besnikët e tjerë të Kancelarit që ia detyronin vetë ekzistencën e tyre politike pasi kishin qenë mbajtës çantash dhe asistentë të tij. Merkel ishte e vetmja që kishte forcën dhe kurajën që t’i kthente fjalën, kishte një raport më të drejtpërdrejtë dhe, në një farë kuptimi, më fitimprurës. Siç do të rezultojë më pas në momentin në të cilën do të ndërpritet historia politike midis të dyve.

Shkëputja

Në 1998 zhvillohen zgjedhjet politike dhe për Kohl dhe koalicionin qeverisës perspektivat nuk duken të mira. Kancelari në fuqi nuk gëzon konsensusin e nevojshëm popullor për të fituar dhe ministri më i besuar dhe më me autoritet i tij, Wolfgang Schäuble, i propozon që të tërhiqet dhe t’ia lërë atij kaondidaturën, me qëllim që të shmangë një humbje të shëmtuar, siç kujtohet nga vetë Schäuble në një intervistë për “Die Zeit” (9 shkurt 2011). Qysh atëhere raportet midis të dyve nuk do të jenë më të njëjtat. Unioni (CDU/CSU) humbet zgjedhjet dhe kështu, në 1998, përfundon era Kohl. Me 7 nëntor të po atij viti, me 93% të votave, Angela Merkel zgjidhet Sekretare e Përgjithshme e CDU-së që, më pas dhe nën drejtimin e saj, do të fillojë ta rimarrë veten nga humbja duke siguruar fitore të shumta në zgjedhjet rajonale, duke e bërë kështu qendrën e djathtë gjermane që pas disa vitesh të ketë shumicën në Bundesrat, Dhomën e Rajoneve.

Në dhjetor të po atij viti Angela bën edhe një hap të rëndësishëm për jetën e saj private. Pas disa vitesh bashkëjetesë (gjithmonë e parë me sy të keq nga krahu më konservator i CDU-së) martohet me Joachim Sauer, një pedagog Fizike të njohur kohën e doktoraturës. Por Angela vendos të mbajë mbiemrin e bashkëshortit të parë. Lidhur me motivet që qëndrojnë prapa kësaj zgjedhjeje është folur shumë. Më cinikët e shpjegojnë vendimin me ekuivokun e mbiemrit të bashkëshortit të dytë: sauer në gjermanisht do të thotë “i hidhur”, “i ashpër”, “i athët”. Të tjerë japin një shpjegim tjetër: Angela ishte tashmë e njohur në nivel shkencor më parë dhe politik më pas me mbiemrin Merkel, ndryshimi do ta kishte disavantazhet e tij të dukshme. Ka mundësi që e vërteta duhet kërkuar në të dy shpjegimet, por le të kthehemi në ngjitjen e saj politike.

Kthesa në karrierën e Angela Merkel vjen me skandalin financiar në vetë partinë e saj, si pasojë e të cilit shumë prej figurave historike të CDU-së qenë të përfshira, para sëgjithash Helmut Kohl, i cili refuzoi të deklarojë një shumë prej 2 milion dojçmarkash. Mund të duket paradoks, por edhe një herë akoma, Angela Merkel e shfrytëzoi në favorin e saj një moment krize të të tjerëve, në këtë rast të partisë dhe të mentorit politik të saj. Në ngjitjen e saj të pandalshme drejt pushtetit, u distancua nga Helmut Kohl, e kritikoi ashpër dhe filloi një rilindje të partisë pa kryetarin e madh. Mbetet akoma sot historik artikulli me të cilin në “Frankfurter Allgemeine Zeitung” Angela Merkel sulmon ballazi ish Kancelarin: “Fundi i erës Kohl përfaqëson një shans të ri”, “pranimet e Kohl e kanë dëmtuar partinë”, “pas një jete politike kaq të gjatë si kjo që ka pasur Helmut Kohl, ndoshta është si shumë t’i kërkosh të dorëhiqet nga të gjitha postet, të tërhiqesh përfundimisht nga politika dhe t’u lësh fushë të lirë pasuresve, të rinjve?” dhe akoma “partia duhet të mësojë të ecë me këmbët e veta dhe, në të ardhmen, të gjejë kurajën që të vazhdojë në arenën politike dhe pa kalin e saj të betejës, siç është pagëzuar shpesh Helmut Kohl”. Nuk dihet se kush e ka shkruar praktikisht këtë artikull, por duket sikur ghost writer vjen nga veyë redaksia e “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Siç shkruan Evelyn Roll, artikulli konsiderohet një dokument historik për shkëputjen e CDU-së nga Helmut Kohl dhe, veç të tjerash, është dokumenti me të cilin Sekretarja e Përgjithshme e atëhershme, Angela Merkel, shpalli aspiratën e saj për të drejtuar partinë dhe, së fundi, është një thirrje vetëprerjeje koke për Kohl, siç kujton “Handelsblatt”. Me këtë artikull Angela Merkel merr përsipër rrezikun më të madh të historisë së saj politike. Mund edhe t’i shkonte keq, por gjithçka shkoi sipas planit. CDU-ja ndoqi lideren e re në ngjitje. Helmut Kohl u bë i pari i një serie të gjatë viktimash të Angela. Falë këtij pozicionimi, Merkel fitoi konsensus midis qytetarëve. Ishte e vetmja që mund të bënte një hap të kësaj natyre, të domosdoshëm dhe të dhimbshëm: bënte politike vetëm prej pak vitesh dhe nuk i përkiste gjeneratës së lindur në krahun mbrojtës të Helmut Kohl. Në një farë kuptimi mund të themi se nuk ishte tërësisht pjesë e sistemit Kohl. Kishte ardhur nga jashtë, nga hiçi.

