Në kërkim të një rendi të ri botëror

Në kërkim të një rendi të ri botëror

31
0
NDAJ

Mungon një figurë udhëheqëse që të dëshirojë të marrë mbi vete kostot e krijimit të një qeverisjeje globale të re. Shtetet e Bashkuara i shmangen çdo tundimi për lidership global, ndërsa Kina duket sot ende tejet e kapur pas dinamikave bilaterale në politikën e jashtme

 

Në kapërcyellin e mijëvjeçarit të ri sistemi i marrëdhënieve ndërkombëtare ka përjetuar një moment transformimi të jashtëzakonshëm, i filluar me rënien e Bashkimit Sovjetik dhe me fundin e bipolarizmit në nivel global, si dhe i karakterizuar nga dalja e një fuqie hegjemone – Shteteve të Bashkuara – dhe afirmimit të një bote multipolare e përbërë nga një seri fuqishë rajonale, Kina in primis. Thuajse me të njëjtin hap, sektori energjitik i ka ndjekur këto transformime, duke përjetuar edhe ai një ndryshim progresiv në ekuilibrat dhe në dinamikat në planin ndërkombëtar. Në harkun e pak viteve është kaluar nga marrëdhënie të qëndrueshme e të parashikueshme (megjithëse komplekse) midis bërthamës së vendeve konsumatore që i përkasin bllokut të demokracive perëndimore, OCSE-së, dhe një grupi relativisht të ngushtë prodhuesish të bashkuar përreth OPEC-it (plus Rusinë), në një botë të karakterizuar nga zona të reja prodhimi dhe konsumi – sidomos në Azinë Lindore – në ekspansion të shpejtë. Një kalim që ka gjeneruar një nivel kompleksiteti në marrëdhëniet energjitike në nivel transkombëtar rrallë të përjetuar në të kaluarën dhe i vështirë për t’u menaxhuar nëpërmjet modelesh qeverisjeje të imponuara në dekadat e mëparshme.

Në të dy frontet, ndryshimi duket se nuk dëshiron të ndalet. Gjatë viteve të fundit sulmet e ndryshme ndaj procesit të globalizimit, modeleve tradicionale të bashkëpunimit rajonal dhe shfaqja e shtytjeve të forta drejt një rrugëtimi të tranzicionit energjitik, po ridizajnojnë nevojat dhe marrëdhëniet e aktorëve të ndryshëm ndërkombëtarë në fushën e energjisë, duke i bërë gjithnjë e më komplekse. Një kompleksitet përballë të cilit duket më shumë se kurrë urgjente, anipse jashtëzakonisht e vështirë, të përkufizohen arkitektura të reja të qëndrueshme dhe përfshirëse të qeverisjes ndërkombëtare.

 

Rritja e sovranizmave dhe fati i qasjes multilaterale

Shfaqja e reotrikës sovraniste si recetë e politikës së brendshme, e shoqëruar nga sulme të vazhdueshme, këmbëngulëse, ndaj rendit aktual multilateral global përfaqëson një prej elementëve karakterizues të panoramës aktuale ndërkombëtare. Asnjëherë si sot, duke filluar nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, ideja e një rendi botëror të bazuar mbi globalizmin duket se është vënë në krizë nga qëndrimi (dhe nga disa iniciativa konkrete) të aktorëve të mëdhenj globalë.

Mbi të gjithë Shtetet e Bashkuara, që me zgjedhjen e Trump në Shtëpinë e Bardhë në fakt kanë abdikuar nga roli i tyre disadekadësh i garantëve (pasi i kanë qenë krijuesit) të arkitekturës ndërkombëtare të ngritur mbi rolin e Kombeve të Bashkuara dhe të institucioneve multilaterale dhe përfshirëse, për të ndjekur një qasje qëllimisht unilaterale mbi dosje të ndryshme me natyrë globale. Nga politikat tregtare tek klima, nga çarmatimi bërthamor tek refuzimi i rehabilitimit ndërkombëtar të Iranit, zgjedhjet e administratës aktuale amerikane duket të studiuara për të minuar në themel çdo tentativë për ndjekjen e rrugës së multilateralizimit si modus operandi në marrëdhëniet ndërkombëtare. Një qasje e pazakontë për energjinë e saj, që jo vetëm ka përkeqësuar marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe konkurrentit të tij kryesor global, Pekinit, por që, për shembull, ka krijuar një hendek të paprecedent në raportet me partnerët europianë në gjirin e Aleancës Atlantike, të cilës Trump në shumë raste i ka vënë në diskutim dobishmërinë dhe nevojën.

