“Një 10% më pak demokraci do të zgjidhte shumë prej problemeve tona”

“Një 10% më pak demokraci do të zgjidhte shumë prej problemeve tona”

131
0
NDAJ

Është teza e ekonomistit Garret Jones, sipas të cilës demokratizimi i vendimeve ia përmirëson cilësinë, ama deri në një pikë të caktuar, përtej së cilës vë në rrezik mirëqenien e një vendi. Motivi? Interesi elektoral afatshkurtër i politikanëve mbizotëron mbi të mirën e përbashkët

Kush duhet të qeverisë? Koronavirusi vendos në qendër të debatit më të lashtën e çështjeve politike. Përpara vendimeve që kushtëzojnë fatin e një vendi kujt i kërkojmë që duhet t’i marrë ato: Politikanët? Ekspertët?

Garrett Jones, ekonomist i George Mason University, mendon se pasja e «një 10% më pak demokraci» do t’i zgjidhte shumë prej problemeve tona. Për Jones (autor i librit me titull “10% Less Democracy: Why You Should Trust Elites a Little More and the Masses a Little Less”, shtëpia botuese Stanford University Press, 2020), demokracia është më i keqi i mundshëm i sistemeve, ama pas gjithë të tjerëve. Ia njeh avantazhet, që në thelb janë dy.

I pari është më i natyrshmi: më demokraci kokat numërohen dhe nuk priten. Demokracia politike është e shoqëruar me një nivel të lartë tolerance për opinionet heterodokse dhe respektin për të drejtat e minorancave, respektivisht me alternativat historikisht të njohura. I dyti, siç e shpjegon Amartya Sen, është se nuk ka pasur kurrë ndonjë zi buke në një vend demokratik.

Nëqoftëse elita në pushtet është zgjedhur nëpërmjet nja procedure konkurruese dhe e di se do të duhet të kalojë sërish nëpër zgjedhje të lira, do të shmangë zgjedhje që e vënë në rrezik qytetarinë. Dikush do të thoshte se kemi pasur prove pikërisht gjatë këtyre ditëve, tek shpejtësia me të cilën qeveritë e vendeve europiane kanë rishikuar norma, zakone, stile jetese, boll që të ruanin shëndetin e votuesve të tyre.

Por demokracia shkon me shkallë. Për këtë arsye mund të ketë «një 10% më pak». Benefitet e saj janë sidomos të rëndësishme kur, si të thuash, «na arrin»: domethënë kur dilet nga një regjim autokratik, për të adoptuar zgjedhje me votim të fshehtë. Këto avantazhe nuk rriten në përpjestim me «kuotën» e vebdimeve që merren nga një asamble e zgjedhur demokratikisht.

Ekziston një lloj “kurbe Laffer” e demokracisë. Me rritjen e kuotave fiskale, theksonte ekonomisti reaganian, e ardhura rritet deri sa arrihet një pike, përtej së cilës fillon të zbresë.

“Kurba e Laffer” nuk është një ligj rigoroz, sinjalizon një tendencë. Të njëjtën gjë bën ajo që mund ta quajmë “Ligji i Jones”. Demokratizimi i vendimeve ia përmirëson cilësinë, domethënë çon në identifikimin e pikëpamjeve të pushtetit dhe pikëpamjeve të individëve. Ama deri në një pike të caktuar, përtej së cilës mund të vërë në rrezik, sa për të filluar, mirëqenien e vendit. Pse? Problem është horizonti kohor i vendimmarrësit politik. Sigurisht që një politikan nuk është i zgjedhur përjetësisht: përkundrazi, do të duhet të përgatitet për t’i mbijetuar zgjedhjeve të radhës.

Në një fare mase, ky është një avantazh për të gjithë: përpara votuesve do të duhet kuptojë se sa ka bërë dhe, ka mundësi, do të shmangë zgjedhje tejet të papëlqyeshme. Ama afërsia e sfidës elektorale shpesh çon në zgjedhje tejet të pëlqyeshme: të pëlqyeshme nga ato grupe interesi që kontrollojnë «paketash vota» të mjaftueshme për të garantuar rizgjedhjen ose të sintonizuara me sloganet, pashmangshmërisht të thjeshtëzuara, që dominojnë diskursin publik.

Sipas Jones, është vëmendja ndaj afatit të shkurtër që e shpjegon arësyen për të cilën shtresa politike është paradoksalisht e shurdhër ndaj argumentimeve të ekonomistëve pikërisht mbi ato çështje më pak kontradiktore midis tyre: që shkëmbimi i lirë është fitimprurës për të dyja palët e përfshira ose, për t’u qëndruar shembujve pastërtisht italianë, se nxjerra në pension fillimisht e tëmoshuarve nuk do të krijojë vende pune për të rinjtë.

Interesi elektoral afatshkurtër mbizotëron mbi të mirën e përbashkët, që për nga definicioni është punë afatgjatë. Si të veprohet? Një opsion është të zgjaten legjislaturat, si të thuash «duke e vonuar» fushatën elektorale. Në rastin tone, të themi duke i vënë në linjë me 7 vjeçarin e Presidentit të Republikës.

Një tjetër mundësi është të zgjerohet hapësira vendimmarrëse e autoriteteve të pavarura: është e vërtetë, pranon Jones, që rrezikojnë të «kapen» nga të rregulluarit respektivë, por këta të fundit kanë një interest ë forte që kapitali i tyre të shpërblehet. Kjo bën që pikëpamja e tyre të përputhet me atë afatgjatë të një vendi: që konsiston në pasjen e investimeve të mira infrastrukturore, në sektorë si telekomunikacionet apo energjia.

Në mënyrë krejt paradoksale, duhet rivlerësuar koncepti i burokracisë: ministrat shkojnë, por shefat e kabineteve mbesin dhe këta do të kenë një qasje më pak «grabitqare» ndaj ekonomisë së një vendi, nga momenti që ajo duhet t’u garantojë atyre një të ardhur jo vetëm për kohëzgjatjen e një qeverie, por për të gjithë jetën.

Por ideja më sugjestionuese e Jones është një tjetër. Borxhi publik përfaqëson një fre të madh për vendimin demokratik. Saktësisht si në privat, ku kreditorët kërkojnë që borxhliu i tyre të nxjerrë fitim dhe të presë degët e thara, ashtu bëjnë edhe me shtetin.

Historia në mëson se deri në rast falimentimi sovran shtetet tentojnë të dëmshpërblejnë një kuotë të caktuar të borxheve të tyre, rreth 30%: mos bërja vë në rrezik kredibilitetin dhe aksesin e tyre në tregje.

Atëhere, pse të mos imagjinohet një institucion që përfshin kreditorët e mëdhenj, të cilit t’i kërkohen vendimet me peshë më të madhe në periudhë afatgjatë? Përgjigja tingëllon keq për veshët tanë demokratikë, por tingëllon më pak keq nëse kujtojmë se borxhi janë tatime të ardhshme. Kreditorët tanë të sotëm janë përfaqësuesit më të besueshëm e grupit të interesit me më pak zë: qytetarve të së nesërmes.

(Alberto Mingardi për La Stampa)

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA

LEAVE A REPLY