Në prillin e 2000, pothuajse 3 muaj pas goditjes vdekjeprurëse ndaj Helmut Kohl, das Mädchen u zgjodh Presidente e partisë për të zëvendësuar Wolfgang Schäuble, edhe ai i përfshirë pjesërisht në skandal. U bë kështu gruaja e parë presidente e CDU-së, partia më konservatore dhe më maskiliste e Gjermanisë dhe Wolfgang Schäuble është viktima e dytë e Angela Merkel. Të dy, siç do ta shohim, do të kthehen e do të bashkëpunojnë më pas. Siç ka ndodhur shpesh në historinë politike e Angela Merkel, zgjedhja e saj befasoi shumë analistë politikë. Për eksponentë të shumtë të CDU-së dhe vëzhgues duhej të ishte vetëm një lidere kalimtare, një presidente që duhej ta tragetonte CDU-në e vjetër në një epokë të re. Dukshëm që askush nuk e njihte mirë dhe shumë i kishin bërë gabim llogaritjet. Megjithatë, fakti që kishte arritur në majën e partisë ishte në vetvete një fakt i jashtëzakonshëm, pasi Merkel mishëronte një personalitet me vlera referuese të paktën pjesërisht në kontrast me traditat dominuese midis kristian – demokratëve, një parti, siç e thamë më lart, konservatore dhe maskiliste. Angela, vajza e ardhur nga Lindja, ishte protestante, femër dhe nuk kishte fëmijë. Një revolucion i heshtur i vërtetë!

Me t’u zgjedhur presidente e partisë, gradualisht Merkel fitoi popullairtet dhe konsensus, por në zgjedhjet e 2002, per të sfiduar Kancelarin në fuqi Gerhard Schröder, u preferua Edmund Stoiber. Mënyra e zgjedhjes për të mos kandiduar lidhet edhe me të famshmin Andenpakt, atë pakt midis eksponentëve të CDU-së, midis të cilëve Roland Koch, Christian Wulff, Friedbert Pflüger, Friedrich Merz, Franz Josef Jung e Matthias Wissmann, që i përkiste kohës ku ishin pjesë e CDU-së së re dhe që parashikonte marrëveshjen për të mos penguar njëri tjetrin. Merkel e njihte këtë pakt midis meshkujsh, por ia kishte nënvlerësuar forcën dhe kështu që u la menjanë. Gjithsesi, do ta gjejë mënyrën e rikthimit. Zgjedhja e Unioni ra mbi Edmund Stoiber, lider i CSU-së, partisë binjake bavareze. Strategjia e Merkelit është lineare, por jo të gjithë e kuptojnë deri në fund. Merkel është e vetëdijshme se mundja e Gerhard Schröder do të jetë e vështirë dhe Edmund Stoiber është shumë bavarez sa për të siguruar një konsensus të madh në të gjithë Gjermaninë. Merkel lejon që Stoiber të jetë ai që do të udhëheqë Unionin (CDU/CSU) në fushatë elektorale, ama me kusht që me nisjen e legjislaturës së re, grupi i ri parlamentar të drejtohet prej saj, e cila në këtë mënyrë përgatitet të drejtojë të gjithë trupën e Unionit në Bundestag pa pasur rivalë. Stoiber, në përputhje me projektin merkelian, humbet dhe me këtë humbje Merkel mund ta shtojë viktimën e tretë të shquar në bllokun personal të saj.