Dhe me kryet e punës që distancohet nga rruga kryesore, në një sistem anarkik si ai i marrëdhënieve ndërkombëtare, shumë mund të jenë të tunduar që të ndjekin. Nga këtu, shfaqja e shtytjeve të reja unilaterale edhe në nivel rajonal, si në rastin e Jair Bolsonaro dhe Andres Manuel Lopez Obrador, të zgjedhur kohët e fundit respektivisht në presidencën e Brazilit dhe të Meksikës, apo të kthesës së realizuar nga Erdogani në Turqi, duke kaluar nëpër forcimin e politikave të forcës në fuqi aspiruese globale si Kina dhe Rusia. Edhe në aspektin europian, pavarësisht se rezultati i zgjedhjeve të fundit e ka shmangur në fakt daljen e një mazhorance sovraniste në gjendje që të marrë kontrollin e institucioneve, Bashkimi Europian duket ende fuqimisht i përçarë dhe i shënuar nga pozicione nacionaliste. kjo përcakton nga njëra anë dobësinë e lindur të Bashkimit Europian në përcaktimin e politikave dhe të prioriteteve të tij të veprimit dhe nga ana tjetër rrezikon që t’i kufizojë projeksionin ndërkombëtar në ruajtje të asaj qasjeje multilaterale dhe përfshirëse i të cilave institucionet europiane kanë shërbyer historikisht si promotore.

Pa një Europë të fortë në planin ndërkombëtar, me Shtetet e Bashkuara të rreshtuara fuqimisht kundër globalizimit dhe primatit të Kombeve të Bashkuara, me Kinën në kërkim të një lidershipi global (por jo të gatshmë që t’i mbështesë kostot e fuqisë hegjemone) dhe më një numër aktorësh rajonale të dëshiruar që të rivendosin një rol në sferat e tyre të influencës, shpresat e mbajtjes në jetë të mekanizmave të qëndrueshëm dhe efikasë të bashkëpunimit sot duken të reduktuara në maksimum. Duke ua hapur në fakt portat dinamikave të paqartësisë dhe të konfliktualitetit ndërkombëtar e rajonal për vitet që do vijnë.

 

Implikimet e tranzicionit energjitik

Paralelisht me këtë ripërkufizim dramatik të paradigmave në fuqi në skakierën ndërkombëtare, sektori energjitik global po përjeton një seri ndryshimesh të reja, shumë prej të cilave me natyrë epokale. Disa prej tyre janë tashmë në zhvillim, të tjerë do të marrin përfundimisht udhë në vitet e ardhshme, por ajo që rezulton e qartë është se këto tendenca do t’i shtojnë kompleksitet dhe paqartësi të mëtejshme një skenari tashmë në një fazë transformimi të thellë. Proceset e tranzicionit energjitik dhe të deqymyrizimit të nxitura – kryesisht, por jo vetëm – nga lufta globale ndaj ndryshimeve klimaterike, në fakt do të bartin me vete një seri ndryshimesh që nuk i përkasin sektorit energjitik, por që do të ketë një impakt gjeopolitik me shtrirje të madhe. Faktorë si delokalizimi i prodhimit të energjisë, penetrimi në rritje i energjive të rinovueshme, rritja e efikasitetit dhe e vetëkonsumit, reduktimi progresiv i përdorimit të lëndëve djegëse me bazë fosile, do të përcaktojnë në fakt një ripërkufizim të atyre që janë nevojat energjitike (dhe në linjë me prioritetet e politikës ndërkombëtare) dhe modus operandi i aktorëve kryesorë në skakierën ndërkombëtare.

Në një optikë afatmesme, transformimi i paradigmës energjitike në shkallë globale do të mund të sillte një ripërkufizim të ekuilibrave të forcës midis vendeve prodhuese dhe vendeve konsumatore, shfaqjen e zonave të reja me interes gjeopolitik e strategjik dhe çinteresimin progresiv ndaj të tjerave. Të kihet parasysh, për shembull, nevoja për të pasur akses në resurse të reja natyrore si litiumi, kobalti dhe metalet e rralla dhe konkurrenca e mundshme e lojtarëve të mëdhenj ndërkombëtarë për të siguruar kontrollin (ose aksesin preferencial) mbi zona dhe rajone me prodhim më të madh. Për pasojë, do të asistohej në një ripërkufizim të vetë konceptit të sigurisë së furnizimeve, i flakur tej jo edhe aq nga afirmimi i tranzicionit energjitik, por thjesht i shkuar drejt sektorëve dhe zonave të tjera të globit. Nga pikëpamja gjeopolitike, çlirimi progresiv nga lëndët djegëse me bazë fosile veç të tjerash mund të ketë implikime të konsiderueshme ndaj stabilitetit të brendshëm të vendeve të mëdha prodhuese, aktualisht të varura fuqimisht nga rentat petrolifere. Reduktimi i të ardhurave që burojnë nga eksporti i naftës dhe gazit në tregjet ndërkombëtare do t’u impononte këtyre qeverive që ta rishikonin në thellësi modelin e tyre të zhvillimit ekonomik dhe, bashkë me të, të gjitha ato marrëdhënie të natyrës socio – politike që u kanë siguruar stabilitetin në këto dekadat e fundit. Rreziku i konfliktualitetit të brendshëm në rritje, megjithëse jo i sigurtë, mbetet aty, me mundësinë që jostabiliteti të mund të përhapet edhe në shkallë rajonale e globale.

Së fundi, duhen marrë në konsideratë implikimet e natyrës teknologjike e tregtare, sidomos në një epokë historike të karakterizuar nga kthimi i proteksionizmit, i të ashtuquajturave “trade wars” dhe i tarifave. Zhvillimi i teknologjive të reja pararojë për sektorin energjitik – nga sistemi i akumulimit tek turbinat eolike, nga automjetet elektrike tek hidrogjeni – do të marrë gjithnjë e më shumë një konotacion force në skakierën ndërkombëtare. Nga njëra anë, nëse disponueshmëria e know-how teknologjik do të mund të përfaqësojë një element të domosdoshëm sigurie energjitike në planin kombëtar, nga ana tjetër, kapaciteti për të konkurruar në shkallë ndërkombëtare dhe për të penetruar në tregjet e mëdha energjitike të së tashmes e të së ardhmes (të kihet parasysh këtu potenciali i nënkontinentit afrikan, ku rreth 600 milion njerëz nuk kanë akses në shërbimet elektrike bazë) përfaqësojnë faktorë strategjikë sa për zhvillimin e brendshëm ekonomik, aq edhe për projektimin gjeopolitik në shkallë ndërkombëtare. Në këtë kontekst tejet kompetitiv, faktorë si primati teknologjik dhe ekspansioni tregtar mund të bëhen dy element kyç të politikës energjitike të fuqive të mëdha globale, me implikime të forta mbi pozicionimin e tyre në skakierën globale.

 

Çfarë qeverisjeje për të ardhmen?