Në 2002 u bë Kryetare e Grupit Parlamentar të federatës CDU – CSU, rol në të cilin u konfirmua edhe në 2003 me 93.7% të votave. E mbuloi këtë rol deri në fund të legjislaturës në 2005, aq sa qe ajo që udhëhoqi opozitën konservatore ndaj qeverisë së qendrës së majtë. Strategjia e saj ka funksionuar për mrekulli. Edhe një herë akoma arrin që të sjellë në avantazh të saj një humbje të partisë (atë në zgjedhjet federale të 2002) që i ka hapur rrugën për t’u bërë kandidate për kancelariatin e qendrës së djathtë në zgjedhjet e radhës. Por rruga që do ta çojë në drejtimin e Gjermanisë është ende e gjatë.

Si lidere e opozitës u dallua për disa pozicione në kontrast të plotë me qeveirnë e Schröder. Rreshtohet kundër programit të braktisjes së energjisë bërthamore dhe në favor të pushtimit të Irakut, duke sponsorizuar aksion transatlantik midis Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara. më pas rreshtohet kundër hyrjes së Turqisë në Bashkimin Europian. Qysh nga këto pozicione shikohet Angela Merkel e qeverisë që do të jetë në të ardhmen: europeiste, “atlantiste” dhe nukleariste (të paktën deri në incidentin e Fukushimës).

Gjatë viteve të opozitës fiton rolin e sfidantes së Gerhard Schröder. Me 1 tetor të 2003 mban një diskutim në Deutsches Historisches Museum të Berlinit, falë të cilit i imponohet opinionit publik gjerman, duke i shpjeguar sesi do të donte ta ndryshonte Gjermaninë. “Kapaciteti prodhues i ekonomisë tonë zvogëlohet; institucionet shtetërore janë të cfilitura dhe degjenerojnë në burokraci; shumë palë të vogla lëvizin, por tërësia shënon hapin. Raporti i fundit i FMN-së e paraqet Gjermaninë si një prej vendeve kryesore të frenuara […] Gjermania ndodhet përpara një udhëkryqi: o dorëzi, o rilançim dhe ngritje. Do të doja që të gjitha ata që marrin përgjegjësi në këtë vend t’i dallonin shenjat e kohës. Nuk po përjetojmë as një krizë koniukturale, as vetëm një krizë strukturore […] E mira jonë e përbashkët ka nevojë për liri, solidaritet dhe drejtësi. Jeta jona e përbashkët ka nevojë për një orientim të këtyre tri vlerave në raport midis tyre dhe saktësisht në favor të lirisë […] me qëllim që solidariteti dhe drejtësia të mund të shihen sërish, është e nevojshme që liria të ringrihet masivisht në hierarkinë e vlerave tona”.

Qe një diskutim mjaft i rëndësishëm, pasi Merkel deklaroi hapur se Gjermania kishte nevojë për reforma ekonomike të thella. Faktikisht, në këtë mënyrë kandidohet tashmë për të drejtuar vendin. Veç të tjerash, centraliteti i lirisë do të kthehet disa vite më pas në diskutimin e saj programatik në Bundestag pak ditë pasi është bërë Kancelarja e parë e Republikës Federale Gjermane.

Vitet nga 2003 në 2005 janë vendimtarë për profilin e saj antiSchröder, por edhe për ekuilibrin e pushtetit brenda CDU-së: Christian Wulff zgjidhet President i Saksonisë së Poshtme, Roland Koch konfirmohet President në Assia, Peter Müller konfirmohet President i Saarland dhe Jürgen Rüttgers arrin të marrë një bastion socialdemokrat, North – Rhin Westfalia. Në fakt, të gjithë “gjigandët” kristian – demokratë degdisen në nivel rajonal: prej interesit, bindjes apo nevojës. Angela është gjithnjë e më shumë liderja kombëtare e CDU-së. Rruga për të qenë kandidat kancelare bëhet gjithnjë e më e lirë dhe u bë e qartë se Angela nuk është as tragetuese, as lidere kalimtare. Fati i Merkel dhe i CDU-së janë gjithnjë e më shumë të ndërlidhur midis tyre.

Dueli me Schröder

Një moment kyç është përfaqësuar nga zgjedhjet në North Rhin – Westfalia të 2005, landi gjerman me popullsinë më të madhe. Këtu zgjedhjet janë aq të rëndësishme sa të konsiderohen zgjedhje të vogla federale, pasi rezultati, duke parë madhësinë dhe rëndësinë e landit, ka gjithmonë pasoja në Berlin. Kështu ndodhi edhe në majin e 2005 kur kandidati Rüttgers i CDU-së mundi Peer Steinbrück e SPD-së dhe pushtoi feudin socialdemokrat. Në këtë mënyrë, mazhorance qeverisëse humbet shumicën në Bundesrat. Kancelari Schröder jep dorëheqjen dhe cakton zgjedhje të parakohshme. Do të duhej të votohej në 2006. Kështu, do të votohet një vit më përpara. Ngjarjet shkojnë në një drejtim që duket se e lehtëson projektin merkelian. Partitë organizohen dhe me 30 maj të 2005 Angela Merkel bëhet kandidatja e qendrës së djathtë për zgjedhjet e parakohshme të shtatorit 2005.

Angela Merkel dhe Unioni e nisën fushatën elektorale si favoritë të mëdhenj dhe me një avantazh të madh në sondazhe respektivisht koalicionit qeverisë të qendrës së majtë (SPD – Të Gjelbër). Me 17 gusht, Merkel paraqiti ekipin e saj, “Kompetenzteam” e saj: Paul Kirchhof (ekspert finance), Wolfgang Schäuble (CDU), Peter Müller (President i Saarland), Dieter Althaus (President i Turingia), Günther Beckstein (Ministër i Brendshëm i Bavarisë), Ursula von der Leyen (Ministre e Përkrahjes Sociale në Saksoninë e Poshtme), Annette Schavan (Ministre e Kulturës në Baden-Württemberg) dhe Gerda Hasselfeldt (CSU). Shumë prej këtyre, siç do ta shohim më pas, nuk do të jenë pjesë e qeverisë së parë Merkel.

Fushata elektorale ka tone të zjarrta, Kancelari në fuqi Schröder e radikalizoi me tej mbi personin e saj. E dinte se ishte më karizmatik se ajo dhe zgjodhi rrugën e përplasjes së drejtpërdrejtë me Angela Merkel, e cila demonstroi se ishte e papërgatitur dhe e sfazuar respektivisht aftësive retorike dhe forcës shkatërrimtare mediatike të Schröder. Siç kujton Dirk Kurbjuëeit në biografinë e tij për Angela Merkel: kontakti me qytetarët nuk është forca e saj.

Gjatë fushatës elektorale të 2005 kam vëzhguar si Merkel, ashtu edhe Schröder. Kandidati i SPD-së e dominonte publikun, shtrëngonte duart, bënte qindra fotografi dhe jepte pafundësisht autografe; sfidantja e CDU-së ishte më e ndrojtur, më e matur, thuajse e paaftë për të një kontakt me qytetarët. Merkel kishte vështirësi në lidhjen e raporteve me votuesit, me popullin. Por me kalimin e kohës edhe është përmirësuar në këtë aspekt, është më pak e akullt. Mund të vërehet komode në një festë të Würstel apo në Oktoberfest.

Shenja e evolucionit komunikues të Merkel mund të shikohet edhe nga pushimet e kohëve të fundit në Ischia. E kthyer bashkë me bashkëshortin ne restorantin e preferuar të tyre, kërkoi kamarieren e zakonshme, por ju komunikua se ndërkohë ishte pushuar nga puna. Të zhgënjyer, Kancelarja dhe i shoqi i saj kanë shkuar ta takojnë në shtëpi, duke i bërë një surprizë.

Komunikimi i Angela Merkel ka evoluar falë internetit. Aftësitë komunikuese të saj janë përmirësuar ndjeshëm sot falë një pranie gjithnjë e më të madhe në web (por jo në Twitter) dhe instrumentave novatorë të kontaktit e të komunikimit me qytetarët, si për shembull videomesazhet e shumta. Veç kësaj, Merkel duket shumë më komode më publik ku shpesh arrin edhe të thotë batuta therëse apo të vendosë një raport më dashamirës. Kancelarja ka punuar edhe me imazhin e saj publik, duke e kuruar më shumë edhe detajin më të hollësishëm, e vetëdijshme për rëndësinë e dimensionit estetik në politikën e sotme.