Bota po ndryshon me shpejtësi dhe nbashkë me të edhe tregu i energjisë. Dalin aktorë të rinj si nga ana e ofertës, ashtu edhe nga ana e kërkesës, strukturohen interesa dhe prioritete strategjike të reja, krijohen marrëdhënie tregtare dhe gjepolitike të reja, shfaqen zona të reja (tematika dhe gjeografike) konkurrence. Në këtë kontekst, mekanizmat aktualë e qeverisjes të sektorit, ta bazuara në thelb mbi dualizmin midis një grupi kompakt vendesh konsumatore të mbledhura nën ombrellën e IEA-s dhe vendeve prodhuese të mbledhura në kuadër të OPEC-it (dhe nga disa degë të tij, shiko ROPEC) dhe, anipse me impakt më të kufizuar, GECF-it (Gas Exporting Countries Forum), po demonstrohen të papërshtatshme në përballimin e ndryshimeve në zhvillim prej dy dekadash e këtej dhe do të jenë akoma shumë në përballimin e sfidave të tranzicionit energjitik. Debati brenda IEA-s mbi zgjerimin e anëtarësimit në mënyrë që të mund të përfshijë vendet e reja të mëdha konsumatore, kriza e OPEC-it dhe paaftësia në rritje e tij për të influencuar ecurinë e tregjeve petrolifere dhe vështirësitë e GEFC-it për të marrë një rol drejtues në sektorin e gazit janë një dëshmi e qartë e papërshtatshmërisë së arkitekturave aktuale institucionale ndërkombëtare në aspektin energjitik.

Dinamikat e reja të shkaktuara nga tranzicioni energjitik imponojnë kështu një rimendim të atyre që janë instrumentat dhe mekanizmat e qeverisjes energjitike globale. Një nevojë për reform që sigurisht mund të shpaloset në rezultate positive, por për të cilën megjithatë nuk mund të përjashtohen rezultate të pjesshme apo negative. Shumë do të varet nga mënyra sesi do të menaxhohet ky proces transformimi dhe sidomos nga kush. Siç e thamë duket se mungon në fakt në nivel global vullneti i qartë i aktorëve kryesorë globalë për ta përballuar në mënyrë të koncertuar dhe të pranuar çështjen e tranzicionin energjitik dhe të krijojnë një arkitekturë globale në gjendje që të menaxhojë, adresojë dhe t’i japë vlerë një kompleksiteti të tillë, duke parandaluar rreziqet e një konkurrence të pakontrolluar dhe të dëmshme.

Në nivel të përgjithshëm theksi i fuqive të mëdha e të mesme drejt një retorike nacionaliste e sovraniste (në fushën energjitike, por jo vetëm), instrumental në fitimin e konsensuseve në frontin e brendshëm, përfaqëson në fakt një pengesë konkrete ndaj përkufizimit të formave të rinvouara e të forcuara të qeverisjes ndërkombëtare. Kësaj i shtohet mungesa e një figure drejtuese, hegjemone ose jo, në gjendje që të marrë përsipër gjithë një seri kostosh të lidhura me krijimin e ruajtjen e një rendi energjitik global. Shtetet e Bashkuara të Trump janë më shumë se të gatshëm që t’i shmangen çdo tentative për lidership global, ndërsa Kina është ende shumë e kapur pas dinamikash bilaterale (dhe nganjëherë grabitqare) në fushën e politikës së jashtme. Kësaj i shtohet fakti i një Bashkimi Europian në fazë tranzicioni, shumë i dobët në frontin e brendshëm sa për t’u bërë promotor i një përpjekje ndërkombëtare dhe garant i kohezimit midis të gjithë komponentëve në fushë.

Ndërkohë mbesin në këmbë disa zgjidhje të pjesshme për diskutimin e implikimeve ndërkombëtare të tranzicionit energjitik. Nga njëra anë zgjerimi i mandatit dhe i anëtarësimit të IEA-s, që megjithatë do të mbetej një organizatë me konotacion të fortë perëndimor dhe, për pasojë e anshme (në mos minoritare) përballë tendencave në zhvillim në sektorin energjitik ndërkombëtar. Nga ana tjetër, forcimi i rolit të G-20 – anëtarët e të cilës kontribuojnë në total me 80% të konsumit energjitik botëror – por që gjithsesi ka një aftësi të kufizuar adresini lidhur me temat e energjisë, duke mos qenë pjesë e çështjeve “core” të trajtuara nga grupi.

Të gjitha opsione suboptimale dhe tranzitore, në demonstrim të faktit që ajo e qeverisjes energjitike globale, mbi bazën e tendencave aktuale, mbetet një prej sfidave të mëdha ndërkombëtare në vitet në vazhdim.

(Nicoló Sartori është Senior Fellow dhe Përgjegjës i Programit të Energjisë në Istituto Affari Internazionali)

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

LEAVE A REPLY