Por le të kthehemi tek sfida me Schröder. Gjatë fushatës elektorale, Merkel bëri disa gafa lidhur me temat ekonomike: propozoi rritjen e TVSH-së për të reduktuar deficitin gjerman dhe zgjodhi si konsulent ekonomiko – fiskal ish Gjykatësin e Gjykatës Kushtetuese Paul Kirchhof, i cili propozoi një flat-tax e cila u kritikua fuqishëm dhe që e bëri të humbasë vota dhe besueshmëri të mëtejshm sfidantes të ardhur nga Lindja. Në duelin televiziv me Schröder, në mesazhin final të saj, Merkel kopjoi edhe një diskutim të vjetër të Ronald Reagan.

Veç kësaj, Angela Merkel pësoi një sulm nga bashkëshortja e Gerhard Schröder. Si grua pa fëmijë, Doris Kopf e akuzoi se nuk i kuptonte problemet e grave që u duhet të pajtojnë punën me familjes. Siç do të shikohet me rezultatet e dala, vota e shumë grave shkoi për Schröder, pavarësisht se feministja e njohur gjermane Alice Schëarzer kishte shprehur admirim për Angela Merkel.

Në atë fushatë elektorale të parë të saj në të cilën ishte në lojë posti më i rëndësishëm, Merkel nuk dha maksimumin e vetes. Në më pak se një muaj “dogji” pjesën më të madhe të avantazhit të saj. Në zgjedhjet e 18 shtatorit 2005 Unioni (CDU/CSU) i drejtuar nga Merkel dhe SPD-ja e Schröder arrijnë në një kokë më kokë: 35.3% (CDU 27.8; CSU 7.5) me 34.2% (SPD). Një ngritje e bujshme nga ana e socialdemokratëve, por e ndalur pikërisht në momentin më të përshtatshëm. Rezultati i mirë i arritur nga SPD-ja e pengoi gjithsesi Unionin që të qeverisë me nja koalicion të qendrës së djathtë bashkë me liberalët (FDP). Si Merkel, ashtu edhe Schröder u shpallën fitues, por në realitet asnjëri prej të dyve nuk mund të qeveriste pa tjetrin. Liderja e Unionit propozoi një koalicion të madh, por Schröder, ndoshta pak edhe për mendjemadhësi, siç thonë më dashakeqësit, në një emision televiziv u përgjigj: “Seriozisht besoni se SPD-ja mund ta pranojë ofertën që të qeverisë me Merkelin si Kancelare? Zonja Merkel nuk do të udhëheqë asnjë koalicion me Partinë Socialdemokrate”.

Siç do ta zbulonte vetë Angela Merkel një vit më pas në ZDF, në atë fazë delikate politike i la gjërat thjesht të ecnin siç duhej të ecnin. Në stilin e përkryer merkelian, vëzhgonte dhe priste. Pas negociatash të gjata, polemikash dhe përplasjesh politike të forta, me 22 nëntor të 2005 Angela Merkel, fizikantja e ardhur nga Lindja, u bë femra e parë në drejtimin e Republikës Federale Gjermane, Kancelarja e koalicionit të dytë të madh të historisë së Gjermanisë, Kancelarja e parë nga ish Gjermania Lindore dhe, së fundi, me 51 vitet e saj, Kancelarja më e re në moshë e historisë së Gjermanisë: një moment historik. Respektivisht Kohl dhe Schröder, dy paraardhësve të saj, ka djegur etapat duke mos kaluar më parë gavetën e një presidence landi. Bundekanzlerin (në gjininë femërore!) u bë fjala e vitit në Gjermani, siç kujton Evelyn Roll.

Schröder u tërhoq nga politika për të shkuar në krye të Gazprom-it rus dhe SPD-ja siguroi 8 nga 16 ministritë. Midis anëtarëve të kabinetit ishte edhe si Ministër i Financave Peer Steinbrück, që si për ironi të fatit, pas 8 vjetësh, do të sfidojë Merkel në zgjedhjet politike e 22 shtatorit 2013

LEAVE A REPLY